2010–2019
Pastë Dritë!
Tetor 2010


Pastë Dritë!

Në botën tonë gjithnjë e më të padrejtë, është thelbësore që vlerat e bazuara në besimin fetar të jenë pjesë e diskutimit publik.

Festova ditëlindjen muajin e kaluar. Për dhuratë ditëlindjeje, bashkëshortja ime, Meri, më dha një disk që përmban këngë shprese dhe besimi të interpretuara nga një këngëtare e njohur britanike e quajtur Vera Lin, e cila i frymëzonte dëgjuesit e saj gjatë ditëve të errëta të Luftës së Dytë Botërore.

Ka një arsye përse bashkëshortja ime do të më bënte këtë dhuratë. Bombardimi i Londrës në shtator të 1940-ës filloi një ditë para lindjes sime. Nëna ime, duke dëgjuar në radio te dhoma e saj e spitalit përshkrimin e Sulmit Rrufe mbi Londër, vendosi të më vinte emrin e folësit të radios, i cili quhej Kuentin.

Këngëtarja, Vera Lin, tani është 93 vjeçe. Vitin e kaluar, disa nga këngët e saj të kohës së luftës u nxorën rishtas në shitje dhe menjëherë arritën në krye të listave muzikore në Britani. Kush prej jush është ca i moshuar, do t’i kujtojë disa këngë si “Shkrepi i Bardhë i Dúvërit”.

Një këngë, e titulluar “Kur Dritat të Ndizen Sërish (Anembanë Botës)”, më preku thellësisht. Kjo këngë më solli në mendje dy mendime – së pari, fjalët profetike të një britaniku, burrë shteti: “Llambat po shuhen gjithkund në Evropë. Ne nuk do t’i shohim të ndriçojnë sërish në kohën tonë”; dhe, së dyti, sulmet bombarduese të drejtuara mbi qytetet britanike si Londra. Për t’ua vështirësuar bombarduesve gjetjen e objektivit, nisi të vendosej fikja e dritave. Dritat ndërpriteshin dhe dritaret mbuloheshin.

Kënga pasqyronte shpresën optimiste se liria dhe drita do të rivendoseshin. Për ata prej nesh që e kuptojnë rolin e Shpëtimtarit dhe të Dritës së Krishtit në përplasjen e vazhdueshme midis së mirës dhe së keqes, është e qartë ngjashmëria ndërmjet asaj lufte botërore dhe përplasjes së sotme morale. Pikërisht Drita e Krishtit është ajo me të cilën i gjithë njerëzimi “mund të [njohë] të mirën nga e keqja”.

Liria dhe drita nuk kanë qenë kurrë të lehta të arrihen apo të mbahen. Që nga Lufta në Qiell, forcat e së keqes kanë përdorur çdo mjet të mundshëm që të asgjësojnë lirinë e zgjedhjes dhe të largojnë dritën. Sulmi ndaj parimeve morale dhe lirisë fetare nuk ka qenë kurrë më i fuqishëm.

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, nevojitet të bëjmë më të mirën për ruajtjen e dritës dhe mbrojtjen e familjeve e komuniteteve tona nga ky sulm ndaj moralit dhe lirisë fetare.

Mbrojtja e Familjes

Një rrezik gjithnjë i pranishëm ndaj familjes është sulmi i furishëm i forcave të liga, që duket se vjen nga çdo drejtim. Ndërsa përpjekja jonë parësore duhet të jetë kërkimi i dritës e i së vërtetës, ne duhet të jemi të mençur t’i mbrojmë shtëpitë tona nga bombat vdekjeprurëse që shkatërrojnë zhvillimin dhe rritjen shpirtërore. Pornografia, në veçanti, është një armë e shkatërrimit moral në masë. Efekti i saj është ballor në gërryerjen e vlerave morale. Disa programe të televizionit dhe faqe të internetit janë të po atij lloji vdekjeprurës. Këto forca të liga largojnë nga bota dritën dhe shpresën. Niveli i degjenerimit po përshpejtohet. Nëse nuk ua presim të ligën shtëpive dhe jetëve tona, mos u befasoni në rast se shpërthimet morale shkretuese thërrmojnë paqen që është shpërblimi për jetesë të drejtë. Përgjegjësia jonë është të jemi në botë, por të mos jemi të botës.

