Konferenca e Përgjithshme
Gjithçka Kemi me Gjithë Zemër
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


14:16

Gjithçka Kemi me Gjithë Zemër

Nëse duam që Shpëtimtari të na lartësojë drejt qiellit, atëherë angazhimi ynë ndaj Tij dhe ungjillit të Tij nuk mund të jetë i shkujdesur apo rastësor.

Një Blatim ndaj Tij

Vetëm pak ditë para se Ai të jepte jetën për ne, Jezu Krishti ishte në tempullin në Jerusalem, duke parë njerëzit që jepnin dhurime në thesarin e tempullit. “Shumë të pasur hidhnin shumë”, por pastaj erdhi një e ve e varfër “dhe hodhi dy monedha të vogla”. Ishte një shumë aq e vogël, saqë vështirë se ia vlente të dokumentohej.

E ve duke ofruar dy monedha

E megjithatë, ky dhurim në dukje i parëndësishëm, i tërhoqi vëmendjen Shpëtimtarit. Në fakt, i la mbresë Atij kaq thellësisht saqë Ai “i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: ‘Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.’”1

Me këtë vrojtim të thjeshtë, Shpëtimtari na mësoi se si maten ofrimet në mbretërinë e Tij dhe është mjaft ndryshe nga mënyra se si ne i matim zakonisht gjërat. Për Zotin, vlera e dhurimit nuk matej nga ndikimi që kishte në thesar, por nga ndikimi që kishte në zemrën e dhuruesit.

Duke lavdëruar këtë të ve besnike, Shpëtimtari na dha një standard për ta matur dishepullimin tonë në të gjitha format e shprehjes së tij të shumta. Jezusi dha mësim se blatimi ynë mund të jetë i madh ose mund të jetë i vogël, por sido që të jetë, duhet të jetë gjithçka kemi me gjithë zemër.

Ky parim jehon në përgjërimin e profetit Amaleki në Librin e Mormonit: “[Ejani] te Krishti, që është i Shenjti i Izraelit dhe … merrni pjesë në shpëtimin e tij dhe në fuqinë e shlyerjes së tij. Po, ejani tek ai dhe [ofroni] tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij.”2

Por si është e mundur kjo? Për shumë prej nesh, një standard i tillë angazhimi me gjithë shpirt duket se nuk mund të arrihet. Ne tashmë kemi angazhime të panumërta. Si mund t’i baraspeshojmë kërkesat e shumta të jetës me dëshirat tona për t’ia ofruar gjithë shpirtin tonë Zotit?

Ndoshta sfida jonë është që mendojmë se baraspeshë do të thotë ta ndajmë kohën tonë barabar mes interesave konkurruese. I parë në këtë mënyrë, angazhimi ynë ndaj Jezu Krishtit do të ishte një nga gjërat e shumta që na nevojitet t’i gjejmë vend në programin tonë të ngjeshur. Por ndoshta ka një mënyrë tjetër si ta shohim atë.

Baraspesha: Ashtu si të Ngasësh një Biçikletë

Bashkëshortes sime, Herietës, dhe mua na pëlqen të ecim me biçikletë së bashku. Është një mënyrë e mrekullueshme për të bërë pak ushtrim fizik, ndërkohë që edhe kalojmë kohë së bashku. Ndërkohë që jemi duke ecur me biçikletë dhe mua nuk më merret fryma tepër, ne e shijojmë botën e bukur që na rrethon dhe madje bëjmë një bisedë të këndshme. Rrallë na duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje mbajtjes së baraspeshës në biçikletat tona. I kemi ngarë për kaq shumë kohë biçikletat, saqë as që e mendojmë këtë gjë, është bërë e zakonshme dhe e natyrshme për ne.

Por sa herë që shoh dikë që po mëson të ngasë biçikletën për herë të parë, më kujtohet se nuk është e lehtë ta mbash baraspeshën mbi ato dy rrota të ngushta. Duhet kohë. Duhet praktikë. Duhet durim. Madje duhet edhe të rrëzohesh nja dy herë.

Mbi të gjitha, ata që arrijnë ta mbajnë baraspeshën në biçikletë, mësojnë këto këshilla praktike të rëndësishme:

Mos shikoni te këmbët tuaja.

