Fuqia Shndërruese e Besimit dhe Karakteri
Një jetë e qëndrueshme dhe e drejtë prodhon një forcë dhe një fuqi të brendshme që mund të jenë përherë të qëndrueshme ndaj ndikimit gërryes të mëkatit dhe shkeljes.
Kur besimi kuptohet dhe përdoret siç duhet, ai ka efekte jashtëzakonisht të gjera. Një besim i tillë mund ta shndërrojë jetën e një individi nga aktivitete të përditshme, të zakonshme e sentimentalisht të cekëta në një simfoni gëzimi dhe lumturie. Ushtrimi i besimit është jetik për planin e lumturisë të Atit në Qiell. Por besimi i vërtetë, besimi tek shpëtimi, përqendrohet tek Zoti Jezu Krisht, besimi tek doktrinat dhe mësimet e Tij, besimi në udhëheqjen profetike të të vajosurit të Zotit, besimi në aftësinë për të zbuluar karakteristika dhe tipare të fshehura të vetes, që mund ta shndërrojnë jetën. Vërtet, besimi tek Shpëtimtari është një parim veprimi dhe fuqie.
Besimi është një element themelor ndërtimi për krijimin. Kam besim se Shpëtimtari Jezu Krisht e përdor besimin në rolin e Tij për të vepruar nën drejtimin e Atit në Qiell. Mësuesi e përdori atë për të krijuar galaktikat më të largëta, po ashtu si për të krijuar kuarket, elementet më të vogla të materies, që njohim sot. Megjithatë, unë kam besim se ka elemente ndërtimi edhe më te vogla në mrekullinë e krijimit.
Besimi në të ardhmen shfaqet nga një çift i vulosur në tempull. Ata e kuptojnë se duke iu bindur mësimeve të Jezu Krishtit dhe planit të lumturisë të Atit tonë në Qiell, mund të kenë një jetë të gëzueshme së bashku. Ata e kuptojnë se kur vijnë sfidat, që kanë për qëllim të jenë mundësi për rritje, ata do të gjejnë mënyra të frytshme dhe karakterformuese, siç nxiten nga Fryma e Shenjtë, për t’i kapërcyer ato.
Besimi dhe karakteri janë të lidhur ngushtë. Besimi në fuqinë e bindjes ndaj urdhërimeve të Perëndisë, do të farkëtojë forcën e karakterit të disponueshme për ju në kohët e nevojave urgjente. Një karakter i tillë nuk zhvillohet në momentet e sfidave dhe tundimeve të mëdha. Në ato momente ai synohet të përdoret. Ushtrimi prej jush i besimit në parimet e vërteta e ndërton karakterin; karakteri i forcuar e zgjeron aftësinë tuaj për të ushtruar më shumë besim. Si rezultat, aftësia dhe besimi juaj tek vetja për të kapërcyer sprovat e jetës, rriten. Sa më shumë forcohet karakteri juaj, aq më shumë aftësoheni ju për të përfituar nga ushtrimi i fuqisë së besimit. Ju do të zbuloni se si besimi dhe karakteri ndërveprojnë për të forcuar njëri-tjetrin. Karakteri endet me durim nga fijet e parimeve, doktrinave dhe bindjes të zbatuara në jetë.
Presidenti Hug B. Braun ka thënë: “Kurdoherë në jetë që vlera të mëdha shpirtërore presin që njeriu t’i përvetësojë, vetëm besimi mund t’i përvetësojë ato. Njeriu nuk mund të jetojë pa besim, sepse në aventurën e jetës, problemi qendror është formimi i karakterit – që nuk është prodhim i logjikës, por i besimit në ideale dhe përkushtimit me flijim ndaj tyre” (në Conference Report, tetor 1969, f. 105). Ne e ushtrojmë besimin duke vepruar. Jozef Smithi tha se “besimi [është] parimi i veprimit dhe i fuqisë” (Lectures on Faith [1985], f. 72).
