Konferenca e Përgjithshme
Ftojeni Krishtin të Jetë Autori i Historisë Suaj
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


10:8

Ftojeni Krishtin të Jetë Autori i Historisë Suaj

Lëreni tregimin tuaj të jetë një tregim besimi, duke e ndjekur [Atë që është] Shembulli për ju, Shpëtimtari Jezu Krisht.

Po e nis duke shtruar disa pyetje, të synuara për vetëreflektim:

  • Çfarë lloj tregimi personal po shkruani për jetën tuaj?

  • A është shtegu që përshkruani në historinë tuaj, i drejtë dhe i ngushtë?

  • A mbaron historia juaj atje ku filloi, në shtëpinë tuaj qiellore?

  • A ka një shembull në historinë tuaj dhe a është shembulli Shpëtimtari Jezu Krisht?

Dëshmoj se Shpëtimtari është “autori dhe plotësuesi i besimit [tonë]”1. A do ta ftoni Atë të jetë autori dhe plotësuesi i historisë suaj?

Ai e di fundin që nga fillimi. Ai ishte Krijuesi i qiellit dhe i tokës. Ai dëshiron që ne të kthehemi në shtëpi tek Ai dhe tek Ati ynë Qiellor. Ai ka kushtuar gjithçka për ne dhe dëshiron që ne t’ia dalim mbanë.

Çfarë hamendësoni se na pengon që t’ia lëmë Atij në dorë historitë tona?

Ndoshta ky ilustrim do të ndihmojë për vlerësimin që i bëni vetes.

Një avokat i efektshëm mbrojtës e di se gjatë rimarrjes në pyetje rrallëherë duhet t’i bësh një dëshmitari një pyetje së cilës nuk ia di përgjigjen. Bërja e kësaj pyetjeje po e fton dëshmitarin t’ju thotë juve – dhe gjyqtarit/es dhe jurisë – diçka që ju nuk e dini tashmë. Mund të merrni një përgjigje që ju befason dhe është në kundërshtim me rrjedhën që keni hartuar për çështjen tuaj.

Ndonëse t’i bëni një dëshmitari një pyetje së cilës nuk ia dini përgjigjen, është përgjithësisht diçka jo e mençur për një avokat mbrojtës, e kundërta është e vërtetë për ne. Ne mund të bëjmë pyetje për Atin tonë të dashur Qiellor, në emrin e Shpëtimtarit tonë mëshirëplotë dhe dëshmitari që u përgjigjet pyetjeve tona, është Fryma e Shenjtë, që dëshmon gjithnjë për të vërtetën.2 Për shkak se Fryma e Shenjtë vepron në unitet të përsosur me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, ne e dimë se manifestimet e Frymës së Shenjtë janë të besueshme. Pse, atëherë, ndonjëherë i bëjmë qëndresë kërkimit të këtij lloji të ndihmës qiellore, të vërtetës që na manifestohet nga Fryma e Shenjtë? Pse e vonojmë bërjen e një pyetjeje së cilës nuk ia dimë përgjigjen, kur dëshmitari jo vetëm që është miqësor, por do të thotë gjithnjë të vërtetën?

Ndoshta kjo ndodh ngaqë ne nuk e kemi besimin për ta pranuar përgjigjen që mund të marrim. Ndoshta ndodh ngaqë burri ose gruaja e natyrshme brenda nesh i bën qëndresë lënies së gjërave tërësisht në dorën e Zotit dhe mirëbesimit ndaj Tij plotësisht. Mbase kjo është arsyeja pse zgjedhim t’i përmbahemi tregimit që kemi shkruar për veten, një variant i rehatshëm i historisë sonë i paredaktuar nga Kryeautori. Ne nuk duam të bëjmë një pyetje e të marrim një përgjigje që nuk zë vend pikë për pikë në historinë që po shkruajmë për veten.

