“Kërkoni me Besim”, kapitulli 1 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018)
Kapitulli 1: “Kërkoni me Besim”
Kapitulli 1
Kërkoni me Besim
Në vitin 1815, ishulli indonezian i Sambauas ishte plot bimësi e gjelbërim nga shiu i kohëve të fundit. Familjet po përgatiteshin për stinën e thatë që po vinte, siç kishin bërë çdo vit për shumë breza, duke kultivuar parcela orizi në rrëzën e një vullkani të quajtur Tambora.
Më 5 prill, pas dekadash dremitjeje, mali u zgjua zhurmshëm, duke flakur në ajër hi e zjarr. Qindra kilometra larg, dëshmitarët dëgjuan atë që ushtoi si të qëlluarit e një topi. Shpërthime të vogla vazhduan për disa ditë. Më pas, në mbrëmjen e 10 prillit, i tërë mali shpërtheu. Tri shtëllunga të zjarrta u ngritën drejt qiellit, duke u bashkuar në një shpërthim të stërmadh flake. Zjarr i lëngshëm rrodhi tatëpjetë faqes së malit, duke e mbështjellë fshatin në rrëzë të tij. Vorbulla ere u shpërndanë me egërsi anembanë krahinës, duke i shkulur pemët dhe duke i flakur tej shtëpitë.1
Rrëmuja vazhdoi gjatë gjithë asaj nate dhe deri në natën e ardhshme. Hiri mbuloi kilometra të tërë të tokës e të detit, duke krijuar në disa vende pirgje mbi gjysmë metri. Mesdita dukej si mesnatë. Detet e trazuara u vërsulën mbi bregdetet, duke i dëmtuar bimët dhe duke i përmbytur fshatrat. Për shumë javë, Tambora bëri të binte hi, gurë e zjarr nga qielli.2
Brenda pak muajsh më pas, ndikimet e shpërthimit u përhapën nëpër rruzullin tokësor. Perëndimet e spikatura të diellit i mahnitën njerëzit anembanë botës. Por ngjyrat e shndritshme i fshehën ndikimet vdekjeprurëse të hirit të vullkanit teksa qarkonte tokën. Në vitin pasues, moti u bë i paparashikueshëm dhe shkatërrues.3
Shpërthimi shkaktoi që të binin temperaturat në Indi dhe kolera vrau mijëra njerëz, duke i shkatërruar familjet. Në luginat pjellore kineze, stuhi dëbore në verë zunë vendin e një klime normalisht të butë dhe shira përmbytës i shkatërruan të lashtat. Në Europë, furnizimet ushqimore u pakësuan, duke çuar drejt panikut dhe vdekjes nga uria.4
Kudo, njerëzit kërkonin shpjegime për vuajtjet dhe vdekjen që i shkaktoi moti i çuditshëm. Lutje dhe psalme prej burrave të shenjtë jehuan nëpër tempujt hindu në Indi. Poetët kinezë hasën vështirësi të gjenin përgjigje për dhembjen e humbjen. Në Francë e Britani, shtetasit ranë në gjunjë, të frikësuar që fatkeqësitë e tmerrshme, të paratreguara në Bibël, po u ndodhnin atyre. Në Amerikën Veriore, shërbestarët predikuan që Perëndia po i ndëshkonte të krishterët e pabindur, dhe trumbetuan paralajmërime për t’i nxitur ndjenjat fetare.
Anembanë vendit, njerëzit u grumbulluan nëpër kisha dhe mbledhje rigjallërimi, plot ankth për të ditur se si mund të shpëtoheshin nga shkatërrimi që po vinte.5
Shpërthimi i Tamborës ndikoi te moti në Amerikën Veriore gjatë gjithë vitit pasues. Pranvera u mbyll me rënie dëbore e ngrica shkatërruese për bimët dhe 1816-ta u mbajt mend si viti që nuk pati verë.6 Në Vermont, në cepin verilindor të Shteteve të Bashkuara, kodrat shkëmbore ia kishin prerë shpresat për vite një fermeri të quajtur Jozef Smith Plaku. Por atë stinë, ndërkohë që ai dhe bashkëshortja e tij, Lusi Mek Smithi, i vështronin të lashtat e tyre të vyshkeshin nën ngricat e pamëshirshme, ata e dinin se gjendeshin përballë shkatërrimit financiar dhe një të ardhmeje të pasigurt nëse qëndronin aty ku ishin.
