Merrni Frymën e Shenjtë
Këto katër fjalë – “Merre Frymën e Shenjtë” – nuk janë një shqiptim pasiv; përkundrazi, ato përbëjnë një urdhër priftërie një këshillim autoritar për të vepruar dhe jo thjesht që të detyrohemi të veprojmë.
Mesazhi im përqendrohet në rëndësinë e përpjekjes në jetën tonë të përditshme për ta marrë në praktikë Frymën e Shenjtë. Unë lutem dhe e ftoj Shpirtin e Zotit ta udhëzojë dhe ta ngrejë moralisht secilin prej nesh.
Dhurata e Frymës së Shenjtë
Në dhjetor 1839, ndërkohë që ishin në Uashington D.C., për të kërkuar korrigjim për padrejtësitë e bëra kundrejt shenjtorëve të Misurit, Jozef Smithi dhe Elias Higbi i shkruan Hajrëm Smithit: “Në intervistën tonë me Presidentin [e Shteteve të Bashkuara], ai na pyeti se ku ndryshonte besimi ynë nga besimet e tjera të kohës. Vëllai Jozef tha se ne ndryshonim në mënyrën e pagëzimit dhe të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve. Ne besonim se të gjitha ndryshimet e tjera ishin pjesë e dhuratës së Frymës së Shenjtë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 97).
Fryma e Shenjtë është pjesëtari i tretë i Kreut-Perëndi; ai është një personazh i shpirtit dhe jep dëshmi për gjithë të vërtetën. Në shkrimet e shenjta, Frymës së Shenjtë i referohen si Ngushëlluesi (shih Gjoni 14:16–27; Moroni 8:26), një mësues (shih Gjoni 14:26; DeB 50:14) dhe një zbulues (shih 2 Nefi 32:5). Zbulesat nga Ati dhe Biri përçohen nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai është lajmëtari dhe dëshmitari për Atin e Birin.
Fryma e Shenjtë u shfaqet burrave e grave në tokë edhe si fuqia edhe si dhurata e Frymës së Shenjtë. Fuqia mund të vijë tek një person përpara pagëzimit; ajo është dëshmia bindëse se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, kërkuesit e sinqertë mund të sigurojnë një bindje për vërtetësinë e ungjillit të Shpëtimtarit, e Librit të Mormonit, e realitetit të Rivendosjes dhe e thirrjes profetike të Jozef Smithit.
Dhurata e Frymës së Shenjtë jepet vetëm pas pagëzimit të duhur e të autorizuar dhe me anë të vendosjes së duarve nga ata që mbajnë Priftërinë Melkizedeke. Zoti shpalli:
“Po, pendohuni e pagëzohuni, secili prej jush, për shlyerjen e mëkateve tuaja; po, pagëzohuni madje me ujë dhe më pas vjen pagëzimi prej zjarrit dhe prej Frymës së Shenjtë. …
Dhe këdo që ka besim, do ta konfirmoni në kishën time, me anë të vënies së duarve, dhe unë do t’u jap dhuratën e Frymës së Shenjtë atyre” (DeB 33:11, 15).
Apostulli Pal ua qartësoi këtë praktikë efesianëve kur pyeti:
“‘A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?’ Ata iu përgjigjën: ‘Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë’.
Dhe ai u tha atyre: ‘Me se, pra, u pagëzuat?’ Ata u përgjigjën: ‘Me pagëzimin e Gjonit’.
Atëherë Pali tha: ‘Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t’i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit’.
Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.
Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan” (Veprat e Apostujve 19:2–6).
Pagëzimi me zhytje është “ordinanca paraprirëse e ungjillit dhe duhet të pasohet nga pagëzimi i Shpirtit që të jetë i plotë” (Bible Dictionary, “Baptism”). Profeti Jozef Smith shpjegoi se “pagëzimi është një ordinancë e shenjtë përgatitore për marrjen e Frymës së Shenjtë; është kanali dhe çelësi nga ku do të administrohet Fryma e Shenjtë. Dhurata e Frymës së Shenjtë me anë të vendosjes së duarve, nuk mund të merret nëpërmjet asnjë parimi tjetër përveç parimit të drejtësisë” (Teachings: Joseph Smith, f. 95–96).
Ordinanca e konfirmimit të një anëtari të ri të Kishës dhe dhënia e dhuratës së Frymës së Shenjtë është edhe e thjeshtë edhe e thellë. Mbajtës të denjë të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart mbi kokën e një individi dhe e thërrasin atë me emër. Pastaj, me autoritetin e priftërisë së shenjtë dhe në emrin e Shpëtimtarit, individi konfirmohet anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shqiptohet kjo frazë e rëndësishme: “Merre Frymën e Shenjtë”.
