Instituti
6 Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë


“Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë”, kapitulli 6 i materialit Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, Vëllimi 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018)

Kapitulli 6: “Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë”

KAPITULLI 6

Dhurata dhe Fuqia e Perëndisë

Mbajtëse boje

Kur Jozefi u kthye në Harmoni gjatë verës së vitit 1828, Moroni iu shfaq sërish dhe i mori fletët me vete. “Nëse je i përulur dhe i penduar sa duhet”, tha engjëlli, “ti do t’i marrësh ato sërish në datën njëzet e dy të shtatorit.”1

Errësira e pushtoi mendjen e Jozefit.2 E dinte se kishte bërë gabim që e shpërfilli vullnetin e Perëndisë dhe ia mirëbesoi Martinit dorëshkrimin. Tani Perëndia nuk kishte më besim tek ai për fletët apo interpretuesit. Ndjeu se e meritonte çfarëdo ndëshkimi që qiejt do t’ia dërgonin atij.3

I dërrmuar nga faji dhe keqardhja, ai ra në gjunjë, i rrëfeu mëkatet e tij dhe u përgjërua për falje. Mendoi se ku kishte gabuar dhe çfarë mund të bënte më mirë, në qoftë se Zoti do ta lejonte të përkthente përsëri.4

Një ditë në korrik, ndërsa Jozefi po ecte jo shumë larg shtëpisë së vet, Moroni iu shfaq atij. Engjëlli ia dha interpretuesit dhe Jozefi pa një mesazh hyjnor brenda tyre: “Veprat dhe planet dhe qëllimet e Perëndisë nuk mund të pengohen, as nuk mund të kthehen në hiç”5.

Fjalët ishin siguruese, por ato shpejt i hapën udhën qortimit. “Sa të rrepta ishin urdhërimet për ty”, tha Zoti. “Nuk duhet të [ishe frikësuar] më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia.” Ai e urdhëroi Jozefin të ishte më i kujdesshëm me gjërat e shenjta. Anali i fletëve të arta ishte më i rëndësishëm se fama e Martinit apo dëshira e Jozefit për t’i kënaqur njerëzit. Perëndia e kishte përgatitur atë që të ripërtërinte besëlidhjen e Tij të lashtë dhe që t’u mësonte gjithë njerëzve që të mbështeteshin te Jezu Krishti për shpëtimin.

Zoti e nxiti Jozefin që ta kujtonte mëshirën e Tij. “Pendohu për atë që ke bërë”, urdhëroi Ai, “dhe ende je i zgjedhur.” Sërish, Ai e thirri Jozefin të ishte profeti dhe shikuesi i Tij. Prapëseprapë Ai e paralajmëroi që t’ia vinte veshin fjalës së Tij.

“Në qoftë se nuk e bën këtë”, shpalli Ai, “ti do të braktisesh tërësisht e do të bëhesh si njerëzit e tjerë dhe nuk do të kesh më dhunti.”6


Atë vjeshtë, prindërit e Jozefit udhëtuan drejt jugut për në Harmoni. Gati dy muaj kishin kaluar që kur Jozefi u largua nga shtëpia e tij në Mançester dhe ata nuk kishin dëgjuar më prej tij. U shqetësuan se mos tragjeditë e verës e kishin lënduar shumë. Brenda pak javësh ai kishte humbur fëmijën e tij të parë, pothuajse e humbi të shoqen dhe i humbi fletët e dorëshkrimit. Ata donin të siguroheshin që ai dhe Ema ishin mirë.

Më pak se një kilometër e gjysmë nga vendmbërritja e tyre, Jozef Plaku dhe Lusi u pushtuan nga gëzimi kur panë Jozefin duke qëndruar në rrugën përpara tyre, me një pamje të qetë e të gëzuar. Ai u tregoi se si Perëndia e kishte humbur mirëbesimit tek ai, se si ishte penduar për mëkatet e tij dhe se si kishte marrë zbulesë. Qortimi nga Zoti e kishte lënduar, por, sikurse profetët e lashtësisë, ai e shkroi zbulesën që ta lexonin të tjerët. Ishte hera e parë që e kishte shënuar fjalën e Zotit të dhënë atij.

Jozefi gjithashtu u tha prindërve të tij se Moroni që nga ajo kohë ia kishte kthyer fletët dhe interpretuesit. Engjëlli dukej i kënaqur, rrëfeu Jozefi. “Ai më tha se Zoti më donte për besnikërinë dhe përulësinë time.”

