Konferenca e Përgjithshme
Dashuria Hyjnore në Planin e Atit
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


14:47

Dashuria Hyjnore në Planin e Atit

Qëllimi i doktrinës dhe i rregulloreve të kësaj Kishe të rivendosur është që t’i përgatitë fëmijët e Perëndisë për shpëtimin në mbretërinë çelestiale dhe për ekzaltimin në shkallën më të lartë.

Plani i ungjillit tregon dashurinë e Atit tonë Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij. Për ta kuptuar këtë, ne duhet të përpiqemi të kuptojmë planin e Tij dhe urdhërimet e Tij. Ai i do fëmijët e Tij aq shumë saqë dha Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, për të vuajtur dhe për të vdekur për ne. Në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi një kuptueshmëri të pashoqe për planin e Atit tonë Qiellor. Kjo na jep një mënyrë të ndryshme për ta parë qëllimin e jetës në vdekshmëri, gjykimin hyjnor që e pason atë, dhe fatin e lavdishëm përfundimtar të të gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Ju dua, vëllezërit dhe motrat e mia. I dua të gjithë fëmijët e Perëndisë. Kur Jezusin e pyetën: “Cili është urdhërimi i madh i ligjit?” Ai dha mësim se të duam Perëndinë dhe të duam të afërmit tanë janë urdhërimet e para të mëdha të Perëndisë.1 Këto urdhërime janë të parat sepse na ftojnë të rritemi shpirtërisht duke u përpjekur të imitojmë dashurinë e Perëndisë për ne. Do të doja që ne të gjithë të kishim një kuptueshmëri më të mirë për doktrinën dhe rregulloret plot dashuri që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kanë vendosur në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çfarë po them këtu, synon të qartësojë mënyrën se si dashuria e Perëndisë e shpjegon atë doktrinë dhe rregulloret e frymëzuara të Kishës.

I.

Një keqkuptim i zakonshëm i gjykimit që përfundimisht vjen pas jetës në vdekshmëri, është që njerëzit e mirë shkojnë në një vend të quajtur parajsë dhe njerëzit e këqij shkojnë në një vend të përhershëm i quajtur ferr. Ky hamendësim i gabuar i vetëm dy fateve përfundimtare nënkupton se ata që nuk mund t’i zbatojnë të gjitha urdhërimet që kërkohen për parajsën, domosdoshmërisht do ta kenë fatin përgjithmonë në ferr.

Një Atë i dashur Qiellor ka një plan më të mirë për fëmijët e Tij. Doktrina e zbuluar nga Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit na mëson se të gjithë fëmijët e Perëndisë – me përjashtime shumë të kufizuara për t’i marrë parasysh këtu – në fund do të përfundojnë në një mbretëri lavdie.2 “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa”3, dha mësim Jezusi. Nga zbulesa moderne ne e dimë se ato banesa janë në tri mbretëri të ndryshme lavdie. Në Gjykimin Përfundimtar secili prej nesh do të gjykohet sipas veprave të veta dhe dëshirave të zemrave të veta.4 Përpara atij gjykimi, do të na nevojitet të vuajmë për mëkatet për të cilat nuk jemi penduar. Shkrimet e shenjta janë të qarta për këtë.5 Atëherë Gjykatësi ynë i drejtë do të na japë vendbanim në njërën prej atyre mbretërive të lavdisë. Prandaj, siç e dimë nga zbulesa moderne, të gjithë “do të gjykohen … dhe çdonjëri do të marrë sipas veprave të tij, vetë sundimin e tij, në banesat që janë përgatitur”6.

Zoti ka zgjedhur të zbulojë relativisht pak rreth dy prej këtyre mbretërive të lavdisë. Në dallim nga kjo, Zoti ka zbuluar shumë rreth mbretërisë më të lartë të lavdisë, që Bibla e përshkruan si “lavdia e diellit”7.

Në lavdinë “qiellor[e]”8 [çelestiale] ka tri shkallë ose nivele.9 Më e larta e këtyre është ekzaltimi në mbretërinë çelestiale, ku ne mund të bëhemi si Ati ynë dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Për të na ndihmuar të zhvillojmë tipare të perëndishme dhe ndryshimin në natyrën tonë që është i nevojshëm për të kuptuar potencialin tonë hyjnor, Zoti ka zbuluar doktrinën dhe ka vendosur urdhërime bazuar mbi ligjin e përjetshëm. Kjo është ajo që japim mësim në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, sepse qëllimi i doktrinës dhe i rregulloreve të kësaj Kishe të rivendosur është që t’i përgatitë fëmijët e Perëndisë për shpëtimin në lavdinë çelestiale dhe, më veçanërisht, për ekzaltimin në shkallën e saj më të lartë.

