2010–2019
Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar
Tetor 2010


Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar

Suksesi i vërtetë në këtë jetë vjen në përkushtimin e jetës tonë – që do të thotë, kohën dhe zgjedhjet tona – qëllimeve të Perëndisë.

Kur isha i ri, unë vizitova Panairin Botëror të vitit 1964 në Nju-Jork-Siti. Një nga ndalesat e mia të parapëlqyera ishte pavioni i Kishës së SHDM me maketet mbresëlënëse të shigjetave të Tempullit të Solt-Lejkut. Atje për herë të parë pashë filmin Man’s Search for Happiness [Kërkimi i Njeriut për Lumturi]. Përshkrimi në film i planit të shpëtimit, dhënë nga Plaku Riçard L. Evans, pati një efekt të madh te shumë vizitorë, përfshirë mua. Midis gjërash të tjerash Plaku Evans tha:

“Jeta ju ofron juve dy gjëra të çmuara – njëra është koha, tjetra, liria e zgjedhjes, liria për të bërë me kohën tuaj atë që ju doni. Ju jeni të lirë të shkëmbeni ndarjen tuaj të kohës për teka. Ju mund ta përdorni atë për dëshira të pavlera. Ju mund ta investoni atë në lakmi. …

Juaja është liria për të zgjedhur. Por këto nuk janë të mira, sepse në to ju nuk gjeni asnjë kënaqësi të përhershme.

Për çdo ditë, çdo orë, çdo minutë të hapësirës së viteve tuaja të vdekshmërisë dikur duhet të jepet llogari. Dhe është në këtë jetë që ju ecni me besim dhe e provoni veten të aftë të zgjidhni të mirën ndaj të keqes, të drejtën ndaj të gabuarës, lumturinë e qëndrueshme ndaj thjesht argëtimit. Dhe shpërblimi juaj i përjetshëm do të jetë sipas zgjedhjes tuaj.

Një profet i Perëndisë ka thënë: ‘Njerëzit janë që ata të mund të kenë gëzim’ – një gëzim që përfshin një plotësi të jetës, një jetë të përkushtuar shërbimit, dashurisë dhe harmonisë në shtëpi, dhe frytet e punës së ndershme – një pranim i Ungjillit të Jezu Krishtit – i kërkesave dhe urdhërimeve të tij.

Vetëm në këto ju do të gjeni lumturinë e vërtetë, lumturinë që nuk zhduket bashkë me dritat e muzikën dhe me turmat”.

Këto deklarata shprehin realitetin që jeta jonë në tokë është një administrim i kohës dhe i zgjedhjeve dhuruar nga Krijuesi ynë. Fjala kujdestari të sjell në mendje ligjin e Zotit për përkushtimin (shih, për shembull, DeB 42:32, 53), që ka një rol ekonomik, por më shumë se kjo, është një zbatim i ligjit qiellor të jetës këtu dhe tani (shih DeB 105:5). Të përkushtosh është të veçosh apo ta kushtosh diçka si të shenjtë, kushtuar qëllimeve të shenjta. Suksesi i vërtetë në këtë jetë vjen në përkushtimin e jetës tonë, që do të thotë kohën dhe zgjedhjet tona, qëllimeve të Perëndisë (shih Gjoni 17:1, 4 dhe DeB 19:19). Duke bërë kështu, ne e lejojmë Atë të na ngrejë në destinacionin tonë më të lartë.

Unë do të doja të shqyrtoja me ju pesë nga elementet e një jete të përkushtuar: Pastërtinë, punën, respektin për trupin e vet fizik, shërbimin dhe integritetin moral.

Siç e tregoi Shpëtimtari, jeta e përkushtuar është një jetë e pastër. Ndërsa Jezusi është i vetmi që ka ndjekur një jetë pa mëkate, ata që vijnë tek Ai dhe marrin mbi vete zgjedhën e Tij, kërkojnë prej hirit të Tij, që do t’i bëjë ata ashtu siç është Ai, pa mëkate dhe pa njolla. Me dashuri të thellë Zoti na nxit neve me këto fjalë: “Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20).

