Konferenca e Përgjithshme
Mesazh Paraqitës
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


4:21

Mesazh Paraqitës

Ne i nderojmë bijat e Perëndisë në këtë sesion të veçantë duke u përqendruar te shqetësimet e tyre dhe të organizatave të tyre.

Motrat e mia të dashura, ndërsa fillojmë këtë sesion të pazakontë të grave të konferencës së përgjithshme, kam kënaqësinë të jap këtë mesazh paraqitës nga Presidenca e Parë.

Sesionet tona të së shtunës kanë një histori qëllimesh të ndryshme dhe publiku të ndryshëm. Këtë mbrëmje shtojmë në atë histori, teksa nisim një qëllim dhe një procedurë të re për të ardhmen e parashikueshme. Ungjilli i Jezu Krishtit nuk ndryshon. Doktrina e ungjillit nuk ndryshon. Besëlidhjet tona vetjake nuk ndryshojnë. Por gjatë viteve, mbledhjet që zhvillojmë për të përcjellë mesazhet tona, vërtet ndryshojnë dhe ka shumë të ngjarë që do të vazhdojnë të ndryshojnë me kalimin e viteve.

Tani për tani, kjo mbledhje e mbrëmjes të së shtunës është një sesion i konferencës së përgjithshme, jo një sesion i ndonjë organizate. Ashtu si të gjitha sesionet e konferencës së përgjithshme, planifikimi, folësit dhe muzika caktohen nga Presidenca e Parë.

Ne i kemi kërkuar Presidentes Xhin B. Bingham, Presidentes së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, ta drejtojë këtë sesion. Sesionet e ardhshme të mbrëmjes të së shtunës mund të drejtohen nga njëra prej Drejtueseve të tjera të Përgjithshme të Kishës, të tilla si anëtaret e Presidencave të Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe Fillores, të caktuara nga Presidenca e Parë.

Sonte, ky sesion i mbrëmjes të së shtunës i konferencës së përgjithshme do të përqendrohet te shqetësimet e grave shenjtore të ditëve të mëvonshme. Kjo do të përfshijë doktrinën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, rregulloret e Kishës që lidhen në veçanti me gratë, përgjegjësitë e përgjithshme dhe punën e organizatave që përfshijnë gratë dhe vajzat e Kishës. Ndonëse ky sesion transmetohet qëllimisht për një publik mbarëbotëror, ashtu si të gjitha sesionet e konferencës së përgjithshme, publiku i ftuar për të qenë i pranishëm në Qendrën e Konferencave për këtë sesion, përbëhet nga gratë dhe vajzat e moshës 12 vjeçe e lart. Kemi përfshirë disa udhëheqës priftërie që kryesojnë në organizatat pjesëmarrëse.

Ajo që po ndërmarrim këtu, është një përgjigje ndaj burimeve të komunikimit që janë aktualisht në dispozicion të udhëheqjes dhe anëtarësisë mbarëbotërore të Kishës së Zotit. Doktrina e ungjillit të Jezu Krishtit është për këdo, prandaj kjo është shtysa jonë kryesore dhe shkalla e përhapjes. Ne i nderojmë bijat e Perëndisë në këtë sesion të veçantë duke u përqendruar te shqetësimet e tyre dhe të organizatave të tyre.

Jemi mirënjohës që teknologjia e transmetimit u jep tani udhëheqësve të Kishës aftësinë për të kryer trajnime të hollësishme duke iu drejtuar publikut të veçantë të pranishëm nëpërmjet internetit. Ne gjithashtu mirëpresim faktin që mundësitë e tanishme për udhëtim po rriten. Kjo na lejon të dërgojmë udhëheqës të Kishës për të kryer në terren trajnime të nevojshme e të rregullta të udhëheqjes ballë për ballë.

Kjo është puna e Zotit Jezu Krisht. Ne jemi shërbëtorët e Tij, të drejtuar nga Shpirti i Tij i Shenjtë. Ne kërkojmë bekimet e Zotit tonë mbi udhëheqëset e këtyre organizatave dhe mbi gratë dhe vajzat besnike që i shërbejnë Zotit në këto organizata dhe në jetën e tyre individuale. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.