Thellimi i Kthimit Tonë në Besim te Jezu Krishti
Shkrimet e shenjta dhe njohuria jonë për Perëndinë janë dhurata – dhurata që shumë shpesh i marrim për të mirëqena. Le t’i çmojmë këto bekime.
Faleminderit shumë, Plaku Nilson, për mesazhin tuaj të bukur. Kishim nevojë për të.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Presidenti Rasëll M. Nelson na ka dhënë mësim kohët e fundit: “Për të bërë mirë cilëndo gjë, duhet përpjekje. Bërja një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit nuk është një përjashtim i kësaj. Rritja e besimit dhe e mirëbesimit tuaj tek Ai, kërkon përpjekje.” Mes rekomandimeve që na dha për ta rritur besimin tonë te Jezu Krishti, është që të bëhemi nxënës të cilët marrin pjesë aktivisht, që të zhytemi në shkrimet e shenjta për ta kuptuar edhe më mirë misionin dhe shërbesën e Krishtit. (Shih “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103.)
Ne mësojmë në Librin e Mormonit se shkrimet e shenjta ishin një pjesë e rëndësishme e familjes së Lehit – aq shumë sa Nefi dhe vëllezërit e tij u kthyen në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi (shih 1 Nefi 3–4).
Shkrimet e shenjta zbulojnë vullnetin e Perëndisë për ne, ashtu siç bëri Liahona për Nefin dhe atin e tij. Pasi e theu harkun, Nefi kishte nevojë të dinte se ku duhej të shkonte për të siguruar ushqim. Ati i tij, Lehi, vështroi te Liahona dhe pa gjërat që ishin shkruar. Nefi pa që akrepat funksiononin sipas besimit, zellit dhe vëmendjes që u jepej atyre. Ai pa edhe një shkrim që ishte i lehtë për t’u lexuar dhe që u dha atyre kuptueshmëri në lidhje me shtigjet e Zotit. Ai u bë i vetëdijshëm se Zoti shkakton gjëra të mëdha nëpërmjet mjeteve të vogla. Ai ishte i bindur në lidhje me drejtimet që iu dhanë nga Liahona. Ai u ngjit në mal dhe siguroi ushqim për familjen e vet, e cila kishte vuajtur kaq shumë nga mungesa e tij. (Shih 1 Nefi 16:23–31.)
Mua më duket se Nefi ishte një nxënës i përkushtuar ndaj shkrimeve të shenjta. Lexojmë se Nefi kënaqej në shkrimet e shenjta, i meditonte në zemër dhe i shkroi ato për mësimin dhe përfitimin e fëmijëve të tij (shih 2 Nefi 4:15–16).
Presidenti Rasëll M. Nelson tha:
“Në qoftë se ne ‘do të shko[jmë] përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe [do] të duro[jmë] deri në fund, … [ne] do të ke[mi] jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:20].
Të ushqehesh me bollëk do të thotë më shumë se të provosh. Të ushqehesh me bollëk do të thotë të shijosh. Ne i shijojmë shkrimet e shenjta duke i studiuar ato me një shpirt të zbulimit plot hir dhe të bindjes besnike. Kur ushqehemi me bollëk me fjalët e Krishtit, ato nguliten ‘mbi rrasa të një zemre mishi’ [2 Korintasve 3:3]. Ato bëhen një pjesë e pandashme e karakterit tonë” (“Living by Scriptural Guidance”, Liahona, janar 2001, f. 21).
Cilat Janë disa nga Gjërat që do të Bënim po të na Kënaqej Shpirti në Shkrimet e Shenjta?
Do të rritej dëshira jonë për të qenë pjesë e mbledhjes së Izraelit në të dyja anët e velit. Për ne do të ishte normale dhe e natyrshme që t’i ftonim familjen dhe miqtë tanë për t’i dëgjuar misionarët. Ne do të ishim të denjë dhe do të kishim një rekomandim tempulli aktual për të shkuar në tempull sa më shpesh të ishte e mundur. Do të punonim për t’i gjetur, përgatitur dhe çuar në tempull emrat e paraardhësve tanë. Do të ishim besnikë në mbajtjen e ditës së Shabatit, në frekuentimin e Kishës çdo të diel për të përtërirë besëlidhjet tona me Zotin teksa merrnim pjesë me denjësi në marrjen e sakramentit. Do të vendosnim që të qëndronim në shtegun e besëlidhjeve, duke jetuar sipas çdo fjale që del nga goja e Perëndisë (shih Doktrina e Besëlidhje 84:44).
Çfarë do të Thotë për Ju të Kënaqesh në Gjërat e Zotit?
Të kënaqesh në shkrimet e shenjta është më tepër se uri dhe etje për dije. Nefi përjetoi gëzim të madh gjatë jetës së tij. Megjithatë, ai u përball me vështirësi dhe trishtim (shih 2 Nefi 4:12–13). “Megjithatë”, tha ai, “unë e di në cilin kam besuar” (2 Nefi 4:19). Ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta, ne do ta kuptojmë më mirë planin e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin dhe do të mirëbesojmë te premtimet që Ai na ka bërë në shkrimet e shenjta, si dhe te premtimet dhe bekimet e profetëve bashkëkohorë.
