Instituti
4 Ji Vigjilent


“Ji Vigjilent”, kapitulli 4 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018)

Kapitulli 4: “Ji Vigjilent”

KAPITULLI 4

Ji Vigjilent

Kuti me çelës

Njëzetenjëvjeçarja Ema Hejl dëgjoi për herë të parë për Jozef Smithin kur ai erdhi të punonte për Xhosaja Stoullin në vjeshtën e 1825-s. Xhosaja i kishte punësuar të riun dhe atin e tij që ta ndihmonin të gjente thesare të groposura në pronën e vet.1 Legjendat vendore pretendonin se një grup eksploruesish kishin hapur një minierë argjendi dhe e kishin fshehur thesarin në atë zonë qindra vjet më parë. Duke e ditur që Jozefi kishte dhunti për përdorimin e gurëve shikues, Xhosaja i ofroi pagesa të mira dhe një pjesë të gjetjeve, në qoftë se ai do ta ndihmonte për kërkimin.2

Babai i Emës, Isaku, e përkrahu sipërmarrjen. Kur Jozefi dhe i ati erdhën te ferma Stoull në Harmoni të Pensilvanisë – një fshat gati 240 kilometra në jug të Palmirës – Isaku shërbeu si dëshmitar kur ata i nënshkruan kontratat e tyre. Ai gjithashtu i lejoi punëtorët të jetonin në shtëpinë e tij.3

Ema u takua me Jozefin pak kohë pas kësaj. Ai ishte më i ri se ajo, i gjatë mbi një metër e tetëdhjetë centimetra dhe dukej si dikush që ishte i mësuar me punë të rëndë. Kishte sy blu, lëkurë të çelët dhe ecte me një çalim të lehtë. Gramatika e tij ishte e çrregullt dhe nganjëherë përdorte fjalë të tepërta për t’u shprehur, por paraqiste zgjuarsi të natyrshme kur fliste. Ai dhe babai i tij ishin burra të mirë të cilët parapëlqenin të adhuronin më vete në vend që të ndiqnin kishën ku adhuronin Ema dhe familja e saj.4

Si Jozefit ashtu dhe Emës u pëlqente të qëndronin jashtë në natyrë. Që nga fëmijëria, Emës i pëlqente të ngiste kuaj dhe të lundronte me kaike në lumin pranë shtëpisë së saj. Jozefi nuk ishte kalorës i zoti, por ai shkëlqente në mundje dhe lojërat me top. Ai ndihej rehat në prani të të tjerëve dhe buzëqeshte me të shpejtë, duke bërë shpesh shaka ose duke treguar histori humoristike. Ema ishte më e mbyllur në vetvete, por i pëlqenin shakatë e mira dhe mund të bisedonte me këdo. Asaj gjithashtu i pëlqente të lexonte dhe të këndonte.5

Teksa javët kalonin dhe Ema arriti ta njihte më mirë Jozefin, prindërit e saj filluan të shqetësoheshin nga marrëdhënia e tyre. Jozefi ishte një punëtor i varfër nga një shtet tjetër dhe ata shpresonin që bija e tyre do ta humbiste interesimin për të dhe do të martohej me dikë nga familjet e pasura në luginën e tyre. Babai i Emës gjithashtu ishte bërë mosbesues ndaj gjuetisë së thesarit dhe ishte dyshues për rolin e Jozefit në të. U duk që nuk kishte rëndësi për Isak Hejlin se Jozefi ishte përpjekur ta bindte Xhosaja Stoullin që ta ndërpriste kërkimin kur u bë e qartë që nuk do të dilte gjë prej tij.6

Ema e pëlqente Jozefin më shumë nga çdo burrë tjetër që njihte, dhe nuk e ndali të kaluarin e kohës me të. Pasi ia doli mbanë ta bindte Xhosajën që ta ndërpriste kërkimin për argjend, Jozefi qëndroi në Harmoni që të punonte në fermën e Xhosajës. Nganjëherë punonte edhe për Xhozef dhe Poli Najtin, një tjetër familje fermere në zonë. Kur nuk punonte, ai vizitonte Emën.7


Jozefi dhe guri i tij shikues u bënë shpejt temë thashethemesh në Harmoni. Disa nga njerëzit e moshuar në qytezë besonin te shikuesit, por shumë prej fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre nuk besonin. Nipi i Xhosajës, duke pretenduar se Jozefi e kishte shfrytëzuar për përfitim xhaxhanë e tij, e çoi të riun në gjyq dhe e akuzoi se ishte mashtrues.