Ne bëhemi ajo çfarë dëshirojmë të jemi, duke qenë vazhdimisht ajo çfarë duam të bëhemi çdo ditë. Karakteri i drejtë është një shfaqje e çmuar e asaj që po bëheni. Karakteri i drejtë është më me vlerë se çfarëdo objekti material që zotëroni, çfarëdo njohurie që keni fituar nëpërmjet studimit, ose çfarëdo synimi që keni arritur, pavarësisht se sa lëvdohet nga njerëzimi. Në jetën tjetër, karakteri juaj i drejtë do të vlerësohet për të çmuar se sa mirë e keni përdorur privilegjin e vdekshmërisë.
As Satani as ndonjë fuqi tjetër nuk mund të dobësojë ose shkatërrojë karakterin tuaj në rritje. Vetëm ju mund ta bëni këtë me anë të mosbindjes. Një karakter i shkëlqyer kthehet në hi pa vlerë kur gërryhet nga mashtrimi ose shkelja.
Karakteri i fortë moral vjen nga zgjedhjet e vazhdueshme të drejta në sprovat dhe provat e jetës. Zgjedhje të tilla bëhen me besim në gjërat që besohen dhe që vërtetohen, kur veprohet mbi to.
Cilat janë disa nga parimet fuqizuese mbi të cilat bazohet besimi?
-
Mirëbesim në Perëndi dhe në gatishmërinë e Tij për të siguruar ndihmë kur është e nevojshme, pavarësisht sa sfiduese mund të jenë rrethanat.
-
Bindje ndaj urdhërimeve të Tij dhe një jetë që tregon se Ai mund t’ju mirëbesojë juve.
-
Ndjeshmëri ndaj nxitjes së qetë të Shpirtit.
-
Zbatim me kurajë i asaj nxitjeje.
-
Durim dhe kuptueshmëri kur Perëndia ju lë të mundoheni për t’u rritur dhe përgjigjet vijnë pak nga pak gjatë një periudhe të gjatë kohe.
“Besimi qëndron në gjërat që shpresohen dhe nuk shihen; prandaj mos dyshoni, sepse nuk shihni, pasi ju nuk do të merrni asnjë dëshmi, deri pas provës së besimit tuaj” (Ethëri 12:6). Kështu, çdo herë që ju provoni besimin tuaj – që domethënë, të veproni me denjësi sipas një përshtypjeje – ju do të merrni provën vërtetuese të Shpirtit. Kur veproni sipas kuptimit më të mirë prej jush të gjërave, por ende jeni të pasigurt për atë që duhet të bëni, nëse ushtroni besim, do të drejtoheni të gjeni zgjidhje që nuk do të mund t’i kishit gjetur në asnjë mënyrë tjetër. Madje dhe me besimin tuaj më të fortë, Perëndia nuk do t’ju shpërblejë gjithmonë ju menjëherë sipas dëshirave tuaja. Përkundrazi, Perëndia do të përgjigjet me atë çfarë është më e mira për ju në planin e Tij të përjetshëm, kur të japë dobinë më të madhe. Jini mirënjohës që nganjëherë Perëndia ju lë të mundoheni për një kohë të gjatë përpara se ajo përgjigje të vijë. Kjo bën që besimi juaj të shtohet dhe karakteri juaj të rritet.
Themeli i karakterit është ndershmëria. Karakteri i denjë do ta forcojë aftësinë tuaj për të njohur drejtimin e Shpirtit dhe për të qenë i bindur ndaj tij. Ushtrimi juaj i vazhdueshëm i besimit ndërton karakter të fortë. Një themel i sigurt për karakterin tuaj në rritje hidhet duke i bërë Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij, qendrën e jetës suaj.
