2010–2019
Mësimi dhe Mësimdhënia e Ungjillit
Tetor 2010


Mësimi dhe Mësimdhënia e Ungjillit

Ajo që ka më shumë rëndësi është qëndrimi apo shpirti me anë të së cilit mësuesi jep mësim.

Si anëtar i presidencës së përgjithshme të Shkollës të së Dielës, e ndiej se duhet t’i filloj fjalët e mia këtë mëngjes duke thënë: “Mirëmëngjes, klasa”.

Mesazhi im sot ju drejtohet të gjithëve ju që jeni thirrur për të dhënë mësim, në cilëndo organizatë të jeni duke shërbyer dhe qoftë nëse jeni një i sapokthyer në besim në Kishë, apo një mësues me vite përvoje.

Nuk do të flas mbi mënyrat e mësimdhënies por përkundrazi, mbi mënyrat e mësimit. Mund të ketë një ndryshim të madh mes asaj që një mësues thotë dhe asaj që dëgjojnë ose mësojnë ata që janë në klasë.

Mendoni për një çast për një mësues, që vërtet solli ndryshim në jetën tuaj. Çfarë kishte ai apo ajo që ju bëri ta kujtoni atë që u dha mësim, të dëshironi ta zbuloni të vërtetën për vete, ta ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes dhe të veproni e jo të detyroheni të veproni – me fjalë të tjera, që të mësoni? Çfarë kishte ai apo ajo mësues/e, që e dallonte nga pjesa tjetër?

Një mësues dhe autor i suksesshëm tha: “Ajo çfarë ka më shumë rëndësi në të mësuar është qëndrimi. Qëndrimi i mësuesit.”

Vini re se ajo që ka rëndësi më shumë në të mësuarin, nuk është numri i viteve që një mësues ka qenë anëtar i Kishës, apo sa shumë përvojë mësimdhënieje ka një person, apo madje njohuria e ungjillit e mësuesit ose teknikat e mësimdhënies. Ajo që ka më shumë rëndësi, është qëndrimi apo shpirti me anë të së cilit mësuesi jep mësim.

Në një mbledhje mbarëbotërore për trajnimin e udhëheqjes, Plaku Xhefri R. Holland tregoi këtë ndodhí: “Prej shumë vitesh, më ka pëlqyer ndodhia që Presidenti Paker ka treguar mbi mësuesin e Shkollës të së Dielës në djalërinë e Uilliam E. Berretit. Një Vëlla i moshuar danez u thirr t’i jepte mësim një klase djemsh të potershëm. … Ai nuk e fliste shumë mirë gjuhën; ende kishte një theks të fortë danez; ishte shumë më i moshuar, kishte duar të mëdha fermeri. Përsëri, ai duhej t’u jepte mësim këtyre 15-vjeçarëve të rinj, të rrëmujshëm. Me gjithë qëllimin e mirë, kjo nuk dukej si një përshtatje shumë e mirë. Por Vëllai Berret thoshte – dhe kjo është pjesa që citon Presidenti Paker – se ky burrë u dha mësim atyre në njëfarë mënyre; se me gjithë ato pengesa, me gjithë ato kufizime, ky burrë hyri në zemrat e atyre çunakëve 15-vjeçarë të potershëm dhe u ndryshoi jetën. Dhe dëshmia e Vëllai Berret qe: ‘Ne do të mund të kishim ngrohur duart me zjarrin e besimit të tij’.”

Mësuesit e suksesshëm të ungjillit e duan ungjillin. Ata emocionohen për atë. Dhe sepse i duan nxënësit e tyre, duan që dhe nxënësit të ndiejnë siç ndiejnë ata dhe të përjetojnë atë që kanë përjetuar ata. Të japësh mësim ungjillin është të ndash dashurinë tënde për ungjillin.

Vëllezër dhe Motra, qëndrimi i mësuesit nuk mësohet, ai kapet.

Atëherë, si e zhvillojmë qëndrimin e nevojshëm për të qenë një mësues i suksesshëm? Do të doja të diskutoja katër parime bazë të mësimdhënies së ungjillit.

Së pari, zhytuni ju vetë në shkrimet e shenjta. Nuk mund ta duam atë që nuk e njohim. Zhvilloni një zakon të studimit të përditshëm të shkrimit të shenjtë, të ndarë e veçmas përgatitjes tuaj për mësim. Përpara se të mund ta japim mësim ungjillin, ne duhet ta njohim ungjillin.

