Konferenca e Përgjithshme
Besimi për të Vepruar dhe për t’u Bërë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


8:40

Besimi për të Vepruar dhe për t’u Bërë

Nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe veprimit, ne mund t’i shkyçim bekimet e qiellit dhe të bëhemi ndjekës më të mirë të Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Pak kohë pasi u thirra për të shërbyer si një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, pata mundësinë për t’u takuar me Presidentin Rasëll M. Nelson për disa minuta. Ishte një takim i paplanifikuar në mensë dhe ai ishte aq i sjellshëm sa të ftonte Plakun S. Mark Palmer dhe mua që të uleshim e të shijonim drekën me të.

“Për çfarë do flasim gjatë drekës me profetin?” – ishte mendimi që më erdhi në mendje. Kështu që vendosa ta pyes Presidentin Nelson a kishte ndonjë këshillë dhe udhërrëfim për mua duke qenë se sapo filloja thirrjen time. Përgjigjja e tij ishte shumë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, ai më pa dhe tha: “Plaku Shmail, ti je thirrur për atë që mund të bëhesh”. U largova nga ajo përvojë duke përsiatur rreth asaj që Zoti do që unë të bëhem. Teksa mendoja për këtë, kuptova se Ai do që unë të bëhem një bashkëshort, baba, bir dhe shërbëtor më i mirë. Më pas kuptova se të gjitha këto mund të përmbusheshin teksa punoja për t’u bërë një dishepull më i mirë i Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Në konferencën e përgjithshme të kaluar, Presidenti Nelson tha: “Për të bërë mirë cilëndo gjë, duhet përpjekje. Bërja një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit nuk është një përjashtim i kësaj.”1 Presidenti Nelson po na fton të punojmë fort për t’u bërë dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit. Ai na tha se për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari, ne duhet të forcojmë besimin tonë duke kërkuar, duke vepruar dhe duke studiuar, mes të tjerave.

1. Kërkoni

Ai tha: “Kërkojini ndihmë Atit tuaj Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit”2. Të kërkosh nëpërmjet lutjes është një nga çelësat për të ditur se si të bëhesh një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit.

Nga fundi i shërbesës së Tij mes nefitëve në kontinentin amerikan, Jezu Krishti u ngjit në qiell. Më pas, dishepujt e Tij u mblodhën së bashku, “bashkuar në lutje të thellë dhe agjërim. Dhe Jezusi iu shfaq përsëri atyre, pasi po i luteshin Atit në emrin e tij.”3 Përse Jezusi iu shfaq sërish dishepujve të Tij? Sepse ata po luteshin, ata po kërkonin.

Më pas Ai vazhdoi:

“Tani unë po shkoj tek Ati. Dhe në të vërtetë, unë ju them juve, çfarëdolloj gjërash që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ato do t’ju jepen.

Prandaj, kërkoni dhe do t’ju jepet; trokitni dhe do t’ju hapet; pasi ai që kërkon, merr; dhe atij që troket, do t’i hapet.”4

Ne duhet të kërkojmë me besim për të ditur vullnetin e Zotit dhe të pranojmë se Zoti e di se çfarë është më e mira për ne.

2. Veproni

Veprimi është një çelës tjetër thelbësor për t’u bërë një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit. Teksa veprojmë, Ai do të na udhërrëfejë e drejtojë përgjatë udhës. Jam i sigurt se Nefi po kërkonte udhërrëfim nga Zoti për të ditur se si t’i merrte fletët prej tunxhi nga Labani, prapëseprapë ai dhe vëllezërit e tij provuan dy herë pa sukses. Ata po vepronin dhe Zoti po i drejtonte ata përgjatë udhës. Më në fund, Nefi ia doli me sukses herën e tretë. Ai kujtoi: “Unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja”5.

Kjo është mënyra se si Zoti vepron teksa bëjmë përpjekje dhe veprojmë edhe kur nuk kemi një kuptueshmëri të qartë për atë që duhet bërë. Zoti i tha Nefit se çfarë të bënte: të shkonte dhe të merrte fletët. Por Ai nuk i tha Nefit si ta bënte atë. Ai ia la Nefit që ta gjente dhe të kërkonte ndihmën e Zotit dhe kjo është shpesh mënyra se si Zoti punon në jetën tonë. Teksa veprojmë me besim, Zoti na udhërrëfen dhe drejton.

