Një Kërkim Besnik Shpërblehet
Unë u bëj ftesë ne të gjithëve që ta rritim vazhdimisht besimin tonë te Krishti, i cili vazhdon ta ndryshojë jetën e të gjithë atyre që e kërkojnë Atë.
Duke filluar nga viti 1846, mijëra burra, gra dhe fëmijë pionierë u drejtuan për në perëndim drejt Sionit. Besimi i tyre i madh i dha hov guximit të tyre të pamasë. Për disa, ai udhëtim nuk përfundoi kurrë ngaqë vdiqën përgjatë udhës. Të tjerët, duke u përballur me fatkeqësi të mëdha, shkuan përpara me besim.
Për shkakun e tyre, breza më vonë, familja ime gëzoi bekimet e ungjillit të vërtetë të Jezu Krishtit.
Thuajse si një i ri tjetër, të cilin do ta përmend më vonë, unë isha 14 vjeç kur fillova të kisha pyetje për fenë dhe besimin tim. Frekuentoja kishën e një besimi tjetër fetar afër shtëpisë sime, por ndjeva dëshirën të vizitoja shumë kisha të ndryshme.
Një pasdite, vura re dy të rinj me kostume të errëta dhe këmisha të bardha duke hyrë në shtëpinë e fqinjës sime. Këta djem të rinj dukeshin të veçantë.
Të nesërmen takova fqinjën time, Leonora Lopezin, dhe e pyeta për ata dy djem. Leonora më shpjegoi se ata ishin misionarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ajo më tha me gëzim se familja e saj ishte pagëzuar në Kishë një vit më parë. Duke e parë interesin tim, Leonora më ftoi t’i takoja misionarët dhe të mësoja rreth Kishës.
Dy ditë më vonë, iu bashkova familjes Lopez për të takuar misionarët. Ata u paraqitën si Plaku Xhon Mesërli nga Ogdeni në Jutë dhe Plaku Kristofer Osorio nga Uollnat‑Kriku në Kaliforni. Nuk do t’i harroj kurrë ata.
Duke qenë se isha vetëm 14 vjeç, Plaku Mesërli këmbënguli të shkonim te dera ngjitur në shtëpinë time, që nëna ime të mund ta dinte se çfarë po më mësonin. Atje, ai shpjegoi me mirësjellje se ata kishin ardhur për të dhënë një mesazh rreth Jezu Krishtit dhe i kërkuan asaj leje që të më jepnin mësim. Nëna ra dakord dhe madje u bashkua me ne kur ata më mësonin.
Misionarët i kërkuan fillimisht Leonorës që të bënte një lutje. Kjo më preku shumë thellë, sepse lutja e saj nuk ishte përsëritje e fjalëve të mësuara përmendsh por një shprehje nga zemra e vet. Ndjeva që ajo po i fliste vërtet Atit të saj Qiellor.
Misionarët më pas na mësuan rreth Jezu Krishtit. Ata paraqitën një figurë të Tij që më la mbresa, sepse ishte një figurë e Krishtit të ringjallur e të gjallë.
Ata vijuan, duke na mësuar se si Jezusi themeloi Kishën e Tij në kohët e lashta, me Të në krye të saj, së bashku me dymbëdhjetë Apostujt. Na mësuan për Braktisjen, se si e vërteta dhe autoriteti i Krishtit ishte marrë nga toka pasi vdiqën Apostujt e Tij.
Ata na treguan për një djalë 14-vjeçar të quajtur Jozef Smith, i cili gjatë fillimit të viteve 1800, vizitoi kisha të ndryshme duke kërkuar të vërtetën. Teksa koha kalonte, Jozefi u bë edhe më i pështjelluar. Pasi lexoi në Bibël se ne mund të “kërkoj[m]ë nga Perëndia”1 për urtësi, Jozefi, duke vepruar me besim, shkoi në një korije me pemë për t’u lutur dhe për të pyetur se me cilën kishë duhet të bashkohej.