Anali tashmë ishte i ruajtur në mënyrë të sigurt në shtëpi, i fshehur në një sënduk. “Ema shkruan për mua tani”, u tha Jozefi atyre, “por engjëlli tha se Zoti do të dërgonte dikë që të shkruante për mua dhe kam besim që do të jetë kështu.”7


Pranverën pasuese, Martin Harrisi udhëtoi drejt Harmonisë me një lajm të keq. Bashkëshortja e tij kishte bërë një ankesë në gjykatë, duke shpallur se Jozefi ishte një mashtrues i cili pretendonte që po përkthente fletë të arta. Martini tani priste një thirrje për të dëshmuar në gjyq. Atij do t’i duhej të deklaronte se Jozefi e kishte mashtruar ose Lusi do ta ngarkonte edhe atë me akuzën e mashtrimit.8

Martini e shtyu Jozefin t’i jepte më shumë prova që fletët ishin të vërteta. Ai donte t’i tregonte gjykatës gjithçka rreth përkthimit, por ishte i shqetësuar se njerëzit nuk do ta besonin. Lusi, në fund të fundit, e kishte kontrolluar shtëpinë e familjes Smith dhe nuk e kishte gjetur kurrë analin. Dhe, ndonëse kishte shërbyer si shkruesi i Jozefit për dy muaj, as Martini nuk i kishte parë kurrë fletët dhe nuk mund të dëshmonte se i kishte parë.9

Jozefi ia paraqiti pyetjen Zotit dhe mori një përgjigje për mikun e vet. Zoti nuk do t’i thoshte Martinit se çfarë të thoshte në gjyq, as nuk do t’i jepte ndonjë provë tjetër derisa Martini të zgjidhte të ishte i përulur dhe të ushtronte besim. “Nëse nuk do t’u besojnë fjalëve të mia, ata nuk do të të besojnë ty, shërbëtori im Joseph”, tha Ai, “edhe sikur të ishte e mundur që ti t’ua tregoje gjithë këto gjëra që unë t’i kam besuar ty.”

Megjithatë, Zoti premtoi ta trajtonte Martinin plot mëshirë, në qoftë se ai do të bënte siç kishte bërë Jozefi atë verë dhe do të përulej, do të mirëbesonte te Perëndia dhe mësonte prej gabimeve të veta. Tre dëshmitarë besnikë do t’i shihnin fletët në kohën e duhur, tha Zoti, dhe Martini mund të ishte njëri prej tyre nëse hiqte dorë nga kërkimi i miratimit të njerëzve të tjerë.10

Përpara se t’i përfundonte fjalët e Tij, Zoti bëri një shpallje. “Nëse njerëzit e këtij brezi nuk i forcojnë zemrat e tyre”, tha Ai, “unë do ta ngre kishën time.”11

Jozefi mendoi për këto fjalë ndërkohë që Martini kopjonte zbulesën. Më pas, ai dhe Ema dëgjonin ndërkohë që Martini e lexoi sërish për të kontrolluar saktësinë e saj. Teksa lexonin, babai i Emës hyri në dhomë dhe dëgjoi. Kur mbaruan, ai i pyeti se fjalët e kujt ishin ato.

“Fjalët e Jezu Krishtit”, shpjeguan Jozefi dhe Ema.

“E konsideroj të gjithë këtë një marrëzi”, tha Isaku. “Hiqni dorë prej saj.”12

Duke mos ia vënë veshin babait të Emës, Martini e mori kopjen e tij të zbulesës dhe u fut në karrocën e udhëtarëve për të shkuar në shtëpi. Kishte ardhur në Harmoni që të kërkonte provë për fletët dhe ishte larguar me një zbulesë që dëshmonte për realitetin e tyre. Ai nuk mund ta përdorte atë në gjyq, por u kthye në Palmira duke e ditur se Zoti kishte dijeni për të.