Lumturia juaj në tokë, ashtu si dhe shpëtimi juaj i përjetshëm, kërkojnë shumë vendime të sakta, asnjëri prej të cilëve nuk është i vështirë për t’u marrë. Së bashku ato vendime do të farkëtojnë një karakter të qëndrueshëm ndaj ndikimeve gërryese të mëkatit dhe shkeljes. Karakteri fisnik është si një porcelan i çmuar, i përgatitur prej lëndëve të para të përzgjedhura, i formuar me besim, i punuar me kujdes nga veprime të drejta të vazhdueshme dhe i pjekur në furrën e përvojës lartësuese. Ai është një objekt me bukuri të madhe dhe vlerë tepër të çmuar. Përsëri, mund të dëmtohet në një çast me anë të shkeljes, duke kërkuar përpjekje të dhimbshme e të zgjatur që të rindërtohet. Kur mbrohet nga vetëkontrolli, karakteri i drejtë do të durojë në përjetësi.
Sendet materiale nuk prodhojnë në vetvete lumturi, kënaqësi dhe gëzimin e arritjes në tokë. As nuk na udhëheqin drejt ekzaltimit. Është fisnikëria e karakterit, ajo pëlhurë e forcës dhe e bindjes së brendshme, e endur nga vendime të drejta të panumërta, që i jep jetës drejtimin e saj. Një jetë e qëndrueshme dhe e drejtë prodhon një forcë dhe një fuqi të brendshme, që mund të jenë përherë të qëndrueshme ndaj ndikimit gërryes të mëkatit dhe shkeljes. Besimi juaj tek Jezu Krishti dhe bindja ndaj urdhërimeve të Tij do ta forcojnë karakterin tuaj. Karakteri juaj është një masë e asaj se çfarë po bëheni. Është treguesi se sa mirë po e përdorni ju kohën tuaj në tokë në këtë periudhë të provës në vdekshmëri.
Një aksiomë që e kuptojmë të gjithë, është që ju merrni atë për të cilën paguani. Kjo është e vërtetë edhe për çështjet shpirtërore. Ju do të merrni çfarë paguani me bindjen, me besimin në Jezu Krisht, me vënien në jetë me zell të të vërtetave që mësoni. Ajo çfarë merrni është formimi i karakterit, rritja në aftësi dhe përmbushja me sukses e qëllimit tuaj në vdekshmëri që të provoheni dhe të keni gëzim.
Ju nuk mund të jeni pasivë në jetë, përndryshe, njeriu i natyrshëm do të minojë përpjekjet tuaja për të jetuar denjësisht. Ju bëheni ajo çfarë bëni dhe çfarë mendoni. Mungesa e karakterit e çon dikë që është nën trysni të kënaqë orekset ose të kërkojë fitim personal. Nuk mund ta mbështesësh me sukses një karakter të dobët me mantelin e shtirjes.
Përfundimisht, dikush që merr vendime mbështetur tek rrethanat është pothuajse i sigurt që do të kryejë shkelje serioze. Nuk ka shufër hekuri të së vërtetës që ta mbajë atë person në udhën e drejtë. Ai ose ajo vazhdimisht do të përballet me shumë tundime delikate për të bërë shmangie nga urdhërimet. Ato zgjedhje justifikohen duke argumentuar se nuk janë aq të këqia, se janë më të pranueshme shoqërisht dhe se sigurojnë një bazë më të gjerë miqsh. Një individ i mençur, pa parime themelore, nganjëherë mund të sigurojë arritje të përkohshme, mbresëlënëse. Përsëri, ajo arritje është si një kështjellë prej rëre. Kur vjen prova e karakterit, ajo thërrmohet, shpesh duke marrë arritje të tjera me vete. Pavarësisht se me sa kujdes një shkelës mundohet ta mbajë të fshehur dhunimin e urdhërimeve, me kohë, thuajse gjithmonë ato bëhen të njohura publikisht. Satani vetë kujdeset për atë. Ai dhe puthadorasit e tij janë të vendosur t’i shkaktojnë dëmtimin më të madh të mundshëm secilit prej fëmijëve të Atit në Qiell. Një veprim serioz mosbindjeje ose dhunimi të mirëbesimit gjithmonë ngre pyetje nëse ka dhe të tjerë të tillë. Besimi dhe mirëbesimi i njerëzve të tjerë tek karakteri i atij individi dëmtohet.