Veç kësaj, nevojitet të shtojmë së tepërmi zbatimin e fesë sonë në shtëpi. Mbrëmja familjare e përjavshme dhe lutja e studimi i përditshëm familjar i shkrimit të shenjtë janë thelbësore. Ne duhet që të paraqesim në shtëpitë tona përmbajtje që është “[e] virtytshme, [e] dashur ose me famë të mirë”. Nëse i bëjmë shtëpitë tona vende të shenjta që na strehojnë nga e liga, ne do të jemi të mbrojtur nga pasojat armiqësore që shkrimet e shenjta i kanë parathënë.

Mbrojtja e Komunitetit

Përveç mbrojtjes së vetë familjeve tona, ne duhet të jemi burim drite në mbrojtje të komuniteteve tona. Shpëtimtari tha: “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej”.

Ditët tona janë përshkruar si “kohë bollëku dhe epokë dyshimi”. Besimi bazë te fuqia dhe autoriteti i Perëndisë jo vetëm që vihet në dyshim, por edhe përgojohet. Nën këto rrethana, si mundemi të kontribuojmë për nxitjen e vlerave me një mënyrë që do të gjejë mbështetje nga jobesimtarët dhe apatikët e do të ndihmojë të pakësohet zbritja e përshpejtuar drejt dhunës dhe së ligës?

Kjo pyetje është e një rëndësie madhështore. Mendoni profetin Mormon dhe dhimbjen e tij, kur ai shpalli: “Si mundët të hidhni poshtë atë Jezus që qëndroi krahëhapur për t’ju pranuar juve?” Dhimbja e Mormonit u konsiderua e drejtë dhe biri i tij, Moroni, u la të jetojë për të përshkruar “historinë e trishtueshme të shkatërrimit të popullit [të tij]”.

Përvoja ime vetjake e të jetuarit dhe e bashkëveprimit me njerëz anembanë botës, ka bërë që të jem optimist. Unë besoj që në kohën tonë drita dhe e vërteta do të ruhen. Në të gjitha kombet janë të shumtë ata që adhurojnë Perëndinë dhe ndihen të përgjegjshëm para Tij për sjelljen e tyre. Disa vëzhgues besojnë se, në të vërtetë, ka një rigjallërim botëror të besimit. Si udhëheqës të Kishës ne jemi takuar me udhëheqës të besimeve të tjera dhe kemi gjetur se ka një themel moral të përbashkët që i kapërcen dallimet teologjike dhe na bashkon në aspiratat tona për një shoqëri më të mirë.

Po ashtu, gjejmë se shumica e njerëzve kanë ende respekt për vlerat morale themelore. Por të mos gabohemi: ka gjithashtu njerëz të cilët janë të vendosur si për shkatërrimin e besimit, ashtu dhe për përjashtimin e ndikimit fetar në shoqëri. Njerëz të tjerë të ligj shfrytëzojnë, manipulojnë dhe rrënojnë shoqërinë me droga, pornografi, shfrytëzim seksual, trafikim njerëzor, grabitje dhe praktika të pandershme biznesi. Fuqia dhe ndikimi i këtyre njerëzve është shumë i madh, edhe nëse janë krahasimisht të paktë në numër.

Gjithnjë ka ekzistuar një betejë e vazhdueshme ndërmjet njerëzve të besimit dhe atyre të cilët do ta spastronin fenë dhe Perëndinë nga jeta publike. Shumë opinionistë sot përjashtojnë pikëpamje morale të botës të bazuara mbi vlera judaiko-kristiane. Për pikëpamjen e tyre, nuk ka asnjë rregull moral objektiv. Ata besojnë se nuk duhet t’u jepen parapëlqime synimeve morale.

Megjithatë, pjesa më e madhe e njerëzve dëshirojnë të jenë të mirë e të nderuar. Drita e Krishtit, që dallon prej Frymës së Shenjtë, informon ndërgjegjen e tyre. Nga shkrimet e shenjta dimë se Drita e Krishtit është “Shpirti [i cili] i jep dritë çdo njeriu që vjen në botë”. Kjo dritë jepet “për hir të të gjithë botës”. Presidenti Bojd K. Paker ka mësuar që ajo është një “burim frymëzimi të cilin secili prej nesh e ka njësoj si të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes njerëzore”. Kjo është arsyeja që shumëkush do t’i pranojë vlerat morale edhe kur ato bazohen në bindje fetare që ata vetë nuk i mbështesin. Sikurse lexojmë tek Mosia në Librin e Mormonit: “Nuk është e zakonshme që zëri i popullit të dëshirojë diçka që është kundër asaj që është e drejtë; por është e zakonshme për pakicën e popullit të dëshirojë atë që nuk është e drejtë”. Mosia më pas paralajmëron: “Në qoftë se vjen koha që zëri i popullit zgjedh paudhësinë, atëherë është koha që gjykimet e Perëndisë të [vijnë]”.

