2010–2019
“Ejani tek Unë me Qëllim të Plotë të Zemrës, dhe Unë Do t’Ju Shëroj”
Tetor 2010


“Ejani tek Unë me Qëllim të Plotë të Zemrës, dhe Unë Do t’Ju Shëroj”

Shpëtimtari ynë është Princi i Paqes, Shëruesi i Madh, i Vetmi që mund të na pastrojë vërtet nga thumbi i mëkatit.

Sonte dëshiroj të ndaj një mesazh ngushëllimi dhe shërimi me këdo prej jush që ndihet i vetmuar a i braktisur, që ka humbur paqen e mendjes a të zemrës ose që ndihet sikur ka hedhur tej mundësinë e tij të fundit. Shërimi i plotë dhe paqja mund të gjenden te këmbët e Shpëtimtarit.

Kur isha një djalë shtatëvjeçar e jetoja në Gadishullin Arabik, prindërit më thonin rregullisht t’i vishja gjithnjë këpucët, dhe unë e kuptoja përse. E dija që këpucët do të më mbronin këmbët nga kërcënimet e shumta që gjendeshin në shkretëtirë, si gjarpërinj, akrepa dhe gjemba. Një mëngjes, pas një kampimi nate në shkretëtirë, doja të dilja për eksplorim, por nuk doja të bezdisesha duke veshur këpucët. Arsyetova që po shkoja vetëm për pak shëtitje dhe do të qëndroja afër kampit. Kështu, në vend të këpucëve vesha pantofla. Thoja me vete se pantoflat këpucë ishin – njëfarësoj. E çfarë do të mund të ndodhte vallë?

Ndërsa ecja nëpër rërën e freskët – me pantofla – ndjeva diçka si gjemb që u fut në harkun e shputës sime. Vështrova poshtë dhe pashë jo një gjemb, por një akrep. Ndërsa mendja ime fiksonte akrepin dhe unë kuptova atë që sapo kishte ndodhur, dhimbja e thumbimit nisi të ngjitej nga shputa deri lart këmbës. Shtrëngova pjesën e sipërme të këmbës në përpjekje për të ndalur përhapjen e dhimbjes dhe thirra fort për ndihmë. Prindërit e mi erdhën nga kampi duke vrapuar.

Teksa babai goditi me një lopatë akrepin, një mik që po kamponte me ne, u përpoq heroikisht të thithte helmin nga këmba ime. Në atë çast mendova se unë do të vdisja. Rënkoja ndërsa prindërit më hipën në makinë e u lëshuan me shpejtësi të lartë nëpër shkretëtirë drejt spitalit më të afërt, i cili ishte mbi dy orë larg. Dhimbja në gjithë gjatësinë e këmbës ishte torturuese dhe, gjatë gjithë asaj udhe, mendoja se unë po vdisja.

Kur më në fund mbërritëm në spital, doktori, megjithatë, mundi të na siguronte se vetëm fëmijët e vegjël dhe njerëzit fare të kequshqyer kërcënohen nga pickimi i atij lloj akrepi. Ai përdori një anestezik, i cili e mpiu këmbën dhe ma largoi ndjesinë e dhimbjes. Brenda 24 orëve nuk pata më ndonjë ndikim nga thumbi i akrepit. Por kisha mësuar një mësim të fuqishëm.

E kuptova që, kur prindërit më thonin të vishja këpucë, nuk e kishin fjalën për pantofla; isha aq i rritur sa të dija se pantoflat nuk sigurojnë të njëjtën mbrojtje si këpucët. Por atë mëngjes në shkretëtirë, nuk mora parasysh atë që e dija se ishte e drejtë. Nuk mora parasysh atë që prindërit më kishin mësuar vazhdimisht. U tregova edhe përtac, edhe paksa rebel, dhe pagova një çmim për këtë.

Ndërsa ju flas ju të rinjve guximtarë, etërve, mësuesve dhe miqve tuaj, i shpreh respektin gjithkujt që po përpiqet me zell që të bëhet ashtu siç i nevojiteni e siç ju dëshiron Zoti. Por dëshmoj nga vetë përvoja ime e djalërisë dhe si burrë se mospërfillja e asaj që ne dimë se është e drejtë, qoftë nga përtacia apo mosbindja, sjell gjithmonë pasoja të padëshirueshme dhe shpirtërisht dëmtuese. Jo, tek e fundit, akrepi nuk e kërcënoi jetën time, por shkaktoi dhimbje e ankth të jashtëzakonshëm si për mua, edhe për prindërit e mi. Kur vjen puna tek mënyra se si e jetojmë ne ungjillin, nuk duhet të reagojmë me dembelizëm ose me mosbindje.

