Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror
Sa herë që çfarëdo lloj trazire ndodh në jetën tuaj, vendi më i sigurt për të qenë shpirtërisht është të jetoni brenda besëlidhjeve tuaja të tempullit!
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam me ju këtë mëngjes për të shprehur ndjenjat e zemrës sime.
Siç e dini, ne po kryejmë restaurime të mëdha në Tempullin historik të Solt‑Lejkut. Ky projekt kompleks përfshin përforcim të madh të themelit të tij origjinal, i cili ka shërbyer mirë për më shumë se një shekull. Por ky tempull duhet të qëndrojë shumë më gjatë. Në fund të majit, unë inspektova përparimin në këtë projekt masiv. Mendova se do ta vlerësonit po të shihnit atë që pamë unë dhe bashkëshortja ime Uendi. Mendoj se do ta kuptoni pse himni “Sa i Fort’ një Themel”1 ka marrë një domethënie të re për ne.
Materiali filmik nga restaurimi i Tempullit të Solt‑Lejkut: “Ne po shikojmë themelin origjinal të Tempullit të Solt‑Lejkut. Jam duke qëndruar në një zonë nën atë që ishte Dhoma e Kopshtit. Ndërsa shqyrtoj mjeshtërinë e gjithë kësaj ndërtese, mrekullohem me atë që arritën pionierët. Jam plotësisht i mahnitur kur kam parasysh se ata e ndërtuan këtë tempull madhështor vetëm me mjete dhe teknika që ishin në dispozicion për ta më shumë se një shekull më parë.
Sidoqoftë, sot, shumë dekada më vonë, nëse e shqyrtojmë themelin nga afër, ne mund të shohim efektet e erozionit, boshllëqet në punimin origjinal të gurit dhe masat e ndryshme të qëndrueshmërisë në mure.
Tani, teksa dëshmoj atë që mund të bëjnë inxhinierët, arkitektët dhe specialistët e ndërtimit për ta përforcuar atë themel origjinal, jam absolutisht i mrekulluar. Puna e tyre është mahnitëse!
Themeli i çdo ndërtese, veçanërisht ai i një ndërtese kaq të madhe si kjo, duhet të jetë mjaft i fortë dhe elastik për të përballuar tërmetet, gërryerjen, erërat e forta dhe zhytjen e pashmangshme që i prek të gjitha ndërtesat. Detyra komplekse e forcimit që tani është në zhvillim e sipër, do ta përforcojë këtë tempull të shenjtë me themelin që mund dhe do t’i rezistojë provës së kohës.”
Ne nuk po kursejmë asnjë përpjekje për t’i dhënë këtij tempulli të nderuar, i cili ishte bërë gjithnjë e më i cenueshëm, një themel që do t’u bëjë ballë forcave të natyrës deri në Mijëvjeçar dhe gjatë tij. Në mënyrë të ngjashme, tani është koha që secili prej nesh të zbatojë masa të jashtëzakonshme – ndoshta masa që nuk i kemi marrë kurrë më parë – për të forcuar themelet tona vetjake, shpirtërore. Kohët e pashembullta kërkojnë masa të pashembullta.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këto janë ditët e mëvonshme! Nëse ju dhe unë do t’u bëjmë ballë rreziqeve dhe trysnive të ardhshme, është e domosdoshme që secili prej nesh të ketë një themel të fortë shpirtëror të ndërtuar mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.2
Pra, unë e pyes secilin prej jush, sa i fortë është themeli juaj? Çfarë përforcimesh nevojiten për dëshminë tuaj dhe të kuptuarit e ungjillit?
Tempulli ndodhet në qendër të forcimit të besimit dhe qëndresës sonë shpirtërore sepse Shpëtimtari dhe doktrina e Tij janë vetë thelbi i tempullit. Çdo gjë që jepet mësim në tempull, nëpërmjet udhëzimit dhe nëpërmjet Shpirtit, e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. Ordinancat e Tij thelbësore na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese.3 Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim.
Na është premtuar që “nëse je[m]i të përgatitur, [ne] s’do të frikësohe[m]i”4. Kjo siguri ka ndërlikime të thella sot. Zoti ka shpallur se pavarësisht nga sfidat e sotme të pashembullta, ata që i ndërtojnë themelet e tyre mbi Jezu Krishtin dhe kanë mësuar se si të mbështeten te fuqia e Tij, nuk kanë nevojë t’u dorëzohen shqetësimeve të pashoqe të kësaj epoke.
Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit janë të lashta. Zoti i udhëzoi Adamin dhe Evën të luteshin, të bënin besëlidhje dhe të ofronin flijime.5 Në të vërtetë, “sa herë që Zoti ka pasur një popull në tokë, i cili do t’i bindet fjalës së Tij, ata njerëz janë urdhëruar të ndërtojnë tempuj”6. Veprat standarde janë të mbushura me referenca për mësimet e tempullit, veshjen, gjuhën dhe më shumë.7 Çdo gjë që ne besojmë dhe çdo premtim që Perëndia ia ka bërë popullit të Tij të besëlidhjes, përmblidhen në tempull. Në çdo epokë, tempulli ka nënvizuar të vërtetën e çmuar se ata që bëjnë besëlidhje me Perëndinë dhe i mbajnë ato, janë fëmijë të besëlidhjes.