Një pasdite, bashkëshorten time dhe mua na ftuan në shtëpinë e një miku. Djali i tyre shtatëvjeçar, Dejvidi, nuk e kishte dëgjuar asnjëherë historinë nga Bibla të Davidit dhe Goliathit dhe dëshironte ta dëgjonte. Ndërsa fillova ta tregoja historinë, ai u prek nga mënyra se si Davidi, me besimin e tij dhe në emër të Perëndisë së Izraelit, plagosi dhe vrau filisteun me një hobe dhe një gur, pa pasur shpatë në dorë (shih 1 Samuelit 17).
Duke më vështruar me sytë e tij të errët e të mëdhenj, më pyeti me vendosmëri: “Kush është Perëndia?” I shpjegova se Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe se ne mësojmë për Të në shkrimet e shenjta.
Më pas më pyeti: “Çfarë janë shkrimet e shenjta?” I thashë se shkrimet e shenjta janë fjala e Perëndisë dhe se në to ai do të gjente histori të bukura që do ta ndihmonin ta njihte më mirë Perëndinë. I kërkova nënës së tij që të përdorte Biblën që kishte në shtëpi dhe që të mos e linte Dejvidin të binte në gjumë pa ia lexuar të gjithë historinë. Ai u kënaq teksa e dëgjoi atë. Shkrimet e shenjta dhe njohuria jonë për Perëndinë janë dhurata – dhurata që shumë shpesh i marrim për të mirëqena. Le t’i çmojmë këto bekime.
Ndërsa shërbeja në një mision kur isha i ri, vura re që nëpërmjet mësimdhënies sonë nga shkrimet e shenjta jeta e shumë njerëzve ndryshoi rrënjësisht. U bëra i vetëdijshëm për fuqinë që gjendet në to dhe për mënyrën se si ato mund ta ndryshojnë jetën tonë. Çdo person të cilit i mësuam për ungjillin e rivendosur, ishte një individ unik me nevoja të ndryshme. Shkrimet e shenjta – po, profecitë e shkruara nga profetët e shenjtë – i sollën ata te besimi në Zot, te pendimi dhe ndryshimi i zemrave të tyre.
Shkrimet e shenjta i mbushën ata me gëzim ndërsa morën frymëzim, drejtim, ngushëllim, forcë dhe përgjigje për nevojat e tyre. Shumë prej tyre vendosën të bënin ndryshime në jetën e tyre dhe filluan t’i zbatonin urdhërimet e Perëndisë.
Nefi na nxit të kënaqemi në fjalët e Krishtit, sepse fjalët e Krishtit do të na tregojnë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë (shih 2 Nefi 32:3).
Ju ftoj të keni një plan të përhershëm për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Programi Eja, Më Ndiq është një burim i shkëlqyer që kemi për mësimdhënien dhe të mësuarin e ungjillit, thellimin e kthimit tonë në besim te Jezu Krishti dhe për të na ndihmuar që të bëhemi si Ai. Kur e studiojmë ungjillin, ne nuk po kërkojmë thjesht informacion të ri; përkundrazi, po kërkojmë të bëhemi një “krijesë e re” (2 Korintasve 5:17).
Fryma e Shenjtë na prin drejt së vërtetës dhe na dëshmon për të vërtetën (shih Gjoni 16:13). Ai e ndriçon mendjen tonë dhe e përtërin kuptueshmërinë tonë, dhe e prek zemrën tonë nëpërmjet zbulesës nga Perëndia, burimi i gjithë së vërtetës. Fryma e Shenjtë na e dëlir zemrën. Ai ngjall brenda nesh dëshirën për të jetuar sipas së vërtetës dhe na pëshpërit mënyra se si ta bëjmë këtë. “Fryma e Shenjtë … do t’ju mësojë çdo gjë” (Gjoni 14:26).
Duke folur për fjalët që Ai i zbuloi Profetit Jozef Smith, Shpëtimtari ynë tha:
“Këto fjalë nuk janë prej njerëzve, as prej njeriut, por prej meje; …
Pasi është zëri im që jua thotë ato; pasi ato ju jepen me anë të Shpirtit tim; …
Prandaj, ju mund të dëshmoni se e keni dëgjuar zërin tim dhe i dini fjalët e mia” (Doktrina e Besëlidhje 18:34–36).
Ne duhet ta kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ky synim duhet t’i drejtojë vendimet tona dhe t’i udhërrëfejë mendimet e veprimet tona. Ne duhet ta kërkojmë çdo gjë që e fton ndikimin e Shpirtit, dhe ta refuzojmë çdo gjë që shmanget nga ky ndikim.
Dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i dashur i Atit tonë Qiellor. E dua Shpëtimtarin tim. Jam mirënjohës për shkrimet e Tij të shenjta dhe për profetët e Tij të gjallë. Presidenti Nelson është profeti i Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.