O, Ai Plani Dredharak i të Ligut
Ka shpresë për personat e rënë në varësi dhe kjo shpresë vjen përmes Shlyerjes së Zotit Jezu Krishti.
Vëllezër dhe motra, mbërritja e stinës së vjeshtës këtu në Malet Shkëmbore, sjell me vete ngjyrat e shkëlqyera të gjetheve që, nga të gjelbra, shndërrohen në ngjyra të ndezura portokalli, të kuqe e të verdhë. Gjatë vjeshtës e gjithë natyra është në një gjendje kalimtare, në përgatitje për bukurinë e ashpër e të ftohtë të dimrit.
Vjeshta është një kohë veçanërisht emocionuese për peshkatarët që gjuajnë me karrema artificialë, pasi kjo është koha që troftat nxiten nga një uri pothuaj e pangopur për t’u ushqyer, në mënyrë që të fuqizojnë trupin ndaj mungesës së ushqimit dimëror.
Qëllimi i një peshkatari të tillë është që ta zërë troftën nëpërmjet një mashtrimi të zotë. Peshkatari i aftë studion sjelljen e troftës, të motit, të rrymës së ujit dhe të llojeve të insekteve që trofta ha dhe se kur insektet çelin. Ai shpeshherë do t’i përgatisë me dorë karremat që përdor. Ai e di se këto insekte artificialë, ku kanë futur grepa të imët, duhet të jenë një mashtrim i përkryer, sepse trofta do të dallonte edhe të metën më të vockël dhe nuk do ta pranonte karremin.
Ç’rrënqethje është të vështrosh një troftë të çajë sipërfaqen e ujit, të rrufisë karremin dhe të rezistojë derisa më në fund të lodhet dhe të tërhiqet me rrokel. Gara qëndron tek ndeshja e njohurisë dhe e aftësisë së peshkatarit kundrejt troftës fisnike.
Përdorimi i karremave artificialë për ta gabuar dhe zënë peshkun, është një shembull i mënyrës si Luciferi shpeshherë na tundon, mashtron e përpiqet të na fusë në kurth.
Sikurse peshkatari i karremave artificialë, i cili e di që troftat nxiten nga uria, Luciferi e njeh “urinë” ose dobësitë tona dhe na tundon me karrema të rremë të cilat, nëse i marrim, mund të shkaktojnë shkëputjen tonë nga përroi i jetës tek ndikimi i tij i pamëshirshëm. Dhe ndryshe nga peshkatari i karremave artificialë, i cili e zë dhe sërish e lëshon peshkun të padëmtuar në ujë, Luciferi nuk lejon vullnetarisht që të ikësh. Synimi i tij është që ta bëjë viktimën të mjerë aq sa është vetë.
Lehi tha: “Dhe për shkak se ai [Luciferi] kishte rënë nga qielli dhe ishte bërë i mjeruar përgjithmonë, ai kërkoi gjithashtu mjerimin e të gjithë njerëzimit” (2 Nefi 2:18).
I shtoj sot zërin tim zërave të Vëllezërve të mi se Luciferi është një inteligjencë e zgjuar dhe dinake. Një nga mënyrat që ai përdor kundër nesh, është aftësia e tij për të gënjyer e mashtruar, që të na bindë se e keqja është e mirë dhe e mira është e keqe. Pikërisht që nga fillimi, në Këshillin në Qiell, Satani “kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij. …
Dhe ai u bë Satani, po, madje djalli, ati i të gjitha gënjeshtrave, për të mashtruar dhe verbuar njerëzit dhe për t’i bërë ata robër të vullnetit të tij” (Moisiu 4:3–4).