Pra, në shtëpinë e Zotit, ne mund të bëjmë të njëjtat besëlidhje me Perëndinë që bënë Abrahami, Isaku dhe Jakobi. Dhe mund të marrim të njëjtat bekime!
Tempujt kanë qenë pjesë e kësaj periudhe ungjillore që nga ditët e hershme të saj.8 Elija ia dorëzoi Jozef Smithit çelësat e autoritetit vulosës në Tempullin e Kirtlandit. Plotësia e priftërisë u rivendos në Tempullin e Navusë.9
Deri në martirizimin e tij, Jozef Smithi vazhdoi të merrte zbulesa që e çuan përpara rivendosjen e dhurimit [indaumentit] dhe të ordinancave vulosëse.10 Megjithatë, ai e kuptoi se nevojitej përmirësim i mëtejshëm. Pasi administroi dhurimin për Brigam Jangun në maj 1842, Jozefi i tha Brigamit: “Kjo nuk është rregulluar siç duhet, por ne kemi bërë më të mirën që mundëm, në rrethanat në të cilat na kanë vënë, dhe uroj që ta marrësh këtë çështje në dorë dhe t’i organizosh e sistemosh të gjitha këto ceremoni”11.
Pas vdekjes së Profetit, Presidenti Jang mbikëqyri përfundimin e Tempullit të Navusë12 dhe më vonë ndërtoi tempuj në territorin e Jutës. Në përkushtimin e kateve më të ulëta të Tempullit të Seint‑Xhorxhit, Brigam Jangu shpalli me forcë ngutin për punën mëkëmbëse në tempull kur tha: “Kur mendoj për këtë temë, dua që zërat e shtatë bubullimave t’i zgjojnë njerëzit”13.
Që nga ajo kohë e tutje, ordinancat e tempullit u përmirësuan gradualisht. Presidenti Harold B. Li shpjegoi se përse procedurat, rregulloret, madje dhe administrimi i ordinancave të tempullit vazhdojnë të ndryshojnë brenda Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit. Presidenti Li tha: “Parimet e ungjillit të Jezu Krishtit janë hyjnore. Askush nuk i ndryshon parimet dhe [doktrinën] e Kishës përveç Zotit me anë të zbulesës. Por metodat ndryshojnë ndërsa drejtim i frymëzuar u vjen atyre që kryesojnë në një kohë të caktuar.”14
Merreni parasysh se si administrimi i sakramentit ka ndryshuar me kalimin e viteve. Në ditët e hershme, uji i sakramentit i ofrohej bashkësisë në një enë të madhe. Të gjithë pinin prej saj. Tani ne përdorim gota individuale që më pas hidhen. Procedura ndryshoi, por besëlidhjet mbeten të njëjta.
Përsiatini këto tri të vërteta:
-
Rivendosja është një proces, nuk është një ngjarje dhe do të vazhdojë derisa Zoti të vijë sërish.
-
Objektivi përfundimtar i mbledhjes së Izraelit15 është që t’ua sjellë bekimet e tempullit fëmijëve besnikë të Perëndisë.
-
Teksa përpiqemi se si ta arrijmë atë objektiv në mënyrë më të efektshme, Zoti zbulon më shumë ide. Rivendosja e vazhdueshme ka nevojë për zbulesë të vazhdueshme.
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve shpesh e kanë pyetur Zotin a ka mënyra më të mira për t’ua çuar bekimet e tempullit fëmijëve të Tij besnikë. Ne kërkojmë rregullisht udhërrëfim se si të sigurojmë saktësi dhe vijimësi mbarëbotërore për udhëzimet, besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit pavarësisht nga dallimet në gjuhë dhe kulturë.
Nën drejtimin e Zotit dhe si përgjigje ndaj lutjeve tona, janë bërë përshtatjet procedurale të kohëve të fundit. Ai është Ai i cili dëshiron që ju ta kuptoni saktësisht me një qartësi të madhe se për çfarë po i bëni besëlidhjet. Ai është Ai i cili dëshiron që ju t’i përjetoni plotësisht ordinancat e Tij të shenjta. Ai dëshiron që ju t’i kuptoni privilegjet, premtimet dhe përgjegjësitë tuaja. Ai dëshiron që ju të keni ide dhe zgjime shpirtërore që nuk i keni pasur kurrë më parë. Këtë Ai e dëshiron për të gjithë frekuentuesit e tempullit, pavarësisht nga vendi ku jetojnë.
