Mos Druaj; Ti Vetëm Beso!
Fillojeni kërkimin tuaj për lumturinë duke përqafuar bollëkun që tashmë e kemi marrë nga dhënësi i çdo dhurate të mirë.
Ua drejtoj fjalët e mia sot njerëzve të Kishës në moshë të re, domethënë çdo njeriu të moshës së Presidentit Nelson ose më të ri. Unë rrallë përdor mjete pamore, por nuk rri dot pa e treguar këtë.
Kjo cri de coeur (ankesë) vjen nga mikja ime tetëvjeçare, Merën Arnoldi, shkruar kur ajo ishte shtatë vjeçe. Unë do t’ju përkthej gjuhën e saj të lashtë egjiptiane të reformuar:
I dashur Peshkop
konfrnca e prgjithshe
ishte e Mërzitshme pse
dyt ta
Bëjmë? më thuaj pse
Sinqrshti, Merën
Arnold.1
Epo, Merën, biseda që kam për të dhënë, pa dyshim do të të zhgënjejë prapë. Por kur t’i shkruash peshkopit tënd që të ankohesh, është e rëndësishme t’i thuash se emri im është “Kiëron. Plaku Patrik Kiëron.”
Për gati dy vjet një pandemi e përmasave biblike e ka mbuluar planetin tonë dhe ndërkohë që ajo fatkeqësi solli një ndalesë pothuajse të gjithçkaje nga ana shoqërore, dukshëm, ajo nuk solli ndalesë të brutalitetit, dhunës dhe agresionit të egër nga ana politike – në rang kombëtar apo ndërkombëtar. Sikur të mos mjaftonin këto, ende po përballemi me sfida të vjetra shoqërore e kulturore, duke filluar nga humbja ekonomike te ndotja e mjedisit, te pabarazia racore e të tjera.
Erëra të tilla të forta dhe ditë të tilla të zymta mund të jenë shkurajuese për rininë mes nesh, ata tek të cilët ne presim optimizëm dhe entuziazëm për sa u përket të nesërmeve të jetëve tona. Është thënë se “fuqia e rinisë është pasuria e përbashkët për të gjithë botën. Të … rinjtë … janë pamjet e së ardhmes … sonë.”2 Për më tepër, fëmijët tanë janë të mirëbesuarit në duart e të cilëve do të vendoset fati i kësaj Kishe.
Me këto kohë që kalojmë, është e kuptueshme nëse idealizmi i rinisë po pakësohet disi. Dr. Lori Santos, një pedagoge në Universitetin e Jellit, kohët e fundit krijoi një lëndë të titulluar “Psikologjia dhe Jeta e Mirë”. “Vitin e parë që u ofrua lënda, u regjistrua gati [një çereku] i [tërë] trupës së studentëve universitarë.”3 Më pas, mbi 64 milionë njerëz e dëgjuan regjistrimin e saj zanor në internet. Duke shkruar për këtë fenomen, një gazetar vuri në dukje se sa e dhembshme është të shohësh aq shumë studentë të shkëlqyer, të rinj dhe rini në moshë madhore, dëshpërimisht “duke kërkuar diçka që u ka humbur” ose, edhe më keq, duke u përmalluar për diçka që nuk e patën kurrë.4
Lutja ime sot drejtuar rinisë sonë dhe ju prindërve dhe të rriturve që i këshilloni ata, është ta filloni kërkimin tuaj për lumturinë duke përqafuar bollëkun që tashmë e kemi marrë nga dhënësi i çdo dhurate të mirë.5 Pikërisht në çastin që shumë njerëz në botë po bëjnë pyetje të thella të natyrës shpirtërore, ne duhet t’u përgjigjemi me “lajm[in e] mirë”6 të ungjillit të Jezu Krishtit. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e cila e konsideron të rëndësishëm misionin dhe mesazhin e Shpëtimtarit të botës, ofron mënyrën më domethënëse në përjetësi për ta gjetur të mirën, si edhe për të bërë mirë në një kohë të tillë plot nevoja.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë se ky brez të rinjsh e të rejash ka kapacitetin për të “pasur më shumë ndikim [për mirë] mbi botën sesa çdo brez i mëparshëm”7. Ne, mbi të gjithë, duhet të “këndo[jmë] këngën e dashurisë shëlbuese”8, por kjo gjë kërkon disiplinë, “dishepullim” e thënë ndryshe, të llojit që na ruan prej sjelljeve negative dhe zakoneve shkatërruese që do të na bënin të stononim teksa përpiqemi të këndojmë atë këngë të shpëtimit të përjetshëm.