Prandaj përkushtim do të thotë pendesë. Kokëfortësia, rebelimi dhe racionalizmi duhet të braktisen dhe të zëvendësohen me përulje, një dëshirë për korrigjim dhe pranim të të gjitha gjërave që Zoti mund të kërkojë. Kjo është ajo që mbreti Benjamin e quajti zhveshje të njeriut të natyrshëm, nënshtrim ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe të bërit “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19). Një njeriu të tillë i është premtuar prania e përhershme e Frymës së Shenjtë, një premtim i kujtuar dhe i ripërtërirë sa herë që shpirti i penduar merr pjesë në sakramentin e darkës së Zotit (shih DeB 20:77, 79).

Plaku B. H. Roberts e shprehu një herë procesin me këto fjalë: “Njeriu që ecën në dritë dhe urtësi, dhe fuqi të Perëndisë, në fund të fundit, me vetë forcën e shoqërimit, do ta bëjë dritën dhe urtësinë, dhe forcën e Perëndisë të tijën – duke thurur me ato rreze drite një zinxhir hyjnor, që lidh veten përgjithmonë me Perëndinë dhe Perëndinë me veten. Ky [është] thelbi i fjalëve mistike të Mesias: ‘Ti Atë në mua dhe unë në ty’ – përtej kësaj madhështia njerëzore nuk mund të shkojë”.

Një jetë e përkushtuar është një jetë pune. Qysh herët në jetën e Tij, Jezusi u lidh me punën e Atit të Tij (shih Lluka 2:48–49). Vetë Perëndia është përlëvduar nga puna e Tij për të bërë që të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e fëmijëve të Tij (shih Moisiu 1:39). Ne natyrisht duam të marrim pjesë me Të në punën e Tij dhe, duke bërë kështu, ne duhet të njohim se e gjithë puna e ndershme është puna e Perëndisë. Me fjalët e Tomas Karlilit: “E gjithë Puna e vërtetë është e shenjtë; në gjithë Punën e vërtetë, qoftë edhe thjesht punë e vërtetë dore, ka diçka hyjnore. Puna, e çfarëdo lloji dhe kudo në Botë, çon dhe shpërblehet në Qiell.”

Perëndia e ka projektuar këtë ekzistencë të vdekshme për të kërkuar thuajse një tendosje të përhershme. Unë kujtoj deklaratën e thjeshtë të Profetit Jozef Smith: “Me punë të vazhdueshme [ne] patëm mundësi të arrijmë një jetë komode” (Jozef Smith – Historia 1:55). Me punë ne mbajmë dhe pasurojmë jetën. Ajo na bën të aftë t’u mbijetojmë zhgënjimeve dhe tragjedive të përvojës vdekësore. Arritja e fituar me vështirësi sjell ndjesi respekti për veten. Puna ngre dhe përsos karakterin, krijon bukuri dhe është instrumenti i shërbimit tonë për një tjetër dhe për Perëndinë. Një jetë e shenjtëruar është e mbushur me punë, ndonjëherë e përsëritur, ndonjëherë pastruese, ndonjëherë e pavlerësuar, por gjithmonë punë që përmirëson, rregullon, mban, ngre, shërben, dëshiron.

Pasi kam folur për të vlerësuar punën, unë duhet të shtoj gjithashtu diçka për kohën e lirë. Ashtu si rraskapitja e ndershme i jep pushimit ëmbëlsinë e tij, çlodhja e shëndetshme është miku dhe shoqëruesi i vazhdueshëm i punës. Muzika, letërsia, arti, vallëzimi, teatri, sporti – të gjitha mund të sigurojnë argëtim për të pasuruar jetën e njeriut dhe për ta shenjtëruar më tej atë. Njëkohësisht, vështirë se nevojitet të thuhet që shumë nga ajo që merret si argëtim sot është e rëndomtë, degraduese, e dhunshme, mendje-topitëse dhe humbje kohe. Për ironi, ndonjëherë kërkohet punë e rëndë për të gjetur kohë të lirë të shëndetshme. Kur argëtimi kthehet nga virtyt në ves, ai bëhet shkatërrues i jetës së përkushtuar. “Prandaj, kini kujdes, … të mos gjykoni atë që është e ligë të jetë e Perëndisë” (Moroni 7:14).