Në botën tonë gjithnjë e më të padrejtë, është thelbësore që vlerat e bazuara në besimin fetar të jenë pjesë e diskutimit publik. Duhet që pikëpamjeve morale që ndikohen nga një ndërgjegje fetare, t’u jepet një e drejtë e barabartë për diskutim publik. Sipas kushtetutave të shumicës së vendeve, ndërgjegjes fetare mund të mos i jepet parapëlqimi, por ajo as nuk duhet shpërfillur.

Besimi fetar është një burim drite, njohurie dhe urtësie dhe i sjell dobi shoqërisë në mënyrë të jashtëzakonshme, kur pasuesit angazhohen me sjelljen morale ngaqë ndihen të përgjegjshëm para Perëndisë.

Dy parime fetare do ta ilustrojnë këtë çështje.

Sjellja e Ndershme e Motivuar nga Përgjegjshmëria ndaj Perëndisë

Neni i trembëdhjetë i besimit nis me fjalët “Ne besojmë në të qenit të ndershëm”. Ndershmëria është një parim i themeluar mbi besimin fetar dhe është një nga ligjet bazë të Perëndisë.

Shumë vjet më parë, kur po ushtroja profesionin e juristit në Kaliforni, një mik dhe klient që nuk ishte i besimit tonë, erdhi të më takonte dhe me entuziazëm të madh më tregoi një letër që kishte marrë nga një peshkop SHDM i një lagjeje atje pranë. Peshkopi shkruante se një anëtar i bashkësisë së tij, një ish-i-punësuar i klientit tim, kishte marrë materiale nga vendi i punës së klientit tim dhe kishte arsyetuar se ato ishin tepricë. Por, pasi qe bërë një shenjtor i ditëve të mëvonshme i zotuar dhe po përpiqej të ndiqte Jezu Krishtin, ky i punësuar kuptoi se ajo që kishte bërë ishte e pandershme. Bashkë me letrën ishte një shumë parash prej atij burri, e cila përfshinte jo vetëm çmimin e materialeve, por edhe interesin. Klientit tim i kishte bërë përshtypje që Kisha, nëpërmjet udhëheqjes nga njerëz të zakonshëm, e ndihmonte këtë burrë në përpjekjen e tij për pajtim me Perëndinë.

Mendoni dritën dhe të vërtetën që ka vlera e përbashkët e ndershmërisë në botën judaiko-kristiane. Mendoni ndikimin mbi shoqërinë sikur të rinjtë të mos mashtronin në shkollë, sikur të rriturit të ishin të ndershëm në punë dhe besnikë ndaj betimeve martesore. Për ne koncepti themelor i ndershmërisë bazohet në jetën dhe mësimet e Shpëtimtarit. Ndershmëria gjithashtu është cilësi e vlerësuar në shumë besime të tjera e në literaturën historike. Poeti Robert Bërns tha: “Njeriu i ndershëm është vepra më fisnike e Perëndisë”. Pothuajse në çdo rast, njerëzit e besimit ndihen të përgjegjshëm ndaj Perëndisë për të qenë të ndershëm. Kjo është arsyeja që ai burrë nga Kalifornia po pendohej për aktin e tij të mëparshëm të pandershmërisë.

Në fjalën e ceremonisë së diplomimit vitin e shkuar, Klejton Kristensen, një profesor i Harvardit dhe udhëheqës i Kishës, tregoi një ngjarje të vërtetë për një koleg në profesion nga një vend tjetër, i cili kishte studiuar demokracinë. Ky mik ishte i befasuar nga rëndësia aq kritike e besimit fetar për demokracinë. Ai vuri në dukje se në shoqëritë ku qytetarëve u mësohet qysh në moshë të re të ndihen të përgjegjshëm ndaj Perëndisë për ndershmëri dhe integritet, ata do të veprojnë në përputhje me rregulla dhe praktika që, ndonëse nuk janë të imponuara, kontribuojnë për nxitjen e idealeve demokratike. Në shoqëritë ku nuk ndodh kjo gjë, nuk do të mjaftonin policët për të imponuar sjelljen e ndershme.

