Bëhu Shembull për Besimtarët
Dëshiroj t’ju ftoj të “bëh[eni] shembull për besimtarët … në besim dhe në dëlirësi”.
Pak kohë më parë, në familjen tonë lindi Rubi e vogël. Kur po i shihja fytyrën e saj të ëmbël, u mrekullova me dijen se, përpara se të vinte në Tokë, ajo jetoi në praninë e Atit tonë Qiellor. Ajo e kishte pranuar planin e Tij të madh të lumturisë dhe kishte zgjedhur ta ndiqte Atë dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë. Për shkak të vendimit të saj, asaj i ishte lejuar të vinte në Tokë për të përjetuar vdekshmërinë dhe për të përparuar drejt jetës së përjetshme. Me shpirtin e bashkuar me trupin e saj, Rubi ka hyrë në një kohë mësimi në të cilën ajo mund ta provojë veten, të zgjedhë të ndjekë Krishtin dhe të përgatitet që të jetë e denjë për jetën e përjetshme.
Rubi erdhi e dëlirë në këtë tokë, por, si pjesë e planit, ajo do të përballet me sprova e tundime dhe do të bëjë gabime. Megjithatë, nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Rubi mund të marrë falje, një plotësi të gëzimit dhe të jetë sërish e dëlirë – e gatshme të jetojë përgjithmonë në praninë e Atit tonë Qiellor.
Disa orë pas lindjes së saj, pata privilegjin ta mbaja në krahët e mi këtë fëmijë të çmuar. I thashë nënës së saj: “Oh, ne duhet t’i mësojmë Rubit se si të jetë grua e virtytshme, e dëlirë dhe tepër e çmuar siç nënkupton emri i saj”.
Nëna e saj u përgjigj: “Po filloj që sot”.
Çfarë do të bëjë nëna e Rubit që “të fillojë që sot”? Si mundemi ne si prindër, gjyshër dhe udhëheqës t’i nisim dhe mbajmë fëmijët tanë – rininë tonë – në shtegun drejt jetës së përjetshme? Ne duhet të “bëh[emi] shembull për besimtarët”.
Profeti Brigam Jang tha: “Nuk duhet t’i lejojmë kurrë vetes të bëjmë diçka të cilën nuk duam të shohim ta bëjnë fëmijët tanë. Duhet t’u japim atë shembull që ne urojmë që ata ta kopjojnë.”Secili prej nesh mund të fillojë sot duke qenë ai shembull i mirë.
Sot dëshiroj t’ju ftoj të “bëh[eni] shembull për besimtarët … në besim dhe në dëlirësi” – dy parime që kërkohen për shpëtim.
Bëhuni shembull për besimtarët në besim. Forconi aktivisht vetë besimin dhe dëshminë tuaj për Jezu Krishtin, duke u përgatitur kështu t’u dëshmoni me fjalë dhe shembull fëmijëve tuaj.
Më lejoni t’ju tregoj për një nënë të shkëlqyer, jeta e së cilës ishte një shembull besimi. Kur Profeti Jozef Smith qe djalë shumë i vogël, ai vështroi dhe mësoi për besimin në Perëndi nga nëna e tij, Lusi Mak Smith. Lusi kërkoi përgjigje duke shqyrtuar shkrimet e shenjta dhe Jozefi, gjithashtu, e përdori atë praktikë, duke iu drejtuar Biblës për udhërrëfim siç kishte bërë nëna e tij.
Lusi gjithashtu i zgjidhi problemet familjare duke kërkuar privatisht ndihmën e Zotit me anë të lutjes. Një ditë, duke përjetuar mosmarrëveshje në familje në lidhje me temën e fesë, Lusi tha se “u tërhoq tek një korije me pemë qershish të egra e të bukura jo shumë larg dhe iu lut Zotit”.
Lusi gjithashtu u lut me besim të madh kur u përball me çështje personale shëndeti, kur Jozefi thuajse e humbi këmbën e tij prej osteomjelitit dhe kur motra e Jozefit, Sofronia, thuajse vdiq nga ethja e tifos. Në lidhje me sëmundjen e Sofronias, Lusi shkroi: “Unë ia ngula sytë fëmijës sime. … Bashkëshorti im dhe unë i shtrënguam duart së bashku dhe ramë në gjunjë pranë shtratit, dhe i zbrazëm hidhërimin dhe lutjet tona në veshët e tij”. Sofronia jetoi. Unë jam e sigurt se fëmijët e Lusit shpesh e panë atë të lutej me besim dhe të merrte përgjigje për ato lutje.
Lusi u lut me besim për udhëheqje dhe Jozefi gjithashtu u tërhoq tek një korije pemësh kur u lut me besim, duke pritur një përgjigje nga Zoti, ashtu si kishte bërë nëna e tij.
