Konferenca e Përgjithshme
Rivendosja e Përditshme
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


13:43

Rivendosja e Përditshme

Kemi nevojë për marrje të vazhdueshme e të përditshme të dritës qiellore. Kemi nevojë për “kohët e flladit”. Kohët e rivendosjes vetjake.

Ne mblidhemi këtë mëngjes të bukur Shabati për të folur për Krishtin, për t’u ngazëllyer në ungjillin e Tij dhe për ta përkrahur e mbështetur njëri-tjetrin ndërsa ecim në “udh[ën]” e Shpëtimtarit tonë.1

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne mblidhemi për këtë qëllim çdo ditë Shabati, gjatë gjithë vitit. Nëse nuk jeni anëtar i Kishës, ne ju mirëpresim me shumë përzemërsi dhe ju falënderojmë që u bashkuat me ne për të adhuruar Shpëtimtarin dhe për të mësuar rreth Tij. Sikurse ju, ne po përpiqemi fort – edhe pse papërsosurisht – të bëhemi miq, fqinj dhe qenie njerëzore më të mira2 dhe përpiqemi ta bëjmë këtë duke ndjekur Shembullin tonë, Jezu Krishtin.

Shpëtimtari Jezu Krisht

Shpresojmë që të mund ta ndieni çiltërsinë e dëshmisë sonë. Jezu Krishti jeton! Ai është Biri i Perëndisë së gjallë dhe Ai i drejton profetët në tokë në kohën tonë. Ne i ftojmë të gjithë të vijnë, ta dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe të marrin pjesë në mirësinë e Tij. Jap dëshminë time vetjake se Perëndia është mes nesh dhe se Ai sigurisht që do t’u afrohet pranë të gjithë atyre që i afrohen pranë Atij.3

Ne e kemi për nder të ecim me ju në shtegun e ngushtë e të ngushtuar të Mësuesit për dishepullim.

Mjeshtëria e të Ecurit në një Vijë të Drejtë

Ka një teori të përsëritur shpesh që njerëzit të cilët e kanë humbur udhën, ecin përqark. Jo shumë kohë më parë, shkencëtarët në Max Planck Institute for Biological Cybernetics [Instituti Maks Plank për Kibernetikën Biologjike] e eksperimentuan atë teori. Ata i çuan pjesëmarrësit në një pyll të dendur dhe iu dhanë udhëzime të thjeshta: “Ecni në një vijë të drejtë”. Atje nuk kishte pika referimi të dukshme. Subjektet e eksperimentit duhej të mbështeteshin vetëm në ndjesinë e tyre të orientimit.

Si mendoni se ia dolën?

Shkencëtarët arritën në përfundimin: “Njerëzit vërtet ecin përqark kur nuk kanë sinjale të besueshme për drejtimin nga duhet të ecin”4. Kur i pyetën më pas, disa pjesëmarrës me vetëbesim pohuan se nuk kishin devijuar aspak. Pavarësisht nga vetëbesimi i tyre i lartë, të dhënat nga GPS-ja treguan se ata kishin ecur në vija rrethore me një diametër prej vetëm 20 metrash.

Përse e kemi kaq të vështirë të ecim në një vijë të drejtë? Disa studiues ngrenë hipotezën se devijimet e vogla në dukje të parëndësishme në terren, e sjellin ndryshimin. Të tjerë kanë vënë në dukje faktin se ne të gjithë e kemi pak më të fortë njërën këmbë nga tjetra. “Ka më shumë të ngjarë”, megjithatë, që ne e kemi të vështirë të ecim drejt përpara “[për shkak] të pasigurisë në rritje se ku është drejtimi përpara”5.

Cilido qoftë shkaku, ai është natyra njerëzore: pa pika referimi të besueshme, ne largohemi nga udha.

Dalja nga Shtegu

A nuk është interesante se si faktorë të vegjël, në dukje të parëndësishëm, mund të sjellin një ndryshim të madh në jetën tonë?

E di këtë nga përvoja vetjake si pilot. Sa herë që filloja t’i afrohesha një aeroporti, e dija që pjesa më e madhe e punës që më mbetej, do të përbëhej nga bërja e korrigjimeve të vogla e të vazhdueshme të kursit për ta drejtuar në mënyrë të sigurt avionin drejt pistës së dëshiruar të uljes.

Ju mund të keni një përvojë të ngjashme kur ngisni një automjet. Era, parregullsitë në rrugë, konvergjenca jo e saktë e rrotave, mungesa e vëmendjes – për të mos përmendur veprimet e shoferëve të tjerë – të gjitha mund t’ju nxjerrin nga shtegu që synoni. Po të mos u kushtoni vëmendje këtyre faktorëve, do të përfundoni me një ditë që ju shkon keq.6

Makinë në pishinë

Kjo vlen për ne nga ana fizike.