Thjeshtësia e kësaj ordinance mund të bëjë që të mos e vëmë re domethënien e saj. Këto katër fjalë – “Merre Frymën e Shenjtë” – nuk janë një shqiptim pasiv; përkundrazi, ato përbëjnë një urdhër priftërie – një këshillim autoritar për të vepruar dhe jo thjesht që të detyrohemi të veprojmë (shih 2 Nefi 2:26). Fryma e Shenjtë nuk bëhet vepruese në jetën tonë thjesht sepse duart janë vendosur mbi kokë dhe ato katër fjalë të rëndësishme janë shqiptuar. Kur e marrim këtë ordinancë, secili prej nesh pranon një përgjegjësi të shenjtë e të vazhdueshme për të dëshiruar, kërkuar, punuar dhe jetuar në mënyrë të tillë që ne vërtet “ta marrim Frymën e Shenjtë” dhe dhuratat e tij shpirtërore shoqëruese. “Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës” (DeB 88:33).
Çfarë duhet të bëjmë ne që ta shndërrojmë këtë këshillim autoritar për të kërkuar shoqërimin e pjesëtarit të tretë të Kreut-Perëndi në një realitet të vazhdueshëm? Më lejoni të sugjeroj se ne duhet 1) të dëshirojmë sinqerisht ta marrim Frymën e Shenjtë; 2) ta ftojmë siç duhet Frymën e Shenjtë në jetën tonë; dhe 3) t’u bindemi besnikërisht urdhërimeve të Perëndisë.
Të Dëshirojmë Sinqerisht
Së pari ne duhet të dëshirojmë, të jemi të etur dhe të kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ju dhe unë mund të mësojmë një mësim të shkëlqyer mbi dëshirat e drejta nga dishepujt besnikë të Mësuesit, të përshkruara në Librin e Mormonit:
“Dhe të dymbëdhjetët mësuan turmën dhe vini re, ata e bënë turmën të ulej në gjunjë mbi faqen e tokës dhe t’i lutej Atit në emrin e Jezusit. …
Dhe ata u lutën për atë gjë që dëshironin më shumë; dhe ata dëshironin që t’u jepej Fryma e Shenjtë” (3 Nefi 19:6, 9).
A kujtohemi edhe ne njëlloj të lutemi me zell e vazhdueshëm për atë që duhet ta dëshirojmë më së shumti, madje Frymën e Shenjtë? Apo hutohemi nga përkujdesjet e botës dhe rutina e jetës së përditshme dhe e marrim për të mirëqenë ose madje e shpërfillim këtë më të çmuarën e të gjitha dhuratave? Marrja e Frymës së Shenjtë fillon me dëshirën tonë të sinqertë e të vazhdueshme për shoqërimin e Tij në jetën tonë.
Ta Ftojmë siç Duhet
Ne e marrim dhe e njohim më me gatishmëri Shpirtin e Zotit kur e ftojmë Atë siç duhet në jetën tonë. Ne nuk mund ta detyrojmë, shtrëngojmë, ose urdhërojmë Frymën e Shenjtë. Përkundrazi, ne duhet ta ftojmë Atë në jetën tonë me të njëjtën mirësi dhe butësi me të cilën Ai na trajton ne (shih DeB 42:14).
Ftesat tona për shoqërimin e Frymës së Shenjtë ndodhin në shumë mënyra: nëpërmjet bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve; duke u lutur sinqerisht si individë dhe familje; duke i kërkuar me zell shkrimet e shenjta; nëpërmjet forcimit të marrëdhënieve të duhura me pjesëtarët e familjes dhe miqtë; duke kërkuar të kemi mendime, veprime dhe fjalor të virtytshëm; dhe duke adhuruar në shtëpitë tona, në tempullin e shenjtë dhe në Kishë. Përkundrazi, shkujdesja ose shkelja e besëlidhjeve dhe zotimeve, dështimi për lutje dhe studim të shkrimeve të shenjta dhe mendimet, veprimet e fjalori i pavend, bëjnë që Shpirti të tërhiqet ose të na shmangë krejtësisht.
Ashtu si e mësoi popullin e tij Mbreti Beniamin: “Dhe tani, unë ju them juve, vëllezërit e mi, që pasi ju të keni ditur dhe t’ju jenë mësuar të gjitha këto gjëra, në qoftë se ju do të shkelni dhe do të shkoni kundër asaj që është folur, që ju do të largoheni nga Shpirti i Zotit, që ai të mos ketë më vend në ju për t’ju udhëhequr në udhët e urtësisë, që ju të mund të jeni të bekuar, të begatuar dhe të ruajtur” (Mosia 2:36).
Të Bindemi Besnikërisht
Bindja besnikërisht ndaj urdhërimeve të Perëndisë është thelbësore për marrjen e Frymës së Shenjtë. Ne kujtohemi për këtë të vërtetë çdo javë kur dëgjojmë lutjet e sakramentit dhe marrim denjësisht bukën dhe ujin. Kur ne garantojmë gatishmërinë tonë për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit, për ta kujtuar gjithmonë Atë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij, neve na premtohet se mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne (shih DeB 20:77). Kështu, gjithçka që na mëson ungjilli i Shpëtimtarit që të bëjmë e të bëhemi, ka për qëllim të na bekojë me shoqërimin e Frymës së Shenjtë.