Duke qëndruar përpara gjyqtarit vendor, Jozefi shpjegoi se si e kishte gjetur gurin. Jozef Plaku dëshmoi se vazhdimisht i kishte kërkuar Perëndisë që t’iu tregonte atyre vullnetin e Tij për dhuntinë e mrekullueshme të Jozefit si shikues. Më së fundi, Xhosaja qëndroi përpara gjyqtarit dhe tha se Jozefi nuk e kishte mashtruar.

“Mesa kuptoj”, tha gjykatësi, “ti beson se i burgosuri mund të shohë me ndihmën e gurit?”

Jo, këmbënguli Xhosaja. “E di plotësisht se kjo është e vërtetë.”

Xhosaja ishte një burrë mjaft i respektuar në komunitet dhe njerëzit e pranonin fjalën e tij. Në përfundim, seanca gjyqësore nuk prodhoi asnjë provë që Jozefi ta kishte mashtruar atë, kështu që gjykatësi e hodhi poshtë akuzën.8

Në shtator 1826, Jozefi u kthye te kodra për fletët, por Moroni i tha se ende nuk ishte gati për to. “Ndërprite shoqërimin me gërmuesit për para”, i tha engjëlli atij. Mes tyre kishte njerëz të ligj.9 Moroni i dha edhe një vit që ta përputhte vullnetin e tij me vullnetin e Perëndisë. Nëse nuk e bënte, fletët kurrë nuk do t’i besoheshin atij.

Engjëlli i tha gjithashtu që herën e ardhshme të sillte dikë me vete. Ishte e njëjta kërkesë që ai e kishte bërë në fund të vizitës së parë të Jozefit te kodra. Por ngaqë Alvini kishte vdekur, Jozefi ndjeu pështjellim.

“Cili është personi i duhur?” pyeti ai.

“Do ta dish”, tha Moroni.

Jozefi kërkoi drejtimin e Zotit nëpërmjet gurit të tij shikues. Personi i duhur, mësoi ai, ishte Ema.10


Jozefit i kishte pëlqyer Ema sapo u takua me të. Sikurse Alvini, ajo qe dikush që mund ta ndihmonte të bëhej burri që i nevojitej Zotit për ta kryer punën e Tij. Por Ema ishte më shumë se kaq. Jozefi e dashuronte dhe dëshironte të martohej me të.11

Në dhjetor, Jozefi mbushi njëzet e një vjeç. Në të shkuarën, ai ia kishte lejuar vetes të tërhiqej nga një anë në tjetrën prej pritshmërive të atyre që donin të përfitonin nga dhuntia e tij.12 Por pas vizitës së tij të fundit te kodra, ai e dinte se duhej të bënte më shumë për t’u përgatitur që të merrte fletët.

Përpara se të kthehej në Harmoni, Jozefi foli me prindërit e tij. “Kam vendosur të martohem”, u tha atyre, “dhe, në qoftë se nuk keni kundërshtim, zonjusha Ema Hejl do të ishte zgjedhja ime.” Prindërit e vet ishin të kënaqur me vendimin e tij dhe Lusi e nxiti të vinte e të jetonte me ta pasi të martoheshin.13

Jozefi harxhoi sa më shumë kohë që mundej me Emën atë dimër, nganjëherë duke marrë borxh sajën e familjes Najt kur dëbora e bënte të vështirë udhëtimin drejt shtëpisë së familjes Hejl. Por prindërit e saj ende nuk e pëlqenin atë dhe përpjekjet e tij për ta bërë për vete familjen, dështuan.14

Në janar të 1827-s, Ema shkoi për vizitë te shtëpia e familjes Stoulls, ku ajo dhe Jozefi mund të kalonin kohë së bashku pa vështrimet mospranuese të familjes së saj. Atje Jozefi i propozoi Emës dhe fillimisht Ema u duk e habitur. E dinte që prindërit e saj do ta kundërshtonin martesën.15 Por Jozefi e nxiti të mendonte për martesën. Ata mund të largoheshin menjëherë pa treguar.