Edhe kur qëndrojmë në “anën me diell të rrugës”9, ne njëmend takohemi herë pas here me atë person që është i vendosur të gjejë diçka të zymtë dhe të dëshpëruar te çdo gjë. Ju e dini moton e tij: “Errësira është gjithmonë më e madhe tamam përpara se të bëhet katran fare”. Çfarë këndvështrimi keqdashës dhe çfarë ekzistence e mjerë! Po, nganjëherë ne mund të duam të largohemi nga vendi ku jemi, por sigurisht nuk duhet të largohemi kurrë nga ata që jemi: fëmijë të Perëndisë të gjallë i cili na do, i cili është gjithmonë gati për të na falur dhe i cili nuk do të na braktisë kurrë, asnjëherë. Ju jeni zotërimi më i çmuar i Tij. Ju jeni fëmija i Tij, të cilit Ai i ka dhënë profetët dhe premtimet, dhuratat shpirtërore dhe zbulesat, mrekullitë e mesazhet dhe engjëjt në të dyja anët e velit.10
Ai ju ka dhënë edhe një Kishë që i forcon familjet në vdekshmëri dhe i lidh ato së bashku në përjetësi. Ajo siguron më shumë se 31 000 lagje dhe degë ku njerëzit mblidhen dhe këndojnë, dhe agjërojnë, dhe luten për njëri‑tjetrin, dhe u japin të varfërve nga të ardhurat e tyre. Ky është vendi ku çdo njeriu i dihet emri, i kushtohet vëmendje dhe i jepet shërbesë dhe ku miqtë e fqinjët vullnetarisht e pa pagesë i shërbejnë njëri‑tjetrit në thirrje që shtrihen nga punët e zyrës deri në detyra pastrimi. Me mijëra të rinj e të reja në moshë madhore – dhe çifte në moshë po ashtu – shërbejnë në misione, me shpenzimet e veta, pa ndikuar në vendimin se ku do ta kryejnë misionin, dhe anëtarë të rinj e të moshuar udhëtojnë drejt tempujve për të kryer ordinanca të shenjta, të domosdoshme për ta lidhur së bashku familjen njerëzore – një veprimtari e guximshme në një botë kaq të ndarë, por një veprimtari që shpall se një ndarje e tillë është vetëm e përkohshme. Këto janë disa nga arsyet që i japim për “shpresën që është në [ne]”11.
Sigurisht, në kohën tonë të sotme, çështje jashtëzakonisht të vështira vihen përballë çdo dishepulli të Jezu Krishtit. Udhëheqësit e kësaj Kishe ia kanë kushtuar jetën e tyre kërkimit të udhërrëfimit nga Zoti për zgjidhjen e atyre sfidave. Nëse disa çështje të vështira nuk zgjidhen ashtu siç dëshiron gjithsecili, ndoshta ato përbëjnë një pjesë të kryqit që Jezusi tha se do të na duhej të merrnim përsipër me qëllim që ta ndjekim Atë.12 Pikërisht ngaqë do të kishte ditë të zymta dhe çështje të vështira, Perëndia premtoi se Ai, nëpërmjet një reje ditën dhe një kolone zjarri natën, do t’u rrëfente udhën profetëve, do të jepte një shufër të hekurt, do të hapte një portë të ngushtë që çonte drejt një shtegu të ngushtuar, dhe mbi të gjitha do të na jepte fuqinë për ta çuar deri në fund vrapimin.13
Prandaj ju lutem, ju lutem, qëndroni deri në fund të gostisë edhe nëse nuk ju pëlqen lulelakra. Futuni në dritën e Tij dhe shtojeni qiriun tuaj për kauzën.14 E thonë siç duhet në Fillore: Jezusi vërtet “[do që ju] [të jeni] rreze dielli”15.
