Kujtoji Shenjtorët e Tu të Përvuajtur, O Perëndia Ynë
Mbajtja e besëlidhjeve çliron fuqinë e flijimit shlyes të Jezu Krishtit për të siguruar forcë dhe madje gëzim për ju që vuani.
Plani i Atit Qiellor për lumturinë përfshin një përvojë në vdekshmëri ku të gjithë fëmijët e Tij do të provohen dhe do të përballen me sprova.1 Pesë vjet më parë u diagnostikova me kancer. I kam ndier dhe ende i ndiej dhembjet fizike nga operacionet, trajtimet me rrezatim dhe efektet anësore të ilaçeve. Kam përjetuar beteja emocionale gjatë netëve torturuese pa gjumë. Statistikat mjekësore tregojnë se unë ndoshta do të largohem nga vdekshmëria më herët sesa e prisja ndonjëherë, duke lënë pas, për një periudhë, një familje që është gjëja më e rëndësishme për mua.
Pavarësisht se ku jetoni, vuajtja fizike ose emocionale nga një llojshmëri sprovash dhe dobësish të vdekshmërisë ka qenë, është tani ose do të jetë në të ardhmen pjesë e jetës suaj.
Vuajtja fizike mund të jetë rrjedhojë e plakjes natyrore, sëmundjeve të papritura dhe aksidenteve të rastësishme; urisë ose të qenit të pastrehë; apo keqtrajtimit, veprimeve të dhunshme dhe luftës.
Vuajtja emocionale mund të krijohet nga ankthi ose depresioni, nga tradhtia e një bashkëshorti/eje, prindi apo udhëheqësi të besuar, nga humbja e punësimit ose dështimi financiar, nga gjykimi i padrejtë prej të tjerëve, nga zgjedhjet e miqve, fëmijëve ose pjesëtarëve të tjerë të familjes, nga keqtrajtimi në format e tij të shumta, nga ëndrrat e paplotësuara për martesë ose fëmijë, nga sëmundja e rëndë ose vdekja e hershme e njerëzve të dashur, ose nga shumë burime të tjera.
Si mund ta durojmë ndoshta vuajtjen e pashoqe dhe ndonjëherë ligështuese që i vjen secilit prej nesh?
Fatmirësisht, shpresa gjendet tek ungjilli i Jezu Krishtit dhe shpresa mund të jetë gjithashtu pjesë e jetës suaj. Sot do të flas për katër parime të shpresës të nxjerra nga shkrimet e shenjta, mësimet profetike, shumë vizita për dhënien e shërbesës dhe vetë sprova ime e vazhdueshme shëndetësore. Këto parime nuk janë vetëm gjerësisht të zbatueshme, por edhe thellësisht vetjake.
Së pari, vuajtja nuk do të thotë që Perëndia nuk është i kënaqur me jetën tuaj. Dy mijë vjet më parë, dishepujt e Jezusit panë një njeri të verbër në tempull dhe pyetën: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?”
Dishepujt e Tij dukej se besonin në mënyrë të gabuar, ashtu si shumë njerëz sot, që të gjitha vështirësitë dhe vuajtjet në jetë janë rrjedhojë e mëkatit. Por Shpëtimtari u përgjigj: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë”2.
Vepra e Perëndisë është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme.3 Por si mundet që sprovat dhe vuajtja – veçanërisht vuajtja e imponuar nga përdorimi mëkatar nga një person tjetër i lirisë së vet të zgjedhjes4 – ta çojnë përpara më së fundmi veprën e Perëndisë?
Zoti i tha popullit të Tij të besëlidhjes: “Unë të kam rafinuar … ; të kam provuar në poçen e pikëllimit”5. Cilido qoftë shkaku i vuajtjeve tuaja, Ati juaj i dashur Qiellor mund t’i përdorë ato për ta rafinuar shpirtin tuaj.6 Shpirtrat e rafinuar mund të mbajnë barrët e të tjerëve me dashamirësi dhe dhembshuri të vërtetë.7 Shpirtrat e rafinuar që kanë dalë “nga shtrëngimi i madh”, janë përgatitur që të jetojnë plot gëzim në praninë e Perëndisë përgjithmonë dhe “Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre”8.
Së dyti, Ati Qiellor është thellësisht i vetëdijshëm për vuajtjen tuaj. Ndërsa jemi në mes të sprovave, ne mund të mendojmë gabimisht se Perëndia është larg dhe nuk shqetësohet për dhembjen tonë. Edhe Profeti Jozef Smith e shprehu këtë ndjenjë në një pikë të ulët të jetës së tij. Kur e burgosën në burgun e Libertisë ndërkohë që mijëra shenjtorë të ditëve të mëvonshme po i dëbonin nga shtëpitë e tyre, Jozefi u përpoq të kuptonte përmes lutjes: “O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?” Ai e përfundoi me këtë përgjërim: “Kujtoji shenjtorët e tu të përvuajtur, O Perëndia ynë”9.