Ema e mori parasysh propozimin. Martesa me Jozefin do t’i zhgënjente prindërit e saj, por ishte zgjedhja e saj dhe ajo e donte atë.16


Pas një kohe të shkurtër, më 18 janar 1827, Jozefi dhe Ema u martuan në shtëpinë e gjykatësit vendor të paqes. Më pas ata shkuan në Mançester dhe e filluan jetën së bashku në shtëpinë e re të prindërve të Jozefit. Shtëpia ishte e rehatshme, por Jozef Plaku dhe Lusi kishin harxhuar më shumë para nga ç’kishin për të, kishin mbetur mbrapa me pagesat dhe e kishin humbur pronën. Tani po u paguanin qira pronarëve të rinj.17

Familjes Smith i pëlqente që Jozefi dhe Ema të jetonin me ta. Por thirrja hyjnore e birit të tyre i shqetësonte. Njerëzit në zonë kishin dëgjuar rreth fletëve të arta dhe nganjëherë shkonin t’i kërkonin ato.18

Një ditë, Jozefi shkoi në qytet për punë. Ngaqë e prisnin të kthehej për darkë, prindërit e tij u alarmuan kur ai nuk u kthye. Pritën për orë, pa mundur të flinin. Më së fundi, Jozefi e hapi derën dhe u lëshua në një karrige, i sfilitur.

“Përse je kaq vonë?” e pyeti babai.

“Kam pasur ndëshkimin më të rëndë që e pata ndonjëherë në jetën time”, tha Jozefi.

“Kush të paska qortuar?” e pyeti babai.

“Ishte engjëlli i Zotit”, u përgjigj Jozefi. “Ai thotë se kam qenë i pakujdesshëm.” Dita e takimit të tij të ardhshëm me Moronin po vinte shpejt. “Duhet të ngrihem e të veproj shpejt”, tha ai. “Duhet të filloj të bëj gjërat që më ka urdhëruar Perëndia t’i bëj.”19


Pas të vjelave të vjeshtës, Xhosaja Stoulli dhe Xhozef Najti udhëtuan drejt zonës së Mançesterit për punë. Që të dy burrat e dinin se përvjetori i katërt i vizitës së Jozefit te kodra ishte pranë dhe mezi pritnin të dinin nëse më së fundi Moroni do t’ia mirëbesonte atij fletët.

Edhe kërkuesit vendorë të thesareve e dinin se ishte koha që Jozefi ta merrte analin. Kohët e fundit njëri prej tyre, një burrë i quajtur Samuel Lorens, ishte endur nëpër kodër, duke i kërkuar fletët. I shqetësuar që Samueli do të shkaktonte telashe, Jozefi e dërgoi të atin te shtëpia e Samuelit në mbrëmjen e 21 shtatorit që të mos ia ndante sytë dhe të përballej me të nëse dukej se po shkonte te kodra.20

Jozefi më pas u bë gati për t’i marrë fletët. Vizita e tij vjetore te kodra do të ndodhte të nesërmen, por që të ishte përpara kërkuesve të thesareve, ai planifikoi të mbërrinte te kodra pak kohë pas mesnatës – teksa po fillonte dita e 22 shtatorit – kur askush nuk e priste të ishte jashtë.

Por ende i nevojitej të gjente një mënyrë për t’i mbrojtur fletët sapo t’i merrte. Pasi shumica e familjes kishte rënë në shtrat, ai qetësisht e pyeti nënën nëse kishte një kuti me çelës. Lusi nuk kishte dhe ajo u shqetësua.

“Mos u shqetëso”, tha Jozefi. “Mund t’ia dal fare mirë pikërisht tani edhe pa të.”21

Ema u shfaq shpejt, e veshur për të udhëtuar me kalë, hipi bashkë me Jozefin në karrocën e Xhozef Najtit dhe u nisën nëpër natë.22 Kur mbërritën te kodra, Ema priti te karroca ndërkohë që Jozefi iu ngjit shpatit të kodrës deri te vendi ku ishin fshehur fletët.

Moroni u shfaq dhe Jozefi i nxori fletët e arta dhe gurët shikues nga kutia prej guri. Përpara se Jozefi të fillonte të zbriste kodrën, Moroni i kujtoi që të mos ia tregonte fletët askujt përveç atyre që i caktoi Zoti, duke premtuar se fletët do të mbroheshin nëse ai bënte gjithçka që kishte fuqi për t’i ruajtur ato.

