Pikërisht Mbijetesa Jonë
Paçim urtësinë që të mirëbesojmë e të ndjekim këshillën e profetëve e të apostujve të gjallë.
Dimri i 1848-ës ishte i vështirë dhe sfidues për kolonët pionierë në Luginën e Solt-Lejkut. Gjatë verës së 1847-ës Brigam Jangu pati deklaruar se shenjtorët më në fund kishin prekur vendmbërritjen e tyre. “Ky është vendi i duhur”, tha Brigam Jangu, të cilit në vegim i qe shfaqur se ku do të vendoseshin shenjtorët. Anëtarët e hershëm të Kishës kishin duruar fatkeqësi të pamasa kur Rivendosja e ungjillit shpalosej. Ata qenë përzënë nga shtëpitë e tyre, përndjekur dhe gjurmuar pa pushim. Kishin vuajtuar mundime të patreguara, ndërsa kapërcenin rrafshinat. Por tashmë ata ndodheshin më në fund në “vendin e duhur”.
E, sidoqoftë, dimri i vitit 1848 kishte qenë jashtëzakonisht i ashpër. Dimri kish qenë kaq i ftohtë, sa këmbët e disa njerëzve patën ngrirë keqas. Një shpirt parehatie filloi të zbriste mbi shenjtorët. Disa anëtarë të Kishës u shprehën se nuk do t’i ndërtonin shtëpitë e veta në luginë. Ata donin të rrinin në karrocat e tyre, sepse ishin të sigurt që udhëheqja e Kishës do t’u printe më tej në ndonjë vend më të mirë. Ata patën sjellë farëra dhe bimë frutore, por nuk guxonin t’i humbisnin duke i mbjellë në djerrinën e shkretëtirës shterpë. Xhim Brixher, një eksplorues i mirënjohur i kohës, i tha Brigam Jangut se do të jepte një mijë dollarë për të parën sasi misri të rritur në Luginën e Solt-Lejkut, sepse ai thoshte që kjo nuk mund tё bëhej.
Për t’i ndërlikuar gjërat, sapo ishte zbuluar ar në Kaliforni. Disa anëtarë të Kishës përfytyruan se jeta do të qe më e thjeshte e më e begatë nëse do të lëviznin drejt Kalifornisë në kërkim të pasurive dhe të një klime më të mirë.
Nën këtë re të pakënaqësisë, Brigam Jangu iu drejtua anëtarëve të Kishës. Ai bëri të ditur:
“[Kjo luginë] është vendi që Perëndia i ka caktuar popullit të Tij.
Ne na kanë hedhur nga tigani në zjarr, nga zjarri në mes të dyshemesë dhe ne ja ku jemi dhe këtu do të qëndrojmë. Perëndia më ka treguar që ky është vendi për të vendosur popullin e Tij dhe pikërisht këtu ata do të përparojnë; Ai do t’i zbusë elementet për të mirën e shenjtorëve të Tij; Ai do ta qortojë acarin dhe shterpësinë e truallit dhe vendi do të bëhet i frytshëm. Vëllezër, shkoni, që tani, dhe mbillni … farërat që keni.”
Përveç premtimit të këtyre bekimeve, Presidenti Brigam Jang shpalli se Lugina e Solt-Lejkut do të bëhej e njohur si një rrugë drejt kombeve. Mbretërit dhe perandorët do të vizitonin vendin. Më e mira e të gjithave, tempulli i Zotit do të ngrihej.
Këto ishin premtime të jashtëzakonshme. Shumë anëtarë të Kishës patën besim tek profecitë e Brigam Jangut, kurse të tjerë mbetën skeptikë dhe ikën për atë që e mendonin se do të ishte jetë më e mirë. Tashmë historia ka treguar se çdo profeci që Brigam Jangu shpalli ka ndodhur. Lugina lulëzoi dhe prodhoi. Shenjtorët u begatuan. Dimri i vitit 1848 ishte për Zotin një katalizator i madh që t’i mësonte popullit të Tij një mësim të çmuar. Mësuan – siç duhet të mësojmë të gjithë – se e vetmja rrugë e sigurt dhe e garantuar drejt mbrojtjes në këtë jetë, vjen nëpërmjet mirëbesimit dhe bindjes ndaj këshillës së ardhur nga profetët e Perëndisë.
Sigurisht që një nga bekimet kurorëzuese të anëtarësimit në këtë Kishë, është bekimi që të udhëhiqemi nga profetë të gjallë të Perëndisë. Zoti ka shpallur: “Kurrë nuk ka përveçse një njeri mbi tokë gjatë një kohe, mbi të cilin kjo fuqi dhe çelësat e kësaj priftërie jepen”. Profeti dhe Presidenti i Kishës sot, Tomas S. Monson, merr fjalën e Perëndisë për të gjithë anëtarësinë e Kishës dhe për botën. Veç kësaj, ne mbështesim si profetë, shikues dhe zbulues këshilltarët në Presidencinë e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Me këmbët e ngrira dhe tokën shterpë, atyre shenjtorëve sigurisht u nevojitej besim për të mirëbesuar te profeti i tyre. Pikërisht mbijetesa dhe jeta e tyre ishte në fije të perit. Megjithatë, Zoti e shpërbleu bindjen e tyre dhe i bekoi e i begatoi ata që e ndoqën gojën e Tij.
