Konferenca e Përgjithshme
Mirëbesoni Sërish
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2021


13:7

Mirëbesoni Sërish

Mirëbesimi te Perëndia dhe te njëri-tjetri sjellin bekimet e qiellit.

Një herë, kur isha shumë i vogël, mendova për një çast të largohesha nga shtëpia. Nga këndvështrimi i një vogëlushi, ndieja se askush nuk më donte.

Nëna ime vëzhguese më dëgjoi dhe më dha siguri se më donte. Qëndrova në shtëpi i mbrojtur.

A keni ndier ndonjëherë sikur po largoheni nga shtëpia? Shpesh, largimi nga shtëpia do të thotë që mirëbesimi është venitur ose thyer – mirëbesimi te vetja, te njëri-tjetri, te Perëndia. Kur mirëbesimi sfidohet, ne vrasim mendjen si të mirëbesojmë sërish.

Mesazhi im sot është, qoftë nëse ne po kthehemi në shtëpi ose po shkojmë në shtëpi, Perëndia do të vijë të na takojë.1 Tek Ai mund të gjejmë besim dhe guxim, urtësi dhe aftësi dalluese, për të mirëbesuar sërish. Po ashtu, Ai na kërkon ta mbajmë dritën ndezur për njëri-tjetrin, të jemi më shumë falës dhe më pak gjykues ndaj vetes dhe njëri-tjetrit, që Kisha e Tij të mund të jetë një vend ku ndihemi në shtëpi, qoftë nëse po vijmë për herë të parë ose po kthehemi.

Mirëbesimi është një akt besimi. Perëndia ka besim te ne. Prapëseprapë, mirëbesimi njerëzor mund të gërryhet ose thyhet kur:

  • Një mik, një partner biznesi ose dikush të cilit i mirëbesojmë, nuk është i vërtetë, na lëndon ose përfiton nga ne.2

  • Një partner në martesë nuk është besnik.

  • Ndoshta papritmas, dikush që e duam ballafaqohet me vdekjen, plagosjen ose sëmundjen.

  • Ne përballemi me një pyetje të papritur rreth ungjillit, ndoshta diçka në lidhje me historinë ose rregulloren e Kishës dhe dikush thotë se Kisha jonë e fshehu disi ose nuk e tha të vërtetën.

Situata të tjera mund të jenë më pak specifike por po njësoj shqetësuese.

Ndoshta nuk e shohim veten në Kishë, nuk ndiejmë se përshtatemi, ndihemi të gjykuar nga të tjerët.

Ose, ndonëse kemi bërë gjithçka që pritej nga ne, gjërat nuk kanë pasur ende rezultatin e dëshiruar. Pavarësisht nga përvojat tona vetjake me Frymën e Shenjtë, mund të mos e ndiejmë ende që e dimë se Perëndia jeton ose që ungjilli është i vërtetë.

Shumë njerëz sot ndiejnë një dëshirë të madhe për ta rivendosur mirëbesimin në marrëdhëniet njerëzore dhe në shoqërinë bashkëkohore.3

Teksa reflektojmë për mirëbesimin, ne e dimë se Perëndia është një Perëndi i së vërtetës dhe “nuk mund të gënje[jë]”4. Ne e dimë se e vërteta është një dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë.5 Ne e dimë se zbulesa dhe frymëzimi i vazhdueshëm e përshtatin të vërtetën e pandryshueshme me rrethanat e ndryshueshme.

Ne e dimë se besëlidhjet e thyera thyejnë zemra. “Kam bërë marrëzira”, thotë ai. “A mund të më falësh?” Bashkëshorti dhe bashkëshortja mund të kapen për dore, duke shpresuar të mirëbesojnë sërish. Në një mjedis tjetër, një i burgosur reflekton: “Po ta kisha mbajtur Fjalën e Urtësisë, nuk do të isha këtu sot”.

Ne e dimë se gëzimi në shtegun e besëlidhjeve të Zotit dhe thirrjet për të shërbyer në Kishën e Tij janë një ftesë për të ndier mirëbesimin dhe dashurinë e Perëndisë për ne dhe njëri-tjetrin. Anëtarët e Kishës, përfshirë personat në moshë madhore beqarë, shërbejnë rregullisht në mbarë Kishën dhe në komunitetet tona.

Me anë të frymëzimit, një peshkopatë e thërret një çift të ri të shërbejë në çerdhen e lagjes në Fillore. Fillimisht, bashkëshorti ulet në cep, i veçuar dhe i largët. Gradualisht, ai fillon t’u buzëqeshë fëmijëve. Më vonë, çifti shpreh mirënjohje. Më herët, thonë ata, bashkëshortja donte fëmijë; bashkëshorti jo. Tani, shërbimi i ka ndryshuar dhe bashkuar ata. Ai gjithashtu solli gëzimin e fëmijëve në martesën dhe shtëpinë e tyre.