“Do të të duhet të jesh vigjilent dhe besnik ndaj mirëbesimit që të është dhënë”, i tha Moroni, “ose do të mposhtesh nga burra të ligj, sepse ata do të thurin çdo plan dhe skemë që është e mundur, për t’i marrë ato prej teje. Dhe nëse nuk tregon kujdes vazhdimisht, ata do t’ia dalin mbanë.”23

Jozefi i mbarti fletët tatëpjetë kodrës, por përpara se të arrinte te karroca, i siguroi ato brenda një zgavre trungu ku do të ishin të sigurta derisa të gjente një kuti me kyç. Më pas gjeti Emën dhe u kthyen në shtëpi teksa dielli filloi të lindte.24


Në shtëpinë e familjes Smith, Lusi po priste me ankth Jozefin dhe Emën ndërkohë që u jepte mëngjesin Jozef Plakut, Xhozef Najtit dhe Xhosaja Stoullit. Zemra i rrihte me të shpejtë teksa punonte, plot frikë se i biri do të kthehej pa fletët.25

Pas pak kohe, Jozefi dhe Ema hynë në shtëpi. Lusi vështroi që të shihte nëse Jozefi i kishte fletët, por u largua nga dhoma duke u dridhur kur i pa duart e tij të zbrazëta.

Jozefi e ndoqi. “Nënë”, tha ai, “mos u merakos.” I vuri në dorë një send të mbështjellë me shami. Përmes pëlhurës, Lusi ndjeu atë që dukej se ishte një palë gjyzlykësh të mëdhenj. Ishin Urimi dhe Thumimi, gurët shikues që Zoti i kishte përgatitur për përkthimin e fletëve.26

Lusi u ngazëllye. Jozefi dukej sikur një peshë e rëndë i ishte hequr nga supet. Por kur u bashkua me të tjerët në shtëpi, ai shfaqi një fytyrë të trishtuar dhe e hëngri mëngjesin në heshtje. Pasi mbaroi, ai e mbështeti kokën mbi dorën e vet me dëshpërim. “Jam i zhgënjyer”, i tha Xhozef Najtit.

“Epo”, tha burri më i moshuar, “më vjen keq.”

“Jam tepër i zhgënjyer”, përsëriti Jozefi, duke e ndryshuar shprehjen e tij në një buzëqeshje. “Është dhjetë herë më mirë nga ç’e prisja!” Ai vazhdoi duke përshkruar madhësinë dhe peshën e fletëve dhe foli plot emocion rreth Urimit dhe Thumimit.

“Mund të shoh gjithçka”, tha ai. “Janë të mrekullueshme.”27


Ditën pasi i mori fletët, Jozefi shkoi të punonte për të riparuar një pus në një qytezë aty pranë, që të fitonte para për një kuti me çelës. Po atë mëngjes, ndërkohë që po bënte një punë pikërisht në kodrën pranë shtëpisë së familjes Smith, Jozef Plaku dëgjoi një grup burrash që po komplotonin për të vjedhur fletët e arta. “Do t’i marrim patjetër fletët”, tha njëri prej tyre, “pavarësisht nga Xho Smithi apo tërë djajtë në ferr.”

I alarmuar, Jozef Plaku u kthye në shtëpi dhe i tregoi Emës. Ajo tha që nuk e dinte se ku ishin fletët, por ishte e sigurt që Jozefi i kishte mbrojtur ato.

“Po”, u përgjigj Jozef Plaku, “por kujto që për një gjë të vogël Esau e humbi bekimin dhe parëbirninë e tij. Mund të ndodhë kështu me Jozefin.”28

Që të sigurohej se fletët ishin të ruajtura, Ema i hipi një kali dhe e ngau për më shumë se një orë deri te ferma ku po punonte Jozefi. E gjeti pranë pusit, të mbuluar me baltë e djersë nga puna e ditës. Kur dëgjoi për rrezikun, Jozefi vështroi brenda Urimit dhe Thumimit dhe pa se fletët ishin të sigurta.

Në shtëpi, Jozef Plaku ecte lart e poshtë jashtë shtëpisë, duke vështruar çdo minutë nga rruga derisa i pa Jozefin dhe Emën.