Sinqerisht, pak prej nesh do t’i shkruanin në historitë e veta sprovat që na përmirësojnë. Por a nuk na pëlqen fort kulmi i lavdishëm i një historie që lexojmë kur protagonisti e kapërcen mundimin? Sprovat janë elementet e rrjedhës së ngjarjeve që i bëjnë historitë tona të parapëlqyera tërheqëse, të paharruara, nxitëse të besimit dhe të denja për t’u treguar. Mundimet e bukura të shkruara në historitë tona janë ato që na sjellin më pranë Shpëtimtarit dhe na përmirësojnë, duke na bërë më shumë si Ai.

Në mënyrë që Davidi të mposhtte Goliathin, djaloshi duhej ta pranonte duelin me gjigantin. Tregimi i rehatshëm për Davidin do të kishte qenë një kthim te përkujdesja ndaj dhenve. Por në vend të kësaj, ai reflektoi rreth përvojës së tij kur shpëtoi qengjat nga një luan dhe një ari. Dhe duke ndërtuar mbi këto akte heroike, ai mblodhi besimin dhe guximin për ta lënë Perëndinë t’ia shkruante historinë, duke deklaruar: “Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu”3. Me një dëshirë për ta lënë Perëndinë të triumfonte, me një vesh te Fryma e Shenjtë dhe me gatishmërinë për ta lënë Shpëtimtarin të ishte autori dhe plotësuesi i historisë së tij, djaloshi David e mundi Goliathin dhe e shpëtoi popullin e vet.

Parimi madhështor i lirisë së zgjedhjes na lejon, sigurisht, t’i shkruajmë vetë historitë tona – Davidi mund të kishte shkuar në shtëpi, duke u kujdesur sërish për dhentë. Por Jezu Krishti që rri gati për të na përdorur si mjete hyjnore, i mprehu lapsat në dorën e Tij për të shkruar një kryevepër! Ai është i gatshëm plot mëshirë të më përdorë mua, një laps të hollë, si një mjet në duart e Tij, nëse kam besimin për ta lejuar Atë, nëse do ta lë Atë të jetë autori i historisë sime.

Esteri është një shembull tjetër i bukur i lejimit të Perëndisë që të triumfojë. Në vend që t’i përmbahej një tregimi të kujdesshëm për të shpëtuar veten, ajo ushtroi besim, duke ia lënë tërësisht në dorë Zotit veten e saj. Hamani po komplotonte shkatërrimin e të gjithë judenjve në Persi. Mardokeu, i afërmi i Esterit, u vu në dijeni për komplotin dhe i shkroi asaj, duke i bërë thirrje të bisedonte me mbretin në emër të popullit të vet. Ajo i tregoi atij se dikush që i afrohej mbretit pa e thirrur ai, i nënshtrohej vdekjes. Por me një akt të jashtëzakonshëm besimi, ajo i kërkoi Mardokeut të mblidhte judenjtë e të agjëronin për të. “Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes.”4

Esteri qe e gatshme ta linte Shpëtimtarin të shkruante historinë e saj ndonëse nëpërmjet thjerrave të vdekshmërisë, fundi mund të kishte qenë tragjik. Lumturisht, mbreti e priti Esterin dhe judenjtë në Persi shpëtuan.

Patjetër, shkalla e guximit të Esterit rrallëherë kërkohet prej nesh. Por që ta lëmë Perëndinë të triumfojë, ta lëmë Atë që të jetë autori dhe plotësuesi i historive tona, kërkohet nga ne që t’i mbajmë urdhërimet dhe besëlidhjet që kemi bërë. Mbajtja e urdhërimeve dhe e besëlidhjeve tona është ajo që do të na e hapë linjën e komunikimit për të marrë zbulesë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Dhe nëpërmjet manifestimeve të Shpirtit do të ndodhë që ta ndiejmë dorën e Mësuesit që i shkruan historitë tona me ne.

