2010–2019
Shmangia e Grackës së Mëkatit
Tetor 2010


Shmangia e Grackës së Mëkatit

Qëndroni të fortë dhe bëni zgjedhje të mira që do t’ju lejojnë që të hani frutin e pemës së jetës.

Një mëngjes të bukur me diell, e ftova mbesën time pothuaj tetëvjeçare, Vikin, të shëtiste me mua pranë një liqeni, që, në fakt, është një rezervuar ujor për qytetin tonë të bukur.

Shëtisnim të gëzuar, duke dëgjuar zhurmën e këndshme të përroit të kthjellët si kristali, që rridhte përgjatë shtegut tonë. Shtegu ravijëzohej nga pemë të bukura të gjelbra dhe lule me aromë të këndshme. Mund të dëgjonim zogj që këndonin.

Unë e pyeta mbesën time sykaltër, gazmore e të pafajshme se si po përgatitej për pagëzim.

Ajo u përgjigj me një pyetje: “Gjysh, çfarë është mëkati?”

Në heshtje u luta për frymëzim dhe u përpoqa të përgjigjesha aq thjesht sa mundja: “Mëkati është mosbindje e qëllimshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Ai e trishton Atin Qiellor dhe rezultatet janë vuajtja dhe trishtimi.”

Qartazi e shqetësuar, ajo më pyeti: “E si na zë ai neve?”

Pyetja, së pari, zbulon pastërti, por ajo gjithashtu zbulon shqetësim për mënyrën se si të shmanget përfshirja në mëkat.

Që ajo ta kuptonte më qartë, unë përdora si ilustrim elemente natyrore që kishim përreth. Duke vazhduar zbritjen e shtegut tonë, anash një gardhi prej teli me gjemba gjetëm një shtyllë guri me madhësi të konsiderueshme; ishte një formacion i rëndë, përreth të cilit rriteshin lule, shkurre dhe pemë të shkurtra. Me kohë, këto bimë do të bëheshin më të mëdha se vetë shtylla.

M’u kujtua që pak më tutje shtegut do të gjenim një shtyllë tjetër që tashmë ishte pushtuar pak nga pak, pothuaj pa u vënë re, nga bimësia që rritej përreth saj. Përfytyroj që shtylla nuk do ta merrte me mend se, pavarësisht forcës së saj, ajo mund të rrethohej e të shkatërrohej nga bimët e brishta. Shtylla do të mendonte: “S’ka problem. Jam e fortë dhe e madhe, dhe kjo bimë e vogël nuk do të më dëmtojë.”

Kështu, ndërsa pema pranë bëhet më e madhe, shtylla në fillim nuk e vë re; më pas shtylla fillon ta pëlqejë hijen që jep pema. Por pema vazhdon të rritet dhe e rrethon shtyllën me dy degë, të cilat fillimisht duken të brishta, por që me kohë gërshetohen dhe e rrethojnë shtyllën.

Shtylla ende nuk e ka të qartë se ç’po ndodh.

Në shëtitjen tonë, shpejt e gjetëm shtyllën e këtij subjekti. Ajo ishte e shkulur nga toka. Mbesa ime e vogël shikoi me ndjenjë përshtypjeje dhe më pyeti: “Gjysh, a është kjo pema e mëkatit?”

Unë atëherë i shpjegova që kjo ishte vetëm një simbol apo një shembull i mënyrës se si na zë mëkati.

Nuk e di se ç’ndikim do të ketë mbi të biseda jonë, por mua më bëri të mendoja për fytyrat e shumta të mëkatit dhe mënyrën se si hyn vjedhurazi në jetën tonë, nëse e lejojmë në të.

Ne duhet të jemi vigjilentë, sepse zgjedhjet e vogla mund të sjellin pasoja të mëdha, sikurse rënia herët për të fjetur dhe zgjimi herët kanë pasoja të mëdha. Doktrina e Besëlidhjet 88:124 na mëson: “Ngrihuni herët, që trupat tuaja dhe mendjet tuaja të mund të fuqizohen”. Ata që shkojnë të flenë herët, zgjohen të çlodhur, me trupin dhe mendjen të forcuar e të bekuar nga Zoti në saje të bindjes.

Ato që mund të duken me rëndësi të vogël, siç është vajtja vonë në shtrat, mosbërja e lutjeve për një ditë, kapërcimi i agjërimit ose thyerja e Shabatit – kësi rrëshqitjesh të vogla – do të na bëjnë të humbasim pak nga pak ndjeshmërinë, duke lejuar që të bëjmë gjëra më të këqija.

Kur isha adoleshent, ora e mbylljes në shtëpi ishte 10:00 e mbrëmjes. Sot kjo është koha kur disa dalin për t’u argëtuar. Megjithatë, dimë se pikërisht nata është koha që ndodhin disa nga gjërat më të këqija. Pikërisht gjatë orëve të errëta është koha që disa të rinj shkojnë në vende me mjedise të papërshtatshme, ku muzika dhe teksti nuk i lejojnë të kenë shoqërinë e Frymës së Shenjtë. Atëherë, nën këto rrethana, ata bëhen pre e lehtë për mëkatin.