Ashtu si Lusi, ne duhet t’u tregojmë fëmijëve dhe rinisë sonë se si ta forcojnë besimin dhe dëshminë e tyre për Jezu Krishtin duke forcuar tonat, përmes studimit të shkrimit të shenjtë dhe përmes lutjes, personalisht si dhe me ta.
Ndryshe nga Lusi, sot ne jemi bekuar të kemi më tepër se Biblën. Ne kemi shkrimet e shenjta të ditëve të mëvonshme dhe fjalët e profetëve tanë të ditëve të mëvonshme që të na “udhëheqin të sigurt”në shtegun drejt jetës së përjetshme. Nga Libri i Mormonit mësojmë për ata në shteg të cilët “u mbajt[ën] vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit”, duke e përqasur atë me “fjal[ën] e Perëndisë”. Në botën e sotme mbushur me tundime, “mbajt[ja] me vendosmëri” mund të jetë sfiduese, ndërsa Satani me mënyrat e tij komplotuese përpiqet të na tërheqë larg nga udhët e Perëndisë. Nëse kemi një dorë në shufër dhe një dorë në botë, ne i vemë fëmijët dhe të rinjtë tanë para rrezikut që ta humbasin rrugën e tyre në shteg. Nëse shembulli ynë është pështjellues, atëherë me fjalët e Jakobit, ne e humbasim “besimin e fëmijëve [tanë], për shkak të shembujve [tanë] të këqij”.
Prindër, gjyshër dhe udhëheqës, mesazhi juaj duhet të jetë i qartë. Qartësia mund të rezultojë vetëm nga pasja e të dy duarve në shufër dhe nga jetesa sipas të vërtetave që gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme. Ju mbase nuk po rrisni një profet si Lusi, por sigurisht ju po rrisni udhëheqësit e së nesërmes dhe veprimet tuaja janë po aq prekshëm të lidhura me besimin e tyre.
Tjetra, bëhuni shembull për besimtarët në dëlirësi. E vetmja mënyrë që ne të bëhemi të dëlirë është nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë. Për secilin prej nesh, procesi i bërjes të dëlirë fillon me besim, pendim dhe besëlidhjen tonë të parë të pagëzimit.
Për t’i ndihmuar fëmijët tanë që ta jetojnë besëlidhjen e tyre të pagëzimit, Plaku Robert D. Hejls këshilloi: “Ne u mësojmë se në çastin kur dalin nga uji, ata dalin nga bota dhe hyjnë në mbretërinë e Perëndisë. Me anë të besëlidhjes, ata bien dakord t’u binden urdhërimeve të Tij.”
“Besëlidhjet na vendosin nën një detyrim të fortë që të nderojmë zotimet tona ndaj Perëndisë. Për të mbajtur besëlidhjet tona, ne duhet të braktisim aktivitetet ose interesat që na pengojnë t’i nderojmë ato besëlidhje.”
Broshura Për Forcën e Rinisë është një mjet i mrekullueshëm për ta ndihmuar rininë të kuptojë këtë detyrim të shenjtë të bërjes së besëlidhjeve dhe bekimet e dëlirësisë, që vijnë nga mbajtja e besëlidhjeve. Ajo përmban fjalë të profetëve të ditëve të mëvonshme – shufrën e hekurt, që do t’i udhëheqë ata të sigurt përgjatë shtegut të ngushtë e të ngushtuar, duke i larguar nga kurthet e Satanit, që mund ta vonojnë përparimin e tyre. Në këtë broshurë, ju do të gjeni gjithashtu bekimet e shumta që vijnë nga bindja dhe nga kërkimi i asaj që është e “virtytshme [dhe e] dashur”.
Prindër, siguroni një kopje personale të kësaj broshure dhe lexojeni shpesh. Jetoini standardet ju vetë. Bëni bashkëbisedime të kujdesshme mbi ungjillin me rininë tuaj që do t’i ndihmojnë ata të zhvillojnë vetë dëshirën e tyre që të jetojnë dhe zbulojnë vetë kuptimin dhe qëllimin e standardeve.
Standardet që gjenden në pjesët “Argëtimi dhe Media” dhe “Veshja dhe Pamja e Jashtme”, mund të jenë veçanërisht sfiduese sepse ato po bien gjithmonë e më tepër në kundërshtim me standardet e botës.
Ne duhet të jemi model i asaj që është e virtytshme dhe e dashur, nga zgjedhjet tona personale të medias. Ne duhet të kemi kujdes që media që ftojmë në shtëpitë tona, të mos mpijë ndjeshmërinë ndaj Shpirtit, të mos dëmtojë marrëdhëniet tona me familjet dhe miqtë tanë, apo të zbulojë përparësi personale që nuk përputhen me parimet e ungjillit. Me anë të shembullit, ne mund t’i ndihmojmë fëmijët tanë të kuptojnë se harxhimi i periudhave të gjata të kohës duke përdorur internetin, rrjetet shoqërore mediatikë dhe telefonat celularë, duke luajtur lojëra kompjuterike, apo duke shikuar televizor na pengon nga aktivitete të frytshme dhe ndërveprime të vlefshme me të tjerët.
