Besëlidhjet me Perëndinë na Forcojnë, na Mbrojnë dhe na Përgatitin për Lavdi të Përjetshme
Kur zgjedhim të bëjmë besëlidhje dhe i mbajmë ato, ne do të bekohemi me lumturi më të madhe në këtë jetë dhe një jetë të përjetshme, të lavdishme në botën që vjen.
Motra, çfarë gëzimi është të mblidhemi në një motëri mbarëbotërore! Si gra që bëjmë dhe mbajmë besëlidhje me Perëndinë, ne kemi lidhje shpirtërore që na ndihmojnë të përballemi me sfidat e kohës sonë dhe na përgatitin për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Dhe mbajtja e atyre besëlidhjeve na lejon të jemi gra me ndikim të cilat mund t’i afrojnë të tjerët te Shpëtimtari.
Ato që janë pagëzuar, bënë besëlidhje në atë ditë që nuk do të harrohet kurrë, për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit, që gjithmonë ta kujtojnë Atë, t’i zbatojnë urdhërimet e Tij dhe t’i shërbejnë Atij deri në fund. Kur i bëjmë këto gjëra, Ati Qiellor premton të na i falë mëkatet tona dhe të na japë shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Këto bekime na bëjnë të hyjmë në shtegun që, nëse shkojmë përpara dhe durojmë deri në fund, do të na lejojë të jetojmë me Të dhe Birin e Tij në mbretërinë çelestiale. Çdo person i pagëzuar ka premtimin e këtyre privilegjeve, nëse ajo ose ai e mban besëlidhjen që bëri në atë ditë të veçantë.
Ato që bëjnë besëlidhje të mëtejshme në tempull, marrin premtime të fuqishme, të kushtëzuara nga besnikëria vetjake. Ne premtojmë solemnisht që t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë, ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, të jemi të pastra moralisht dhe t’ia përkushtojmë kohën dhe talentet tona Zotit. Në këmbim, Perëndia premton bekime në këtë jetë dhe mundësinë për t’u kthyer që të jetojmë me Të.1 Në atë proces, neve na jepet ose na dhurohet fuqia për të dalluar midis së vërtetës dhe gabimit, midis së drejtës dhe së gabuarës, në mes të zërave pështjellues dhe negativë që na bombardojnë. Çfarë dhurate e fuqishme!
Në përgatitje për udhëtimin tim të parë në tempull, nëna ime dhe motra me përvojë të Shoqatës së Ndihmës më ndihmuan të përzgjidhja artikujt që do të më nevojiteshin, përfshirë veshjet e bukura ceremoniale. Por përgatitja më e rëndësishme erdhi madje përpara se të dija se çfarë të vishja. Pasi më intervistoi që të përcaktonte nëse isha e denjë, peshkopi më shpjegoi besëlidhjet që do të bëja. Shpjegimi i tij i kujdesshëm më dha mundësinë që të mendoja për ato besëlidhje dhe të përgatitesha për t’i bërë ato.
Kur erdhi dita, unë mora pjesë me një ndjenjë mirënjohjeje dhe paqeje. Ndonëse nuk e kuptova domethënien e plotë të besëlidhjeve që bëra, unë e dija vërtet se isha e lidhur me Perëndinë nëpërmjet atyre besëlidhjeve dhe më ishin premtuar bekime që mezi mund t’i merrja me mend, në qoftë se i mbaja ato. Që nga ajo përvojë e parë, kam marrë vazhdimisht sigurinë se mbajtja e besëlidhjeve që bëjmë me Perëndinë, na lejon të marrim prej fuqisë së Shpëtimtarit, e cila na forcon në sprovat tona të pashmangshme, na siguron mbrojtje nga ndikimi i kundërshtarit dhe na përgatit për lavdi të përjetshme.