Merrni parasysh arsyet pse lutemi dhe studiojmë shkrimet e shenjta. Po, ne jemi të etur të komunikojmë në lutje me Atin Qiellor në emrin e Birit të Tij. Dhe po, ne dëshirojmë të pajisemi me dritën dhe dijen e disponueshme në veprat standarde. Por ju lutem, kujtoni se këto zakone të shenjta kryesisht janë mënyra përmes të cilave ne kujtojmë gjithmonë Atin Qiellor e Birin e Tij të Dashur dhe janë kushte paraprake për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.
Mendoni mbi arsyet pse adhurojmë në Shtëpinë e Zotit dhe në mbledhjet tona të Shabatit. Po, ne u shërbejmë të afërmve tanë të vdekur në tempull – dhe familjeve e miqve tanë në lagjet e degët ku banojmë. Dhe po, ne gëzohemi me shoqërimin e drejtë që gjejmë mes vëllezërve dhe motrave tona. Por kryesisht ne mblidhemi së bashku në unitet për të kërkuar bekimet dhe udhëzim nga Fryma e Shenjtë.
Lutja, studimi, mbledhja, adhurimi, shërbimi dhe bindja nuk janë pika të veçuara e të pavarura në një listë të gjatë të ungjillit të gjërave për të bërë. Përkundrazi, secila prej këtyre praktikave të drejta është një element i rëndësishëm në një kërkim shpirtëror kryesor për të përmbushur urdhrin për të marrë Frymën e Shenjtë. Urdhërimet nga Perëndia që u bindemi, dhe këshilla e frymëzuar nga udhëheqësit e Kishës që e ndjekim, përqendrohen kryesisht mbi sigurimin e shoqërimit të Shpirtit. Në thelb, të gjitha mësimet dhe aktivitetet e ungjillit qendërzohen në vajtjen tek Krishti duke marrë Frymën e Shenjtë në jetën tonë.
Ju dhe unë duhet të përpiqemi fort që të bëhemi si luftëtarët e rinj të përshkruar në Librin e Mormonit, të cilët “zbatonin çdo fjalë të urdhërit me përpikmëri; po, dhe madje u bë çdo gjë sipas besimit të tyre; …
… Dhe janë të zellshëm që të kujtojnë Zotin, Perëndinë e tyre, nga dita në ditë; po, përpiqen të zbatojnë ligjet e tij dhe gjykimet e tij dhe urdhërimet e tij përherë (Alma 57:21; 58:40).
Dëshmia
Zoti ka deklaruar se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “vetm[ja] kishë [e] vërtetë dhe [e] gjallë mbi faqen e tërë dheut” (DeB 1:30). Kjo Kishë e rivendosur është e vërtetë sepse është Kisha e Shpëtimtarit; Ai është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Dhe është një Kishë e gjallë për shkak të funksionimit dhe dhuratave të Frymës së Shenjtë. Sa të bekuar jemi që jetojmë në një kohë kur priftëria është në tokë dhe ne mund të marrim Frymën e Shenjtë!
Disa vite pasi Profeti Jozef Smith ishte martirizuar, ai iu shfaq Presidentit Brigam Jang dhe i dha këtë këshillë për çdo kohë: “Thuaju njerëzve të jenë të përulur dhe besnikë, dhe të sigurt për të mbajtur Shpirtin e Zotit dhe ai do t’i udhëheqë saktë. Kini kujdes dhe mos e largoni zërin e qetë e të ulët; ai do t’ju mësojë [çfarë] të bëni dhe ku të shkoni; ai do të japë frytet e mbretërisë. Thuaju vëllezërve t’i mbajnë zemrat të hapura që të mbeten të gatshëm për të qenë të bindur për të vërtetën, kështu që kur t’u vijë Fryma e Shenjtë, zemra e tyre do të jetë gati për ta marrë atë. Ata mund ta dallojnë Shpirtin e Zotit nga gjithë shpirtrat e tjerë. Ai do t’u pëshpërisë paqe e gëzim shpirtrave të tyre dhe ai do të heqë keqdashjen, urrejtjen, zilinë, grindjen dhe gjithë të ligën nga zemra e tyre; dhe e gjithë dëshira e tyre do të jetë për të bërë mirë, për të sjellë drejtësinë dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Thuaju vëllezërve se nëse do të ndjekin Shpirtin e Zotit, ata do të jenë krejt në rregull” (Teachings: Joseph Smith, f. 98).
Unë lutem që ne do të dëshirojmë sinqerisht dhe do ta ftojmë siç duhet Frymën e Shenjtë në jetën tonë të përditshme. Unë lutem gjithashtu që secili prej nesh t’u bindet besnikërisht urdhërimeve dhe ta marrë vërtet Frymën e Shenjtë. Unë premtoj se bekimet e përshkruara Brigam Jangut nga Profeti Jozef Smith janë të zbatueshme dhe të arritshme për çdo individ që e dëgjon ose lexon këtë mesazh.
Unë jap dëshmi për realitetin e gjallë të Atit dhe Birit. Unë dëshmoj se Fryma e Shenjtë është një zbulues, ngushëllues dhe mësuesi themelor prej të cilit duhet të mësojmë. Dhe unë dëshmoj se bekimet dhe dhuratat e Shpirtit funksionojnë në Kishën e rivendosur, të vërtetë dhe të gjallë të Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.