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit e si mbajtës të priftërisë ne i dimë urdhërimet dhe standardet për të cilat kemi besëlidhur t’i përkrahim. Kur ne zgjedhim shteg tjetër nga ai që dimë se është i drejtë, siç na e mësojnë prindërit dhe udhëheqësit tanë dhe siç na pohohet nga Fryma e Shenjtë në zemrën tonë, është si të shkelësh rërën e shkretëtirës me pantofla në vend të këpucëve. Atëherë, kërkojmë të shfajësojmë sjelljen tonë përtace ose rebele. I themi vetes se vërtet nuk po bëjmë asgjë aq të gabuar, se kjo nuk ka shumë rëndësi dhe se askurrgjë aq e keqe nuk do të rrjedhë duke u larguar vetëm për pak nga shufra e hekurt. Ndoshta ngushëllojmë veten me mendimin se kushdo tjetër po vepron ashtu – ose po vepron më keq – dhe neve gjithsesi nuk do të na prekë negativisht. E bindim disi veten që ne bëjmë përjashtim nga rregulli dhe, prandaj, jemi të paprekshëm nga pasojat e thyerjes së tij. Ne refuzojmë, ndonjëherë qëllimisht, të jemi “përpikërisht të bindur” – siç thuhet te libri Predikoni Ungjillin Tim – dhe një pjesë të zemrës sonë nuk ia japim Zotit. Dhe atëherë thumbohemi.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se “Zoti kërkon zemrën dhe ne urdhërohemi ta duam Zotin e t’i shërbejmë me “gjithë zemrën [tonë]”. Premtimi është që ne “[mund të qëndrojmë] të pafaj përpara Perëndisë në ditën e fundit” e të rikthehemi në praninë e Tij.

Anti-Nefi-Lehitët, te Libri i Mormonit, i groposën armët e tyre të luftës thellë në tokë, duke besëlidhur që të mos i merrnin më kurrë armët kundër vëllezërve të tyre. Por bënë më shumë se kaq. “Ata u bënë një popull i drejtë”, sepse “ata ulën armët e rebelimit të tyre dhe nuk luftuan më kundër Perëndisë”. Kthimi i tyre në besim qe aq i plotë e aq i thellë, saqë ata “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre”.

Por, përpara kthimit të tyre në besim, kujtoni gjendjen e tyre: ata jetonin në atë që shkrimet e shenjta e quajnë “rebelim të hapur kundër Perëndisë”. Zemrat e tyre rebele i kishin dënuar të jetonin “në një gjendje të kundërt nga natyra e lumturisë”, ngaqë ata kishin “vajtur në udhën e kundërt nga ajo e natyrës së Perëndisë”.

Kur ulën armët e tyre të rebelimit, ata u bënë të pranueshëm për shërimin dhe paqen e Zotit, e ashtu mundim dhe ne. Shpëtimtari garanton: “Nëse ata nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre dhe nuk i forcojnë kokat e tyre kundër meje, ata do të kthehen në besim dhe unë do t’i shëroj. Ju dhe unë mund ta pranojmë ftesën e Tij: të “[ktheheni e pendoheni dhe të vini] tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do [t’ju] shëroj”.

Krahasojeni këtë shërim të mrekullueshëm me atë që ndodh “kur përpiqemi t’i mbulojmë mëkatet tona ose të kënaqim krenarinë tonë [apo] ambicien tonë të kotë. … Qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet”; dhe ne lihemi të vetëm “për të goditur me shkelm gjembat … dhe për të luftuar kundër Perëndisë”.

Vëllezër, ne gjejmë shërim dhe lehtësim vetëm kur sjellim vetveten te këmbët e Mjekut të Madh, Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Duhet të ulim armët e rebelimit (e secili nga ne e di se cilat janë ato). Duhet të braktisim mëkatin, kotësinë dhe krenarinë tonë. Duhet të heqim dorë nga dëshirat e ndjekjes së botës dhe të respekteve e lëvdatave nga bota. Duhet të pushojmë së luftuari kundër Perëndisë dhe, në vend të kësaj, t’ia japim Atij të gjithë zemrën, pa i mbajtur asgjë. Atëherë Ai mundet të na shërojë. Atëherë Ai mundet të na pastrojë nga thumbi helmues i mëkatit.

“Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij”.

Presidenti Xhejms E. Faust na mësoi:

“Kur bindja bëhet qëllimi ynë, ajo nuk është më një ngacmim; në vend të një guri pengese, ajo bëhet gur ndërtimi. …

… Bindja çon drejt lirisë së vërtetë. Sa më shumë t’i bindemi së vërtetës së zbuluar, aq më të çliruar bëhemi”.

Javën e kaluar u takova me një burrë 92-vjeçar i cili kishte marrë pjesë në shumë nga fushatat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Ai u pati mbijetuar tre plagosjeve, një nga të cilat qe nga shpërthimi i një mine tokësore ndaj makinës me të cilën po udhëtonte, i cili vrau shoferin. Ai mësoi se, që të mbijetosh në fushën e minuar, duhen ndjekur me përpikëri gjurmët e lëna nga makina që shkon para jush. Çdo shmangie djathtas apo majtas mundet – dhe, në fakt, arriti – të rezultojë fatale.

Profetët dhe apostujt tanë, udhëheqësit dhe prindërit vazhdimisht vënë në dukje udhën që duhet të ndjekim, nëse duam të shmangnim një shpërthim shkatërrues për shpirtin tonë. Ata e dinë shtegun që ka qenë spastruar i sigurt nga minat (apo, në të vërtetë, nga akrepat) dhe pa u lodhur na ftojnë që të ecim pas tyre. Ka aq shumë gracka shkatërrimtare për të na tërhequr ne nga udha. Endja pas drogave, alkoolit, pornografisë ose sjelljes imorale në internet apo në lojëra elektronike, do të na prijë drejtpërdrejt në një shpërthim. Shmangia në të djathtë a në të majtë të udhës së sigurt para nesh, qoftë për shkak të përtacisë ose të mosbindjes, mund të rezultojë fatale për jetën tonë shpirtërore. Nuk ka përjashtime ndaj këtij rregulli.

Nëse jemi shmangur nga udha, ne mund të ndryshojmë, ne mund të rikthehemi e mund të rimarrim gëzimin tonë dhe paqen tonë të brendshme. Do të zbulojmë se rikthimi tek udha së cilës i janë hequr minat tokësore, sjell lehtësim të pamasë.

Asnjë nuk mund të gjejë paqe në një fushë të minuar.

Shpëtimtari ynë është Princi i Paqes, Shëruesi i Madh, i Vetmi që mund të na pastrojë vërtet nga thumbi i mëkatit dhe helmi i krenarisë e ta kthejë zemrën tonë të pabindur në zemër besëlidhjeje e të kthyer në besim. Shlyerja e Tij është e pafundme dhe na përfshin të gjithëve.

Ftesa që iu bë nefitëve, kur Ai kreu shërbesë për ta si Krisht i ringjallur, është ende në fuqi për ju dhe për mua: “A ka mes jush ndonjë që është i sëmurë? Silleni këtu. A ka ndonjë që është i çalë ose i verbër, ose i gjymtë, ose sakat, ose i lebrosur, ose i deformuar, ose i shurdhër, ose i prekur në ndonjë mënyrë? I sillni këtu dhe unë do t’i shëroj ata.

Asnjë prej jush nuk e ka hedhur tej mundësinë e tij të fundit. Ju mund të ndryshoni, ju mund të ktheheni, ju mund të pretendoni mëshirë. Ejani tek i Vetmi i cili mund të shërojë dhe ju do të gjeni paqe. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), ana e brendshme e kapakut të prapmë.

  2. Doktrina e Besëlidhjet 64:34; kursivet janë theksime.

  3. Doktrina e Besëlidhjet 4:2; 59:5; kursivet janë theksime.

  4. Doktrina e Besëlidhje 4:2.

  5. Alma 23:7; kursivet janë theksime.

  6. Alma 23:6.

  7. Mosia 2:37; Alma 3:18; shih edhe Mormoni 2:15.

  8. Alma 41:11.

  9. Doktrina e Besëlidhjet 112:13; kursivet janë theksime.

  10. 3 Nefi 18:32.

  11. Doktrina e Besëlidhje 121:37, 38.

  12. Gjoni 3:17

  13. James E. Faust, “Obedience: The Path to Freedom”, Liahona, korrik 1999, f. 55, 53; Ensign, maj 1999, f. 47, 45.

  14. 3 Nefi 17:7; kursivet janë theksime.