Në moshën dyzetepesëvjeçare, Jozef Smith Plaku nuk ishte më një djalë i ri dhe ishte frikësuese ideja e fillimit nga e para në një tokë të re. E dinte se bijtë e tij më të mëdhenj, Alvini tetëmbëdhjetëvjeçar dhe Hajrëmi gjashtëmbëdhjetëvjeçar, mund ta ndihmonin që të hapte tokë buke, të ndërtonte një shtëpi dhe të mbillte e korrte të lashtat. Bija e tij trembëdhjetëvjeçare, Sofronia, ishte mjaft e rritur sa ta ndihmonte Lusin për punët brenda në shtëpi dhe përreth fermës. Djemtë e tij më të vegjël, Samueli tetëvjeçar dhe Uilliami pesëvjeçar, po bëheshin më ndihmues dhe Katarina trevjeçare e Don Karlosi i sapolindur një ditë do të rriteshin mjaft sa të jepnin ndihmesë.
Por ndryshe qëndronte puna me birin e tij të mesëm, dhjetëvjeçarin Jozef i Riu. Para katër vjetësh, Jozefi i Riu i ishte nënshtruar një operacioni për t’i hequr një infeksion nga këmba. Qysh atëherë ai kishte ecur me një patericë. Edhe pse po fillonte ta ndiente sërish të fortë këmbën e tij, Jozef i Riu çalonte plot dhembje dhe Jozef Plaku nuk e dinte nëse ai do të rritej i fortë si Alvini dhe Hajrëmi.7
Të sigurt se mund të mbështeteshin te njëri-tjetri, pjesëtarët e familjes Smith vendosën ta braktisnin shtëpinë e tyre në Vermont për një tokë më të mirë.8 Si shumë të tjerë në zonë, Jozef Plaku vendosi të udhëtonte për në shtetin e Nju-Jorkut, ku shpresonte të gjente një fermë të mirë që mund ta blinin me kredi. Më pas do t’i lajmëronte për të ardhur Lusin e fëmijët dhe familja do të mund t’ia fillonte nga e para.
Teksa Jozef Plaku u nis për në Nju-Jork, Alvini dhe Hajrëmi e shoqëruan një copë rrugë përpara se t’i thoshin lamtumirë. Jozef Plaku i donte së tepërmi bashkëshorten dhe fëmijët e tij, por nuk pati qenë në gjendje t’u siguronte shumë qëndrueshmëri në jetë. Fati i keq dhe investime pa sukses e kishin lënë familjen të varfër dhe pa shtëpi të përhershme. Ndoshta Nju-Jorku do të ishte ndryshe.9
Dimrin që pasoi, Jozef i Riu çaloi përmes dëborës së bashku me nënën, vëllezërit dhe motrat e tija. Ata ishin në udhë e sipër drejt perëndimit për në një fshat të Nju-Jorkut, të quajtur Palmira, pranë vendit ku Jozef Plaku kishte gjetur një tokë të mirë dhe po e priste familjen e tij.
Ngaqë bashkëshorti i saj nuk mund të ndihmonte për zhvendosjen, Lusi kishte pajtuar një burrë të quajtur z. Hauard që ta ngiste karron e tyre. Në rrugë, z. Hauard i trajtoi vrazhdë plaçkat e tyre dhe i harxhoi në kumar e pije paratë që ata ia paguan. Dhe pasi u bashkuan me një familje tjetër që po udhëtonte drejt perëndimit, z. Hauard e dëboi Jozefin nga karroja që bijat e familjes tjetër të mund të uleshin me të teksa e ngiste karron.