Vlen për ne edhe nga ana shpirtërore.

Pjesa më e madhe e ndryshimeve në jetën tonë shpirtërore, si pozitive edhe negative, ndodhin gradualisht, hap pas hapi. Ashtu si pjesëmarrësit në studimin e Institutit Maks Plank, ne mund të mos e kuptojmë se kur e ndërrojmë drejtimin. Madje mund të kemi shumë vetëbesim se po ecim në vijë të drejtë. Por e vërteta është se pa ndihmën e pikave të referimit që të na udhërrëfejnë, ne devijojmë pashmangshmërisht nga udha dhe përfundojmë në vende ku kurrë nuk e kishim menduar se do të ishim.

Kjo është e vërtetë për individët. Është e vërtetë edhe për shoqëritë dhe kombet. Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj.

Libri Gjyqtarët shënon se pasi vdiq Jozueu, “doli një brez i ri që nuk e njihte Zotin, as veprat që kishte bërë për Izraelin”7.

Pavarësisht nga ndërhyrjet mahnitëse nga qielli, vizitat qiellore, çlirimet dhe fitoret e mrekullueshme të fëmijëve të Izraelit të dëshmuara gjatë gjithë jetës së Moisiut dhe Jozueut, brenda një brezi njerëzit e kishin braktisur Udhën dhe filluan të ecnin sipas vetë dëshirave të tyre. Dhe, sigurisht, nuk kaloi shumë kohë dhe ata e paguan çmimin për atë sjellje.

Ndonjëherë ky largim nga udha ndodh për breza të tërë. Nganjëherë ndodh brenda disa vitesh ose edhe disa muajsh.8 Ne jemi të gjithë të prirë ndaj vendimeve që na largojnë nga udha. Pavarësisht se sa të forta kanë qenë përvojat tona shpirtërore në të kaluarën, si qenie njerëzore ne priremi të endemi. Ky ka qenë modeli që nga koha e Adamit e deri më sot.

Ja një Lajm i Mirë

Por jo gjithçka humbet. Ndryshe nga subjektet e eksperimentit që endeshin, ne kemi pika të besueshme dhe të dukshme referimi që mund t’i përdorim për ta vlerësuar drejtimin tonë.

Dhe cilat janë këto pika referimi?

Sigurisht që ato përfshijnë lutjen e përditshme dhe përsiatjen e shkrimeve të shenjta, dhe përdorimin e mjeteve të frymëzuara si Eja, Më Ndiq. Çdo ditë mund t’i afrohemi fronit të Perëndisë me përulësi dhe ndershmëri. Ne mund t’i përsiatim veprimet tona dhe t’i shqyrtojmë çastet e ditës sonë duke marrë parasysh vullnetin dhe dëshirat tona nga pikëpamja e vullnetit dhe dëshirave të Tij. Nëse jemi larguar, i përgjërohemi Perëndisë që të na kthejë dhe zotohemi që të veprojmë më mirë.

Shpëtimtari iu prin deleve të Tij

Kjo kohë vetëshqyrtimi është një mundësi për rikalibrim. Ajo është një kopsht për reflektim ku mund të ecim me Zotin dhe të udhëzohemi, lartësohemi e pastrohemi nga fjala e shkruar e Atit tonë Qiellor dhe e zbuluar nëpërmjet Shpirtit. Ajo është një kohë e shenjtë kur kujtojmë besëlidhjet tona solemne për të ndjekur Krishtin zemërbutë, kur e vlerësojmë përparimin tonë dhe përputhemi me pikat shpirtërore të referimit që Perëndia ka siguruar për fëmijët e Tij.

Mendojeni atë si një rivendosje të përditshme vetjake. Në udhëtimin tonë si pelegrinë në shtegun e lavdisë, ne e dimë sa e lehtë është që të largohemi. Por ashtu si devijimet e vogla mund të na largojnë nga Udha e Shpëtimtarit, edhe veprimet e vogla dhe të thjeshta të ripërputhjes me siguri na kthejnë përsëri tek Ai. Kur errësira zvarritet në jetën tonë, siç ndodh shpesh, rivendosja jonë e përditshme na e hap zemrën drejt dritës qiellore, e cila i ndriçon qeniet tona, duke i dëbuar hijet, frikën dhe dyshimet.

Timonë të Vegjël, Anije të Mëdha

Nëse e kërkojmë, sigurisht “Perëndia do [të na] japë … dituri me anë të Shpirtit të tij të Shenjtë, po, me anë të dhuratës së papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë”9. Sa herë që kërkojmë, Ai do të na e tregojë Udhën dhe do të na ndihmojë ta ndjekim atë.