Më vonë, kur Martini qëndroi përpara gjykatësit, ai ofroi një dëshmi të thjeshtë, të fuqishme. Me një dorë ngritur drejt qiellit, ai dëshmoi për të vërtetën e fletëve të arta dhe shpalli se ai me vullnet të lirë i kishte dhënë Jozefit pesëdhjetë dollarë për të bërë punën e Zotit. Pa asnjë provë që t’i provonte akuzat e Lusit, gjyqi e hodhi poshtë çështjen.13

Ndërkohë Jozefi vazhdonte përkthimin, duke u lutur që Zoti shpejt t’i dërgonte një shkrues tjetër.14


Atje në Mançester, një i ri i quajtur Oliver Kaudëri po qëndronte me prindërit e Jozefit. Oliveri ishte një vit më i vogël se Jozefi dhe në vjeshtën e 1828-s kishte filluar të jepte mësim në shkollën që ishte rreth një kilometër e gjysmë në jug të fermës së familjes Smith.

Mësuesit shpesh jetonin me familjet e nxënësve të tyre dhe, kur Oliveri dëgjoi fjalë rreth Jozefit dhe fletëve të arta, ai pyeti nëse mund të qëndronte me familjen Smith. Fillimisht ai mblodhi pak hollësi nga familja. Dorëshkrimi i vjedhur dhe thashethemet e zonës i kishin bërë ata të vëmendshëm aq sa të qëndronin në heshtje.15

Por gjatë dimrit 1828–1829, ndërkohë që Oliveri u jepte mësim fëmijëve të familjes Smith, ai fitoi mirëbesimin e njerëzve që e mbanin në shtëpi. Thuajse në këtë kohë, Jozef Plaku ishte kthyer nga një udhëtim në Harmoni me një zbulesë që shpallte se Zoti ishte gati të fillonte një vepër të mrekullueshme.16 Deri atëherë Oliveri e kishte provuar se ishte një kërkues i sinqertë i së vërtetës dhe prindërit e Jozefit i treguan atij rreth thirrjes hyjnore të birit të tyre.17

Ajo që i thanë, e magjepsi Oliverin dhe ai kishte shumë dëshirë të ndihmonte për përkthimin. Ashtu si Jozefi, Oliveri ishte i pakënaqur me kishat bashkëkohore dhe besonte në një Perëndi mrekullish, i cili ende ua zbulonte njerëzve vullnetin e Tij.18 Por Jozefi dhe fletët e arta ishin shumë larg dhe Oliveri nuk e dinte se si mund ta ndihmonte veprën nëse qëndronte në Mançester.

Një ditë pranvere, teksa binte shumë shi mbi çatinë e familjes Smith, Oliveri i tha familjes se dëshironte të shkonte në Harmoni që ta ndihmonte Jozefin kur të mbaronte semestri i shkollës. Lusi dhe Jozef Plaku e nxitën të pyeste Zotin nëse dëshirat e tij ishin të drejta.19

Kur shkoi në shtrat, Oliveri u lut në fshehtësi që të dinte nëse ajo që kishte dëgjuar për fletët e arta, ishte e vërtetë. Zoti i tregoi atij një vegim të fletëve të arta dhe përpjekjeve të Jozefit për t’i përkthyer ato. Një ndjenjë paqeje qëndroi mbi të dhe ai e dinte në atë kohë se duhej të dilte vullnetar që të ishte shkruesi për Jozefin.20

Oliveri nuk i tregoi askujt për lutjen e tij. Por sapo mbaroi semestri i shkollës, ai dhe vëllai i Jozefit, Samueli, u nisën më këmbë për në Harmoni, më shumë se njëqind e gjashtëdhjetë kilometra larg. Rruga ishte e ftohtë dhe me baltë nga shiu pranveror dhe deri në kohën kur ai dhe Samueli mbërritën tek dera e Jozefit dhe Emës, Oliverit i ishte shkaktuar morth në njërin nga gishtat e këmbës. Megjithëkëtë, ai mezi priste ta takonte çiftin dhe të shihte vetë se si Zoti po vepronte nëpërmjet profetit djaloshar.21


Kur Oliveri mbërriti në Harmoni, ishte sikur të kishte qenë atje përherë. Jozefi foli me të deri natën vonë, dëgjoi historinë e tij dhe iu përgjigj pyetjeve të tij. Ishte e dukshme që Oliveri kishte arsimim të mirë dhe Jozefi e pranoi me gatishmëri ofertën e tij që të vepronte si shkrues.