Qartazi, vlerat morale të ndershmërisë mund të luajnë rol kuptimplotë në përforcimin e dritës dhe të vërtetës e në përmirësimin e shoqërisë dhe duhet të çmohen nga ata që nuk kanë besim.

Trajtimi si Vëllezër e Motra i të Gjithë Fëmijëve të Perëndisë

Një shembull i dytë se si besimi fetar i sjell dobi shoqërisë dhe i ofron dritë botës, është roli i besimit fetar në trajtimin si vëllezër e motra i të gjithë fëmijëve të Perëndisë.

Shumë institucione me themel besimi, në dy shekujt e fundit kanë qenë vija e parë në përpjekjet e ndihmës dhe në shpëtimin e të ekspozuarve ndaj faktorëve mizorë, për arsye se anëtarët e tyre besojnë që të gjithë njerëzit janë bërë në shëmbëlltyrën dhe ngjasimin e Perëndisë. Uiliam Uilbërfors, britaniku burrë i madh shteti që ishte instrument për të nxjerrë jashtë ligjit tregtinë e skllevërve në Britaninë e Madhe, është një shembull i shkëlqyer. “Hir Mahnitës”, himni prekës dhe filmi frymëzues me të njëjtin titull, pushtojnë vetëdijen e viteve të hershme të 1800-ave dhe përshkruajnë ngjarjen e përpjekjes së tij heroike. Përpjekjet e palodhura të Uilbërforsit qenë ndër hapat e parë në eliminimin e asaj praktike të tmerrshme, shtypëse, mizore dhe korruptive. Si pjesë e asaj përpjekjeje, së bashku me udhëheqës të tjerë, ai paraqiti ide për të ndrequr moralin publik. Ai besonte që arsimi dhe qeverisja duhej të bazoheshin tek e moralshmja. “Largpamësia … e tij për pasurimin moral dhe shpirtëror, ishte gjëja për të cilën ai jetoi, qoftë duke mbrojtur institucionin e martesës, duke sulmuar praktikat e tregtisë së skllevërve apo duke mbrojtur prerazi ditën e Shabatit”. Me energji të madhe ai ndihmoi që të viheshin në lëvizje udhëheqësit moralë dhe shoqërorë të vendit, në një përpjekje mbarëkombëtare kundër shthurjes.

Në historinë tonë të hershme të Kishës, shumica dërrmuese e anëtarëve tanë ishin kundër skllavërisë. Kjo qe një arsye e rëndësishme, tok me besimet e tyre fetare, për armiqësinë dhe dhunën e bandave që ata përjetuan, të cilat kulmuan me urdhrin e shfarosjes të lëshuar prej Guvernatorit Bogs në Misuri. Më 1833 Jozef Smithi mori një zbulesë që shpallte: “Nuk është e drejtë që ndonjë njeri të jetë nën skllavërinë e një tjetri”. Zotimi ynë ndaj lirisë së besimit dhe trajtimit të të gjithë njerëzve si bij e bija të Perëndisë është në qendër të doktrinës sonë.

Këta janë vetëm dy shembuj se në ç’mënyrë i mbështesin vlerat me baza besimi parimet që e bekojnë shumë shoqërinë. Ka shumë më tepër. Duhet që edhe të marrim pjesë vetë, edhe të mbështesim njerëzit me karakter e integritet, që të ndihmojmë të riforcohen vlerat morale që do të bekojnë mbarë komunitetin.

Lejomëni të jem i qartë se të gjitha zërat duhet të dëgjohen në diskutimin publik. As zërat fetarë, as ata laikë nuk duhet të heshtin. Veç kësaj, ne nuk duhet të presim që, meqenëse disa nga pikëpamjet tona burojnë nga parime fetare, ato do të pranohen vetvetiu ose do t’u jepet parapëlqimi. Por është gjithashtu e qartë se pikëpamje dhe vlera të tilla kanë të drejtë të shqyrtohen mbi meritat e tyre.

Themeli moral i doktrinës sonë mund të jetë fanar drite për botën e mund të jetë një forcë bashkuese qoftë për moralin, qoftë për besimin te Jezu Krishti. Nevojitet që t’i mbrojmë familjet tona e të jemi në ballë së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, duke bërë gjithçka që mundim për të ruajtur dritën, shpresën dhe moralin në komunitetet tona.

