Besim – Zgjedhja Është e Juaja
Zgjidhni besimin në vend të dyshimit, zgjidhni besimin në vend të frikës, zgjidhni besimin në vend të së panjohurës e të padallueshmes dhe zgjidhni besimin në vend të pesimizmit.
Jetojmë në njërën nga periudhat ungjillore më të shkëlqyera të të gjitha kohërave – një kohë që profetët e mëparshëm mezi e prisnin, e profetizuan dhe, unë besoj, e dëshiruan me mall. Mirëpo, me gjithë bekimet qiellore që na janë dhuruar, Satani, gjithnjë aq real, është përherë mjaft aktiv dhe mesazhet kontradiktore vazhdimisht po na bombardojnë të gjithëve. Engjëlli Moroni paralajmëroi Profetin Jozef Smith se emri i tij do të mbahej për mirë e për keq anembanë botës (shih Joseph Smith – Historia 1:33), dhe kurrë më i faktuar nuk ka qenë plotësimi i një profecie. Profeti dha jetën për dëshminë e tij dhe sot sulmet vazhdojnë kundër Kishës dhe Vetë Shpëtimtarit madje. E vërteta për Shpëtimtarin, sakrificën e Tij shlyese dhe zbatimin e përgjithshëm që ajo ka për të gjithë ne, kundërshtohet dhe shpesh mënjanohet si një mit apo shpresë e pabazë e mendjes së dobët e të paarsimuar. Për më tepër, të vërtetën e Rivendosjes së ungjillit në këto ditë të mëvonshme vazhdojnë ta kundërshtojnë. Bombardimi i vazhdueshëm prej mesazhesh të tilla mund të shkaktojë ngatërresë, dyshim dhe pesimizëm, secili në mësymje të të vërtetave themelore në të cilat ne besojmë, të besimit tek Perëndia dhe të shpresës sonë tek e ardhmja.
Kjo mund të jetë e vërteta e botës sonë, por ne ende mund të zgjedhim si të reagojmë ndaj saj. Kur doktrinat dhe besimet tona të shenjta i kundërshtojnë, është mundësia jonë që të njihemi me Perëndinë në mënyrën më personale e më të afërt. Kjo është mundësi që ne të zgjedhim.
Për arsye të kundërshtimeve dhe sfidave me të cilat përballemi në botën e sotme, unë dëshiroj të këshilloj një zgjedhje të vetme – një zgjedhje paqeje dhe mbrojtjeje dhe një zgjedhje e përshtashme për të gjithë. Ajo zgjedhje është besimi. Kini parasysh që besimi nuk është dhuratë falas që jepet pa treguar vëmendje, dëshirë apo përpjekje. Nuk vjen si vesa që bie nga qielli. Shpëtimtari tha: “Ejani tek unë” (Mateu 11:28) dhe “Trokitni dhe do t’ju [jepet]” (Mateu 7:7). Këto janë folje veprimi – ejani, trokitni. Ato janë zgjedhje. Prandaj them: zgjidhni besimin. Zgjidhni besimin në vend të dyshimit, zgjidhni besimin në vend të frikës, zgjidhni besimin në vend të së panjohurës e të padallueshmes dhe zgjidhni besimin në vend të pesimizmit.
Diskutimi klasik i Almës mbi besimin, sikurse shënohet në kapitullin e 32-të të Almës në Librin e Mormonit, është një seri zgjedhjesh për të garantuar zhvillimin dhe ruajtjen e besimit tonë. Alma na dha një udhëzim për të zgjedhur. Ishin të tijat fjalët e veprimit që fillon me zgjedhjen. Ai përdori fjalët zgjohuni, vini në veprim, vini në provë, ushtroni, dëshironi, veproni dhe mbillni. Më pas Alma shpjegoi se, në rast se i bëjmë këto zgjedhje dhe nuk e hedhim farën tej me mosbesim, atëherë “ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin [tonë]” (Alma 32:28).
Po, besimi është zgjedhje dhe duhet të kërkohet e të zhvillohet. Kësisoj, ne jemi përgjegjes për besimin tonë vetjak. Jemi gjithashtu përgjegjës për mungesën e besimit tonë. Zgjedhja është e juaja.
Janë të shumta ato që unë nuk di. Nuk di hollësitë e organizimit të lëndës për një botë të mrekullueshme ku ne jetojmë. Nuk kuptoj ndërlikimet e Shlyerjes, mënyrën se si arrin sakrifica e Shpëtimtarit t’i pastrojë të gjithë njerëzit e penduar apo mënyrën si mund të vuante Shpëtimtari “dhembjen e gjithë njerëzve” (DeB 18:11). Nuk di se ku ishte qyteti i Zarahemlës, siç është përmendur në Librin e Mormonit. Nuk e di përse ato që besoj, nganjëherë bien ndesh me njohurinë e pranuar shkencore apo laike. Ndoshta këto janë çështje të cilat Ati ynë Qiellor i cilësoi si “misteret … [e] qiellit” (DeB 107:19) që do të zbulohen në një kohë të mëvonshme.