Duke e ditur sa shumë dhembje kishte Jozefi kur ecte, Alvini dhe Hajrëmi u përpoqën disa herë t’i kundërviheshin z. Hauard. Por çdo herë ai i rrëzoi përtokë me dorezën e kamxhikut të tij.10
Nëse do të kishte qenë më i madh, Jozefi ndoshta do të ishte përpjekur t’i kundërvihej vetë z. Hauard. Këmba e lënduar nuk e kishte lejuar të punonte e luante, por vullneti i tij i fortë kompensonte për trupin e tij të dobët. Përpara se mjekët t’i bënin prerje në këmbë dhe t’i hiqnin pjesëza të infektuara të kockës, ata patën dashur ta lidhnin ose t’i jepnin alkool për t’ia fashitur dhembjen. Por Jozefi pati kërkuar vetëm që babai ta mbante.
Ai kishte qëndruar i zgjuar dhe i vetëdijshëm tërë kohën, me fytyrën të zbehtë dhe duke pikuar djersë. Nëna e tij, e cila ishte zakonisht tepër e fortë, pothuajse ishte dërrmuar kur i dëgjonte britmat e tij. Pas kësaj, ajo ndoshta ndieu se mund të duronte gjithçka.11
Ndërsa Jozefi çalonte anash karros, ai mund ta shihte se nëna tij mezi po e duronte z. Hauard. Tashmë kishin udhëtuar treqind kilometra dhe deri më tani ajo kishte qenë më se e duruar me sjelljen e keqe të karrocierit.
Rreth njëqind e gjashtëdhjetë kilometra larg Palmirës, Lusi po përgatitej për një ditë tjetër në udhëtim kur pa se Alvini po vraponte drejt saj. Z. Hauard i kishte hedhur plaçkat dhe bagazhet e tyre në rrugë dhe po bëhej gati të ikte me kuajt dhe karron e tyre.
Lusi e gjeti burrin në një bar. “Siç ka një Perëndi në qiell”, shpalli ajo, “ajo karro dhe ata kuaj, si edhe plaçkat që i shoqërojnë, janë të miat.”
Ajo e hodhi vështrimin përreth barit. Ishte i mbushur me burra e gra, shumica prej tyre udhëtarë si ajo. “Ky burrë”, tha ajo, duke u ndeshur me vështrimin e tyre, “ka vendosur të marrë prej meje çdo mjet për ta vazhduar udhëtimin tim, duke më lënë mua tërësisht të braktisur me tetë fëmijë të vegjël.”
Z. Hauard tha se tashmë i pati shpenzuar paratë që ajo ia pagoi për të ngarë karron, dhe ai nuk mund të shkonte më tej.
“Nuk më nevojitesh”, tha Lusi. “Do ta marr vetë përgjegjësinë për çiftin e kuajve.”
Ajo e la z. Hauard në bar dhe u betua se do t’i bashkonte fëmijët e saj me atin e tyre, çfarëdo që të ndodhte.12
Udha përpara ishte me baltë dhe e ftohtë, por Lusi e çoi familjen e saj shëndoshë e mirë në Palmira. Teksa i shihte fëmijët duke u kapur fort pas të atit dhe duke ia puthur fytyrën, ajo u ndie e shpërblyer për gjithçka që kishin vuajtur që të mbërrinin atje.