Nëse i jetojmë e gjithashtu i shpallim këto parime, do të jemi duke ndjekur Jezu Krishtin, i cili është Drita e vërtetë e Botës. Ne mund të jemi një forcë për të drejtën, në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ne e presim atë ditë të bukur, kur “zemrat e lira do të këndojnë në kohën kur dritat të ndizen sërish anembanë botës”. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

  1. Shih Richard Hough dhe Denis Richards, The Battle of Britain: The Greatest Air Battle of World War II (1989), f. 264.

  2. Kushtuar Sir Edward Grey. Shih “When the Lights Go On Again (All over the World)”, wikipedia.org.

  3. Shih Doktrina e Besëlidhjet 88:11–13. Drita e Krishtit është “dritë e cila është në gjithçka, që i jep jetë gjithçkaje, që është ligji me anë të të cilit gjithë gjërat qeverisen” (vargu 13). Për kuptim tërësor të Dritës së Krishtit dhe ndryshimit ndërmjet Dritës së Krishtit dhe Frymës së Shenjtë, shih Bojd K. Paker, “Drita e Krishtit”, Liahona, prill 2005, f. 8–14.

  4. Moroni 7:19.

  5. Shih Jacques Barzun, From Dawn to Decadence: 500 Years of Western Cultural Life (2000), f. 798.

  6. Nenet e Besimit 1:13.

  7. Mateu 5:16.

  8. Roger B. Porter, “Seek Ye First the Kingdom of God” (fjalim i mbajtur në Lagjen e Universitetit të Kembrixhit, Kunji i Kembrixhit në Masaçusets, 13 shtator 2009).

  9. Mormoni 6:17.

  10. Mormoni 8:3.

  11. Shih John Micklethwait dhe Adrian Wooldridge, God Is Back: How the Global Revival of Faith Is Changing the World (2009).

  12. Shih Diana Butler Bass, “Peace, Love and Understanding” (recension i God Is Back, nga John Micklethwait dhe Adrian Wooldridge), Botim Kombëtar i Përjavshëm i “Washington Post”, 27 korrik–2 gusht 2009, f. 39.

  13. Shih David D. Kirkpatrick, “The Right Hand of the Fathers”, Revista “The New York Times”, 20 dhjetor 2009, f. 27.

  14. Shih Kirkpatrick, “The Right Hand of the Fathers”, f. 27. Robert P. George mëson që ne ose kemi arsye morale dhe zgjedhje të lirë, ose kemi imoralitet dhe determinizëm.

  15. Doktrina e Besëlidhje 84:46.

  16. Doktrina e Besëlidhje 84:48.

  17. Bojd K. Paker, Liahona, prill 2005, f. 8.

  18. Mosia 29:26–27.

  19. Shih Margaret Somerville, “Should Religion Influence Policy?” www.themarknews.com/articles/1535-should-religion-influence-policy.

  20. Shih Zhao Xiao, “Market Economies with Churches and Market Economies without Churches”, 2002, www.danwei.org/business/churches_and_the_market_econom.php. Ky ekonomist i qeverisë kineze argumenton se është i nevojshëm përforcimi moral për të penguar njerëzit që të gënjejnë e të dëmtojnë të tjerët.

  21. “The Cotter’s Saturday Night”, në Poems by Robert Burns (1811), f. 191.

  22. Shih Clayton M. Christensen, “The Importance of Asking the Right Questions” (fjala e ceremonisë së diplomimit në Universitetin e Nju-Hempshajërit Jugor, Mançester i N.H., 16 maj 2009).

  23. Shih Zanafilla 1:26.

  24. Shih William Hague, William Wilberforce: The Life of the Great Anti-Slave Trade Campaigner (2007), f. 352–356.

  25. Shih Hague, William Wilberforce, f. 104–105.

  26. Hague, William Wilberforce, f. 513.

  27. Shih Hague, William Wilberforce, f. 107–108.

  28. Shih James B. Allen dhe Glen M. Leonard, The Story of the Latter-day Saints, bot. 2-të (1992), f. 93, 120, 202.

  29. Shih Leonard J. Arrington dhe Davis Bitton, The Mormon Experience: A History of the Latter-day Saints, bot. 2-të (1992), f. 48–51; shih edhe Clyde A. Milner dhe të tjerë, The Oxford History of the American West (1994), f. 362: “Kolonët dhe politikanët pro skllavërisë i përndoqën ata pa mëshirë”.

  30. Doktrina e Besëlidhje 101:79.

  31. Rreshti i fundit i këngës “When the Lights Go On Again (All over the World)”.