Pas mbërritjes së Oliverit, detyra e parë e Jozefit ishte të siguronte një vend për të punuar. Ai i kërkoi Oliverit të hartonte një kontratë në të cilën Jozefi premtoi ta paguante vjehrrin e tij për shtëpinë e vogël me skelet druri ku jetonin ai dhe Ema, si edhe hambarin, tokën bujqësore dhe rrëkenë aty pranë.22 Të vëmendshëm ndaj mirëqenies së bijës së tyre, prindërit e Emës ranë dakord me kushtet dhe premtuan të ndihmonin për ta qetësuar frikën e fqinjëve rreth Jozefit.23

Ndërkohë, Jozefi dhe Oliveri filluan të përkthenin. Ata punuan mirë së bashku, për javë të tëra, shpesh me Emën që bënte punët e saj të përditshme, në të njëjtën dhomë.24 Nganjëherë Jozefi përkthente duke parë nëpërmjet interpretuesve dhe duke lexuar në anglisht shkronjat mbi fletët.

Shpesh ai vuri re se një gur shikues i vetëm ishte më i përshtatshëm. Ai do ta vendoste gurin shikues brenda kapeles, do ta ngjeshte fytyrën brenda kapelës që ta bllokonte dritën e jashtme, dhe do të vështronte te guri. Drita nga guri do të shkëlqente në errësirë, duke zbuluar fjalët që Jozefi i diktonte ndërkohë që Oliveri i shkruante me të shpejtë.25

Nën drejtimin e Zotit, Jozefi nuk u përpoq ta përkthente sërish pjesën që e kishte humbur. Në vend të kësaj, ai dhe Oliveri vazhduan më tej me analin. Zoti i zbuloi se Satani i kishte joshur disa njerëz të ligj që t’i merrnin fletët, t’i ndryshonin fjalët e tyre dhe t’i përdornin ato për të hedhur dyshim mbi përkthimin. Por Zoti e siguroi Jozefin se Ai i kishte frymëzuar profetët e lashtë, të cilët i përgatitën fletët, që të përfshinin një rrëfim tjetër, më të plotë, të materialit të humbur.26

“Unë do t’i ngatërroj ata që i kanë ndryshuar fjalët e mia”, i tha Zoti Jozefit. “Unë do t’u tregoj atyre se urtësia ime është më e madhe se djallëzia e djallit.”27

Puna si shkrues i Jozefit i dha shumë emocion Oliverit. Ditë pas dite, ai dëgjonte teksa miku i tij diktonte historinë e ndërlikuar të dy qytetërimeve të mëdha, nefitëve dhe lamanitëve. Ai mësoi për mbretër të drejtë dhe të ligj, për njerëz që ranë në skllavëri dhe u çliruan prej saj, për një profet të lashtë që përdori gurë shikues për të përkthyer anale të marra nga fusha të mbushura me kocka. Sikurse Jozefi, ai profet ishte një zbulues dhe shikues i bekuar me dhuratën dhe fuqinë e Perëndisë.28

Anali dëshmoi herë pas here për Jezu Krishtin dhe Oliveri kuptoi mënyrën se si profetët udhëhoqën një kishë të lashtë dhe se si burra e gra të zakonshme punuan në veprën e Perëndisë.

Prapëseprapë Oliveri kishte ende shumë pyetje rreth veprës së Zotit dhe ishte i etur për përgjigje. Jozefi kërkoi një zbulesë për të nëpërmjet Urimit dhe Thumimit dhe Zoti dha përgjigje. “Nëse do të kërkosh nga unë, ti do të marrësh”, shpalli Ai. “Nëse do të kërkosh, ti do të dish mistere që janë të madhërishme e të mrekullueshme.”

Zoti gjithashtu e nxiti Oliverin që ta kujtonte dëshminë që kishte marrë përpara se të vinte në Harmoni, të cilën Oliveri nuk ia kishte treguar njeriu. “A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?” pyeti Zoti. “Nëse unë të kam thënë gjëra që askush s’i di, a nuk ke marrë ti një dëshmi?”29

Oliveri u habit. Menjëherë i tregoi Jozefit rreth lutjes së tij të fshehtë dhe dëshmisë hyjnore që kishte marrë. Askush nuk mund të dinte për këtë përveç Perëndisë, tha ai, dhe tani ai e dinte se vepra ishte e vërtetë.