Dhe Zoti bën sot të njëjtën gjë për ju dhe mua. Kjo botë është përplot me kaq shumë libra për vetëndihmë, kaq shumë ekspertë të vetëshpallur, kaq shumë teoricienë, mësues dhe filozofë që kanë të japin rekomandime dhe këshilla për çfarëdo e gjithçka. Me teknologjinë e sotme mund të merret informacion mbi një mori çështjesh me një të rënë të tastës. Është lehtë që të biesh në grackën e kërkimit të këshillës te “krahu i mishtë”, për gjithçka, nga mënyra e rritjes së fëmijëve deri te mënyra e gjetjes së lumturisë. Ndërkohë që disa informacione kanё vlerë, ne, si anëtarë të Kishës, mund të marrim tek burimi i së vërtetës së pastër, madje tek Perëndia Vetë. Do të bënim mirë t’i kërkonim përgjigjet e problemeve dhe pyetjeve tona duke hetuar atë që na ka zbuluar Zoti përmes profetëve të Tij. Me po atë teknologji të sotme, ne arrijmë që thjesht me gishtërinjtë tanë të gjejmë fjalët e profetëve thuajse për çdo temë. Çfarë na ka mësuar Perëndia nëpërmjet profetëve të Tij mbi martesën dhe familjen? Çfarë na ka mësuar përmes profetëve të Tij mbi arsimimin dhe jetesën me maturi? Çfarë na ka mësuar përmes profetëve të Tij mbi lumturinë dhe ndjenjën e plotësimit vetjak?
Ajo që na mësojnë profetët, disave mund t’u duket e vjetëruar, jopopullore ose madje e pamundur. Por Perëndia është Perëndi i rregullit dhe ka vendosur një sistem përmes të cilit mund të dimë vullnetin e Tij. “Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve”. Në çeljen e kësaj periudhe, periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve, Zoti ripohoi që do të komunikonte me ne përmes profetëve të Tij. Ai shpalli: “Fjala ime … do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”.
Të mirëbesosh e të ndjekësh profetët, është më shumë se bekim e privilegj. Presidenti Ezra Taft Benson bëri të ditur se “[pikërisht] shpëtimi ynë varet” te ndjekja e profetit. Ai ka cilësuar ato që i quajti “Katërmbëdhjetë Pikat Themelore në Ndjekjen e Profetit”. Në sesionin e këtij mëngjesi, Plaku Klaudio Kosta, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, na udhëzoi në mënyrë aq shprehëse lidhur me këto 14 pika themelore. Meqenëse janë të një rëndësie aq të madhe për vetë shpëtimin tonë, do t’i përsëris ato rishtas.
“E para: Profeti është i vetmi njeri i cili flet për Zotin, në gjithçka.
E dyta: Profeti i gjallë është më jetik për ne, sesa veprat standarde.
E treta: Profeti i gjallë është më i rëndësishëm për ne, se një profet i vdekur.
E katërta: Profeti nuk do ta udhëheqë kurrë Kishën shtrembër.
E pesta: Nuk kërkohet që profeti të ketë ndonjë formim apo certifikim të veçantë tokësor për të folur mbi çfarëdo tematike ose të veprojë në lidhje me ndonjë çështje në çdo kohë.
E gjashta: Profeti nuk do të duhet të thotë “Kështu thotë Zoti”, për të na dhënë shkrime të shenjta.
E shtata: Profeti na thotë atë që na nevojitet të dimë, jo gjithnjë atë që dëshirojmë të dimë.
E teta: Profeti nuk kufizohet nga arsyetimi i njerëzve.
E nënta: Profeti mund të marrë zbulesë mbi çdo çështje, materiale ose shpirtërore.
E dhjeta: Profeti mund të përfshihet në çështje qytetare.
E njëmbëdhjeta: Dy grupet që kanë vështirësinë më të lartë në ndjekjen e profetit, janë kryelartët që janë të mësuar dhe kryelartët që janë të pasur.
E dymbëdhjeta: Profeti nuk do të jetë doemos popullor me botën apo me të botës.
E trembëdhjeta: Profeti dhe këshilltarët e tij përbëjnë Presidencën e Parë – kuorumin më të lartë në Kishë.
E katërmbëdhjeta: [Ndiqni] … profetin e gjallë dhe Presidencën e Parë … e bekohuni; refuzojini ata e vuani”.
Vëllezër dhe motra, ashtu si shenjtorët e 1848-ës, ne mund të zgjedhim që të ndjekim profetin ose mund të mbështetemi te krahu i mishtë. Paçim urtësinë që të mirëbesojmë e të ndjekim këshillën e profetëve e të apostujve të gjallë. Unë jam dëshmitar i mirësisë së tyre. Dëshmoj që janë thirrur nga Perëndia. Dëshmoj gjithashtu se për t’iu qasur jetës, për të gjetur përgjigje për problemet tona, për të fituar lumturi në këtë botë dhe për të mbrojtur pikërisht shpëtimin tonë, nuk ka mënyrë më të sigurt, sesa duke iu bindur fjalëve të tyre. E jap këtë dëshmi në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krishti, amen.