Familja shpejt mori me qira një shtëpi të vogël në qytezë dhe diskutuan se si të merrnin vetë fermën e tyre.13 Plani më i mirë, vendosën ata, ishte të punonin derisa të kishin para të mjaftueshme për një parapagesë për tokën në pyllin aty pranë. Jozef Plaku dhe bijtë e tij më të mëdhenj gërmuan puse, ndanë binarë për të bërë gardhe dhe korrën kashtë për të fituar para, ndërkohë që Lusi dhe të bijat bënin e shisnin ëmbëlsira, pije freskuese dhe veshje zbukuruese që të siguronin ushqim për familjen.14
Teksa Jozef i Riu rritej, këmba e tij u forcua dhe ai mund të ecte me lehtësi nëpër Palmira. Në qytezë, ai u takua me njerëz nga e gjithë krahina dhe shumë prej tyre po i ktheheshin fesë që të kënaqnin dëshirat shpirtërore dhe që të shpjegonin vështirësitë e jetës. Jozefi dhe familja e tij nuk i përkitnin një kishe, por shumë prej fqinjëve të tyre adhuronin në një nga godinat e larta kishtare të presbiterianëve, në shtëpinë e mbledhjeve për baptistët, në sallën e kuejkërave apo në vendfushimin ku predikuesit udhëtues metodistë i mbanin herë pas here mbledhjet e rigjallërimit.15
Kur Jozefi ishte dymbëdhjetë vjeç, debatet fetare e përfshinin gjithë Palmirën. Edhe pse lexonte pak, atij i pëlqente të mendonte thellë rreth ideve. I dëgjonte predikuesit, duke shpresuar të mësonte më shumë rreth shpirtit të tij të pavdekshëm, por predikimet e tyre shpesh e linin të pështjelluar. Ata i thoshin se ishte një mëkatar në një botë mëkatare, i pafuqishëm pa hirin shpëtues të Jezu Krishtit. Dhe ndërkohë që Jozefi e besoi mesazhin dhe u ndie keq rreth mëkateve të tij, ai nuk ishte i sigurt se si të gjente falje.16
Ai mendoi se vajtja në kishë mund ta ndihmonte, por nuk mund të vendoste për një vend ku të adhuronte. Kishat e ndryshme grindeshin pafund rreth mënyrës se si njerëzit mund të çliroheshin nga mëkati. Pasi i dëgjoi këto diskutime për njëfarë kohe, Jozefi u shqetësua tek shihte njerëz që lexonin të njëjtën Bibël, por arrinin në përfundime të ndryshme rreth kuptimit të saj. Ai besonte që e vërteta e Perëndisë ekzistonte – diku – por nuk dinte se si ta gjente atë.17
As prindërit e tij nuk ishin të sigurt. Lusi dhe Jozef Plaku rridhnin që të dy nga familje të krishtera dhe besonin te Bibla dhe Jezu Krishti. Lusi shkonte në mbledhje kishe dhe shpesh i merrte me vete fëmijët e saj. Ajo po e kërkonte kishën e vërtetë të Jezu Krishtit qysh prej vdekjes së motrës së saj shumë vite përpara.
Një herë, pasi qe sëmurur rëndë pak kohë përpara lindjes së Jozefit, ajo qe trembur se mos vdiste para se ta gjente të vërtetën. Ajo ndiente një zbrazëti errësire dhe vetmie midis vetes dhe Shpëtimtarit dhe e dinte se ishte e papërgatitur për jetën tjetër.
Duke ndenjur shtrirë dhe zgjuar gjithë natën, ajo iu lut Perëndisë duke i premtuar se, në qoftë se Ai do ta linte të jetonte, ajo do ta gjente kishën e Jezu Krishtit. Ndërsa lutej, zëri i Zotit i foli, duke e siguruar se, në qoftë se do të kërkonte, ajo do të gjente. Ajo pati shkuar në më shumë kisha paskëtaj, por ende nuk e pati gjetur të duhurën. Edhe kur dukej sikur kisha e Shpëtimtarit nuk ishte më në tokë, ajo vazhdoi të kërkonte, duke pasur besim se vajtja në kishë ishte më e mirë se mosvajtja.18
Ashtu si bashkëshortja e tij, Jozef Plaku ishte i uritur për të vërtetën. Por ai ndiente se mosvajtja në asnjë kishë ishte më e mirë sesa të shkoje në kishën e gabuar. Duke ndjekur këshillën e babait të vet, Jozef Plaku kërkonte në shkrimet e shenjta, lutej me zell dhe besonte se Jezu Krishti pati ardhur për ta shpëtuar botën.19 Por ai prapë nuk mund ta pajtonte atë që ndiente se ishte e vërtetë, me rrëmujën dhe mosmarrëveshjen që shihte në kishat përreth tij. Një natë, pa në ëndërr se predikuesit që grindeshin, ishin si gjedhët që hungërinin duke gërmuar tokën me brirë, gjë që ia thelloi shqetësimin se ata dinin pak rreth mbretërisë së Perëndisë.20
Duke parë pakënaqësinë e prindërve ndaj kishave vendore, Jozef të Riut vetëm sa iu shtua pështjellimi.21 Shpirti i tij ishte në rrezik, por askush nuk mund t’i jepte përgjigje që e kënaqnin.