Presidenti Tomas S. Monson i ruan ende si thesar kujtimet për mësuesen e Shkollës të së Dielës të djalërisë së tij. Ai tha: “Përvoja ime si djalë i vogël ishte të bija nën ndikimin e mësueses më efikase e të frymëzuar, që na dëgjoi dhe na deshi. Emri i saj qe Lusi Gertsh. Në klasën tonë të Shkollës të së Dielës, ajo na mësoi në lidhje me Krijimin e botës, Rënien e Adamit dhe sakrificën shlyese të Jezusit. Ajo solli në klasën e saj si të ftuar nderi Moisiun, Jozueun, Pjetrin, Thomanë, Palin dhe, sigurisht, Krishtin. Edhe pse ne nuk i pamë, ne mësuam t’i duam, t’i nderojmë dhe t’i kemi shembull ata.”

Lusi Gertsh qe në gjendje t’i ftonte në klasën e saj këta miq të nderuar, sepse ajo i njihte ata. Ata qenë miqtë e saj të dashur. Për shkak të kësaj, klasa e saj gjithashtu mësoi t’i “donte, nderonte dhe t’i kishte shembull ata”.

Zoti i tha Hajrëm Smithit: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time”. Kjo këshillë zbatohet për secilin prej nesh.

Zoti na ka urdhëruar t’i hetojmë shkrimet e shenjta, të ushqehemi me bollëk me to dhe t’i mbledhim si thesar. Kur shqyrtojmë dhe meditojmë me zell fjalën e Zotit, do ta kemi me vete Shpirtin e Tij. Ne do të njihemi me zërin e Tij.

Pak kohë pasi u thirra për të qenë president kunji, presidenca e kunjit tonë mori trajnim nga një I Shtatëdhjetë Zonal. Gjatë trajnimit, unë bëra një pyetje, së cilës ai iu përgjigj: “Kjo është një pyetje e mirë. Le t’i drejtohemi Church Handbook of Instructions [Manualit të Udhëzimeve për Kishën] për përgjigjen.” Atëherë ne iu drejtuam manualit dhe atje qe përgjigjja për pyetjen time. Pak më vonë në trajnimin tonë, unë bëra një pyetje tjetër. Edhe një herë, ai u përgjigj: “Pyetje e mirë. Le t’i drejtohemi manualit.” Nuk kuturisa më të bëja ndonjë pyetje tjetër. Mendova se qe më mirë të lexoja manualin.

Që atëherë kam menduar se Zoti mund t’i jepte një përgjigje të ngjashme secilit prej nesh kur i drejtohemi Atij me shqetësime apo pyetje. Ai mund të thoshte: “Kjo është një pyetje e mirë. Nëse shqyrtoni Almën kapitulli 5, ose Doktrinën e Besëlidhjet seksioni 76, do ta kujtoni se ju kam folur tashmë për këtë.”

Vëllezër dhe Motra, është në kundërshtim me mënyrën e funksionimit të qiellit që Zoti të përsërisë për secilin prej nesh veçan, atë që Ai tashmë na e ka zbuluar bashkërisht. Shkrimet e shenjta përmbajnë fjalët e Krishtit. Ato janë zëri i Zotit. Studimi i shkrimeve të shenjta na stërvit për të dëgjuar zërin e Zotit.

Së dyti, zbatojini në jetën tuaj gjërat që mësoni. Kur Hajrëm Smithi dëshiroi të ishte pjesë e kësaj pune të shkëlqyer të ditëve të mëvonshme, Zoti i tha atij: “Vër re, kjo është puna jote, të zbatosh urdhërimet e mia, po, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde”. Si mësues, puna jonë, e para dhe më e rëndësishmja, është të mbajmë urdhërimet me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.

Së treti, kërkoni ndihmën e qiellit. Lutiuni Zotit për Shpirtin e Tij, me gjithë fuqinë e zemrës suaj. Shkrimi i shenjtë shpall: “Nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim”. Kjo do të thotë se, edhe nëse përdorni të gjitha teknikat e drejta të mësimdhënies dhe ajo që po jepni mësim është e vërtetë, pa Shpirtin mësimi i vërtetë nuk do të ndodhë.