Ata iu kthyen sërish punës dhe Oliveri filloi të vriste mendjen nëse edhe ai mund të përkthente.30 Ai besonte se Perëndia mund të vepronte nëpërmjet mjeteve si gurët shikues dhe me raste kishte përdorur një shufër parashikuese për të gjetur ujë dhe minerale. Prapëseprapë nuk ishte i sigurt nëse shufra e tij vepronte nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Procesi i zbulesës ishte ende një mister për të.31

Jozefi sërish ia drejtoi Zotit pyetjet e Oliverit dhe Zoti i tha Oliverit se ai kishte fuqi që të fitonte njohuri nëse kërkonte me besim. Zoti pohoi se shufra e Oliverit vepronte nëpërmjet fuqisë të Perëndisë, sikurse shufra e Aaronit në Dhiatën e Vjetër. Më pas ai i mësoi Oliverit më shumë rreth zbulesës. “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë”, shpalli Ai. “Vër re, ky është shpirti i zbulesës.”

Ai gjithashtu i tha Oliverit se mund ta përkthente analin sikurse bënte Jozefi, për aq kohë sa mbështetej te besimi. “Kujto”, tha Zoti, “se pa besim ti s’mund të bësh asgjë.”32

Pas zbulesës, Oliveri ishte gjithë hare që të përkthente. Ai ndoqi shembullin e Jozefit, por kur fjalët nuk i erdhën me lehtësi, u zemërua dhe u pështjellua më shumë.

Jozefi e pa vështirësinë e mikut të tij dhe shprehu dhembshuri. Atij i ishte dashur kohë që ta përputhte zemrën dhe mendjen e vet me punën e përkthimit, por Oliveri dukej se mendonte që mund ta mjeshtëronte atë me të shpejtë. Nuk mjaftonte që të kishte një dhunti shpirtërore. I duhej ta kultivonte dhe zhvillonte atë me kalimin e kohës për ta përdorur në veprën e Perëndisë.

Shpejt Oliveri hoqi dorë nga përkthimi dhe i kërkoi Jozefit arsyen përse ai nuk kishte qenë i suksesshëm.

Jozefi i kërkoi Zotit. “Ke menduar se do të ta jap atë, kur ti nuk e more mundimin as për të më pyetur”, u përgjigj Zoti. “Ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë.”

Zoti e udhëzoi Oliverin që të ishte i duruar. “Nuk është e nevojshme që ti të përkthesh tani”, tha Ai. “Puna që ti je thirrur të bësh, është të shkruash për shërbëtorin tim Jozef.” Ai i premtoi Oliverit mundësi të tjera për të përkthyer më vonë, por për tani ai ishte shkruesi dhe Jozefi ishte shikuesi.33

Shënime

  1. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [9].

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 10:2 (Revelation, Spring 1829, te josephsmithpapers.org).

  3. Shih Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [5]–[7].

  4. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [8]–[9].

  5. Doktrina e Besëlidhje 3:1 (Revelation, July 1828, te josephsmithpapers.org); Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [8]–[9]; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 10, në JSP, H1:246 (boca 2).

  6. Doktrina e Besëlidhje 3 (Revelation, July 1828, te josephsmithpapers.org); Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. [6], në JSP, H1:16; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [8]–[9].

  7. Lucy Mack Smith, History, 1845, f. 138; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [8]–[11].

  8. Preface to Book of Mormon, circa Aug. 1829, në JSP, D1:92–94; “Testamoney of Martin Harris”, 4 shtator 1870, f. [4], Edward Stevenson Collection, Church History Library; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, f. [5]; Historical Introduction to Revelation, mars 1829 [DeB 5], në JSP, D1:14–16.

  9. “Testamoney of Martin Harris”, 4 shtator 1870, f. [4], Edward Stevenson Collection, Church History Library; Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 6, f. [9]; libri 8, f. [5].

  10. Doktrina e Besëlidhje 5 (Revelation, Mar. 1829, te josephsmithpapers.org).

  11. Revelation, Mar. 1829 [DeB 5], në JSP, D1:17.

  12. Isaac Hale, Affidavit, 20 mars 1834, në “Mormonism”, Susquehanna Register, and Northern Pennsylvanian, 1 maj 1834, f. [1]; “konsiderova” në dokumentin origjinal ndryshoi në “konsideroj”.

  13. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, f. [6]–[7].

  14. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [11].

  15. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [12]; “Mormonism”, Kansas City Daily Journal, 5 qershor 1881, f. 1; Morris, “Conversion of Oliver Cowdery”, f. 5–8.

  16. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [12]; Knight, Reminiscences, f. 5; Doktrina e Besëlidhje 4 (Revelation, Feb. 1829, te josephsmithpapers.org); shih edhe Darowski, “Joseph Smith’s Support at Home”, f. 10–14.

  17. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [12].

