Bindja ndaj Profetëve
Çfarë bekimi i madh është të kemi profetë në kohën tonë!
Unë jam një i kthyer në besim në Kishë. Jam shumë mirënjohës që Perëndia iu përgjigj lutjes time dhe më dha dijeni e një dëshmi të fuqishme që Jozef Smithi është një profet i Perëndisë.
Përpara se të merrja vendimin që të pagëzohesha në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, studiova fragmentet nga historia e Jozef Smithit. U luta pasi lexova me kujdes çdo paragraf. Nëse do të dëshironi ta bëni ju vetë këtë, mund t’ju duhen 14 orë.
Pasi lexova, meditova dhe u luta, Zoti më dha sigurinë se Jozef Smithi qe profeti i Tij. Unë ju dëshmoj se Jozef Smithi është një profet dhe, meqë e kam marrë këtë përgjigje nga Zoti, e di se të gjithë pasuesit e tij janë gjithashtu profetë. Çfarë bekimi i madh është të kemi profetë në kohën tonë!
Përse është e rëndësishme të kemi profetë të gjallë që të udhëheqin Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit dhe anëtarët e saj?
Tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, e gjejmë përkufizimin e fjalës profet: “Një njeri i cili thirret nga Perëndia dhe flet për Të. Si lajmëtar i Perëndisë, një profet merr urdhërime, profeci dhe zbulesa nga Perëndia” (“Prophet”, scriptures.lds.org; shih edhe Bible Dictionary, “Prophet”).
Është një bekim i madh të marrësh fjalën, urdhërimet dhe udhëheqjen e Zotit në këto ditë të vështira të tokës. Profeti mund të frymëzohet të shohë të ardhmen në përfitim të njerëzimit.
Neve na është thënë: “Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amosi 3:7). Mësojmë nga ky shkrim i shenjtë se Zoti do t’u zbulojë profetëve të tij absolutisht çfarëdo gjë, që Ai ndjen se është e nevojshme të na komunikojë neve. Ai do të na zbulojë vullnetin e Tij për ne dhe do të na udhëzojë me anë të profetëve të Tij.
Zoti na ka premtuar që, nëse i besojmë profetët e shenjtë, ne do të kemi jetë të përjetshme (shih DeB 20:26). Në nenin e gjashtë të besimit, ne deklarojmë se besojmë tek profetët. Të besosh do të thotë të kesh besim e mirëbesim tek ata dhe t’i ndjekësh, dhe të bësh atë çfarë na kërkojnë të bëjmë profetët.
Në 1980-ën, kur Presidenti Ezra Taft Benson po shërbente si President i Këshillit të Dymbëdhjetë Apostujve, ai dha një mesazh të fuqishëm mbi bindjen ndaj profetëve në një mbrëmje shpirtërore të UBJ në Qendrën Mariot. Biseda e tij e shkëlqyer me titull “Fourteen Fundamentals in Following the Prophet” [“Katërmbëdhjetë Pika Themelore për Ndjekjen e Profetit”], më preku zemrën. Më bëri të ndihesha mirë që kisha marrë vendimin të ndiqja profetët për gjithë pjesën tjetër të jetës sime, kur pranova pagëzimin në Kishën e vërtetë të Zotit.
Do të doja të ndaja me ju disa nga parimet që dha mësim Presidenti Benson:
“Së pari: Profeti është njeriu i vetëm që flet për Zotin në çdo gjë” (1980 Devotional Speeches of the Year [1981], f. 26).
Në kohën tonë, profeti i Perëndisë na ka thënë tё mbajmë urdhёrimet, ta duam bashkënjeriun tonë, të shërbejmë, të kujdesemi për brezin e ri, të shpëtojmë joaktivët ose më pak aktivët – të bëjmë shumë gjëra, që i quajmë përparësi profetike. Na duhet të kuptojmë se këto përparësi janë përparësitë e Perëndisë dhe profeti është zëri i Tij që ia komunikon ato të gjithë Kishës dhe botës.
Neve na është këshilluar “[t’ua vëmë] veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij” (DeB 21:4). Ne mësojmë gjithashtu:
“Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.
Pasi duke i bërë këto gjëra, portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush; po, dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush dhe do të bëjë që qiejt të dridhen për të mirën tuaj dhe për lavdinë e emrit të tij” (DeB 21:5–6).
Pika e dytë themelore: “Profeti i gjallë është më jetik për ne sesa veprat standarde” (“Fourteen Fundamentals”, f. 26).
Profeti i gjallë po merr zbulesa të posaçme për ne. Mund të kujtoj shumë herë kur kam qenë i pranishëm për të dëgjuar një nga shërbëtorët e Zotit të flasë për një gjë të veçantë për një qytet apo vend. Më kujtohen të paktën tre nga profetët e gjallë, shikuesit dhe zbuluesit, që kanë folur për vendin tim, Brazilin. Një nga këta shërbëtorë tha se Brazili do të bëhej një ekonomi e madhe në botë, e lirë nga inflacioni. Në atë kohë, ne kishim inflacion dyshifror çdo muaj. Për shumë njerëz, ishte e vështirë të besonin atë çfarë tha profeti, por unë e besova. Brazili ka pasur rreth 5 përqind inflacion në vit për shumë vite me radhë tani. Brazili është bërë i teti në ekonominë botërore dhe vendi po ecën shkëlqyeshëm!
Pika e tretë themelore: “Profeti i gjallë është më i rëndësishëm për ne sesa një profet i vdekur” (“Fourteen Fundamentals”, f. 27).