Roli i mësuesit është “të ndihmojë individët të marrin përgjegjësinë për të mësuar ungjillin – të zgjojë në ta dëshirën për ta studiuar, kuptuar dhe jetuar ungjillin”. Kjo do të thotë që, si mësues ne nuk duhet të përqendrohemi aq shumë në paraqitjen tonë sesa në atë se si t’i ndihmojmë të tjerët ta mësojnë dhe ta jetojnë ungjillin.

Kur ka qenë hera e fundit kur ju u gjunjëzuat në lutje dhe i kërkuat Zotit jo thjesht t’ju ndihmojë për mësimin tuaj, por gjithashtu t’ju ndihmojë të njihni dhe të plotësoni nevojat e çdo nxënësi në klasën tuaj? Asnjë klasë nuk është kaq e madhe sa të mos mund të lutemi për frymëzim se si ta ndihmojmë çdo student.

Është e natyrshme që mësuesit të kenë ndjenja pamjaftueshmërie. Ju duhet ta kuptoni se “mosha dhe pjekuria, dhe trajnimi intelektual nuk janë të nevojshëm në asnjë mënyrë ose në asnjë shkallë për të komunikuar me Zotin dhe Shpirtin e Tij”.

Premtimet e Zotit janë të sigurta. Nëse shqyrtoni me zell shkrimet e shenjta dhe mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës, nëse i mbani urdhërimet me të gjithë zemrën tuaj dhe luteni për secilin nxënës, ju do të gëzoni shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe ju do të merrni zbulesë.

Së katërti, Vëllezër e Motra, ka rëndësi maksimale që ne ta ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes dhe të veprojmë, pa vonesë, në përputhje me nxitjet shpirtërore që marrim.

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim: “Ne vëzhgojmë. Ne presim. Ne dëgjojmë për atë zë të qetë, të vogël. Kur ai flet, burrat dhe gratë e mençura binden. Nxitjet e Shpirtit nuk duhet të lihen për më vonë.”

Ju nuk duhet të keni frikë ta ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes dhe të veproni sipas mendimeve dhe përshtypjeve që Shpirti i Zotit vë në zemrën tuaj. Ju mund të ndiheni të ngathët në fillim, por ju premtoj se përvojat më të ëmbla dhe më përmbushëse që do të keni si mësues, do të jenë kur t’i nënshtroheni vullnetit të Zotit dhe të ndiqni nxitjet që merrni nga Fryma e Shenjtë. Përvojat do ta forcojnë besimin tuaj dhe do t’ju japin kurajë më të madhe për të vepruar në të ardhmen.

Mësues të dashur, ju jeni një nga mrekullitë e mëdha të kësaj Kishe. Ju keni një mirëbesim të shenjtë. Ne ju duam dhe kemi mirëbesim tek ju. E di që, nëse do t’i shqyrtojmë shkrimet e shenjta dhe do të jetojmë në atë mënyrë që të jemi të denjë që të kemi shoqërimin e Frymës së Shenjtë, Zoti do të na lartësojë në thirrjet dhe përgjegjësitë tona që të mund të përmbushim detyrën tonë nga Zoti. Që ne të gjithë të mund të bëjmë kështu është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. David McCullough, “Teach Them What You Love” (fjalim mbajtur në Salt Lake Tabernacle, Salt Lake City, Utah, 9 maj 2009).

  2. Jeffrey R. Holland, “Teaching and Learning in the Church”, Liahona, qershor 2007, f. 72.

  3. Shih McCullough, “Teach Them What You Love”.

  4. Thomas S. Monson, “Examples of Great Teachers”, Liahona, qershor 2007, f. 76.

  5. Doktrina e Besëlidhje 11:21.

  6. Shih Gjoni 5:39.

  7. Shih 2 Nefi 32:3.

  8. Shih Joseph Smith – Mateu 1:37.

  9. Shih Doktrina e Besëlidhje 18:36; 84:52.

  10. Doktrina e Besëlidhje 11:20.

  11. Doktrina e Besëlidhje 42:14.

  12. Teaching, No Greater Call: A Resource Guide for Gospel Teaching (1999), f. 61.

  13. Shih Teaching, No Greater Call, f. 60–62.

  14. J. Reuben Clark Jr., The Charted Course of the Church in Education (fjalim mbajtur udhëheqësve të seminarit dhe institutit në Aspen Grove, Utah, 8 gusht 1938), f. 6.

  15. Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 132.

  16. Thomas S. Monson, “The Spirit Giveth Life”, Liahona, qershor 1997, f. 4.