Shpeshherë rënia pre ndaj mëkatit fillon kur dikush zgjedh miq, standardet e të cilëve nuk janë në pajtim me ungjillin; dhe, që të jetë popullor apo i pranuar prej shokëve, personi më pas bën lëshime me parimet dhe ligjet, duke zbritur një shteg që do t’i sjellë vetëm dhembje e trishtim këtij personi dhe njerëzve të dashur të tij, apo të saj.

Duhet të jemi vigjilentë për të mos lejuar që mëkati të rritet rreth nesh. Format e mëkatit janë gjithkund – madje, për shembull, edhe në një kompjuter apo telefon celular. Këto teknologji janë të dobishme dhe mund të na sjellin dobi. Por përdorimi i tyre i pavend – siç është përfshirja në lojërat që shpërdorojnë kohë, programe që të drejtojnë në kënaqësi mishtore apo në gjëra shumë më të këqija, si pornografia – është shkatërrimtar. Pornografia shkatërron karakterin dhe bën që përdoruesi saj të zhytet në rërën thithëse të ndyrësisë, nga e cila personi mund të shpëtojë vetëm me shumë ndihmë.

Ky përbindësh i tmerrshëm i shkakton dhembje dhe vuajtje si përdoruesit, ashtu edhe fëmijëve të pafajshëm të tij apo të saj, bashkëshortes, atit dhe nënës. Fryti i kënaqësisë mishtore është hidhërim dhe dëshpërim. Fryti i bindjes e i sakrificës është ëmbëlsi dhe gëzim i pasosur.

Vendimet lidhur me standardet që ndiqen duhen bërë që më përpara, jo kur shfaqet tundimi. Parimet tona udhëzuese duhet të jenë:

  • Këtë do ta bëj, sepse është e drejtë, se vjen nga Zoti dhe do të më sjellë lumturi.

  • Këtë nuk do ta bëj, sepse do të më çojë larg prej së vërtetës, prej Zotit dhe prej lumturisë së përjetshme që Ai u premton besnikëve dhe të bindurve.

Meqë Ati e dinte se ne do të bënim zgjedhje të gabuara, Ai, në planin e Tij të mrekullueshëm të dashurisë, siguroi një Shpëtimtar të botës për të shlyer mëkatet e të gjithë atyre që pendohen; të cilët vijnë tek Ai duke kërkuar ndihmë, ngushëllim dhe falje; dhe të cilët janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Tij, Jezu Krishtit.

Nëse mëkatojmë, ne duhet të kërkojmë shpejt ndihmë, sepse të vetëm nuk mund t’i shpëtojmë grackës së mëkatit, ashtu sikurse shtylla e gardhit të lartpërmendur nuk mund të vetëçlirohet. Dikush duhet të na ndihmojë që të çlirohemi nga rrethimi vdekjeprurës.

Prindërit mund të ndihmojnë dhe peshkopi është thirrur nga Perëndia që të na ndihmojë. Pikërisht tek ai duhet të shkojmë e t’i hapim zemrën.

Doktrina e Besëlidhje 58:42–43 shpjegon:

“Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.

Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij – vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato.”

Pak muaj pas shëtitjes sonë pranë liqenit, mbesa ime u intervistua nga peshkopi i saj – i ati – për pagëzimin. Mbas intervistës e pyeta se si shkoi. Ajo m’u përgjigj, pothuaj me qortim: “Gjysh, intervista është private. Ti e di këtë.”

Peshkopë, shpresoj se atë përgjigje ju e merrni seriozisht. Më duket që mbesa ime arriti të kuptonte shumё në një kohë fare të shkurtër.

Ashtu sikurse pema që kam përshkruar solli trishtim, dhimbje, vuajtje dhe grackë, një pemë tjetër mund të sjellë të kundërtën. Ajo përmendet te 1 Nefi 8:10–12:

“Dhe ndodhi që pashë një pemë, fruti i së cilës ishte i dëshirueshëm për ta bërë dikë të lumtur.

Dhe ndodhi që unë shkova përpara dhe hëngra nga fruti i saj, dhe vura re se ishte më i ëmbël se gjithçka që kisha shijuar ndonjëherë më parë. Po, dhe vura re se fruti i saj ishte i bardhë, mbi çdo bardhësi që kisha parë ndonjëherë.

Dhe ndërsa po haja frutin e saj, ai ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh.”

Të dashur vëllezër dhe motra, qëndroni të fortë dhe bëni zgjedhje të mira që do t’ju lejojnë që të hani frutin e pemës së jetës. Nëse, për ndonjë arsye, keni gabuar ose keni lënë shtegun, dora jonë qëndron e shtrirë dhe ne ju themi: “Ejani. Ka shpresë. Ne ju duam dhe dëshirojmë t’ju ndihmojmë që të jeni të lumtur.”

Ati Qiellor na do aq shumë, sa ka dhënë Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin.

Jezu Krishti na do aq shumë, sa dha jetën e Tij në shlyerje të mëkateve tona!

Çfarë jemi të gatshëm të japim ne, që të jemi të pastër dhe të marrim atë gëzim?

Për këto të vërteta jap dëshminë time në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.