Ne gjithashtu jemi model i asaj që është e virtytshme dhe e dashur, me anë të veshjes dhe pamjes sonë të jashtme. Si popull i besëlidhjes, ne kemi përgjegjësinë të kujdesemi, ta mbrojmë dhe ta veshim siç duhet trupin tonë. Ne duhet t’i ndihmojmë fëmijët dhe rininë tonë të kuptojnë se ne i respektojmë trupat tanë si tempuj dhe si dhurata nga Perëndia. Ne e japim shembullin duke refuzuar të blejmë ose veshim rroba të paturpshme që janë tepër të ngushta, tepër të tejdukshme, ose që ekspozojnë në çfarëdo mënyre tjetër.
Mbajtësit e besëlidhjeve përpiqen fort të jenë të bindur “në të gjitha kohërat … dhe në të gjitha vendet” për shkak të dashurisë së tyre për Perëndinë dhe të bekimeve të premtuara prej Tij. Një mbrëmje, ndërsa po shëtisja me bashkëshortin tim, kaluam pranë një feste martese që po zhvillohej në mjedis të hapur. Nuk i njihnim ata njerëz, por patëm menjëherë një mbresë virtyti. Zgjedhjet e tyre të muzikës dhe të veshjeve qenë të këndshme. Fustani rrezatues i nuses qe padyshim modest, ashtu siç qenë fustanet e shoqërueseve të saj. Kjo familje zgjodhi të mos i përziente udhët e botës me shenjtërinë e asaj dite.
Tani, më lejoni t’i them një fjalë rinisë së mrekullueshme të Kishës sonë. Faleminderit për shembujt tuaj të drejtë ndaj miqve, mësuesve, udhëheqësve dhe familjeve tuaja. E pranoj se shumë prej jush jeni të vetmit anëtarë të Kishës në familjen tuaj. Ju madje mund të vini në kishë të vetëm. Unë ju lavdëroj për angazhimin dhe shembullin tuaj të drejtë. Kini durim dhe vazhdoni të jetoni drejtësisht. Ka shumë vetë që mund t’ju ndihmojnë juve. Presidenti Tomas S. Monson tha: “Edhe një familje shembullore … mund të përdorë gjithë ndihmën mbështetëse që arrin të marrë nga njerëz të mirë që kujdesen sinqerisht”.
Kërkoni nëpër lagjen dhe kunjin tuaj udhëheqës dhe miq që janë shembuj për besimtarët, dhe mësoni prej tyre.
Kur isha e re, unë dallova shembuj të besimtarëve. Përveç prindërve të mi, njëra ishte tetoja ime Karma Katler. Më kujtohet gjallërisht ajo ndërsa fliste një natë mbi standardet në kunj, kur isha 16 vjeçe. Ajo na mësoi mbi rëndësinë e të qenit të dëlira dhe të denja për një martesë në tempull. U preka thellë nga dëshmia e saj. E kisha vërejtur jetën e saj të virtytshme që kur isha vajzë fare e vogël, dhe e dija se përputhej me mësimet e saj. Dëshiroja ta ndiqja shembullin e saj.
Të rinj e të reja, ju mund të filloni sot duke qenë një shembull për besimtarët në besim dhe dëlirësi. Forcojeni çdo ditë besimin dhe dëshminë tuaj nëpërmjet studimit të shkrimit të shenjtë dhe lutjes. Mbajeni besëlidhjen tuaj të pagëzimit, që do t’ju mbajë të dëlirë e të denjë për udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Ju mund të filloni sot të bëheni ai shembull që të tjerët ta ndjekin.
Dhe nuk mund ta dish kurrë – ju mund të jeni shembulli, që mund t’i duhet ndonjë ditë Rubit time të vogël. Për tani, Rubi ka një nisje të shkëlqyer në shtegun drejt jetës së përjetshme. Prindërit e saj po vendosin modele drejtësie në shtëpinë e saj, duke e nisur çdo ditë me një vendosmëri për të qenë shembuj për besimtarët. Shpresoj që, duke përdorur lirinë e saj të zgjedhjes, Rubi do të vendosë t’i ndjekë.
Unë jam mirënjohëse për planin e lumturisë dhe dëshmoj se është e vetmja mënyrë se si Rubi – dhe secili prej nesh – mund të jetë sërish i dëlirë dhe të jetojë përgjithmonë në praninë e Atit tonë Qiellor. Secili prej nesh e filloftë sot. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.