Pasi kurseu para për më shumë se një vit, familja Smith pati mjaft para sa të bënte një pagesë për dyzet hektarë pylli në Mançester, pikërisht në jug të Palmirës. Atje, ndërmjet punëve si krahë të pajtuar pune, ata hapën vrima në pemët e panjës për të mbledhur lëngun e tyre të ëmbël, mbollën një pemishte dhe pastruan ara për të rritur të lashta.22
Ndërsa punonte tokën, Jozefi i ri vazhdoi të shqetësohej rreth mëkateve të tij dhe mirëqenies së shpirtit të tij. Rigjallërimi fetar në Palmira ishte qetësuar, por predikuesit vijonin të haheshin për të kthyer në besim atje dhe kudo në rajon.23 Ditë e natë, Jozefi vëzhgonte diellin, hënën dhe yjet të rrotulloheshin nëpër qiejt me rregull e madhështi dhe admironte bukurinë e tokës së mbushur me jetë. Ai shihte edhe njerëzit përreth tij dhe mrekullohej me forcën dhe zgjuarsinë e tyre. Gjithçka dukej se dëshmonte që Perëndia ekzistonte dhe e kishte krijuar njerëzimin sipas vetë shëmbëlltyrës së Tij. Por si mund të komunikonte Jozefi me Të?24
Në verën e vitit 1819, kur Jozefi ishte trembëdhjetë vjeç, predikuesit metodistë u mblodhën për një konferencë disa kilometra larg fermës së familjes Smith dhe u përhapën nëpër fshatrat për t’i nxitur familjet si ajo e Jozefit që të ktheheshin në besim. Suksesi i këtyre predikuesve i shqetësoi shërbestarët e tjerë në krahinë dhe shpejt konkurrimi për njerëz që të ktheheshin në besim, u bë i fuqishëm.
Jozefi frekuentoi mbledhjet, dëgjoi predikimin që ia ngacmonte shpirtin, dhe i pa vetë të kthyerit në besim që bërtitnin nga gëzimi. Ai donte të bërtiste bashkë me ta, por shpesh ndiente se ishte në mes të një lufte fjalësh dhe mendimesh. “Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose a janë që të gjithë së bashku gabim?” pyeste veten. “Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?” Ai e dinte se kishte nevojë për hirin dhe mëshirën e Krishtit, por me kaq shumë njerëz e kisha që përplaseshin lidhur me fenë, nuk e dinte se ku ta gjente atë.25
Shpresa se mund të gjente përgjigje – dhe paqe për shpirtin e tij – dukej se po i largohej. Pyeste veten se si një njeri mund ta gjente të vërtetën mes kaq shumë zhurme.26
Teksa ishte i pranishëm në një predikim, Jozefi dëgjoi një shërbestar të citonte nga kapitulli i parë i Jakobit në Dhiatën e Re. “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia”, tha ai, “le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.”27
Jozefi shkoi në shtëpi dhe e lexoi vargun në Bibël. “Kurrë ndonjë pjesë e shkrimit të shenjtë nuk erdhi më me fuqi në zemrën e një njeriu, sesa ky varg erdhi tek unë në këtë kohë”, kujtoi më vonë ai. “M’u duk se hyri me forcë të madhe në çdo ndjenjë të zemrës sime. Mendova për të herë pas here, duke e ditur që, nëse ndonjë njeriu i nevojitej urtësi nga Perëndia, mua më duhej.” E kishte hetuar Biblën më parë sikur ajo t’i kishte të gjitha përgjigjet. Por tani Bibla po i thoshte se ai mund të shkonte drejtpërsëdrejti te Perëndia për përgjigje vetjake ndaj pyetjeve të tij.
Jozefi vendosi të lutej. Kurrë nuk ishte lutur me zë më parë, por i mirëbesoi premtimit të Biblës. “Kërko me besim, pa dyshuar”, jepte mësim ajo.28 Perëndia do t’i dëgjonte pyetjet e tij – edhe nëse ato do të shqiptoheshin me ngathtësi.