Njëri nga misionarët lexoi rrëfimin e Jozefit për atë që ndodhi teksa ai u lut:
“Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time, më e shkëlqyeshme se dielli, e cila zbriti gradualisht derisa ra mbi mua.
… Kur drita pushoi mbi mua, unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”2
Gjatë atij mësimi, Shpirti më pohoi disa të vërteta.
Së pari, Perëndia i dëgjon të gjitha lutjet e sinqerta të fëmijëve të Tij dhe qielli është i hapur për të gjithë – jo vetëm për disa.
Së dyti, Perëndia Ati, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë janë tri qenie të veçuara, të bashkuar në qëllimin e tyre që “të bëj[në] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”3.
Së treti, ne jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ati ynë i Dashur Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kanë trupa prej mishi dhe kockash si ne, por Ata janë të lavdishëm dhe të përsosur dhe Fryma e Shenjtë është një personazh shpirtëror.4
Së katërti, nëpërmjet Jozef Smithit, Jezu Krishti e rivendosi ungjillin e Tij dhe Kishën e vërtetë në tokë. Autoriteti i priftërisë që iu dha Apostujve të Krishtit 2 000 vjet më parë, është e njëjta priftëri që iu dha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni.5
Së fundi, ne mësuam rreth një dëshmie tjetër të Jezu Krishtit: Librin e Mormonit. I shkruar nga profetë të lashtë, ai tregon për njerëzit që jetuan në kontinentin amerikan përpara, gjatë dhe pas lindjes së Jezusit. Prej tij ne mësojmë se si ata e njohën, e deshën dhe e adhuruan Krishtin, i cili iu shfaq atyre si Shpëtimtari i ringjallur.
Shpirti më preku thellësisht teksa mësova për deklaratën e Shpëtimtarit ndaj tyre: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë”6.
Misionarët na dhanë një kopje tonën të Librit të Mormonit. Ne e lexuam dhe e pranuam ftesën që gjendet në fund të Librit të Mormonit, e cila thotë:
“Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave.”7
Kanë kaluar thuajse 45 vjet qëkurse nëna ime dhe unë mësuam për gëzimin dhe fuqinë që vjen nga pasja e besimit te Krishti. Ishte për shkak të besimit te Krishti që familja Lopez më tregoi mua për besimin e saj të ri. Ishte për shkak të besimit të tyre te Krishti që këta dy misionarë u larguan nga shtëpitë e tyre në Shtetet e Bashkuara për të gjetur nënën time dhe mua. Ishte besimi i të gjithë këtyre miqve të dashur që mbollën besimin si një farë sinapi brenda nesh, e cila që prej asaj kohe është rritur në një pemë të madhe bekimesh të përjetshme.
Gjatë këtyre viteve të bekuara, e kemi ditur se, siç shpalli Presidenti Rasëll M. Nelson: “Çdo gjë e mirë në jetë – çdo bekim i mundshëm me rëndësi të përjetshme – fillon me besimin. Lejimi që Perëndia të triumfojë në jetën tonë fillon me besimin që Ai është i gatshëm të na udhërrëfejë. Pendimi i vërtetë fillon me besimin se Jezu Krishti ka fuqinë për të na pastruar, shëruar dhe forcuar.”8
Unë u bëj ftesë ne të gjithëve që ta rritim vazhdimisht besimin tonë te Krishti, i cili e ka ndryshuar jetën e nënës sime të dashur dhe jetën time dhe i cili vazhdon ta ndryshojë jetën e të gjithë atyre që e kërkojnë Atë. Unë e di se Jozef Smithi është Profeti i Rivendosjes, se Presidenti Nelson është profeti ynë sot, se Jezusi është Krishti i gjallë dhe Shëlbuesi ynë dhe se Ati Qiellor jeton dhe u përgjigjet të gjitha lutjeve të fëmijëve të Tij. Unë dëshmoj për këto të vërteta në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.