Beteja lidhur me lirinë e zgjedhjes të dhënë njeriut nga Perëndia, sot vazhdon. Satani dhe të bindurit e tij kanë karremat e tyre kudo rreth nesh, duke shpresuar që ne të lëkundemi dhe të marrim karremat artificialë të tij, në mënyrë që të na zërë me mjete të falsifikuara. Ai përdor varësinë për të vjedhur lirinë e zgjedhjes. Sipas fjalorit, varësia e çdo lloji do të thotë të dorëzohesh ndaj diçkaje, kësisoj duke hequr dorë nga liria e zgjedhjes e duke u bërë i varur nga ndonjë substancë ose sjellje jetëshkatërruese.
Studiuesit na thonë se në trurin tonë ka një mekanizëm të quajtur qendra e kënaqësisë. Kur aktivizohet nga disa droga apo sjellje, ajo mposht pjesën e trurit që sundon forcën e vullnetit, gjykimin, logjikën dhe moralin tonë. Kjo e çon personin e rënë në varësi në braktisjen e asaj që ai ose ajo e di se është e drejtë. Dhe, kur kjo ndodh, grepi është vendosur dhe Luciferi merr kontrollin.
Satani di si t’i shfrytëzojë e të na zërë në kurth me substanca dhe sjellje artificiale të kënaqësisë së përkohshme. Kam vëzhguar ndikimin që ndodh kur dikush mundohet të fitojë sërish kontrollin, për t’u çliruar nga abuzimi dhe varësia shkatërruese e për të rifituar vetërespektin dhe pavarësinë.
Disa nga drogat vesformuese që, nëse me to abuzohet, mund të rrëmbejnë trurin dhe të heqin lirinë e zgjedhjes, përfshijnë: nikotinën; droga me bazë opiumin – heroina, morfina dhe qetësues të tjerë dhembjesh; qetësuesit nervorë; kokainën; alkoolin; marijuanën; dhe metamfetaminën.
Unë jam mirënjohës për doktorët që janë trajnuar për të këshilluar mjekime të përshtatshme për të lehtësuar dhembjen dhe vuajtjen. Fatkeqësisht, shumë nga komunitetet tona sot, përfshirë dhe disa nga anëtarët tanë, bien në varësi dhe më pas abuzojnë me mjekimet e këshilluara. Luciferi, ati i gjithë gënjeshtrave, e di këtë dhe përdor ndikimin e tij për të vjedhur lirinë e zgjedhjes së dikujt dhe e zë abuzuesin me zinxhirët e tij të tmerrshëm (shih 2 Nefi 28:22).
Para pak kohe, fola me një motër e cila ndodhej në njësinë e psikiatrisë të një spitali lokal. Ajo më tregoi udhëtimin e saj të trishtë, nga shëndeti i saj i plotë mendor dhe fizik, martesa dhe familja e saj e mrekullueshme, deri në sëmundjen mendore, shëndetin dobësues dhe shkatërrimin e familjes së saj – ku që të gjitha filluan me abuzimin me qetësues dhembjesh të dhënë me recetë.
Dy vjet përpara bisedës sonë, ajo e lëndoi shpinën në një aksident me makinë. Mjeku i saj i këshilloi një mjekim për të qetësuar dhembjen pothuajse të padurueshme. Ajo mendoi se i nevojitej diçka më shumë, prandaj falsifikoi recetat dhe përfundimisht vazhdoi me blerjen e heroinës. Kjo çoi në ndalimin dhe burgosjen e saj. Mania e saj me drogat bëri që martesa të dështojë. Bashkëshorti i saj e ndau dhe mbajti kujdestarinë e fëmijëve. Ajo më tregoi që, përveç ndihmës për të topitur dhimbjen e saj, drogat gjithashtu siguronin një ndjesi kohëshkurtër, por të shtuar euforie dhe mirëqenieje. Por secila dozë e drogave zgjaste vetëm pak orë dhe, me çdo përdorim, zgjatja e qetësimit dukej se pakësohej. Ajo filloi të merrte droga gjithnjë e më shumë dhe u kap nga cikli i mbrapshtë i varësisë. Drogat u bënë jeta e saj. Një natë para se të flisja me të, ajo u përpoq të vetëvritej. Ajo tha se nuk mund të luftonte më me dhembjen fizike, emocionale dhe shpirtërore. Ndihej e zënë në grackë, pa asnjë rrugëdalje – pa asnjë shpresë.