Përvojat e jetës mund të shtrihen nga përvoja me humor në përvoja zemërpikëlluese, nga të zymta në të lavdishme. Secila përvojë na ndihmon të kuptojmë më shumë rreth dashurisë gjithëpërfshirëse të Atit tonë dhe aftësisë sonë për të ndryshuar nëpërmjet dhuratës së hirit të dhënë nga Shpëtimtari. Mbajtja e besëlidhjeve tona e lejon fuqinë e Shpëtimtarit të na pastrojë teksa mësojmë nëpërmjet përvojës, pavarësisht nëse është një keqkuptim i vogël apo një dështim i madh. Shëlbuesi ynë është i pranishëm për të na kapur kur biem në qoftë se kthehemi tek Ai.
A keni qëndruar ndonjëherë në majë të një shkëmbi të lartë me gishtat e këmbëve tuaja në buzë të shkëmbit dhe kurrizin të kthyer nga ana e humnerës poshtë? Në zbritjen me litarë, edhe pse ju lidhin në mënyrë të sigurt me një sistem litarësh të fortë dhe pajisjesh që mund t’ju mbajnë të sigurt, qëndrimi në buzë të shkëmbit ende ju bën t’ju rrahë zemra nga frika. Për t’i hedhur hapat pas, larg nga shkëmbi, dhe për t’u lëkundur në ajër duhet mirëbesim te një pajisje ankoruese, e siguruar te një objekt i palëvizshëm. Duhet mirëbesim te personi që do të ushtrojë trysni te litari ndërkohë që zbrisni. Dhe, ndonëse pajisja ju jep njëfarë aftësie për të kontrolluar zbritjen tuaj, duhet të keni sigurinë se partneri juaj nuk do të lejojë që të bini.
Më kujtohet qartë zbritja me litar me një grup të rejash. Isha e para në grup për të zbritur. Teksa i hodha hapat mbrapa duke iu larguar shkëmbit, fillova të bie pa asnjë kontroll. Fatmirësisht, litari u tërhoq dhe u ndal rënia ime shumë e shpejtë. Teksa isha e varur në gjysmë të lartësisë përballë faqes së dhëmbëzuar të shkëmbit, u luta me zjarr për cilindo apo çfarëdo gjëje që nuk po më linte të bija te gurët.
Më vonë mësova se buloni i ankorimit nuk ishte vendosur në mënyrë të sigurt dhe kur u largova nga buza e shkëmbit, personi që po siguronte litarin tim ra me kurriz dhe u tërhoq drejt buzës së shkëmbit. Në njëfarë mënyre ai i nguli këmbët mes disa gurëve. I stabilizuar në atë pozicion, ai ishte në gjendje plot mundim të më ulte, dorë pas dore, nëpërmjet litarit. Ndonëse nuk mund ta shihja, e dija se ai po punonte me gjithë forcën e vet për të më shpëtuar. Një mik tjetër ishte në fund të shkëmbit, i përgatitur të më kapte nëse litari nuk arrinte të më mbante. Kur u afrova aq sa mund të më kapte, ai e mbërtheu pajisjen time dhe më uli në tokë.