Një jetë e shenjtëruar respekton dhuratën e pakrahasueshme të një trupi fizik, një krijim hyjnor në vetë shëmbëlltyrën e Perëndisë. Një qëllim qendror i përvojës vdekësore është që secili shpirt duhet të marrë një trup të tillë dhe të mësojë të ushtrojë lirinë morale të zgjedhjes në një tabernakull prej mishi. Një trup fizik është gjithashtu thelbësor për ekzaltimin, që vjen vetëm në një ndërthurje të përsosur të fizikes dhe shpirtërores, siç ne e shohim në Zotin tonë të dashur të ringjallur. Në këtë botë të rënë, disa jetë do të jenë dhimbshëm të shkurtra, disa trupa do të keqformohen, thyhen apo thjesht do jenë të pamjaftueshëm për të mbajtur jetë, përsëri jeta do të jetë mjaftueshëm e gjatë për çdo shpirt dhe çdo trup do të kualifikohet për ringjallje.

Ata që besojnë se trupat tanë nuk janë më shumë sesa një rezultat i rastit evolucionar, nuk do të ndiejnë asnjë përgjegjësi ndaj Perëndisë apo kujtdo tjetri për atë që bëjnë me apo për trupin e tyre. Ne që kemi një dëshmi për realitetin më të gjerë të përjetësisë paratokësore, tokësore dhe pastokësore, sidoqoftë, duhet të njohim se kemi një detyrë ndaj Perëndisë lidhur me këtë arritje kurorëzuese të Tij të krijimit fizik. Me fjalët e Palit:

“A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?

Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:19–20).

Duke njohur këto të vërteta dhe drejtimin nga Presidenti Tomas S. Monson në konferencën e përgjithshme të prillit të kaluar, ne me siguri nuk do ta prishim trupin tonë, si me tatuazhe, apo ta dobësojmë, si me drogë, apo ta ndotim, si me mëkate, tradhëti bashkëshortore, apo pacipësi. Duke qenë se trupi ynë është një instrument i shpirtit tonë, është jetike që ne të kujdesemi për të me sa mundemi. Ne duhet të përkushtojmë forcat e tij për t’i shërbyer punës së Krishtit dhe për ta çuar më tej atë. Pali tha: “Po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia” (Romakëve 12:1).

Jezusi demonstroi se një jetë e përkushtuar është një jetë shërbimi. Orë përpara se të fillonte agonia e Shlyerjes së Tij, Zoti përulësisht lau këmbët e dishepujve të Tij, duke u thënë:

“Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar” (Gjoni 13:14–16).

Ata që qetësisht dhe plot kujdes synojnë të bëjnë mirë, japin një model përkushtimi. Askush në kohën tonë nuk e mishëron në mënyrë më të përsosur këtë veçori në jetën e përditshme sesa Presidenti Tomas S. Monson. Ai ka formuar një vesh të vëmendshëm që mund të dallojë edhe pëshpërimën më të dobët të Shpirtit, që sinjalizon për nevojën e dikujt, të cilit ai mund t’i drejtohet dhe ta ndihmojë. Shpesh ai përgjigjet me veprime e thjeshta, ku vërtetohet dashuri dhe dije hyjnore, por gjithmonë Tomas Monsoni përgjigjet.

Unë gjej në jetën e gjyshit dhe të gjyshes time Aleksandër DeVit dhe Luizë Vikeri Kristoferson, një shembull përkushtimi të tillë. Gjyshi ishte një burrë i fortë dhe ishte i mirë në qethjen e deleve në ditët përpara qethëseve elektrike. Ai fitoi shumë, ai tha: “Në një ditë qetha 287 dele dhe mund të kisha qethur mbi 300, por delet na u mbaruan”. Gjatë vitit 1919, ai qethi mbi 12.000 dele, duke fituar rreth 2.000 dollarë. Të hollat mund ta kishin zgjeruar në masë të konsiderueshme fermën e tij dhe ta modernizonin shtëpinë e tij, por një thirrje për të shërbyer në Misionin e Shteteve të Jugut erdhi nga Vëllezërit dhe, me mbështetjen e plotë të Luizës, ai pranoi. Ai e la bashkëshkorten (atëherë shtatëzënë me birin e tyre të parë, babanë tim) dhe tri vajzat e tyre me paratë nga qethja e deleve. Për kthimin e tij të gëzueshëm dy vite më pas, ai vërejti: “Kursimet tona na mbajtën gjatë dy viteve dhe neve na kishin mbetur 29 dollarë”.

Një jetë e përkushtuar është një jetë e ndershme. Ne e shohim atë te bashkëshorti dhe bashkëshortja “të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës”. Ne e shohim atë te babai dhe nëna përparësia e parë e shfaqur e të cilëve është të ushqejnë martesën e tyre dhe të sigurojnë mirëqenien fizike dhe shpirtërore të fëmijëve të tyre. Ne e shohim atë tek ata që janë të ndershëm.