Kjo, sigurisht, kërkon përpjekje të qëndrueshme nga ana jonë. Nuk mund të jemi të kënaqur me përvojat shpirtërore të së kaluarës. Na nevojitet një rrjedhje e vazhdueshme përvojash.

Nuk mund të mbështetemi përgjithmonë te dëshmitë e të tjerëve. Duhet të ndërtojmë dëshminë tonë.

Kemi nevojë për marrje të vazhdueshme e të përditshme të dritës qiellore.

Kemi nevojë për “kohët e flladit”10. Kohët e rivendosjes vetjake.

“Ujërat që rrjedhin” nuk mund të ngelen për shumë kohë “të papastra”11. Për t’i mbajtur mendimet dhe veprimet tona të pastra, ne duhet të bëjmë përpjekje vazhdimisht.

Në fund të fundit, Rivendosja e ungjillit dhe e Kishës nuk është diçka që ndodhi një herë dhe mbaroi me aq. Është një proces i vazhdueshëm – ditë pas dite, person pas personi.

Siç kalojnë ditët tona, ashtu na kalon edhe jeta. Një autor u shpreh në këtë mënyrë: “Një ditë është si një jetë e tërë. Nisesh për të bërë një gjë, por përfundon duke bërë një gjë tjetër, planifikon të bësh një punë, por kurrë nuk e bën. … Dhe në fund të jetës, e gjithë ekzistenca jote ka po atë cilësi rastësore. E gjithë jeta jote ka të njëjtën trajtë si një ditë e vetme.”12

A dëshironi që ta ndryshoni trajtën e jetës suaj?

Atëherë ndryshojeni trajtën e ditës suaj.

A dëshironi ta ndryshoni ditën tuaj?

Ndryshoni pikërisht tani.

Ndryshojeni atë që mendoni, ndieni dhe bëni pikërisht në këtë çast.

Një timon i vogël mund të drejtojë një anije të madhe.13

Tullat e vogla mund të bëhen pallate madhështore.

Farat e vogla mund të bëhen sekuoja vigane.

Minutat dhe orët e shpenzuara mirë janë blloqe ndërtimi të një jete të jetuar mirë. Ato mund të frymëzojnë mirësi, të na nxjerrin nga robëria e papërsosurive dhe të na drejtojnë në ngritje, në shtegun shëlbues të faljes dhe shenjtërimit.

Perëndia i Fillimeve të Rejave

Bashkë me ju, unë shpreh mirënjohje të thellë për dhuratën madhështore të mundësisë së re, jetës së re, shpresës së re.

Ne i ngremë zërat për lëvdimin e Perëndisë tonë zemërgjerë dhe falës. Sigurisht që Ai është një Perëndi i fillimeve të reja. Qëllimi madhështor i gjithë punës së Tij është të na ndihmojë ne, fëmijët e Tij, t’ia dalim në kërkimin tonë për pavdekësi dhe jetë të përjetshme.14

Ne mund të bëhemi krijesa të reja në Krisht, pasi Perëndia ka premtuar: “Kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje”15 dhe “nuk i kujtoj më ato”16.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur, ne të gjithë largohemi nga udha herë pas here.

Por mund të kthehemi sërish në udhë. Ne mund ta përshkojmë rrugën tonë përmes errësirës dhe sprovave të kësaj jete dhe prapë ta gjejmë rrugën e kthimit për tek Ati ynë i dashur Qiellor, në qoftë se i kërkojmë dhe pranojmë pikat shpirtërore të referimit që Ai ka siguruar, në qoftë se e përqafojmë zbulesën vetjake dhe përpiqemi fort për rivendosjen e përditshme. Kjo është mënyra se si bëhemi dishepujt të vërtetë të Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit.

Teksa e bëjmë këtë, Perëndia do të na buzëqeshë. “Zoti … do të të bekojë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep. Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë.”17

Lutja ime është që do të kërkojmë rivendosje të përditshme dhe do të përpiqemi vazhdimisht për të ecur në Udhën e Jezu Krishtit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Jezusi dha mësim: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). NIV First-Century Study Bible [Bibla e Studimit të Shekullit të Parë të VRN-ve] përmban këtë shpjegim: “Figura e shtegut ose udhës në Biblën në hebraishte shpesh nënkupton zbatimin e urdhërimeve ose mësimeve të Perëndisë [shih Psalmeve 1:1; 16:11; 86:11]. Kjo ishte një metaforë e zakonshme në lashtësi për pjesëmarrësit aktivë në një grup bindjesh fetare, mësimesh ose praktikash. Komuniteti Dead Sea Scrolls [Rrotullat e Detit të Vdekur] e quanin veten ndjekës të ‘udhës’, frazë nëpërmjet së cilës nënkuptonin se ishin ndjekës të vetë interpretimit të tyre të shtegut që e kënaqte Perëndinë. Pali dhe të krishterët e parë gjithashtu e quajtën veten ‘ndjekës të Udhës’ [shih Veprat e Apostujve 24:14]” (në “What the Bible Says about the Way, the Truth, and the Life”, Bible Gateway, biblegateway.com/topics/the-way-the-truth-and-the-life).