Shihni përpara.

Mbajini sytë te rruga para jush. Përqendrohuni te vendmbërritja juaj. Dhe vazhdoni ta ngisni biçikletën. Vetëm kur ecën përpara, qëndron në baraspeshë.

Parime të ngjashme zbatohen kur bëhet fjalë për të gjetur baraspeshën në jetën tonë si dishepuj të Jezu Krishtit. Mënyra se si duhet shpërndarë koha dhe energjia juaj mes shumë detyrave të rëndësishme, do të ndryshojë nga një person te tjetri dhe nga një periudhë e jetës në tjetrën. Por synimi ynë i përbashkët dhe i përgjithshëm është të ndjekim Udhën e Mësuesit tonë, Jezu Krishtit, dhe të kthehemi në praninë e Atit tonë të dashur në Qiell. Ky synim duhet të mbetet i qëndrueshëm dhe i përhershëm, kushdo që të jemi dhe çfarëdo gjëje tjetër që të ndodhë në jetën tonë.3

Forca Ngritëse: Ashtu si ta Vësh të Fluturojë një Aeroplan

Tani, për ata që u pëlqen shumë të ngasin biçikletën, krahasimi i dishepullimit me ecjen me biçikletë mund të jetë një analogji e dobishme. Atyre që nuk u pëlqen, të mos shqetësohen. Unë kam një tjetër analogji ku, jam i sigurt, çdo burrë, grua dhe fëmijë do të jetë në gjendje të gjejë veten.

Dishepullimi, ashtu si shumica e gjërave në jetë, mund të krahasohet edhe me vënien në fluturim të një aeroplani.

A keni ndaluar ndonjëherë të mendoni se sa e mahnitshme është që një avion i stërmadh pasagjerësh vërtet mund të shkëputet nga toka dhe të fluturojë? Çfarë i bën këto makina fluturake të ngjiten lart me elegancë nëpër qiell, duke kapërcyer oqeane dhe kontinente?

E thënë thjesht, një avion fluturon vetëm kur ajri lëviz mbi krahët e tij. Kjo lëvizje krijon ndryshime në trysninë e ajrit të cilat i japin aeroplanit forcë ngritëse. Dhe si bëhet që të lëvizë mjaftueshëm ajër mbi krahë sa të krijojë forcë ngritëse? Përgjigjja është shtytja përpara.

Aeroplani nuk fiton asnjë lartësi duke qëndruar ulur në pistë. Madje edhe në një ditë me erë, nuk krijohet forcë ngritëse e mjaftueshme po qe se aeroplani nuk ecën përpara, me një shtytje të mjaftueshme sa të kundërveprojë ndaj forcave që e mbajnë atë pas.

Ashtu si hovi përpara e mban biçikletën në baraspeshë dhe në pozicion vertikal, ecja përpara e ndihmon një avion të mposhtë tërheqjen nga forca e rëndesës dhe fërkimi.

Çfarë do të thotë kjo për ne si dishepuj të Jezu Krishtit? Kjo do të thotë që, nëse duam të gjejmë baraspeshë në jetë dhe nëse duam që Shpëtimtari të na lartësojë drejt qiellit, atëherë angazhimi ynë ndaj Tij dhe ungjillit të Tij nuk mund të jetë i shkujdesur apo rastësor. Ashtu si e veja në Jerusalem, ne duhet t’i ofrojmë Atij gjithë shpirtin tonë. Ofrimi ynë mund të jetë i vogël, por duhet të vijë nga zemra dhe shpirti ynë.

Të qenit dishepull i Jezu Krishtit nuk është thjesht njëra nga gjërat e shumta që bëjmë. Shpëtimtari është fuqia shtytëse pas gjithçkaje që bëjmë. Ai nuk është një pikë pushimi në udhëtimin tonë. Ai nuk është një rrugë dytësore piktoreske apo edhe një pikë e madhe gjeografike për referim. Ai është “udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet [Jezu Krishtit]”4. Ajo është Udha dhe vendmbërritja jonë përfundimtare.

Baraspesha dhe forca ngritëse vijnë teksa “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”5.