Me Jezu Krishtin si ankoruesin dhe partnerin tonë të përsosur, ne sigurohemi për forcën e Tij plot dashuri në sprova dhe për çlirimin përfundimtar nëpërmjet Tij. Siç dha mësim Presidenti M. Rasëll Ballard: “Besimi te Perëndia dhe te Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, është … ankoruesi që duhet të kemi në jetën tonë për të na mbajtur të patundur gjatë kohëve të trazirave dhe ligësisë shoqërore. … Besimi ynë … duhet të përqendrohet te Jezu Krishti, jeta e Tij dhe shlyerja e Tij, dhe në rivendosjen e ungjillit të Tij.”2
Pajisja shpirtërore që na ruan të mos thyhemi te shkëmbinjtë e fatkeqësisë, është dëshmia jonë për Jezu Krishtin dhe besëlidhjet që bëjmë. Ne mund të mbahemi te këto mbështetje për të na udhërrëfyer dhe mbartur drejt sigurisë. Si partneri ynë i gatshëm, Shpëtimtari nuk do të na lejojë të biem përtej aftësisë së Tij për të na ndihmuar. Edhe në kohët tona të vuajtjes dhe pikëllimit, Ai është pranë për të na lartësuar shpirtërisht dhe për të na dhënë zemër. Fuqia e Tij na ndihmon të shërohemi nga ndikimi shpesh shkatërrues i zgjedhjeve të të tjerëve. Gjithsesi, secila prej nesh duhet të veshë pajisjet dhe të sigurohet që nyjat të jenë të lidhura mirë. Ne duhet të zgjedhim që të jemi të ankoruara te Shpëtimtari, që të lidhemi tek Ai me anë të besëlidhjeve tona.3
Si e forcojmë atë ankorim? Lutemi me një zemër të përulur, studiojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, e marrim sakramentin me një shpirt pendimi dhe nderimi, përpiqemi fort t’i zbatojmë urdhërimet dhe e ndjekim këshillën e profetit. Dhe kur i përmbushim detyrat tona të përditshme në mënyra “më të lart[a] e më të shenjt[a]”4, bëhemi më të lidhura te Shpëtimtari dhe, në të njëjtën kohë, i ndihmojmë të tjerët të vijnë tek Ai.
Me çfarë ngjan ajo mënyrë “më e lartë dhe më e shenjtë”? Ne përpiqemi ta jetojmë ungjillin në të gjitha ndërveprimet tona. Ne kujdesemi për njerëzit nevojtarë duke u dhënë shërbesë me të vërtetë, duke shprehur dashuri nëpërmjet shërbimit të thjeshtë. Ne e përhapim lajmin e mirë të ungjillit me ata që kanë nevojë për paqe e forcë dhe “nuk dinë se ku ta gjejnë atë”5. Ne punojmë që t’i bashkojmë familjet për përjetësinë në të dyja anët e velit. Dhe për ato që kanë bërë besëlidhje në shtëpinë e Zotit, siç shpjegoi Presidenti Rasëll M. Nelson: “Çdo pjesëmarrës/e në tempull në moshë madhore do t’i mbajë veshjet e brendshme, të shenjta të priftërisë [të cilat] … na kujto[jnë] … të ecim çdo ditë në shtegun e besëlidhjeve në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë”6. Këto veprime nuk janë thjesht mburrje e rastësishme por janë thelbësore për lumturinë tonë të përditshme – dhe gëzimin tonë të përjetshëm.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme për përparimin tonë të përjetshëm sesa mbajtja e besëlidhjeve tona me Perëndinë. Kur besëlidhjet tona të tempullit janë të vlefshme në jetën tonë, mund të mirëbesojmë në një ribashkim plot gëzim me njerëzit e dashur në anën tjetër të velit. Ai fëmijë ose prind apo bashkëshort/e që është larguar nga vdekshmëria, po shpreson me gjithë zemër që ju do të jeni të vërteta ndaj besëlidhjeve që ju lidhin së bashku. Nëse i shpërfillim ose i trajtojmë si pa rëndësi besëlidhjet tona me Perëndinë, ne po i vëmë në rrezik ato lidhje të përjetshme. Tani është koha për t’u penduar, për të ndrequr dhe për t’u përpjekur sërish.