“Baba”, tha Jozefi teksa u afruan, “gjithçka është tërësisht e sigurt – nuk ka asnjë arsye për shqetësim.”29

Por ishte koha për të vepruar.


Duke shkuar me nxitim te kodra, Jozefi e gjeti trungun ku i kishte fshehur fletët dhe me kujdes i mbështolli brenda një këmishe.30 Më pas ai iku tinëz nëpër pemë dhe u nis drejt shtëpisë, me sytë të çelur ndaj rrezikut. Pylli e fshehu nga njerëzit në rrugën kryesore, por edhe vjedhësit kishin shumë vende ku të fshiheshin.

I sforcuar nën peshën e analit, Jozefi u end përmes pemëve sa më shpejt që mundej. Një pemë e rënë e kishte bllokuar shtegun përpara tij dhe kur po e kapërcente, ndjeu diçka të fortë ta godiste nga pas. Kur u rrotullua, ai pa një burrë që po vinte drejt tij, duke tundur një pushkë si të ishte kopaçe.

Duke i mbërthyer fletët fort me njërin krah, Jozefi e rrëzoi burrin përtokë dhe u turr më thellë në dendësinë e pyllit. Vrapoi për gati tetëqind metra kur një burrë tjetër u shfaq befas nga pas një peme dhe e goditi me shqytin e pushkës së tij. Jozefi u shkëput nga burri dhe u turr larg, duke dashur plot dëshpërim që të dilte nga pylli. Por përpara se të mund të shkonte larg, një burrë i tretë e sulmoi, duke lëshuar një goditje të fortë që e bëri t’i merreshin këmbët. Duke mbledhur forcën e vet, Jozefi e goditi fort burrin dhe vrapoi drejt shtëpisë.31

Kur u kthye në shtëpi, Jozefi vërshoi përmes derës me bohçen e tij të rëndë, të mbërthyer në njërin krah. “Baba”, bërtiti ai, “i mora fletët.”

Motra e tij katërmbëdhjetëvjeçare, Katarina, e ndihmoi ta vendoste bohçen mbi tavolinë ndërsa pjesa tjetër e familjes u mblodh përreth tij. Jozefi vuri re që babai dhe vëllai i tij më i vogël, Uilliami, donin t’i çmbështillnin fletët, por ai i ndaloi.

“A s’mund t’i shohim ato?” pyeti Jozef Plaku.

“Jo”, tha Jozefi. “Isha i pabindur herën e parë, por kam si qëllim të jem besnik këtë herë.”

Ai u tha se mund t’i preknin fletët nëpërmjet pëlhurës dhe vëllai i tij, Uilliami, e mori në duar bohçen. Ishte më e rëndë se guri dhe Uilliami mund ta dallonte se kishte fletë që lëviznin si faqet e një libri.32 Jozefi gjithashtu dërgoi vëllanë e tij më të vogël, Don Karlosin, që të merrte një kuti me çelës nga Hajrëmi, i cili jetonte diku më poshtë udhës me bashkëshorten e vet, Jerushën, dhe bijën e tyre të sapolindur.

Hajrëmi mbërriti shpejt pas kësaj dhe pasi i futën fletët në mënyrë të sigurt brenda kutisë, Jozefi u shemb në një shtrat aty pranë dhe filloi t’i tregonte familjes së vet rreth burrave në pyll.

Teksa fliste, e kuptoi se i dhembte dora. Diku gjatë sulmeve atij i kishte dalë nga vendi njëri nga gishtat e mëdhenj.

“Duhet ta ndaloj tregimin, baba”, tha ai papritur, “që të ma vësh sërish në vend gishtin.”33

Shënime

  1. Agreement of Josiah Stowell and Others, 1 nëntor 1825, në JSP, D1:345–352.

  2. Smith, Biographical Sketches, f. 91–92; Oliver Cowdery, “Letter VIII”, LDS Messenger and Advocate, tetor 1835, 2:200–202; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 7–8, në JSP, H1:234 (boca 2); Smith, On Mormonism, f. 10. Tema: Treasure Seeking [Në Kërkim të Thesareve]

  3. Agreement of Josiah Stowell and Others, 1 nëntor 1825, në JSP, D1:345–352.

  4. Pratt, Autobiography, f. 47; Burnett, Recollections and Opinions of an Old Pioneer, f. 66–67; Woodruff, Journal, 4 korrik 1843 dhe 20 tetor 1855; Emmeline B. Wells, “L.D.S. Women of the Past”, Woman’s Exponent, shkurt 1908, 36:49; Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 289; shih edhe Staker and Ashton, “Growing Up in the Isaac and Elizabeth Hale Home”; dhe Ashurst-McGee, “Josiah Stowell Jr.–John S. Fullmer Correspondence”, f. 108–117.

