Secili Prej Nesh e Ka një Histori
Ju lutem, ejani të gjeni familjen tuaj, të gjithë brezat tuaj dhe t’i çoni në shtëpi.
Miq, vëllezër dhe motra, secili prej nesh e ka një histori. Teksa e zbulojmë historinë tonë, ne lidhemi si familje, kemi përkatësi në të dhe bëhemi një familje e plotë.
Unë quhem Gerit Uolter Gong. Gerit është një emër holandez, Uolter (emri i babait tim) është një emër amerikan dhe Gong sigurisht është një mbiemër kinez.
Ekspertët përllogaritin se në tokë kanë jetuar diku te 70–110 miliardë njerëz. Ndoshta vetëm një njeri e kanë quajtur Gerit Uolter Gong.
Secili prej nesh e ka një histori. Mua më pëlqen shumë “shiu mbi fytyr’ [dhe] er[a] që fryn me zhurm’”1. Unë eci duke u tundur me pinguinët në Antarktikë. U bëj fotografinë e parë jetimëve në Guatemalë, fëmijëve të rrugës në Kamboxhë, grave nga popullata Masai në rezervatin Mara në Afrikë.
Unë pres në spital teksa lind secili prej fëmijëve tanë, pasi doktori më lë të ndihmoj.
I mirëbesoj Perëndisë. Besoj se “[ne] j[emi], që … të mund të ke[mi] gëzim”2, që ka kohë dhe stinë për gjithçka nën qiell.3
A e dini historinë tuaj? Domethënien e emrit tuaj? Popullsia e botës u rrit nga 1,1 miliardë njerëz në vitin 1820 deri në thuajse 7,8 miliardë në vitin 2020.4 Viti 1820 duket se ka qenë një pikë kthese në histori. Shumë njerëz të lindur pas vitit 1820 kanë kujtime dhe dokumente për të identifikuar disa breza familjarësh. A mund të mendoni për një kujtim të veçantë e të ëmbël me një gjysh ose pjesëtar tjetër të familjes?
Cilido qoftë numri i përgjithshëm i individëve që kanë jetuar në tokë, ai është i fundmë, i numërueshëm, për çdo person një e nga një. Ju dhe unë, secili ka rëndësi.
Dhe ju lutem, merreni parasysh këtë: qoftë nëse i njohim ose jo ata, secili nga ne ka lindur nga një nënë dhe një atë. Dhe çdo nënë dhe çdo atë ka lindur nga një nënë dhe atë.5 Me anë të lindjes ose linjës së birësimit, ne përfundimisht jemi të gjithë të lidhur në familjen e Perëndisë dhe në familjen njerëzore.
Dragoi i Parë Gong, stërgjyshi im i 30-të, i lindur në vitin 837 ps.K., krijoi fshatin e familjes sonë në Kinën jugore. Herën e parë që vizitova fshatin Gong, njerëzit thanë: “Wenhan huilaile” (“Geriti u kthye”).
Nga ana e nënës sime, pema familjare e të gjallëve përfshin mijëra emra familjarësh, me më shumë për t’u zbuluar.6 Secili nga ne ka familjarë të tjerë me të cilët duhet të lidhet. Nëse mendoni se një i afërm i juaj i moshuar e ka përfunduar të gjithë gjenealogjinë tuaj familjare, ju lutem gjejini kushërinjtë dhe kushërinjtë e kushërinjve tuaj. Lidhini emrat e familjarëve që i kujtoni, me 10 miliardë emra të cilët mund të kërkohen që faqja FamilySearch i ka tani në koleksionin e vet në internet dhe me 1,3 miliardë individë në Pemën Familjare.7
Kërkojuni miqve ose familjarëve të vizatojnë një pemë me familjarë të gjallë. Sikurse jep mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, pemët e gjalla kanë rrënjë dhe degë.8 Qoftë nëse jeni brezi i parë ose i dhjetë që dini, lidheni të djeshmen për hir të së nesërmes. Lidhini rrënjët dhe degët në pemën tuaj me familjarë të gjallë.9
Pyetja: “Nga je?” bëhet për prejardhjen familjare, vendlindjen dhe vendin e origjinës ose vendbanimin. Në gjithë botën, 25 përqind e jona e kanë vendbanimin në Kinë, 23 përqind në Indi, 17 përqind në zona të tjera të Azisë dhe të Paqësorit, 18 përqind në Europë, 10 përqind në Afrikë, 7 përqind në kontinentin amerikan.10
Pyetja “Nga je?” na fton gjithashtu të zbulojmë identitetin hyjnor dhe qëllimin tonë shpirtëror në jetë.
Secili prej nesh e ka një histori.
Një familje që njoh, lidhi pesë breza familjarësh kur vizitoi shtëpinë e vet të dikurshme në Uinipeg të Kanadasë. Atje gjyshi u tregoi nipërve rreth ditës kur dy misionarë (ai i quajti engjëj nga qielli) sollën ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, duke e ndryshuar përgjithmonë familjen e tyre.