Problemi i kësaj motre me abuzimin me ilaçet e recetës dhe të tjera, nuk është i veçantë; ai po ndodh gjithkund rreth nesh. Në disa vende vdesin më shumë njerëz nga abuzimi me ilaçet e recetës, sesa vdesin nga aksidente automobilistike. Vëllezër dhe motra, qëndroni larg nga çdo lloj substance që mund t’ju fusë në kurth. Madje edhe një rrufitje e diçkaje ose një tabletë apo një e pirë e alkoolit, mund të çojë në vesformim. Një i alkoolizuar që po shërohej më tregoi se një e pirë e vetme përbën ndryshimin mes varësisë dhe mendjekthjelltësisë. Satani e di këtë. Mos e lejoni t’ju kapë me karremat e tij artificialë, që me të shpejtë mund të kthehen në varësi.
Tani, vëllezër e motra, ju lutem të mos e keqkuptoni atë që po them. Unë nuk po vë në dyshim mjekimet e këshilluara për ata që vuajnë me sëmundje të trajtueshme apo dhembje të mëdha fizike. Ato janë vërtet një bekim. Ajo që unë po them është që duhet të ndjekim me kujdes dozat e këshilluara nga mjekët. Dhe nevojitet që mjekime të tilla t’i mbajmë në një vend të sigurt, ku fëmijët apo tjetërkush të mos arrijë t’i marrë.
Ekziston gjithashtu një shqetësim i madh lidhur me disa nga sjelljet dëmtuese e vesformuese si kumari dhe e keqja e pornografisë, që janë aq shkatërruese për personin dhe aq të shfrenuara në shoqërinë tonë. Kujtoni, vëllezër e motra, çdo lloj varësie është t’i dorëzohesh diçkaje, kësisoj hiqet dorë nga liria e zgjedhjes e bëhesh i varur. Kështu, lojërat elektronike dhe mesazhet në celularë i duhen shtuar listës. Disa lojtarë deklarojnë se shpenzojnë deri në 18 orë në ditë duke kaluar nivel pas niveli në lojën elektronike, duke neglizhuar të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre. Mesazhet në celularë mund të bëhen një varësi, duke shkaktuar që komunikimi i rëndësishëm ndërpersonal dhe njerëzor të zhduket. Jo shumë kohë më parë, një peshkop më tregoi se dy nga të rinjtë e tij po qëndronin pranë e pranë duke i shkruar mesazhe njëri-tjetrit, në vend që të flisnin me njëri-tjetrin.
Studimi mjekësor e përshkruan varësinë si “një sëmundje të trurit”. Kjo është e vërtetë, por unë besoj që, kur Satani e ka futur dikë në dorë, ajo bëhet gjithashtu një sëmundje e shpirtit. Por, pavarësisht se në çfarë cikli varësie është kapur dikush, ka gjithnjë shpresë. Profeti Lehi u mësoi bijve të tij këtë të vërtetë hyjnore: “Kështu që, njerëzit janë të lirë sipas mishit; dhe të gjitha gjërat u janë dhënë atyre të cilat janë të nevojshme për njeriun. Dhe ata janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit” (2 Nefi 2:27).
Nëse dikush që ka rënë në varësi, ka dëshirë ta mposhtë vesin, atëherë ka një rrugë drejt lirisë shpirtërore – një mënyrë për të shpëtuar nga robëria – një rrugë që është e provuar. Ajo fillon me lutjen – komunikimin e sinqertë, të zjarrtë dhe të vazhdueshëm me Krijuesin e shpirtrave dhe të trupave tanë, Atin tonë Qiellor. Është i njëjti parim si në ndërprerjen e një zakoni të keq apo në pendimin për mëkatin e çfarëdo lloji. Formula për shndërrimin e zemrës sonë, trupit tonë, mendjes sonë dhe shpirtit tonë gjendet në shkrimet e shenjta.