Kjo jetë në vdekshmëri është një vend testimi. Mënyra se sa mirë i përmbushni sfidat e saj përcakton se sa i fortë do të jetë karakteri juaj. Besimi juaj tek Jezu Krishti dhe mësimet e Tij e forcon karakterin tuaj.
E kam vërtetuar personalisht se koncepte të tilla si besim, lutje, dashuri dhe përulësi nuk përmbajnë domethënie të madhe dhe nuk prodhojnë mrekulli derisa të bëhen një pjesë e gjallë e jona përmes vetë përvojës sonë, ndihmuar nga nxitjet e ëmbla të Shpirtit të Shenjtë. Në fillim të jetës sime zbulova se mund t’i mësoja mendërisht mësimet e ungjillit, dhe, përmes fuqisë së arsyes dhe analizës, ta pranoja se ato kishin vlerë thelbësore. Por fuqia dhe aftësia e tyre e pamasë për të më shtrirë përtej kufijve të përfytyrimit dhe aftësisë sime nuk u bë realitet derisa praktika e vazhdueshme me durim të lejonte Shpirtin e Shenjtë ta pikonte dhe ta zgjeronte kuptimin e tyre në zemrën time. Zbulova se, ndërsa po u shërbeja sinqerisht të tjerëve, Perëndia farkëtoi karakterin tim personal. Ai shkaktoi një aftësi në rritje për të njohur drejtimin e Shpirtit. Gjenia e planit të ungjillit është se duke bërë ato gjëra që Zoti na këshillon të bëjmë, neve na jepet çdo kuptueshmëri dhe çdo aftësi e nevojshme për të siguruar paqe dhe përmbushje të pasur në këtë jetë. Po ashtu, ne fitojmë përgatitjen e nevojshme për lumturinë e përjetshme në praninë e Zotit.
Një dëshmi forcohet me anë të mbresave shpirtërore që vërtetojnë vlefshmërinë e një mësimi, e një veprimi të drejtë. Shpesh një drejtim i tillë shoqërohet nga emocione të fuqishme që sjellin lot në sy dhe e vështirësojnë të folurin. Por dëshmia nuk është emocion. Është vetë thelbi i karakterit endur nga fije që prodhohen nga vendime të sakta e të panumërta. Këto zgjedhje bëhen me mirëbesim në gjërat që besohen dhe, të paktën fillimisht, nuk shihen. Një dëshmi e fuqishme jep paqe, ngushëllim dhe sigurim. Ajo lind bindjen se, kur u bindemi vazhdimisht mësimeve të Shpëtimtarit, jeta do të jetë e bukur, e ardhmja e sigurt dhe do të kemi aftësinë për të kapërcyer sfidat që kryqëzohen me shtegun tonë. Një dëshmi rritet ngaqë kuptohet e vërteta, që vjen ngadalë prej lutjes dhe meditimit të doktrinës së shkrimeve të shenjta. Ajo ushqehet duke i jetuar ato të vërteta me besim të ankoruar në sigurinë se rezultatet e premtuara do të merren.
Dëshmia juaj do të bëhet e fortë nëpërmjet bindjes me gatishmëri ndaj ligjit të së dhjetës e duke dhënë oferta agjërimi dhe Zoti do t’ju bekojë me bollëk për atë. Ndërsa dëshmia juaj forcohet, Satani do të përpiqet më fort që t’ju tundojë. Rezistojini përpjekjeve të tij. Ju do të bëheni më i fortë dhe ndikimi i tij mbi ju, më i dobët.