Sakrifica dhe Përkushtimi

Çfarë të themi për detyrat dhe përgjegjësitë e shumta që na e bëjnë jetën kaq të zënë me punë? Kalimi i kohës me njerëzit e dashur, vajtja në shkollë ose përgatitja për një punësim, nxjerrja e jetesës, përkujdesja për familjen, shërbimi në komunitet – ku e kanë vendin të gjitha këto? Shpëtimtari na siguron:

“Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për të gjitha këto gjëra.

Por kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.”6

Por kjo nuk do të thotë se është e lehtë.7 Për të duhet edhe sakrificë, edhe përkushtim.

Për të duhet që disa gjëra t’i lëmë të largohen dhe disa gjëra të tjera t’i lëmë të zhvillohen.

Sakrifica dhe përkushtimi janë dy ligje qiellore që ne besëlidhim t’u bindemi në tempullin e shenjtë. Këto dy ligje janë të ngjashme, por jo të njëjta. Të sakrifikosh do të thotë të heqësh dorë nga diçka në favor të diçkaje më të vlefshme. Në lashtësi, populli i Perëndisë i flijonte të parëlindurit e tufave të tij për nder të Mesisë që do të vinte. Gjatë gjithë historisë, shenjtorët besnikë kanë sakrifikuar dëshirat vetjake, rehatinë e madje edhe jetën e tyre për Shpëtimtarin.

Të gjithë kemi gjëra, të mëdha e të vogla, që na nevojitet t’i sakrifikojmë në mënyrë që ta ndjekim më plotësisht Jezu Krishtin.8 Sakrificat tona tregojnë atë që vlerësojmë vërtet. Sakrificat shenjtërohen dhe nderohen nga Zoti.9

Përkushtimi ndryshon nga sakrifica në të paktën një mënyrë të rëndësishme. Kur e përkushtojmë diçka, nuk e lëmë të konsumohet mbi altar. Përkundrazi, e vëmë në përdorim në shërbim të Zotit. Ne ia kushtojmë atë Atij dhe qëllimeve të Tij të shenjta.10 Ne i marrim talentet që na ka dhënë Zoti, dhe përpiqemi fort t’i rritim, shumëfish, për t’u bërë edhe më të dobishëm në ndërtimin e mbretërisë së Zotit.11

Shumë pak vetave prej nesh do t’u kërkohet ndonjëherë të sakrifikojnë jetën për Shpëtimtarin. Por të gjithë kemi ftesën t’ia përkushtojmë jetën tonë Atij.

Një Vepër, Një Gëzim, Një Qëllim

Ndërsa përpiqemi ta dëlirim jetën tonë dhe të shohim te Krishti në çdo mendim12, çdo gjë tjetër fillon të harmonizohet. Jeta nuk na duket më si një listë e gjatë përpjekjesh të veçanta, të mbajtura në një baraspeshë të pasigurt.

Me kalimin e kohës, gjithçka bëhet një vepër.

Një gëzim.

Një qëllim i shenjtë.

Është vepra e dashurisë dhe e shërbimit ndaj Perëndisë. Është dashuria dhe shërbimi ndaj fëmijëve të Perëndisë.13

Kur e shohim jetën tonë dhe shohim njëqind gjëra për të bërë, ndihemi të dërrmuar. Kur e shohim një gjë, dashurinë dhe shërbimin ndaj Perëndisë dhe fëmijëve të Tij, në njëqind mënyra të ndryshme, atëherë mund të përqendrohemi te këto gjëra me gëzim.

Kjo është mënyra si e ofrojmë gjithë shpirtin tonë, duke e sakrifikuar çdo gjë që na pengon, dhe duke ia përkushtuar pjesën tjetër Zotit dhe qëllimeve të Tij.

Një Fjalë Nxitjeje dhe Dëshmie

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura dhe miqtë e mi të dashur, do të ketë raste kur do të donit të mundeshit të bënit më shumë. Ati juaj i dashur në Qiell jua njeh zemrën. Ai e di që nuk mundeni të bëni gjithçka që zemra juaj dëshiron të bëni. Por ju mund ta doni dhe t’i shërbeni Perëndisë. Mund të bëni më të mirën që mundeni për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Mund t’i doni dhe t’u shërbeni fëmijëve të Tij. Dhe përpjekjet tuaja po jua dëlirin zemrën dhe po ju përgatitin për një të ardhme të lavdishme.

