2010–2019
Prehuni në Shpirtrat Tuaj
Tetor 2010


Prehuni në Shpirtrat Tuaj

Gjetja e prehjes në shpirtin tonë përfshin paqe në mendje dhe në zemër, që janë rezultat i mësimit dhe i ndjekjes së doktrinës së Krishtit.

Në qendrën e Gotenborgut të Suedisë, ka një bulevard të mrekullueshëm me pemë të rritura në secilën anë. Një ditë pashë një vrimë në trungun e njërës nga pemët gjigande, kështu vërejta me kureshtje brenda dhe pashë se pema ishte tërësisht zgavër. Zgavër po, por bosh jo! Ajo ishte e mbushur me të gjitha llojet e mbeturinave.

U befasova që pema mund të qëndronte ende. Kështu vërejta lart dhe pashë një rrip të gjerë çeliku të mbërthyer rreth pjesës së sipërme të trungut. Ngjitur te brezi ishin disa tela çeliku dhe ato vetë ishin shtrënguar dhe fiksuar te ndërtesat pranë. Nga larg dukej si pemët e tjera; vetëm kur vëreje brenda mund të diktoje se ishte zgavër në vend që të kishte një trung solid, të fortë. Shumë vite më parë, diçka kishte filluar procesin e dobësimit të trungut pak këtu dhe pak atje. Kjo nuk ndodhi brenda natës. Sidoqoftë, pikërisht si bëhet pak nga pak fidani i ri i pemës një dru i fortë, kështu mund të rritemi hap pas hapi në aftësinë për të qenë të fortë dhe të mbushur nga brenda deri jashtë, në kontrast me pemën zgavër.

Është nëpërmjet shërimit me Shlyerjen e Jezu Krishtit që ne mund të kemi forcën të qëndrojmë të lartë e të fortë dhe t’i kemi shpirtrat tanë të mbushur – me dritë, kuptim, gëzim dhe dashuri. Ftesa e Tij drejtohet “të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33). Premtimi i tij është:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mateu 11:28–29).

Për këtë prehje Presidenti Jozef F. Smith tha: “Për mendimin tim, ajo do të thotë të futesh në njohjen dhe dashurinë për Perëndinë, të kesh besim në qëllimin e tij dhe në planin e tij, në një masë të tillë që ne e dimë se e kemi drejt dhe se ne nuk po gjuajmë për diçka tjetër, ne nuk trazohemi nga çdo erë doktrine apo nga dinakëria dhe zhdërvjelltësia e njerëzve që rrijnë në pritje për të mashtruar. Ne dimë për doktrinën që është e Perëndisë dhe ne nuk i bëjmë pyetje askujt për të; ata ndihen mirë me opinionet e tyre, me idetë e tyre dhe me hallakatjet e tyre. Njeriu që ka arritur atë nivel besimi në Perëndi që çdo dyshim dhe frikë është flakur prej tij, ai ka hyrë në ‘prehjen e Perëndisë’” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 56).

Gjetja e prehjes në shpirtin tonë përfshin paqe në mendje dhe në zemër, që janë rezultat i mësimit dhe i ndjekjes së doktrinës së Krishtit dhe i të bërit duar të zgjatura të Krishtit për shërbim dhe ndihmë ndaj të tjerëve. Besimi në Jezu Krisht dhe ndjekja e mësimeve të Tij na japin neve një shpresë të qëndrueshme dhe kjo shpresë bëhet një spirancë e fortë te shpirtrat tanë. Ne mund të bëhemi të qëndrueshëm dhe të patundur. Ne mund të kemi një paqe të përhershme të brendshme; ne mund të hyjmë në prehjen e Zotit. Vetëm nëse largohemi nga drita dhe nga e vërteta një ndjenjë zbrazëtie, si e pemës, do të pushtojë vatrat më të thella të shpirtrave tanë dhe ne madje mund të tentojmë ta mbushim atë zbrazëti me gjëra pa ndonjë vlerë të përhershme.

Duke pasur parasysh ekzistencën tonë si fëmijë shpirtërorë përpara se të vinim në tokë dhe pavdekësinë në jetën e mëpasme, kjo jetë tokësore është vërtet veçse një moment i shkurtër.

Kjo është, gjithsesi, një ditë prove, por ajo është gjithashtu një ditë mundësish kur ne zgjedhim të ndjekim ftesën për të mos shpenzuar kot ditët e provës tonë (shih 2 Nefi 9:27). Mendimet që kemi brenda mendjes sonë, ndjenjat që ushqejmë brenda zemrës sonë dhe veprimet që zgjedhim të kryejmë, do të kenë të gjitha një efekt vendimtar në jetën tonë, edhe këtu edhe në të mëpasshmen.