Ndikimi në rritje i Satanit në botë lejohet që të sigurojë një mjedis në të cilin ta provojmë veten. Ndërsa ai sot shkakton rrënim, fati përfundimtar i Satanit u përcaktua nga Jezu Krishti nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij. Djalli nuk do të triumfojë. Madje tani ai duhet të veprojë brenda kufijve të vendosur nga Zoti. Ai nuk mund ta marrë ndonjë bekim që është fituar. Ai nuk mund ta ndryshojë karakterin që është endur nga vendime të drejta. Ai nuk ka fuqi të shkatërrojë lidhjet e përjetshme të farkëtuara në një tempull të shenjtë midis një bashkëshorti, bashkëshortes dhe fëmijëve. Ai nuk mund ta shuajë besimin e vërtetë. Ai nuk mund ta marrë dëshminë tuaj. Po, këtë gjëra mund të humbasin prej dorëzimit ndaj tundimeve të tij. Por ai nuk ka fuqi në vetvete dhe prej vetvetes t’i shkatërrojë ato.
Për ta përmbledhur:
-
Perëndia përdor besimin tuaj për të formuar karakterin tuaj.
-
Karakteri është manifestimi i asaj çfarë po bëheni.
-
Karakteri i fortë rezulton nga zgjedhje të sakta të vazhdueshme.
-
Themeli i karakterit është ndershmëria.
-
Sa më shumë forcohet karakteri juaj, aq më shumë aftësoheni ju për të ushtruar fuqinë e besimit.
Përulësia është ajo cilësi që na lejon të marrim mësim nga lart nëpërmjet Shpirtit, ose të marrim mësim prej burimeve, origjina e të cilëve qe frymëzimi nga Zoti, të tilla si shkrimet e shenjta dhe komentet e profetëve. Përulësia është toka e çmuar, pjellore e karakterit të drejtë. Në të mbijnë farat e rritjes personale. Kur kultivohen nëpërmjet ushtrimit të besimit, krasiten me anë të pendimit dhe përforcohen me anë të bindjes dhe veprave të mira, fara të tilla prodhojnë frutin e dëshiruar të drejtimit shpirtëror. Fuqi dhe frymëzim hyjnor rezultojnë atëherë – frymëzim për të ditur vullnetin e Zotit, fuqi për të dhënë aftësinë që ta përmbushim atë vullnet të frymëzuar.
A më lejoni të ndaj katër parime që kanë sjellë ndjenjat më të thella të paqes dhe lumturisë në jetën time? Zoti ka vendosur këta gurë themeli në planin e Tij të përjetshëm dhe secili është thelbësor. Të gjithë funksionojnë së bashku në harmoni dhe e përforcojnë njëri-tjetrin. Kur zbatohen me zell dhe vazhdimësi, ata prodhojnë forcë karakteri, aftësi në rritje për t’i shndërruar sfidat e jetës në mjete përparimi për lumturinë, tani dhe përgjithmonë. Ata janë:
-
Besim tek Zoti Jezu Krisht dhe programi i Tij që të fitojmë fuqinë për të realizuar.
-
Pendim për të korrigjuar pasojat e gabimeve prej moskryerjes ose kryerjes.
-
Bindje ndaj urdhërimeve të Zotit për të siguruar forcë dhe drejtim në jetën tonë.
-
Shërbim vetëmohues për të pasuruar jetën e të tjerëve.
Nëse keni vendosur të jetoni drejtësisht, mos u shkurajoni. Jeta mund të duket e vështirë tani, por mbahuni fort tek ajo shufër prej hekuri e së vërtetës. Ju po bëni përparim më të mirë nga sa e kuptoni. Betejat tuaja po përcaktojnë karakterin, disiplinën dhe mirëbesimin në premtimet e Atit tuaj në Qiell dhe të Shpëtimtarit, kur ju u bindeni vazhdimisht urdhërimeve të Tyre. Fryma e Shenjtë ju nxistë që të merrni vazhdimisht vendime, të cilat e forcojnë karakterin tuaj dhe prodhojnë shumë gëzim e lumturi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.