Një nënë që njoh, i ftoi fëmijët dhe kushërinjtë e tyre që ta pyetnin stërgjyshen e tyre rreth përvojave të fëmijërisë së saj. Aventurat dhe mësimet nga jeta të stërgjyshes tani janë një libër i ruajtur si thesar i familjes që bashkon breza.
Një i ri që njoh, po përpilon një “ditar për babin”. Vite më parë, të atin ia përplasi një makinë dhe ai vdiq. Tani, për të njohur të atin, ky i ri i guximshëm po ruan kujtime dhe histori nga fëmijëria prej familjarëve dhe miqve.
Kur i pyetin se ku e merr kuptimin jeta, shumica e njerëzve renditin familjen të parën.11 Kjo përfshin familjen që është në jetë dhe atë që ka ikur më parë. Sigurisht, kur vdesim, ne nuk pushojmë së ekzistuari. Vazhdojmë të jetojmë në anën tjetër të velit.
Po aq në jetë [në anën tjetër të velit], paraardhësit tanë meritojnë të kujtohen.12 Ne e kujtojmë trashëgiminë tonë nëpërmjet historive të treguara gojarisht, analeve të fiseve dhe tregimeve familjare, përkujtimoreve ose vendeve të kujtimit dhe kremtimeve me fotografi, ushqime ose sende që na kujtojnë njerëzit e dashur.
Mendoni për vendin ku jetoni – a nuk është e mrekullueshme se si vendi dhe komuniteti juaj i kujton dhe i nderon paraardhësit, familjarët, njerëzit e tjerë që kanë shërbyer dhe sakrifikuar? Për shembull, në përkujtimoren e të korrave të vjeshtës në Moltonin Jugor, në Devënshër të Anglisë, mua dhe motrës Gong na pëlqeu shumë të gjenim kishëzën dhe komunitetin ku jetuan breza të familjes sonë me mbiemrin Bauden. Ne i nderojmë paraardhësit tanë duke i hapur qiejt nëpërmjet punës në tempull dhe asaj për historinë familjare13 dhe duke u bërë një hallkë bashkuese14 në zinxhirin e brezave tanë.15
Në këtë epokë me mendësinë individualiste “Unë zgjedh veten”, shoqëritë kanë dobi nga lidhja e brezave në mënyra kuptimplota. Na nevojiten rrënjë për të pasur krahë – marrëdhënie të vërteta, shërbim kuptimplotë, një jetë përtej lustrave kalimtare të mediave shoqërore.
Lidhja me paraardhësit tanë mund të na e ndryshojë jetën në mënyra befasuese. Nga sprovat dhe arritjet e tyre, ne fitojmë besim dhe forcë.16 Nga dashuria dhe sakrificat e tyre, mësojmë të falim dhe të shkojmë përpara. Fëmijët tanë bëhen të fortë. Ne fitojmë mbrojtje dhe fuqi. Lidhjet me paraardhësit shtojnë afërsinë, mirënjohjen dhe mrekullitë e familjes. Lidhje të tilla mund të sjellin ndihmë nga ana tjetër e velit.
Ashtu siç vijnë gëzimet në familje, ashtu mund të vijnë edhe pikëllimet. Asnjë individ nuk është i përsosur, as ndonjë familje. Kur ata që duhet të na duan, të na ushqejnë shpirtërisht e të na mbrojnë nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ne ndihemi të braktisur, të turpëruar e të lënduar. Familja mund të bëhet një zhguall i zbrazët. Prapëseprapë, me ndihmën e qiellit, mund të arrijmë ta kuptojmë familjen tonë dhe të bëjmë paqe me njëri-tjetrin.17
Nganjëherë zotimi i palëkundur ndaj marrëdhënieve të qëndrueshme familjare na ndihmon të arrijmë gjëra të vështira. Në disa raste, komuniteti bëhet familje. Një e re mbresëlënëse, familja e trazuar e së cilës shpërngulej vazhdimisht, gjeti një familje të dashur në Kishë ku u ushqye shpirtërisht dhe gjeti një vend të cilit i përkiste. Gjenetika dhe modelet familjare ndikojnë te ne por nuk e përcaktojnë se kush jemi.
Perëndia do që familjet tona të jenë të lumtura dhe të jenë përgjithmonë. Përgjithmonë është një kohë tepër e gjatë nëse ne e bëjmë njëri-tjetrin të palumtur. Lumturia është tepër e shkurtër nëse marrëdhëniet e çmuara ndalojnë me këtë jetë. Nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta, Jezu Krishti ofron dashurinë, fuqinë dhe hirin e Tij për të na ndryshuar18 dhe për t’i shëruar marrëdhëniet tona. Shërbimi vetëmohues në tempull për njerëzit e dashur e bën reale Shlyerjen e Shpëtimtarit tonë për ata dhe ne. Të shenjtëruar, mund të kthehemi në praninë e Perëndisë si familje të bashkuara përjetësisht.19
Çdonjëra nga historitë tona është një rrugëtim ende në përparim e sipër, ndërsa zbulojmë, krijojmë dhe bëhemi individë me mundësi përtej imagjinatës.