Në një qytet tjetër, një nënë e re me fëmijë të vegjël dhe bashkëshorti i saj befasohen dhe tronditen kur gruaja thirret të shërbejë si presidente e Shoqatës së Ndihmës në lagje, por e pranojnë thirrjen. Pak pas kësaj, stuhi të acarta e ndërpresin energjinë elektrike duke i lënë raftet e dyqaneve të zbrazëta dhe shtëpitë të ftohta si frigoriferë. Për shkak se kishte energji elektrike dhe ngrohje, kjo familje e re ua hap dyert e shtëpisë një sërë familjesh dhe individësh për të përballuar stuhinë.

Mirëbesimi ynë bëhet i vërtetë kur bëjmë gjëra të vështira me besim. Shërbimi dhe sakrifica e rritin kapacitetin dhe i rafinojnë zemrat. Mirëbesimi te Perëndia dhe te njëri-tjetri sjellin bekimet e qiellit.

Pasi i mbijetoi kancerit, një vëlla besnik e përplasi makina. Në vend që të ndiejë keqardhje për veten, ai pyet me lutje: “Çfarë mund të mësoj nga kjo përvojë?” Në pavijonin e reanimacionit, ai ndien nxitjen për të vënë re një infermiere të shqetësuar për bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Ky pacient që ka vetë dhembje, gjen përgjigje teksa i mirëbeson Perëndisë dhe u jep ndihmë të tjerëve.

Ndërkohë që një vëlla me probleme me pornografinë pret jashtë zyrës së presidentit të tij të kunjit, presidenti i kunjit lutet që të dijë si ta ndihmojë atë. Një përshtypje e qartë vjen: “Hape derën dhe lëre vëllanë të hyjë brenda”. Me besimin dhe mirëbesimin që Perëndia do të ndihmojë, udhëheqësi i priftërisë e hap derën dhe e përqafon vëllanë. Secili ndien dashurinë shndërruese dhe mirëbesimin te Perëndia dhe njëri-tjetri. I fuqizuar, vëllai mund të fillojë të pendohet e të ndryshojë.

Ndërkohë që rrethanat tona individuale janë personale, parimet e ungjillit dhe Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojnë ta dimë, nëse, si dhe kur të mirëbesojmë tek të tjerët sërish. Kur mirëbesimi thyhet ose tradhtohet, zhgënjimi dhe humbja e ideve të krijuara janë realë; kështu është edhe nevoja për dallim për të ditur kur besimi dhe guximi janë të nevojshëm për të mirëbesuar sërish në marrëdhëniet njerëzore.

Gjithsesi, për sa i përket Perëndisë dhe zbulesës vetjake, Presidenti Rasëll M. Nelson na siguron “Nuk keni përse ta pyetni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri”6. Ne mund t’i mirëbesojmë përherë Perëndisë. Zoti na njeh më mirë dhe na do më shumë nga sa e njohim ose e duam ne veten. Dashuria e Tij e pafundme dhe njohuria e Tij e përsosur për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, i bëjnë besëlidhjet dhe premtimet e Tij të qëndrueshme në kohë dhe të sigurta.

Mirëbesoni tek ajo frazë që shkrimet e shenjta e quajnë “me kalimin e kohës”7. Me bekimin e Perëndisë, me kalimin e kohës si dhe besimin dhe bindjen e vazhdueshme, ne mund të gjejmë zgjidhje dhe paqe.

Zoti na ngushëllon:

“Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”8.

“Barrën tënde Zotit ia jep dhe kujdes Ai do t’ket’.”9

“Toka nuk ka asnjë dhembje që falë qiellit s’mund ta shëroni.”10

Mirëbesojini Perëndisë11 dhe mrekullive të Tij. Ne dhe marrëdhëniet tona mund të ndryshojmë. Nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit Zot, ne mund ta zhveshim veten tonë egoiste, të natyrshme dhe të bëhemi një fëmijë i Perëndisë, i bindur, i përulur12, plot me besim dhe mirëbesimin e duhur. Kur pendohemi, kur i rrëfejmë e i braktisim mëkatet tona, Zoti thotë se Ai nuk i kujton më ato.13 Nuk është se Ai i harron; përkundrazi, në një mënyrë mbresëlënëse, duket se Ai zgjedh të mos i mbajë mend ato, as ne nuk kemi pse t’i mbajmë mend ato.

Mirëbesojini frymëzimit të Perëndisë për të dalluar me urtësi. Ne mund t’i falim të tjerët në kohën dhe në mënyrën e duhur që Zoti thotë se duhet t’i falim14, ndërkohë që jemi “të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat”15.