3. Studioni

Te 3 Nefi, dishepujt i përmendën Shpëtimtarit se kishte debate mes njerëzve në lidhje me emrin e Kishës. Si përgjigje, Shpëtimtari dha mësim një parim të rëndësishëm kur Ai pyeti: “A nuk i kanë lexuar shkrimet e shenjta?”6 Studimi pra është një çelës tjetër thelbësor për t’u bërë një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit. Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta qëndrojnë krah për krah. Ato së bashku janë për përfitimin tonë. Ky është procesi që Zoti ka themeluar. “Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni.”7

Shpëtimtari gjithashtu dha mësim se ne jo vetëm që duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta por edhe të japim mësim prej tyre, siç Ai ua tregoi konkretisht nefitëve: “Dhe tani ndodhi që pasi Jezusi u shpjegoi të gjitha së bashku shkrimet e shenjta që ata kishin shkruar, i urdhëroi që t’u mësonin njerëzve gjërat që ai u shpjegoi atyre”8.

Kjo është një nga arsyet përse ishte kaq e rëndësishme për Nefin që të kthehej dhe t’i merrte fletët prej tunxhi: familja e tij kishte nevojë për shkrimet e shenjta jo vetëm për t’i ndihmuar ata të udhëtonin drejt tokës së premtuar por gjithashtu për t’i ndihmuar ata që t’u jepnin mësim fëmijëve të tyre. Ne gjithashtu duhet të kërkojmë udhërrëfim nga shkrimet e shenjta për udhëtimin tonë dhe duhet të japim mësim prej tyre në shtëpitë tona dhe thirrjet tona në Kishë.

4. Veproni që të Bëheni

Shumë herë, përgjigjet ndaj lutjeve nuk do të vijnë menjëherë. Por ne duhet të kemi besimin për të vazhduar, për të vepruar me drejtësi dhe për të qenë këmbëngulës si Nefi kur po përpiqej të merrte fletët prej tunxhi. Zoti do të na e tregojë pak e nga pak; teksa i studiojmë shkrimet e shenjta, Zoti do të na japë përgjigjet ose forcën e nevojshme për t’ia dalë mbanë edhe një ditë tjetër, edhe një javë tjetër dhe për ta provuar edhe një herë tjetër. Plaku Riçard G. Skot tha: “Jini mirënjohës që nganjëherë Perëndia ju lë të mundoheni për një kohë të gjatë përpara se ajo përgjigje të vijë. Kjo bën që besimi juaj të shtohet dhe karakteri juaj të rritet.”9

Nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, Zoti më ka dhënë gjithmonë forcën për të vepruar dhe duruar edhe një ditë tjetër, edhe një javë tjetër dhe për ta provuar edhe një herë tjetër. Shumë herë, përgjigjet nuk erdhën menjëherë. Unë kam pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje, por unë vazhdoj të kërkoj dhe të studioj dhe jam i lumtur që Zoti vazhdon të më japë forcën për të vepruar teksa pres për përgjigje.

Plaku Skot gjithashtu tha: “Kur veproni sipas kuptimit më të mirë prej jush të gjërave, por ende jeni të pasigurt për atë që duhet të bëni, nëse ushtroni besim, do të drejtoheni të gjeni zgjidhje që nuk do të mund t’i kishit gjetur në asnjë mënyrë tjetër”10.

Të bërit një ndjekës më i mirë i Shpëtimtarit Jezu Krisht është një udhëtim që zgjat një jetë të tërë dhe ne të gjithë jemi në faza të ndryshme, duke lëvizur sipas një ritmi të ndryshëm. Ne duhet të kemi parasysh se ky nuk është një konkurs dhe ne jemi këtu që ta duam dhe ndihmojmë njeri‑tjetrin. Ne duhet të veprojmë në mënyrë që ta lejojmë Shpëtimtarin të punojë me ne në jetën tonë.

Duke i folur Sidney Rigdon-it, Zoti tha sa vijon: “Unë të kam vëzhguar ty dhe veprat e tua. I kam dëgjuar lutjet e tua dhe të kam përgatitur për një vepër më të madhe.”11 Unë dëshmoj se Zoti i dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve tona; Ai na njeh; Ai ka një vepër të madhe për secilin prej nesh. Nëpërmjet lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe veprimit, ne mund t’i shkyçim bekimet e qiellit dhe të bëhemi ndjekës më të mirë të Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se “Gjykimi i Fundit nuk është vetëm vlerësimi i një shume totale të veprave të mira dhe të liga, i asaj që kemi bërë. Ai është një njohje e efektit përfundimtar të veprave dhe mendimeve tona, i asaj që jemi bërë.”12

Jam mirënjohës për profetët, shikuesit dhe zbuluesit; ata janë rojat në kullë. Ata shohin gjëra që ne nuk i shohim. Unë dëshmoj se nëpërmjet fjalëve të tyre, ne mund të bëhemi ndjekës më të mirë të Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe të arrijmë potencialin tonë. Unë dëshmoj se Krishti jeton dhe ai e njeh secilin prej nesh individualisht. Kjo është Kisha e Tij. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.