Profeti Jozef Smith tha: “Disave mund t’iu duket si një doktrinë shumë e guximshme ajo për të cilën po flasim – një fuqi që regjistron ose lidh në tokë dhe lidh në qiell”20. Shoqërimi që krijojmë këtu, mund të ekzistojë me lavdi të përjetshme atje.21 Njëmend, “ne pa [pjesëtarët e familjes sonë] nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur”, që do të thotë, “një bashkim i plotë dhe i tërë, dhe i përsosur”22.
Çfarë mund të bëjmë tani?
Së pari, imagjinoni sikur shëmbëlltyra juaj pasqyrohet para dhe pas midis dy pasqyrave të përjetësisë. Në njërin drejtim, përfytyrojeni veten si bijë, mbesë, stërmbesë; në drejtimin tjetër, buzëqeshini vetes si teze, nënë, gjyshe. Sa shpejt kalon koha! Në çdo kohë dhe rol, vëreni se kush është me ju. Mblidhni fotografitë dhe historitë e tyre; jepuni jetë kujtimeve të tyre. Mbajini shënim emrat, përvojat, datat e tyre kyç. Ata janë familja juaj, familja që keni dhe familja që dëshironi.
Teksa kryeni ordinanca tempulli për pjesëtarët e familjes, shpirti i Elijas, “një shpërfaqje e Frymës së Shenjtë që jep dëshmi për natyrën hyjnore të familjes”23, do t’i thurë zemrat e etërve, nënave dhe fëmijëve tuaj së bashku në dashuri.24
Së dyti, lëreni aventurën e historisë suaj familjare të jetë e qëllimtë dhe spontane. Merreni në telefon gjyshen tuaj. Vështrojeni thellësisht në sy atë foshnjën e re. Gjejeni kohën, zbulojeni përjetësinë, në secilën fazë të rrugëtimit tuaj. Mësoni për trashëgiminë tuaj familjare dhe pranojeni atë me mirënjohje dhe ndershmëri. Kremtojeni dhe bëhuni ana pozitive dhe, atje ku nevojitet, bëni gjithçka mundeni me përulësi që të mos trashëgoni negativitetin. Le të fillojnë gjërat e mira nga ju!
Së treti, vizitoni faqen FamilySearch.org. Shkarkojini programet për celularët që janë në dispozicion. Ato janë falas dhe argëtuese. Zbuloni, lidhni, përkitni. Shihni se çfarë lidhjeje familjare keni me njerëzit në një dhomë, sa e lehtë dhe shpërblyese është të shtoni emra në pemën e familjarëve tuaj të gjallë, për t’i gjetur e bekuar rrënjët e degët tuaja.
Së katërti, ndihmoni që familjet të bashkohen përjetësisht. Mbajini mend të dhënat e popullsisë në qiell. Ka shumë më tepër persona në anën tjetër të velit sesa në këtë anë. Ndërkohë që më shumë tempuj po na afrohen, ju lutem, ofrojuani atyre që po presin ordinancat e tempullit, mundësinë për t’i marrë ato.
Premtimi për Pashkë dhe përherë është se, në dhe nëpërmjet Jezu Krishtit, ne mund të bëhemi historia jonë më e mirë dhe familjet tona mund të bëhen të lumtura dhe të jenë përgjithmonë. Në të gjithë brezat tanë, Jezu Krishti i shëron zemërthyerit, çliron të burgosurit dhe ua kthen lirinë të shtypurve.25 Përkatësia në besëlidhje me Perëndinë dhe njëri‑tjetrin26 përfshin dijeninë se shpirti dhe trupi ynë do të ribashkohen në ringjallje dhe se marrëdhëniet tona më të çmuara mund të vazhdojnë përtej vdekjes me një plotësi gëzimi.27
Secili prej nesh e ka një histori. Ejani të zbuloni tuajën. Ejani të gjeni zërin tuaj, këngën tuaj, harmoninë tuaj në Të. Ky është vetë qëllimi për të cilin Perëndia i krijoi qiejt dhe tokën dhe pa se ata ishin të mirë.28
Përlëvdojeni planin e Perëndisë për lumturinë, Shlyerjen e Jezu Krishtit, rivendosjen e vazhdueshme të ungjillit dhe Kishës së Tij. Ju lutem, ejani të gjeni familjen tuaj, të gjithë brezat tuaj dhe t’i çoni në shtëpi. Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.