Në prill 2021, profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson na kërkoi të merrnim parasysh se çfarë mund të bënim po të kishim më tepër besim te Jezu Krishti. Me më shumë besim te Jezu Krishti, ne mund të bënim një pyetje, përgjigjen e së cilës nuk e dimë – t’i kërkonim Atit tonë në Qiell, në emrin e Jezu Krishtit, të dërgonte një përgjigje nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që dëshmon për të vërtetën. Po të kishim më tepër besim, do ta bënim pyetjen dhe do të ishim të gatshëm ta pranonim përgjigjen që do të merrnim, edhe nëse ajo nuk i përshtatet tregimit tonë të rehatshëm. Dhe bekimi i premtuar që do të vijë nga të vepruarit me besim te Jezu Krishti, është një shtim i besimit tek Ai si autori dhe plotësuesi ynë. Presidenti Nelson deklaroi: “[Ju] merrni më shumë besim duke bërë diçka që kërkon më shumë besim”5.

Pra, një çift pa fëmijë që vuan nga problemet me pjellorinë, mund të pyesë me besim a duhet të birësojnë fëmijë dhe të jenë të gatshëm ta pranojnë përgjigjen, ndonëse tregimi që ata kishin shkruar për veten, përfshinte një lindje të ndodhur si mrekulli.

Një çift në moshë mund të pyesë a është koha për të shërbyer në një mision dhe të jetë i gatshëm të shkojë, ndonëse tregimi që kishte shkruar për veten, përfshinte më tepër kohë në punësim. Ose përgjigjja mund të jetë “ende jo” dhe ata do të mësojnë në kapitujt e mëvonshëm të historisë së tyre pse nevojiteshin në shtëpi pak më gjatë.

Një i ri ose e re në adoleshencë mund të pyesë me besim a është më me vlerë vazhdimi i studimeve për sportet, në një akademi ose për muzikë dhe të jetë i gatshëm të ndjekë nxitjet e dëshmitarit të përsosur, Frymës së Shenjtë.

Pse dëshirojmë që Shpëtimtari të jetë autori dhe plotësuesi i historive tona? Për shkak se Ai e njeh potencialin tonë përsosurisht, Ai do të na çojë në vende ku nuk e kishim përfytyruar kurrë veten. Ai do të na bëjë një David ose një Ester. Ai do të na tendosë e do të na përmirësojë që të jemi më shumë si Ai. Gjërat që do të arrijmë ndërsa veprojmë me më tepër besim, do të na e shtojnë besimin te Jezu Krishti.

Vëllezër e motra, vetëm një vit më parë, profeti ynë i dashur na pyeti: “A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? … A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër?”6 Ia shtoj me përulësi edhe këtë pyetje atyre pyetjeve profetike: “A do ta lejoni Perëndinë të jetë autori dhe plotësuesi i historisë suaj?”

Te Zbulesa mësojmë se ne do të qëndrojmë përpara Perëndisë dhe do të gjykohemi nga librat e jetës, sipas veprave tona.7

Ne do të gjykohemi nga libri ynë i jetës. Mund të zgjedhim të shkruajmë një tregim të rehatshëm për veten. Ose mund ta lejojmë Kryeautorin dhe Plotësuesin ta shkruajë historinë tonë me ne, duke lejuar që roli të cilin Ai ka nevojë që ne të luajmë, të marrë epërsi mbi ambiciet tona të tjera.

Lëreni Krishtin të jetë autori dhe plotësuesi i historisë suaj!

Lëreni Frymën e Shenjtë të jetë dëshmitari juaj!

Shkruani një histori në të cilën shtegu ku jeni të jetë i drejtë, në një drejtim që ju çon drejt kthimit në shtëpinë tuaj qiellore për të jetuar në praninë e Perëndisë.

Lërini fatkeqësinë dhe vuajtjen që janë pjesë e çdo historie të mirë, të jenë një mjet me anë të të cilit ju i afroheni më shumë Jezu Krishtit dhe bëheni më shumë si Ai.

Tregoni një histori në të cilën ju e dalloni se qiejt janë të hapur. Bëni pyetje, përgjigjet e të cilave nuk i dini, duke e ditur se Perëndia është i gatshëm ta bëjë të njohur vullnetin e Tij për ju nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Lëreni tregimin tuaj të jetë një tregim besimi, duke e ndjekur Shembullin tuaj, Shpëtimtarin Jezu Krisht. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.