  5. Baugh, “Joseph Smith’s Athletic Nature”, f. 137–150; Pratt, Autobiography, f. 47; Burnett, Recollections and Opinions of an Old Pioneer, f. 66–67; Recollections of the Pioneers of Lee County, f. 96; Youngreen, Reflections of Emma, f. 61, 67, 65, 69; Emmeline B. Wells, “L.D.S. Women of the Past”, Woman’s Exponent, shkurt 1908, 36:49.

  6. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 8, në JSP, H1:234 (boca 2); Smith, Biographical Sketches, f. 92; Bushman, Rough Stone Rolling, f. 51–53; Staker, “Isaac and Elizabeth Hale in Their Endless Mountain Home”, f. 104.

  7. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 7–8, në JSP, H1:234–236 (boca 2); Knight, Reminiscences, f. 2; Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290.

  8. William D. Purple, “Joseph Smith, the Originator of Mormonism”, Chenango Union, 2 maj 1877, f. [3]; shih edhe An Act for Apprehending and Punishing Disorderly Persons (9 shkurt 1788), Laws of the State of New-York (1813), 1:114. Tema: Joseph Smith’s 1826 Trial [Gjyqi i Jozef Smithit i Vitit 1826]

  9. “Mormonism—No. II”, Tiffany’s Monthly, korrik 1859, f. 169.

  10. Knight, Reminiscences, f. 2.

  11. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, f. 96; shih edhe Knight, Reminiscences, f. 2.

  12. Shih “The Original Prophet”, Fraser’s Magazine, shkurt 1873, f. 229–230.

  13. Lucy Mack Smith, History, 1845, f. 97.

  14. Knight, Reminiscences, f. 2; Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 289.

  15. Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 289; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 8, në JSP, H1:236 (boca 2).

  16. Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290; Joseph Lewis and Hiel Lewis, “Mormon History. A New Chapter, about to Be Published”, Amboy Journal, 30 prill 1879, f. 1; shih edhe Oliver Cowdery, “Letter VIII”, në LDS Messenger and Advocate, tetor 1835, 2:201.

  17. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 8, në JSP, H1:236 (boca 2); Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 4, f. [11]–[12]; libri 5, f. [1]–[3]. Tema: Sacred Grove and Smith Family Farm [Korija e Shenjtë dhe Ferma e Familjes Smith]

  18. “Mormonism—No. II”, Tiffany’s Monthly, korrik 1859, f. 167–168.

  19. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [4]–[6].

  20. Knight, Reminiscences, f. 2.

  21. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [6].

  22. Lucy Mack Smith, History, 1845, f. 105.

  23. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 6, f. [1].

  24. “Mormonism—No. II”, Tiffany’s Monthly, qershor 1859, f. 165–166; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [6].

  25. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [6]–[7]; Knight, Reminiscences, f. 2.

  26. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [7]–[8].

  27. Knight, Reminiscences, f. 2–3; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 5, në JSP, H1:222 (boca 2); shih edhe Alma 37:23.

  28. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [8]–[10]; “Mormonism—No. II”, Tiffany’s Monthly, gusht 1859, f. 166; Smith, Biographical Sketches, f. 103; shih edhe Zanafilla 25:29–34.

  29. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [10] dhe fragmenti i bashkëngjitur i letrave.

  30. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [11]. Tema: Gold Plates [Fletët e Arta]

  31. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [11].

  32. “The Old Soldier’s Testimony”, Saints’ Herald, 4 tetor 1884, f. 643–644; Salisbury, “Things the Prophet’s Sister Told Me”, 1945, Church History Library; Ball, “The Prophet’s Sister Testifies She Lifted the B. of M. Plates”, 1954, Church History Library; Smith, William Smith on Mormonism, f. 11; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [11]; Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290.

  33. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 5, f. [11]–[12]. Tema: Lucy Mack Smith [Lusi Mek Smithi]