Besëlidhjet e bëra dhe bekimet e premtuara ndaj besnikëve në tempujt e Perëndisë janë çelësi. Kjo shpjegon ndërtimin nga ana jonë të tempujve anekënd botës, për të cilët kori ka kënduar aq bukur. Disa hutohen nga ky theksim, duke mos e kuptuar që besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit na udhërrëfejnë drejt arritjes së ekzaltimit. Kjo mund të kuptohet vetëm në kontekstin e së vërtetës së zbuluar për tri shkallët e lavdisë. Për shkak të dashurisë së madhe të Atit tonë Qiellor për gjithë fëmijët e Tij, Ai ka siguruar mbretëri të tjera lavdie, siç i shpjegoi dje Plaku Kuentin L. Kuk, të cilat të gjitha janë më të mrekullueshme nga sa mund ta kuptojmë.10

Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundshme të gjithë këtë gjë. Ai ka zbuluar se Ai “përlëvdon Atin dhe i shpëton gjithë veprat e duarve të tij11. Ai shpëtim jepet në mbretëri të ndryshme të lavdisë. Ne e dimë nga zbulesa moderne që “të gjitha mbretëritë e kanë një ligj të dhënë”12. Në mënyrë domethënëse:

“Ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie çelestiale, nuk mund të durojë një lavdi çelestiale.

Dhe ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie terrestriale, nuk mund të durojë një lavdi terrestriale.

Dhe ai që nuk është në gjendje t’i qëndrojë ligjit të një mbretërie telestiale, nuk mund të durojë një lavdi telestiale.”13

Me fjalë të tjera, mbretëria e lavdisë që marrim në Gjykimin Përfundimtar, përcaktohet nga ligjet me të cilat zgjedhim të pajtohemi në planin plot dashuri të Atit tonë Qiellor. Në atë plan ka mbretëri të shumta kështu që të gjithë fëmijëve të Tij mund t’u caktohet një mbretëri ku ata mund të “qëndroj[n]ë”.

II.

Mësimet dhe rregulloret e Kishës së rivendosur të Zotit i zbatojnë këto të vërteta të përjetshme në një mënyrë që mund të kuptohet tërësisht vetëm në kontekstin e planit plot dashuri të Atit tonë Qiellor për të gjithë fëmijët e Tij.

Prandaj ne e nderojmë lirinë individuale të zgjedhjes. Shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për përpjekjet e mëdha të kësaj Kishe për të nxitur lirinë fetare. Këto përpjekje janë që të përparojë plani i Atit tonë Qiellor. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë të gjithë fëmijët e Tij, jo vetëm anëtarët tanë, që të gëzojnë lirinë e çmuar për të zgjedhur.

Në mënyrë të ngjashme, nganjëherë na pyetin përse dërgojmë misionarë në kaq shumë vende, edhe mes popullatave të krishtera. Gjithashtu na pyetin përse u japim ndihmë të pamasë humanitare njerëzve që nuk janë anëtarë të Kishës sonë pa e lidhur këtë me përpjekjet tona misionare. E bëjmë këtë ngaqë Zoti na ka mësuar që t’i vlerësojmë të gjithë fëmijët e Tij si vëllezërit e motrat tona dhe ne duam ta ndajmë begatinë tonë shpirtërore dhe materiale me çdo njeri.

Doktrina e përjetshme gjithashtu jep një këndvështrim të dallueshëm lidhur me fëmijët. Nëpërmjet këtij këndvështrimi ne e shohim lindjen dhe rritjen e fëmijëve si pjesë të planit hyjnor. Është një detyrë e gëzueshme dhe e shenjtë për ata të cilëve u është dhënë fuqia për të marrë pjesë në të. Si rrjedhim, ne urdhërohemi të japim mësim dhe të mbrojmë parime e praktika që sigurojnë kushtet më të mira për zhvillimin dhe lumturinë e fëmijëve sipas planit të Perëndisë.

III.

Së fundi, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme njihet me të drejtë si një Kishë e përqendruar te familja. Por i pakuptuar mirë është realiteti se përqendrimi i vëmendjes sonë te familja nuk kufizohet te marrëdhëniet në vdekshmëri. Marrëdhëniet e përjetshme janë gjithashtu themelore për teologjinë tonë. Misioni i Kishës së rivendosur është t’i ndihmojë të gjithë fëmijët e Perëndisë të kualifikohen për atë që Perëndia dëshiron si fatin e tyre përfundimtar. Me anë të shëlbimit të siguruar nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, të gjithë mund të fitojnë jetë të përjetshme (ekzaltim në mbretërinë çelestiale), të cilën Nëna Evë shpalli se “Perëndia ua jep gjithë të bindurve”14. Kjo është më shumë sesa shpëtim. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kujtuar se “në planin e përjetshëm të Perëndisë shpëtimi është një çështje individuale; [por] ekzaltimi është një çështje familjare”15.