Kur udhëheqësi judeas, Jairi, iu përgjërua Jezusit që ta shëronte bijën e tij 12-vjeçare, e cila ishte e shtrirë duke vdekur në shtëpi, turma që e rrethonte e vonoi Shpëtimtarin për aq kohë sa një shërbëtor erdhi pas pak duke i thënë këtij babai të merakosur: “Vajza jote vdiq, mos e shqetëso Mësuesin”.
“Por Jezusi, mbasi i dëgjoi këto, i tha: ‘Mos druaj; ti vetëm beso dhe ajo do të shpëtojë’.”16
Dhe ajo u shërua. Po kështu edhe ju [do të shpëtoni]. “Mos drua[ni]: [ju] vetëm beso[ni].”
Ngaqë secili prej jush në këtë publik është i çmuar për Perëndinë dhe për këtë Kishë, unë e mbyll me këtë shpallje të veçantë apostolike. Përpara se ta merrnit fillimisht dhuratën e Frymës së Shenjtë, ju e patët Dritën e Krishtit të mbjellë në shpirtin tuaj17, atë “dritë e cila është në gjithçka, … që i jep jetë gjithçkaje”18 dhe që është ndikimi për mirë në zemrat e të gjithë njerëzve që kanë jetuar ose që do të jetojnë ndonjëherë. Ajo dritë u dha për t’ju mbrojtur dhe për t’ju mësuar. Njëri nga mesazhet kryesore të saj është se jeta është dhurata më e çmuar e të gjitha dhuratave, një dhuratë e cila fitohet përjetësisht vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht. Si Drita dhe Jeta e Botës19, Biri i Vetëmlindur i Perëndisë erdhi për të na dhënë jetë duke e mposhtur vdekjen.
Ne duhet të zotohemi tërësisht ndaj asaj dhurate të jetës dhe të vrapojmë në ndihmë të atyre që janë në rrezik të heqin dorë nga kjo dhuratë e shenjtë. Udhëheqës, këshillues, miq, familjarë vëzhgoni për shenja të depresionit, dëshpërimit ose çfarëdo gjëje që paralajmëron dëmtimin e vetvetes. Ofroni ndihmën tuaj. Dëgjoni. Bëni njëfarë ndërhyrjeje kur është e përshtatshme.
Kujtdo nga të rinjtë ose të rejat tona që po has vështirësi, cilatdo qofshin shqetësimet ose vështirësitë tuaja, vdekja nëpërmjet vetëvrasjes qartësisht nuk është përgjigjja. Ajo nuk do ta lehtësojë dhembjen që po ndieni, apo që mendoni se po shkaktoni. Në një botë që ka nevojë aq skajshëm për gjithë dritën e mundshme, ju lutemi, mos e pakësoni dritën e përjetshme që Perëndia e vendosi në shpirtin tuaj përpara se të ishte kjo botë. Flisni me dikë. Kërkoni ndihmë. Mos e shkatërroni një jetë për të cilën Krishti dha jetën e Tij që të ruhej. Ju mund t’i duroni vështirësitë e kësaj jete në vdekshmëri, sepse ne do t’ju ndihmojmë që t’i duroni ato. Jeni më të fortë nga ç’mendoni. Ndihma është në dispozicion, nga të tjerët dhe veçanërisht nga Perëndia. Ne ju duam, ju vlerësojmë dhe kemi nevojë për ju. Ne kemi nevojë për ju! “Mos drua[ni]: [ju] vetëm beso[ni].”
Dikush që u përball me rrethana edhe më të dëshpëruara sesa ju dhe unë do të përballemi ndonjëherë, dikur thirri: “Ecni përpara [miqtë e mi të rinj e të dashur]. Kuraj[ë], … dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara.”20 Kemi aq shumë gjëra për të cilat të gëzohemi. Kemi njëri‑tjetrin dhe kemi Atë. Mos na e mohoni mundësinë që t’ju kemi, ju lutem, në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Zotit Jezu Krisht, Mësuesit tonë, amen.