Lumturia është e shkurtër nëse i shkëmbejmë bekimet e gëzimit të përjetshëm për lehtësi të çastit. Pavarësisht nga mosha jonë, kjo është e vërteta absolute: kyçi drejt lumturisë afatgjatë është të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit dhe mbajtja e besëlidhjeve tona. Profeti ynë, Presidenti Nelson, ka pohuar se “siguria jonë përfundimtare dhe lumturia jonë e vetme që zgjat qëndron në mbajtjen te shufra e hekurt e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, e plotësuar me besëlidhjet dhe ordinancat e tij. Kur e bëjmë këtë gjë, ne mund të lundrojmë plot siguri përmes ujërave të trazuara ngaqë kemi të drejtë përdorimi të fuqisë së Perëndisë.”7
Shumë prej nesh po përjetojnë ujëra të trazuara. Teksa hidhemi sa andej‑këtej nga valët e fatkeqësisë dhe nganjëherë verbohemi nga rrëketë e lotëve që na dalin në ato vështirësi, ne mund të mos e dimë se në cilin drejtim ta vozitim varkën e jetës sonë. Madje mund të mos mendojmë se e kemi forcën për të mbërritur në breg të detit. Të kujtuarit se kush jeni – një fëmijë i dashur i Perëndisë – përse jeni në tokë dhe synimi juaj që të jetoni me Perëndinë dhe me njerëzit tuaj të dashur, mund t’ua qartësojnë pamjen dhe t’ju çojnë në drejtimin e duhur. Në mes të stuhisë, ka një dritë të shndritshme për ta treguar udhën. “Unë jam drita që shkëlqen në errësirë”, – shpalli Jezusi.8 Na garantohet siguri kur shohim te drita e Tij dhe e ruajmë integritetin moral të besëlidhjeve tona.
Ka qenë privilegj për mua të takoj gra të të gjitha moshave që jetojnë në një larmi të gjerë rrethanash, të cilat po i mbajnë besëlidhjet e tyre. Çdo ditë, ato shohin te Zoti dhe profeti i Tij për udhërrëfim, në vend që të shohin te mjetet e mirënjohura të komunikimit. Pavarësisht nga sfidat e tyre vetjake dhe filozofitë e dëmshme të botës që përpiqen t’ua ndryshojnë mendjen për të mos i mbajtur besëlidhjet e tyre, ato janë të vendosura që të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve. Ato mbështeten në premtimin e “gjithçka[je] që Ati … ka”9. Dhe cilado qoftë mosha juaj, secila nga ju gratë që keni bërë besëlidhje me Perëndinë, ka aftësinë ta mbajë lart dritën e Zotit dhe t’i udhëheqë të tjerët drejt Tij.10 Nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve tuaja, Ai do t’ju bekojë me fuqinë e priftërisë së Tij dhe do t’ju bëjë të afta që të keni një ndikim të thellë mbi të gjithë ata me të cilët ndërveproni. Siç ka shpallur Presidenti Nelson, ju jeni gratë që do të përmbushni profecitë që janë parathënë!11
Të dashura motra, mbi gjithçka tjetër, qëndroni në shtegun e besëlidhjeve të Jezu Krishtit! Ju jeni bekuar që të vini në tokë kur tempujt po e mbushin rruzullin tokësor. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të tempullit është në dispozicion të çdo anëtari të denjë të Kishës. Të reja në moshë madhore, nuk nevojitet të prisni derisa të martoheni ose të shërbeni në një mision që t’i bëni ato besëlidhje të shenjta. Mund të përgatiteni që kur jeni e re, që të merrni mbrojtjen dhe forcën që japin besëlidhjet e tempullit sapo të mbushni moshën 18‑vjeçe, teksa jeni gati e ndieni dëshirë për t’i nderuar ato besëlidhje të tempullit.12 Ju që tashmë i keni marrë besëlidhjet e tempullit, mos i lejoni kritikuesit ose shpërqendrimet t’ju largojnë nga të vërtetat e përjetshme. Studioni dhe pyetni burime të mirëbesuara për ta kuptuar më shumë domethënien e shenjtë të besëlidhjeve që keni bërë. Shkoni në tempull sa më shpesh që mundeni dhe dëgjojeni Shpirtin. Do të ndieni sigurinë e ëmbël se jeni në shtegun e Zotit. Do të gjeni guximin për të vazhduar si dhe për të sjellë njerëz të tjerë me vete.
Dëshmoj se kur zgjedhim të bëjmë besëlidhje me Atin Qiellor dhe të përdorim fuqinë e Shpëtimtarit për t’i mbajtur ato, ne do të bekohemi me lumturi më të madhe në këtë jetë nga sa mund ta përfytyrojmë tani dhe me një jetë të përjetshme, të lavdishme që do të vijë.13 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.