Profeti Mormon na këshilloi: “Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutjuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me dashurinë e tij … që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; … që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër” (Moroni 7:48).
Ky dhe shumë shkrime të shenjta të tjera na dëshmojnë se ka shpresë për personin që ka rënë në varësi dhe kjo shpresë vjen përmes Shlyerjes së Zotit Jezu Krishti e duke u përulur përpara Perëndisë, duke u përgjëruar për t’u çliruar nga robëria e varësisë dhe duke ofruar gjithë shpirtin tonë tek Ai në lutje të zjarrtë.
Udhëheqësit e priftërisë mund të ndihmojnë teksa ata që kanë varësi kërkojnë këshillë prej tyre. Aty ku është e nevojshme, ata mund t’i adresojnë tek këshilluesit e kualifikuar e të licensuar dhe tek LDS Family Services (Shërbimet Familjare të SHDM). Programi i shërimit nga varësia, i përshtatur nga 12 hapat origjinalë të organizatës Alcoholics Anonymous (Të Alkoolizuarit Anonimë), mund të merret pa vështirësi përmes Shërbimeve Familjare të SHDM.
Për ata që po luftojnë me varësinë në mënyrë vetjake apo brenda familjes suaj, e përsëris, lutja e zjarrtë është çelësi në fitimin e forcës shpirtërore për të gjetur paqen dhe mposhtur një dëshirim vesformues. Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij, prandaj, falënderojeni dhe shprehni besim të sinqertë në Të. Kërkojini Atij forcë për të mposhtur varësinë që po përjetoni. Lëreni mënjanë gjithë krenarinë dhe kthejeni jetën tuaj dhe zemrën tuaj drejt Tij. Kërkoni të mbusheni me fuqinë e dashurisë së pastër të Krishtit. Mund të duhet ta bëni këtë shumë herë, por ju dëshmoj se trupi, mendja dhe shpirti juaj mund të shndërrohen, të pastrohen e të shërohen dhe ju do të çliroheni. Jezusi tha: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).
Ngaqë synimi ynë është që të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë dhe, përfundimisht, të bëhemi të pranueshëm për të jetuar me Atin tonë Qiellor, secili nga ne duhet të përjetojë në zemër ndryshimin e fuqishëm që përshkruhet nga profeti Alma në Librin e Mormonit (shih Alma 5:14). Dashuria jonë për Atin tonë Qiellor dhe Zotin Jezu Krishti duhet të pasqyrohet në zgjedhjet dhe veprimet tona të përditshme. Ata kanë premtuar paqe, gëzim dhe lumturi për ata të cilët i zbatojnë urdhërimet e Tyre.
Vëllezër dhe motra, qofshim ne të gjithë të vetëdijshëm për karremat artificialë që na paraqiten nga peshkatari i shtirë i njerëzve, Luciferi. Paçim urtësinë dhe mprehtësinë shpirtërore për të dalluar e kundërshtuar ofertat e tij të shumta të rrezikshme.
E për ata prej jush të cilët kanë rënë pre e ndonjë lloj varësie, ka shpresë, sepse Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe sepse Shlyerja e Zotit Jezu Krishti i bën të mundura të gjitha gjërat.
E kam parë bekimin e mrekullueshëm të shërimit që e bën dikë të lirë nga zinxhirët e varësisë. Zoti është Bariu ynë dhe nuk do të na mungojë gjë kur ne mirëbesojmë në fuqinë e Shlyerjes. E di që Zoti mund t’i çlirojë e do t’i çlirojë nga robëria personat e rënë në varësi, sepse, ashtu siç shpalli Apostulli Pal, “unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Lutem që kjo, vëllezër e motra, të mund të jetë kështu për ata që mund të jenë duke luftuar me këtë sfidë në këtë kohë të jetës së tyre dhe lutem kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.