  18. Oliver Cowdery to William W. Phelps, 7 shtator 1834, LDS Messenger and Advocate, tetor 1834, 1:15.

  19. Doktrina e Besëlidhje 6 (Revelation, Apr. 1829–A, te josephsmithpapers.org); Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 7, f. [12]; libri 8, f. [1].

  20. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 15, në JSP, H1:284 (boca 2); Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. [6], në JSP, H1:16; Lucy Mack Smith, History, 1844–1445, libri 8, f. [1]; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 6:22–23 (Revelation, Apr. 1829–A, te josephsmithpapers.org).

  21. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, f. [3]–[4]; Joseph Smith History, circa Summer 1832, f. [6], në JSP, H1:16.

  22. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, f. [4]; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 13, në JSP, H1:276 (boca 2); Agreement with Isaac Hale, 6 prill 1829, në JSP, D1:28–34; Oliver Cowdery to William W. Phelps, 7 shtator 1834, LDS Messenger and Advocate, tetor 1834, 1:14.

  23. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 18, në JSP, H1:296 (boca 2).

  24. Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 15, në JSP, H1:284 (boca 2); Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, f. [4]; Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290. Tema: Daily Life of First-Generation Latter-day Saints [Jeta e Përditshme e Brezit të Parë të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]

  25. “Përkthimi i Librit të Mormonit”, Gospel Topics, topics.lds.org; Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 15, në JSP, H1:284 (boca 2); Oliver Cowdery to William W. Phelps, 7 shtator 1834, LDS Messenger and Advocate, tetor 1834, 1:14; Joseph Smith III, “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290; “Golden Bible”, Palmyra Freeman, 11 gusht 1829, f. [2]. Tema: Book of Mormon Translation [Përkthimi i Librit të Mormonit]

  26. Doktrina e Besëlidhje 10:45 (Revelation, Spring 1829, te josephsmithpapers.org); 1 Nefi 9:5; Fjalët e Mormonit 1; Doktrina e Besëlidhje 3 (Revelation, July 1828, te josephsmithpapers.org).

  27. Doktrina e Besëlidhje 10:42–43 (Revelation, Spring 1829, te josephsmithpapers.org). Tema: Lost Manuscript of the Book of Mormon [Dorëshkrimi i Humbur i Librit të Mormonit]

  28. Oliver Cowdery to William W. Phelps, 7 shtator 1834, LDS Messenger and Advocate, tetor 1834, 1:14; Mosia 8:16–18; shih edhe Omni 1:20; Mosia 8:8–13; 28:11–15, 20; Alma 37:21, 23; dhe Ethëri 3:24–28.

  29. Doktrina e Besëlidhje 6:5, 11, 22–24 (Revelation, Apr. 1829–A, te josephsmithpapers.org).

  30. Doktrina e Besëlidhje 6:10–13 (Revelation, Apr. 1829–A, te josephsmithpapers.org); Doktrina e Besëlidhje 8:4–8 (Revelation, Apr. 1829–B, te josephsmithpapers.org); Historical Introduction to Revelation, Apr. 1829–B [DeB 8], në JSP, D1:44–45; Revelation Book 1, f. 13, në JSP, MRB:15.

  31. Lucy Mack Smith, History, 1844–1845, libri 8, f. [1]; Paul dhe Parks, History of Wells, Vermont, f. 81; Historical Introduction to Revelation, 1829–B [DeB 8], në JSP, D1:44–45; shih edhe Baugh, Days Never to Be Forgotten; Bushman, Rough Stone Rolling, f. 73; dhe Morris, “Oliver Cowdery’s Vermont Years and the Origins of Mormonism”, f. 106–129. Tema: Divining Rods [Shufrat Parashikuese]

  32. Doktrina e Besëlidhje 6 (Revelation, Apr. 1829–A, te josephsmithpapers.org); Doktrina e Besëlidhje 8 (Revelation, Apr. 1829–B, te josephsmithpapers.org); Joseph Smith History, 1838–1856, vëllimi A-1, f. 13–14, në JSP, H1:276–278 (boca 2); shih edhe Book of Commandments 7:3; dhe Doktrina e Besëlidhje 8:6–7.

  33. Doktrina e Besëlidhje 9 (Revelation, Apr. 1829–D, te josephsmithpapers.org); Oliver Cowdery to William W. Phelps, 7 shtator 1834, LDS Messenger and Advocate, tetor 1834, 1:14.