Përgjigjja e Zotit e siguroi Jozefin dhe të gjithë ata që vuajnë:
“Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;
Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart.”10
Shumë shenjtorë të përvuajtur më kanë treguar se si e ndien dashurinë e Perëndisë gjatë sprovave të tyre. Kujtoj qartësisht vetë përvojën time në një pikë në betejën time me kancerin, kur mjekët ende nuk e kishin diagnostikuar shkakun e disa dhembjeve të forta. U ula me bashkëshorten time, me synimin që të ofroja një bekim të zakonshëm për drekën tonë. Në vend të kësaj, gjithçka që mund të bëja ishte thjesht të vajtoja: “Atë Qiellor, të lutem më ndihmo. Jam kaq i sëmurë!” Për 20 deri në 30 sekondat që vijuan, unë u rrethova me dashurinë e Tij. Nuk m’u dha asnjë arsye për sëmundjen time, asnjë tregues për rezultatin përfundimtar dhe asnjë lehtësim nga dhembja. Thjesht ndjeva dashurinë e Tij të kulluar dhe kjo ishte dhe është e mjaftueshme.
Dëshmoj se Ati ynë Qiellor, i cili vëren rënien e një harabeli të vetëm, është i vetëdijshëm për vuajtjen tuaj.11
Së treti, Jezu Krishti ofron fuqinë e Tij aftësuese që t’ju ndihmojë të keni forcë për ta duruar mirë vuajtjen tuaj. Kjo fuqi aftësuese është bërë e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Tij.12 Kam frikë se shumë anëtarë të Kishës mendojnë që, në qoftë se janë pak më të fortë, ata mund ta kalojnë vetë çdo vuajtje. Kjo është një mënyrë e vështirë për të jetuar. Çasti juaj i përkohshëm i forcës nuk mund të krahasohet kurrë me furnizimin e pafund të fuqisë së Shpëtimtarit për ta forcuar qenien tuaj.13
Libri i Mormonit jep mësim se Jezu Krishti do të “m[errte] përsipër” dhembjet, sëmundjet dhe dobësitë tona, që të mund të na ndihmonte.14 Si mund të mbështeteni në fuqinë që ofron Jezu Krishti për t’ju ndihmuar dhe forcuar në kohën e vuajtjes? Çelësi është të lidheni me Shpëtimtarin duke i mbajtur besëlidhjet që keni bërë me Të. Ne i bëjmë këto besëlidhje kur marrim ordinancat e priftërisë.15
Populli i Almës hyri në besëlidhjen e pagëzimit. Më vonë ata vuajtën në robëri dhe i ndaluan që të adhuronin publikisht apo edhe të luteshin me zë të lartë. Prapëseprapë, ata i mbajtën besëlidhjet e tyre sa më mirë që mundeshin, duke u lutur në heshtje në zemrat e tyre. Si rrjedhojë erdhi fuqia hyjnore. “Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi.”16
Në kohën tonë, Shpëtimtari fton: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”17. Kur e mbajmë besëlidhjen tonë të sakramentit për ta kujtuar gjithmonë Atë, Ai premton se Shpirti i Tij do të jetë me ne. Shpirti na jep forcë për të duruar sprovat dhe për të bërë atë që nuk mund ta bëjmë vetë. Shpirti mund të na shërojë, edhe pse siç dha mësim Presidenti Xhejms E. Faust: “Një pjesë e këtij shërimi mund të ndodhë në një botë tjetër”18.
Ne gjithashtu bekohemi nga besëlidhjet dhe ordinancat e tempullit, ku “fuqia e perëndishmërisë manifestohet”19. Vizitova një grua që kishte humbur një vajzë adoleshente në një aksident të tmerrshëm, pastaj më vonë bashkëshortin e saj nga kanceri. E pyeta se si mund ta duronte një humbje dhe vuajtje të tillë. Ajo u përgjigj se forca vinte nga sigurimet shpirtërore për një familje të përjetshme, të marra gjatë adhurimit të rregullt në tempull. Siç është premtuar, ordinancat e shtëpisë së Zotit e kishin armatosur atë me fuqinë e Perëndisë.20
Së katërti, zgjidhni të gjeni gëzim çdo ditë. Njerëzit që vuajnë, shpesh mendojnë se nata vazhdon pa ndërprerë dhe agimi nuk do të vijë kurrë. Është në rregull të vajtosh.21 Prapëseprapë, nëse e gjeni veten në netët e errëta të vuajtjes, nëpërmjet zgjedhjes së besimit, ju mund të zgjoheni në mëngjese të ndritshëm gëzimi.22
Për shembull, vizitova një nënë të re që po trajtohej nga kanceri, duke buzëqeshur në mënyrë të madhërishme në karrigen e saj pavarësisht nga dhembja dhe mungesa e flokëve. Takova një çift të moshës së mesme që shërbenin plot lumturi si udhëheqës të rinjsh, megjithëse ata nuk ishin në gjendje të lindnin fëmijë. U ula me një grua të dashur – një gjyshe e re, nënë dhe bashkëshorte – e cila do të ndërronte jetë brenda pak ditësh; prapëseprapë, mes lotëve të familjes kishte të qeshura dhe kujtime të gëzuara.
Këta shenjtorë të vuajtur janë një shembull i asaj që ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë.
Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë.”23
Dëshmoj24 se Ati ynë Qiellor i kujton shenjtorët e Tij të përvuajtur, ju do dhe është thellësisht i vetëdijshëm për ju. Shpëtimtari ynë e di se si ndiheni. “Me siguri, ai ka mbajtur brengat tona dhe qe i ngarkuar me dhimbjet tona.”25 E di – si një marrës i përditshëm26 – se mbajtja e besëlidhjeve çliron fuqinë e flijimit shlyes të Jezu Krishtit për të siguruar forcë dhe madje gëzim për ju që vuani.
Për të gjithë ata që vuajnë, unë lutem: “Dhëntë Perëndia që barrat tuaja të jenë të lehta, nëpërmjet gëzimit të Birit të tij”27. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.