Një zakon i dobishëm është të ngremë shikimin çdo ditë me qëllim që të mbajmë një këndvështrim të përjetshëm të gjërave që planifikojmë dhe bëjmë, veçanërisht nëse dallojmë një prirje që të presim gjersa një e nesërme e ardhëshme do të bëjë atë që ne e dimë se duhet ta ndjekim, ndërkohë që kemi të tashmen tonë sot.

Përgjatë rrugës ne ndihmohemi në zgjedhjet tona nëpërmjet ndikimit mbështetës të Shpirtit. Tani, nëse zgjedhim të veprojmë në kundërshtim me dritën dhe kuptimin që kemi, ne do të përjetojmë një vetëdije të keqe, që patjetër nuk ndihet mirë. Por një vetëdije e keqe është një bekim në atë që ne menjëherë kujtohemi se është koha për t’u penduar. Kur jemi të përulur dhe duam të bëjmë atë që është e drejtë, ne do të jemi në ankth për të vepruar menjëherë për të ndryshuar mënyrat tona, ndërsa ata që janë krenarë dhe që mund të kërkojnë “të bëhe[n] ligj në vetvete” (DeB 88:35) do ta lejojnë Satanin t’i udhëheqë “ata për qafe me një fije liri, derisa i lidh me litarët e tij të fortë, përgjithnjë” (2 Nefi 26:22), përveç nëse shpirti i pendesës hyn në zemrat e tyre. Ndjekja e ndikimeve të liga kurrë nuk mund të rezultojë në një ndjenjë paqeje thjesht sepse paqja është një dhuratë nga Perëndia dhe ajo vjen vetëm nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë. “Ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10).

Në veprimet tona të përditshme, shpesh janë gjërat e vogla dhe të thjeshta që do të kenë një ndikim afatgjatë (shih Alma 37:6–7). Ajo që themi, mënyra si veprojmë dhe si zgjedhim të reagojmë do të ndikojnë jo vetëm ne vetë, por gjithashtu ata përreth nesh. Ne mund të ndërtojmë ose mund të prishim. Një shembull i thjeshtë dhe pozitiv është një histori e treguar mbi gjyshen time. Ajo dërgoi një nga fëmijët e saj të vegjël për të blerë disa vezë. Fëmija i besuar ndoshta ishte i gëzuar kur po kthehej në shtëpi përgjatë rrugës, por shumica e vezëve ishin thyer kur arriti në shtëpi. Një mik i familjes ishte atje dhe e këshilloi gjyshen që ta qortonte fëmijën që u soll aq keq. Por në vend të kësaj, gjyshja me qetësi dhe urtësi tha: “Jo, kjo nuk do t’i bëjë përsëri të plota vezët. Ne thjesht do të përdorim atë që mundemi dhe do të bëjmë disa petulla që do të mund t’i shijojmë bashkë.”

Kur mësojmë të trajtojmë gjërat e vogla dhe të thjeshta të përditshme me një mënyrë të urtë dhe të frymëzuar, rezultati është një ndikim pozitiv që do të forcojë harmoninë në shpirtrat tanë dhe do të ndërtojë dhe forcojë ata përreth nesh. Kjo është kështu sepse çdo gjë që na fton të bëjmë mirë, “është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; prandaj [ne] mund të di[më] me një njohuri të përsosur se është nga Perëndia” (Moroni 7:16).

Tani, pema e zgavruar, për të cilën ju fola, nuk është më. Disa të rinj vendosën fishekzjarre në hapësirat bosh, që e bënë pemën të merrte zjarr. Ajo nuk mund të shpëtohej dhe duhej të rrëzohej. Ruhuni nga gjërat që do të shkatërrohen nga brenda, qofshin të mëdha apo të vogla! Ato mund të kenë një ndikim shpërthyes dhe të shkaktojnë vdekje shpirtërore.

Le të përqendrohemi në vend të tyre në ato gjëra që do të ndihmojnë për një paqe të përhershme të mendjes dhe të zemrës. Atëherë “do të forcohet vetbesimi [ynë] në prani të Perëndisë” (DeB 121:45). Premtimi për të hyrë në prehjen e Perëndisë, për të marrë dhuratën e paqes, është larg një kënaqësie të përkohshme, tokësore. Ai është vërtet një dhuratë hyjnore: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27). Ai ka fuqinë të shërojë dhe të forcojë shpirtin. Ai është Jezu Krishti, për të cilin unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.