Vite përpara, unë u njoha me dy familje në procesin e shkrirjes së një ndërmarrjeje tregtare në bashkëpronësi. Pronarët kryesorë, dy burra që ishin miq dhe anëtarë në të njëjtin komunitet të krishterë, kishin formuar një firmë vite përpara. Ata kishin në përgjithësi një marrëdhënie miqësore si partnerë biznesi, por ndërsa po moshoheshin dhe brezi tjetër filloi të merrte pjesë në biznes, konfliktet filluan. Përfundimisht, të gjitha palët vendosën se do të ishte më e mira të ndanin pasuritë dhe të ndiqnin rrugët e tyre të ndara. Një nga dy ortakët fillestarë sajoi një strategji me juristët e tij për të siguruar për vete një epërsi të rëndësishme financiare prej shkrirjes në dëm të ortakut tjetër dhe të bijve të tij. Në një takim të palëve, një nga bijtë u ankua për këtë trajtim të padrejtë dhe iu drejtua nderit dhe besimeve të krishtera të ortakut të parë. “Ju e dini se kjo nuk është e drejtë”, tha ai. “Si mund të fitoni epërsi ndaj dikujt me këtë mënyrë, veçanërisht një vëllai në të njëjtën kishë?” Juristi i ortakut të parë ia priti: “Oh, rritu një herë! Si mund të jesh kaq naiv?”

Ndershmëria nuk është naivitet. Ajo që është naive është të mendosh se ne nuk jemi përgjegjës përpara Perëndisë. Shpëtimtari ka thënë: “Dhe, Ati im më dërgoi që të mund të ngrihesha në kryq; dhe pasi u ngrita në kryq, që t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ashtu si unë u ngrita nga njerëzit, ashtu dhe njerëzit të ngrihen nga Ati, që të qëndrojnë para meje për t’u gjykuar për veprat e tyre, qofshin ato të mira ose qofshin ato të liga” (3 Nefi 27:14). Ai që jeton një jetë të përkushtuar nuk përpiqet të fitojë epërsi ndaj një tjetri, por nëse ka diçka, do t’i kthejë faqen tjetër dhe, nëse i kërkohet të japë xhaketën të japë edhe pallton gjithashtu (shih Mateu 5:39–40). Qortimet më të ashpra të Shpëtimtarit ishin ndaj hipokritëve. Hipokrizia është tmerrësisht shkatërrimtare, jo vetëm për hipokritin, por për të gjithë ata që e vënë re apo e dinë sjelljen e tij apo të saj, veçanërisht fëmijët. Ajo është besim-shkatërruese, ndërsa ndershmëria është toka e pasur ku fara e besimit lulëzon.

Një jetë e përkushtuar është një gjë e mrekullueshme. Forca dhe kthjelltësia e saj janë “si një pemë shumë frytdhënëse, e cila mbillet në një tokë të mirë, pranë një rrëkeje të pastër, e cila prodhon shumë fruta të çmuar” (DeB 97:9). Me rëndësi të veçantë është ndikimi i një burri apo gruaje të përkushtuar ndaj të tjerëve, veçanërisht atyre më të afërt dhe më të dashur. Përkushtimi i shumë njerëzve që janë larguar përpara nesh, dhe i të tjerëve që jetojnë midis nesh, ka ndihmuar të hidhet themeli për lumturinë tonë. Në mënyrë të ngjashme, brezat e ardhshëm do të marrin kurajë nga jeta juaj e përkushtuar, duke njohur borxhin e tyre ndaj jush për pasjen e gjithçkaje që vërtet vlen. E përkushtofshim jetën tonë si bij dhe bija të Perëndisë, “që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë” (Moroni 7:48; shih gjithashtu 1 Gjoni 3:2), unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Man’s Search for Happiness (pamflet, 1969), f. 4–5.

  2. B. H. Roberts, “Brigham Young: A Character Study”, Improvement Era, qershor 1903, f. 574.

  3. Thomas Carlyle, Past and Present (1843), f. 251.

  4. Shih Tomas S. Monson, “Përgatitja Sjell Bekime”, Liahona dhe Ensign, maj 2010, f. 64–67.

  5. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, f. 49: Ensign, nëntor 1995, f. 102.