Nganjëherë, kur zemrat tona janë më të thyera e të penduara se kurrë, ne jemi më të hapur se kurrë ndaj ngushëllimit dhe udhërrëfimit të Frymës së Shenjtë.16 Dënimi dhe falja, që të dyja fillojnë nga pranimi i një gabimi. Shpesh dënimi përqendrohet tek e kaluara. Falja vështron në mënyrë çliruese nga e ardhmja. “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.”17

Apostulli Pal pyet: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” Ai përgjigjet: “As vdekja, as jeta, … as lartësitë, as thellësitë, … nuk do të mund të na ndaj[n]ë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë”18. Prapëseprapë, është dikush që mund të na ndajë nga Perëndia dhe Jezu Krishti – dhe ai dikush është vetja jonë. Sikurse thotë Isaia: “Mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush”19.

Sipas dashurisë hyjnore dhe ligjit hyjnor, ne jemi përgjegjës për zgjedhjet tona dhe pasojat e tyre. Por dashuria shlyese e Shpëtimtarit është “[e] pafund[me] dhe [e] përjetsh[me]”20 Kur jemi gati për të ardhur në shtëpi, madje edhe kur jemi “ende larg”21, Perëndia është gati të na mirëpresë me dhembshuri të madhe, duke na ofruar me gëzim më të mirën që Ai ka.22

Presidenti J. Ruben Klark tha: “Besoj se Ati ynë Qiellor dëshiron të shpëtojë çdonjërin nga fëmijët e Tij, … që në drejtësinë dhe mëshirën e Tij, Ai do të na japë shpërblimin maksimal për veprat tona, do të na japë gjithçka që mund të japë dhe në këmbim, besoj se Ai do të caktojë dënimin minimal që është e mundur që Ai të caktojë”23.

Në kryq, edhe përgjërimi mëshirëplotë i Shpëtimtarit tonë ndaj Atit të Tij nuk ishte një fjali e pakushtëzuar “O Atë, fali ata”, por përkundrazi ishte “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”24. Liria jonë e zgjedhjes dhe liria në përgjithësi kanë domethënie sepse ne mbajmë përgjegjësi përpara Perëndisë për atë që jemi, për atë që dimë dhe bëjmë. Fatmirësisht, mund t’i mirëbesojmë drejtësisë së përsosur dhe mëshirës së përsosur të Perëndisë për t’i gjykuar përsosurisht synimet dhe veprimet tona.

Ne e mbyllim siç e filluam – me dhembshurinë e Perëndisë teksa secili prej nesh vjen në shtëpi tek Ai dhe te njëri-tjetri.

A e mbani mend shëmbëlltyrën e Jezu Krishtit rreth një burri që kishte dy bij?25 Njëri nga bijtë u largua nga shtëpia dhe e shpërdoroi trashëgiminë e tij. Kur erdhi në vete, ky bir donte të shkonte në shtëpi. Biri tjetër, duke ndier se i kishte mbajtur urdhërimet për “kaq vite”,26 nuk dëshironte ta mirëpriste vëllanë e tij në shtëpi.

Vëllezër dhe motra, ju lutem, a do ta merrni parasysh se Jezusi po na kërkon t’i hapim zemrat, kërkon mirëkuptimin, dhembshurinë, përulësinë tonë dhe që ta shohim veten në të dyja rolet?

Ashtu si biri ose bija e parë, ne mund të endemi dhe më vonë të kërkojmë të kthehemi në shtëpi. Perëndia pret të na urojë mirëseardhjen.

Dhe si biri ose bija tjetër, Perëndia na përgjërohet butësisht që të gëzohemi së bashku teksa secili prej nesh vjen në shtëpi tek Ai. Ai na fton t’i bëjmë bashkësitë, kuorumet, klasat dhe aktivitetet tona të hapura, të mirëfillta, të sigurta – shtëpi për njëri-tjetrin. Me dashamirësi, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, secili prej nesh e kërkon përulësisht Zotin, lutet dhe i mirëpret bekimet e ungjillit të Tij të rivendosur për të gjithë.

Rrugëtimet e jetës sonë janë individuale, por ne mund të vijmë përsëri te Perëndia, Ati ynë dhe te Biri i Tij i Dashur nëpërmjet mirëbesimit te Perëndia, te njëri-tjetri dhe te vetja.27 Jezusi na bën thirrje: “Mos ki frikë, vetëm ki besim”28. Sikurse bëri Profeti Jozef, mirëbesofshim të patundur te kujdesi i Atit tonë Qiellor!29 I dashur vëlla, e dashur motër, i dashur mik, ju lutem të kërkoni sërish [të keni] besim dhe mirëbesim – një mrekulli që Ai jua premton sot. Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.