Por, ndonëse nuk di gjithçka, unë di të rëndësishmen. Di të vërtetat e qarta e të thjeshta të ungjillit që çojnë drejt shpëtimit dhe ekzaltimit. Di që Shpëtimtari vuajti dhembjen e gjithë njerëzve dhe që të gjithë njerëzit e penduar mund të pastrohen nga mëkati. Dhe, për ato që nuk di ose nuk kuptoj plotësisht, me ndihmën e fuqishme të besimit tim, i vë hendekut urën dhe vazhdoj përpara, duke marrë premtimet dhe bekimet e ungjillit. Dhe atëherë, siç mësonte Alma, besimi ynë na sjell te një njohuri e përsosur (shih Alma 32:34). Duke shkuar përpara drejt së panjohurës, të armatosur vetëm me shpresë e dëshirë, ne shfaqim treguesin e besimit dhe të besnikërisë sonë ndaj Zotit.
Dhe prandaj, duke ndjekur formulën e Almës, le të zgjedhim. Le të zgjedhim besimin.
-
Nëse hutimi dhe mungesa e shpresës rëndojnë në mendjen tuaj, zgjidhni të “zgjoheni dhe … të vini në veprim aftësitë tuaja” (Alma 32:27). Afrimi i përulur te Zoti, me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, është shtegu drejt së vërtetës dhe rruga e Zotit drejt dritës, njohurisë dhe paqes.
-
Nëse dëshmia juaj është e pazhvilluar, e paprovuar dhe e pasigurt, zgjidhni të “ushtroni [madje] një pjesëz të besimit”; zgjidhni të “bëni një provë mbi fjalët e [Tij]” (Alma 32:27). Shpëtimtari shpjegoi: “Në qoftë se dikush don të dijë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).
-
Kur logjika, arsyeja ose intelekti vetjak bien ndesh me mësimet dhe doktrinën e shenjtë ose kur mesazhet kontradiktore i sulmojnë besimet tuaja si shigjetat e zjarrta që përshkruhen nga Apostulli Pal (shih Efesianëve 6:16), zgjidhni të mos e dëboni farën nga zemra juaj prej mosbesimit. Mbani mend, ne nuk marrim dëshmi deri pas provës së besimit tonë (shih Ethëri 12:6).
-
Nëse besimi juaj është provuar dhe pjekur, zgjidhni ta ushqeni “me kujdes të madh” (Alma 32:37). Aq sa është i fortë besimi ynë, me të gjitha mesazhet e trazuara që e sulmojnë atë, mund të bëhet shumë i brishtë. Atij i nevojitet ushqim i pandërprerë përmes studimit të shkrimit të shenjtë, lutjes dhe zbatimit të fjalës së Tij në vazhdimësi.
Kur dishepujt e pyetën Jezusin se përse nuk mundën të dëbonin një djall sikurse sapo kishin dëshmuar se Shpëtimtari e bëri këtë, Jezusi u përgjigj: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t‘i thoni këtij mali: ‘Zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset” (Mateu 17:20). Unë nuk kam dëshmuar ndonjëherë zhvendosjen e një mali të vërtetë. Por, për shkak të besimit, kam parë male dyshimi e dëshpërimi të zhvendosen dhe të zëvendësohen me shpresë dhe optimizëm. Për shkak të besimit, kam dëshmuar personalisht që një mal mëkati zëvendësohet me pendim dhe falje. Dhe, për shkak të besimit, kam dëshmuar personalisht që një mal dhimbjeje zëvendësohet me paqe, shpresë dhe mirënjohje. Po, kam parë të zhvendosen male.
-
Për shkak të besimit tim kam vënë në lëvizje fuqinë e priftërisë që unë mbaj dhe kam qenë pjesëmarrës i ëmbëlsisë së ungjillit, dhe kam zgjedhur ordinancat shpëtuese.
-
Për shkak të besimit tim punoj me paqe e siguri përmes mundimeve e vështirësive të jetës.
-
Për shkak të besimit tim kam qenë në gjendje që pyetje, dhe madje dyshime, t’i shndërroja në siguri e kuptim.
-
Për shkak të besimit tim i qasem me siguri të plotë së panjohurës, së padukshmes e së pashpjegueshmes.
-
Dhe për shkak të besimit tim – madje në kohët në dukje më të këqija – pranoj me paqe e mirënjohje se aty është, në të vërtetë, koha më e mirë.
E kur ne zgjedhim besimin e më pas e ushqejmë atë besim drejt një njohurie të përsosur të gjërave të Zotit, atëherë ne përdorim fjalët “unë dëshmoj” ose “unë e di”. Unë personalisht e kam mbjellur farën në zemër dhe gjatë jetës sime jam përpjekur ta ushqej atë farë drejt një njohurie të përsosur. Dhe sot, ndërsa qëndroj pas kësaj foltoreje, unë dëshmoj që Jezusi është Krishti, Shëlbuesi i botës. Dëshmoj më tej që Jozef Smithi ishte profet i Perëndisë dhe instrumenti i gjallë që përdori Zoti për t’i risjellë tokës ungjillin e plotë dhe të vërtetë të Jezu Krishtit. Dëshmoj që Presidenti Tomas S. Monson është profeti i Zotit sot. E po ashtu, zgjedhja e besimit është e juaja, është e imja. Le të zgjedhim besim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.