Këtë dukej se e kuptonte e veja te thesari i tempullit. Ajo e dinte sigurisht se ofrimi i saj nuk do t’i ndryshonte pasuritë e Izraelit, por mund ta ndryshonte dhe bekonte atë vetë sepse, ndonëse i vogël, ishte gjithçka që kishte.

Prandaj, miqtë e mi të dashur dhe bashkëdishepuj të shtrenjtë të Jezu Krishtit, le të mos “lodh[emi] së bëri mirë, sepse [ne] po ngr[emë] themelin e një vepre të madhe”. Dhe nga gjërat tona të vogla do të vijë “ajo që është e madhe”14.

Dëshmoj se kjo është e vërtetë, ashtu siç dëshmoj edhe se Jezu Krishti është Mësuesi ynë, Shëlbuesi ynë dhe Udha jonë e vetme dhe e pashoqe për t’u kthyer tek Ati ynë i dashur në Qiell. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Marku 12:41–44.

  2. Omni 1:26.

  3. Fëmijët dhe rinia jonë kanë ftesën të rriten në mënyrë të baraspeshuar teksa e ndjekin Jezu Krishtin, i cili kur ishte djalosh “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52).

  4. Gjoni 14:6.

  5. 2 Nefi 31:20.

  6. 3 Nefi 13:32–33; shih edhe te Mateu 6:32–33. Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Mateu 6:38 jep ide shtesë: “Mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij”.

  7. Një shembull vjen nga profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson. Kur ishte në kulmin e karrierës së tij profesionale si një kirurg zemre, ai u thirr si president kunji. Pleqtë Spenser W. Kimball dhe LëGrand Riçards dhanë thirrjen. Duke i ditur kërkesat e jetës së tij profesionale, ata i thanë: “Nëse e ndien se je tepër i zënë dhe se nuk duhet ta pranosh thirrjen, atëherë kjo është e drejta jote”. Ai u përgjigj se vendimi i tij për të shërbyer apo jo kur të thirrej, ishte marrë shumë kohë më parë, kur ai dhe bashkëshortja e tij bënë besëlidhje në tempull me Zotin. “Ne bëmë një zotim në atë kohë”, – tha ai, “që ‘para së gjithash [të] kërkoni[m] mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij’ [Mateu 6:33], duke pasur vetëbesim se çdo gjë tjetër do të na shtohej, siç premtoi Zoti” (Russell Marion Nelson, From Heart to Heart: An Autobiography [1979], f. 114).

  8. Presidenti Nelson kohët e fundit foli rreth “nevojës së secilit prej nesh për të hequr, me ndihmën e Shpëtimtarit, mbeturinat e vjetra nga jeta jonë. … Ju ftoj të luteni”, – tha ai, “për të përcaktuar mbeturinat që duhet të hiqni nga jeta juaj që të mund të bëheni më të denjë” (“Mesazhi i Mirëseardhjes”, Liahona, maj 2021, f. 7).

  9. Shkrimet e shenjta thonë se, për Perëndinë, sakrificat tona janë më të shenjta sesa arritjet tona (shih Doktrina dhe Besëlidhje 117:13). Kjo mund të jetë një arsye pse Zoti i vlerësoi më shumë monedhat e së vesë sesa kontributin e të pasurve. E para ishte një sakrificë, e cila ka një efekt dëlirës te dhënësi. Tjetra, edhe pse mund të ketë përmbushur më shumë nga ana monetare, nuk ishte një sakrificë dhe e la të pandryshuar dhënësin.

  10. Shumë pak vetave prej nesh do t’u kërkohet ndonjëherë të sakrifikojnë jetën për Shpëtimtarin. Por të gjithë kemi ftesën t’ia përkushtojmë jetën tonë Atij.

  11. Shih te Mateu 25:14–30.

  12. Shih te Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  13. Në këtë mënyrë, shohim në jetën tonë përmbushjen e një profecie të Apostullit Pal: “Kur të plotësoheshin kohërat, [Perëndia do] t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe” (Efesianëve 1:10).

  14. Doktrina e Besëlidhje 64:33.