Thelbësore për ne është zbulesa nga Perëndia se ekzaltimi mund të fitohet vetëm nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve të një martese të përjetshme midis një burri dhe një gruaje.16 Ajo doktrinë hyjnore është arsyeja përse ne japim mësim se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme”17.

Kjo është gjithashtu arsyeja përse Zoti ka kërkuar që Kisha e Tij e rivendosur t’i kundërshtojë trysnitë shoqërore dhe ligjore për t’u larguar nga doktrina e Tij e martesës midis një burri e një gruaje, t’i kundërshtojë ndryshimet që i njëtrajtësojnë dallimet midis burrave dhe grave apo që e ngatërrojnë ose ndryshojnë gjininë.

Qëndrimet e Kishës së rivendosur ndaj këtyre parimeve themelore shpesh nxitin kundërshtim. E kuptojmë këtë. Plani i Atit tonë Qiellor e lejon “kundërshtim[in] në të gjitha gjërat”18 dhe kundërshtimi më i fuqishëm i Satanit drejtohet te çdo gjë që është më e rëndësishmja në atë plan. Si pasojë, ai përpiqet ta kundërshtojë përparimin drejt ekzaltimit duke e shtrembëruar martesën, duke e shkurajuar lindjen e fëmijëve ose duke e ngatërruar gjininë. Gjithsesi, ne e dimë se pas një periudhe të gjatë kohore, do ta kuptojmë se qëllimi hyjnor dhe plani i Atit tonë të dashur Qiellor nuk do të ndryshohen. Rrethanat vetjake mund të ndryshojnë dhe plani i Perëndisë siguron që pas një periudhe të gjatë kohore, njerëzit besnikë që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të kenë mundësinë që të kualifikohen për çdo bekim të premtuar.19

Një mësimdhënie veçanërisht e vlefshme për të na ndihmuar që të përgatitemi për jetën e përjetshme, “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”20, është proklamata e vitit 1995 mbi familjen21. Sigurisht, shpalljet e saj janë të ndryshme nga disa ligje, praktika dhe mbështetje të tanishme, të tilla si bashkëjetesa pa u martuar dhe martesa mes së njëjtës gjini. Ata që nuk kuptojnë tërësisht planin plot dashuri të Atit për fëmijët e Tij, mund ta konsiderojnë këtë proklamatë mbi familjen si diçka jo më shumë sesa një thënie të ndryshueshme të rregullores. Përkundrazi, ne pohojmë se proklamata mbi familjen, e hartuar mbi doktrinën e paanulueshme, përcakton llojin e marrëdhënieve familjare ku mund të ndodhë pjesa më e rëndësishme e zhvillimit tonë të përjetshëm.

Ky është konteksti për doktrinën dhe rregulloret e pashoqe të Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

IV.

Në shumë marrëdhënie dhe rrethana në jetën në vdekshmëri, secili prej nesh duhet të jetojë me mospajtime. Si pasues të Krishtit që duhet t’i duam bashkëqeniet tona, ne duhet të jetojmë në paqe me ata që nuk besojnë atë që ne besojmë. Ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Për të gjithë ne, Ai ka dhënë si fat jetën pas vdekjes dhe, përfundimisht, një mbretëri lavdie. Perëndia dëshiron që ne të gjithë të përpiqemi për bekimet e Tij më të larta të mundshme nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve, besëlidhjeve dhe ordinancave të Tij më të larta, të cilat të gjitha arrijnë kulmin në tempujt e Tij të shenjtë që po ndërtohen anembanë botës. Ne duhet të përpiqemi t’ua shpërndajmë këto të vërteta të përjetësisë njerëzve të tjerë. Por me dashurinë që u detyrohemi të gjithë të afërmve tanë, ne gjithmonë i pranojmë vendimet e tyre. Ashtu si dha mësim një profet i Librit të Mormonit, ne duhet të shkojmë përpara, duke pasur “dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”22.

Ashtu si shpalli Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën tonë të fundit: “Nuk ka pasur kurrë një kohë në historinë e botës kur njohuria për Shpëtimtarin tonë të ishte më jetike personalisht dhe më me vend për çdo shpirt njerëzor. Doktrina e kulluar e Krishtit është e fuqishme. Ajo e ndryshon jetën e kujtdo që e kupton atë dhe kërkon ta zbatojë në jetën e vet.”23

E zbatofshim të gjithë atë doktrinë të shenjtë në jetën tonë, unë lutem, në emrin e Jezu Krishtit, amen.