Ne mësojmë një mësim të madh për këtë nga shkrimet e shenjta. Në kohën e Noeut, ishte më e lehtë për njerëzit që të besonin tek profetët e vdekur, por qe e vështirë për ta që të besonin tek Noeu. Ne e dimë se, për shkak të mosbesimit të tyre, ata nuk i mbijetuan përmbytjes (shih Zanafilla 6–7).
Pika e katërt themelore: “Profeti nuk do ta udhëheqë kurrë Kishën në udhë të gabuar” (“Fourteen Fundamentals”, f. 27).
Përsëri, ne mësojmë nga profetët e gjallë. Presidenti Uillford Udraf tha: “Zoti nuk do të më lejojë kurrë mua apo ndonjë burrë tjetër që qëndron si President i kësaj Kishe për t’ju udhëhequr në udhë të gabuar. Nuk është në program. Nuk është në mendjen e Perëndisë. Në qoftë se unë do të përpiqesha për atë, Zoti do të më hiqte nga vendi im dhe kështu Ai do të bënte me këdo tjetër që do të përpiqet t’i drejtojë fëmijët e njerëzve në udhë të gabuar nga orakujt e Perëndisë dhe nga detyra e tyre” (Deklarata Zyrtare 1).
Pika e pestë themelore: “Profetit nuk i kërkohet të ketë ndonjë trajnim apo kualifikime të veçanta tokësore për të folur mbi çfarëdo teme, apo për të vepruar për çfarëdo çështjeje në cilëndo kohë” (“Fourteen Fundamentals”, f. 27).
Zoti thirri një të ri, Jozef Smithin, që të rivendoste Kishën e Tij. A mendoni se i riu Jozef Smith kishte titullin doktor në teologji apo shkencë? Ne e dimë se ai qe një i ri i përulur dhe pa arsimim akademik. Por ai u zgjodh nga Zoti dhe mori nga Zoti gjithçka qe e nevojshme për ta nderuar dhe lartësuar thirrjen e një profeti të Rivendosjes.
Presidenti Benson vazhdoi:
“E gjashta: Profetit nuk i duhet të thotë: ‘Kështu thotë Zoti’, që të na japë shkrim të shenjtë. …
E shtata: Profeti na tregon atë që na duhet të dimë, jo gjithmonë atë çfarë ne duam të dimë”(“Fourteen Fundamentals”, f. 27, 28).
Dhe pastaj, Presidenti Benson citoi nga 1 Nefi 16:1, 3:
“Dhe tani ndodhi që pasi unë, Nefi, mbarova së foluri me vëllezërit e mi, vini re, ata më thanë: Ti na ke shpallur gjëra të rënda, më shumë sesa ne mund të durojmë. …
Dhe tani, vëllezërit e mi, në qoftë se ju do të ishit të drejtë dhe do të ishit të gatshëm të dëgjonit të vërtetën dhe t’ia vinit veshin asaj, që ju të mund të ecnit drejt përpara Perëndisë, atëherë ju nuk do të mërmëritnit për shkak të së vërtetës dhe të thonit: Ti flet gjëra të rënda kundër nesh.”
Pika e tetë themelore: “Profeti nuk kufizohet nga arsyetimi i njerëzve. …
… A duket e arsyeshme të mjekosh lebrën duke i thënë një njeriu të lahet shtatë herë në një lumë të veçantë? Megjithatë, kjo është pikërisht çfarë i tha të bënte një lebrozi profeti Eliseu dhe ai u shërua. (Shih 2 Mbretërve 5.)” (“Fourteen Fundamentals”, f. 28).
Dhe Presidenti Benson vazhdoi të jepte parime të tjera mbi bindjen ndaj profetit. Do të lexoj gjashtë të fundit dhe ju ftoj që, në mbrëmjen tuaj të ardhshme familjare, t’i gjeni këto parime në fjalët dhe mësimet e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve tanë të gjallë gjatë kësaj konference të përgjithshme.
“E nënta: Profeti mund të marrë zbulesë për çfarëdo çështje – materiale ose shpirtërore. …
E dhjeta: Profeti mund të përfshihet në çështje qytetare. …
E njëmbëdhjeta: Dy grupet që kanë vështirësitë më të mëdha për të ndjekur profetin janë krenarët që janë të mësuar, dhe krenarët që janë të pasur. …
E dymbëdhjeta: Profeti jo domosdoshmërisht do të jetë popullor për botën apo materialistët. …
E trembëdhjeta: Profeti dhe këshilltarët e tij përbëjnë Presidencën e Parë – kuorumi më i lartë në Kishë. …
E katërmbëdhjeta: Profeti dhe presidenca – profeti i gjallë dhe Presidenca e Parë – ndiqini ata dhe do të bekoheni; refuzojini ata dhe vuani” (“Fourteen Fundamentals”, f. 29).
Ne kemi privilegjin të kemi fjalët e e profetëve, shikuesve dhe zbuluesve tanë të gjallë gjatë kësaj konference të përgjithshme të mrekullueshme. Ata do të shprehin vullnetin e Zotit për ne, popullin e Tij. Ata do të transmetojnë fjalën e Perëndisë dhe këshillën e Tij për ne. Vëruani veshin dhe ndiqini udhëzimin e sugjerimet e tyre dhe unë ju dëshmoj se jeta juaj do të jetë plotësisht e bekuar.
Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Tomas S. Monsoni është profeti i gjallë i Perëndisë dhe Presidenca e Parë e Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, janë profetë, shikues e zbulues. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.