Përshtatjet aktuale në procedurat e tempullit dhe të tjera që do të pasojnë, janë prova të vazhdueshme se Zoti po e drejton në mënyrë aktive Kishën e Tij. Ai po i jep mundësi secilit prej nesh që t’i përforcojë themelet e veta shpirtërore në mënyrë më të efektshme duke e përqendruar jetën e vet tek Ai dhe tek ordinancat e besëlidhjet e tempullit të Tij. Kur ju sillni rekomandimin tuaj të tempullit, një zemër të penduar dhe një mendje kërkuese në shtëpinë e mësimit të Zotit, Ai do t’ju japë mësim.
Nëse largësia, sfidat shëndetësore ose kufizime të tjera e ndalojnë pjesëmarrjen tuaj në tempull për një periudhë, ju ftoj të caktoni një kohë të rregullt për të përsëritur në mendjen tuaj besëlidhjet që keni bërë.
Nëse ende nuk ju pëlqen shumë ta frekuentoni tempullin, shkoni më shpesh – jo më rrallë. Lëreni Zotin, nëpërmjet Shpirtit të Tij, t’ju mësojë dhe frymëzojë atje. Ju premtoj se me kalimin e kohës, tempulli do të bëhet një vend sigurie, ngushëllimi dhe zbulese.
Nëse do të ishte e mundur që unë të flisja vetëm për vetëm me çdo të ri/re në moshë madhore, do t’i përgjërohesha që të kërkojë një shok/shoqe me të cilin/cilën të mund të vuloset në tempull. Ju mund ta pyetni veten se çfarë ndryshimi do të sjellë kjo në jetën tuaj. Ju premtoj se do të sjellë gjithë ndryshimin! Ndërsa martoheni në tempull dhe ktheheni në mënyrë të përsëritur, ju do të forcoheni dhe do të udhëhiqeni në vendimet tuaja.
Nëse do të mund të flisja me secilin bashkëshort dhe bashkëshorte të cilët nuk janë vulosur ende në tempull, unë do t’u përgjërohesha që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta marrë atë ordinancë kurorëzuese, jetëndryshuese.16 A do të sjellë ndryshim? Vetëm nëse dëshironi të përparoni përgjithmonë dhe të jeni bashkë përgjithmonë. Dëshira për të qenë së bashku përgjithmonë nuk do ta bëjë këtë. Asnjë ceremoni apo kontratë tjetër nuk do ta bëjë këtë.17
Nëse do të mund të flisja me secilin burrë ose grua që dëshiron fort martesë, por ende nuk e ka gjetur shoqen/shokun e vet të përjetshëm, do ta nxitja të mos presë derisa të martohet përpara se të marrë dhurimin në shtëpinë e Zotit. Filloni tani të mësoni dhe përjetoni se çfarë do të thotë të armatoseni me fuqinë e priftërisë.
Dhe secilit prej jush që ka bërë besëlidhje në tempull, i përgjërohem që të kërkojë – me lutje dhe vazhdimisht – t’i kuptojë besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit.18 Dyer shpirtërore do të hapen. Ju do të mësoni se si të ndani velin mes qiellit dhe tokës, si të kërkoni që engjëjt e Perëndisë t’ju ndihmojnë dhe si të merrni më mirë udhëzime nga qielli. Përpjekjet tuaja të zellshme për ta bërë këtë do ta përforcojnë dhe forcojnë themelin tuaj shpirtëror.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kur të përfundojnë restaurimet në Tempullin e Solt‑Lejkut, nuk do të ketë vend më të sigurt gjatë një tërmeti në luginën e Solt‑Lejkut sesa brenda atij tempulli.
Po kështu, sa herë që çfarëdo lloj trazire ndodh në jetën tuaj, vendi më i sigurt për të qenë shpirtërisht është të jetoni brenda besëlidhjeve tuaja të tempullit!
Ju lutem, më besoni kur them se, kur themeli juaj shpirtëror është ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme mbi Jezu Krishtin, nuk duhet të keni frikë. Ndërsa jeni të vërtetë ndaj besëlidhjeve tuaja të bëra në tempull, ju do të forcoheni nga fuqia e Tij. Më pas, kur ndodhin tërmete shpirtërore, ju do të jeni në gjendje të qëndroni të fortë sepse themeli juaj shpirtëror është i qëndrueshëm dhe i patundur.
Ju dua, të dashur vëllezër e motra. Këto të vërteta unë i di: Perëndia, Ati ynë Qiellor, dëshiron që ju të zgjidhni të vini në shtëpi tek Ai. Plani i Tij për përparimin e përjetshëm nuk është i ndërlikuar dhe e respekton lirinë tuaj të zgjedhjes. Ju jeni të lirë të zgjidhni se kush do të jeni – dhe me kë do të jeni – në botën që do të vijë!
Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kjo është Kisha e Tij, e rivendosur për t’ju ndihmuar që të përmbushni fatin tuaj hyjnor. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.