    Në vitin 1873, një libër i lashtë, i quajtur Didache u zbulua në bibliotekën e patriarkut të Jerusalemit në Kostandinopojë. Shumë studiues besojnë se ai u shkrua dhe përdorej nga fundi i shekullit të parë (80–100 ps.K.). Libri Didache fillon me këto fjalë: “Ka dy rrugë: njëra është jeta dhe tjetra vdekja, por ka një ndryshim të madh midis dy rrugëve. Atëherë, rruga e jetës është kjo: ‘Së pari, do të duash Perëndinë që të krijoi; së dyti, fqinjin tënd porsi vetveten’” (Teaching of the Twelve Apostles, përkth. Roswell D. Hitchcock and Francis Brown [1884], f. 3).

    Burime të tjera, të tilla si The Expositor’s Bible Commentary, vënë në dukje se “gjatë ekzistencës së hershme të kishës, ata që e pranuan se Jezusi ishte Mesia dhe e shpallën Atë si Zotin e tyre, e quajtën veten se ata ishin të ‘Udhës’ [shih Veprat e Apostujve 19:9, 23; 22:4; 24:14, 22]” (red. Frank E. Gaebelein dhe të tjerë [1981], 9:370).

  2. Shih Mosia 2:17.

  3. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:63.

  4. “Walking in Circles”, 20 gusht 2009, Max-Planck-Gesellschaft, mpg.de.

  5. “Walking in Circles”, mpg.de. Kjo figurë tregon gjurmimin me GPS të katër pjesëmarrësve në studim. Tre prej tyre ecën në një ditë me re. Njëri prej tyre (SM) filloi të ecte ndërsa dielli u mbulua nga retë, por pas 15 minutash retë u shpërndanë dhe pjesëmarrësi mund të shihte një grimë diell. Vini re se si, sapo dielli u shfaq, këmbësori eci në një vijë të drejtë me më shumë sukses.

  6. Për një shembull tragjik mbi atë se si një gabim prej vetëm dy gradësh në kursin e drejtimit bëri që një avion me pasagjerë të përplasej me malin Erebus në Antarktikë, duke vrarë 257 njerëz, shih Diter F. Uhtdorf, “Një Çështje e Pak Gradësh”, Liahona, maj 2008, f. 57–60.

  7. Gjyqtarët 2:10.

  8. Pas vizitës së Krishtit në kontinentin amerikan, njerëzit vërtet u penduan për mëkatet e tyre, u pagëzuan dhe morën Frymën e Shenjtë. Tek ata që dikur ishin një popull grindavec dhe kryelartë, tani “nuk pati grindje dhe debate mes tyre dhe të gjithë njerëzit trajtonin me drejtësi njëri-tjetrin” (4 Nefi 1:2). Kjo periudhë drejtësie zgjati përafërsisht dy shekuj përpara se krenaria të fillonte të bënte që njerëzit të largoheshin nga Udha. Megjithatë, largimi shpirtërisht mund të ndodhë gjithashtu shumë më shpejt. Si shembull, dekada më parë, në vitin e 50-të të mbretërimit të gjykatësve në Librin e Mormonit, pati “paqe të vazhdueshme dhe gëzim të madh” mes njerëzve. Por për shkak të krenarisë që hyri në zemrat e anëtarëve të Kishës, pas një periudhe të shkurtër katërvjeçare, “pati shumë përçarje në kishë dhe pati gjithashtu dhe një grindje mes popullit, kaq sa pati shumë gjakderdhje” (shih Helamani 3:32–4:1).

  9. Doktrina e Besëlidhje 121:26.

  10. Veprat e Apostujve 3:19.

  11. Doktrina e Besëlidhje 121:33.

  12. Michael Crichton, Jurassic Park (2015), f. 190.

  13. Merrni si shembull anijet. “Edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri” (Jakobi [Bibël] 3:4).

  14. Shih Moisiu 1:39.

  15. Mosia 26:30.

  16. Doktrina e Besëlidhje 58:42.

  17. Ligji i Përtërirë 28:8–9; shih edhe vargjet 1–7.