2010–2019
Kurrë Mos e Lini Atë
Tetor 2010


Kurrë Mos e Lini Atë

Ndërsa zgjidhni të mos fyheni ose turpëroheni, ju do ta ndieni dashurinë dhe miratimin e Tij. Ju do ta dini se ju po bëheni më shumë si Ai.

Të dashur Vëllezërit dhe Motrat e mia nëpër botë, unë shpreh admirimin tim të thellë për besimin dhe kurajën që shoh në jetën tuaj. Ne jetojmë në një kohë shumë të shquar – por në një kohë sfiduese.

Zoti na Paralajmëron për Rreziqet që Janë Përpara

Zoti nuk na ka lënë vetëm në kërkimin tonë për t’u kthyer tek Ai. Dëgjoini fjalët e Tij, të cilat na paralajmërojnë për rreziqet që janë përpara: “Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni”. “Ruhuni që të mos mashtroheni.” “Të jeni të vëmendshëm dhe të kujdesshëm.” “Ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj.”

Asnjë nga ne nuk është i imunizuar nga ndikimet e botës. Këshilla e Zotit na mban vigjilentë.

Juve do t’ju kujtohet përvoja e Jezusit në Kapernaum, kur dishepujt, që e kishin ndjekur Shpëtimtarin, nuk do ta pranonin se Ai qe Biri i Perëndisë. Shkrimi i shenjtë shkruan: “Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet … nuk shkuan më me të”.

Jezusi atëherë u kthye nga Të Dymbëdhjetët dhe i pyeti: “A doni edhe ju të largoheni?”

A Doni Edhe Ju të Largoheni?

Në vetë mendjen time, i jam përgjigjur asaj pyetjeje shumë herë: “Absolutisht jo! Jo unë! Unë kurrë nuk do ta lë Atë! Unë jam këtu përgjithmonë!” E di se ju jeni përgjigjur në të njëjtën mënyrë.

Por pyetja: “A doni edhe ju të largoheni?” na bën të mendojmë për vetë dobësinë tonë. Jeta nuk është piknik shpirtëror. Fjalët e Apostujve, nga një rrethanë tjetër, na vijnë qetë në mendje: “Mos jam unë; Zot?”

Ne hyjmë në ujërat e pagëzimit me gëzim dhe padurim. Shpëtimtari na bën me shenjë “[ejani] tek unë” dhe ne përgjigjemi, duke marrë mbi vete emrin e Tij. Asnjë prej nesh nuk dëshiron që udhëtimi ynë të jetë një flirtim i shkurtër me shpirtshmërinë, as edhe një kapitull i shquar, por i kufizuar. Rruga e të qenit dishepull nuk është për ligështimin shpirtëror të zemrës. Jezusi i tha: “Duaje Zotin Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.”

Ndërsa e ndjekim Shpëtimtarin, pa dyshim do të ketë sfida, që do të na dalin përballë. Nëse u qasemi me besim, këto përvoja pastruese sjellin një kthim në besim më të thellë për realitetin e Shpëtimtarit. Nëse u qasemi në mënyrën e botës, po këto përvoja e turbullojnë vështrimin tonë dhe e dobësojë vendosmërinë tonë. Disa, që i duam dhe i admirojmë, shkasin nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar dhe “nuk shk[ojnë] më me të”.

Si Mbetemi të Vërtetë?

Si i mbetemi të vërtetë Shpëtimtarit, ungjillit të Tij dhe ordinancave të priftërisë së Tij? Si e zhvillojmë besimin dhe forcën që të mos e lëmë kurrë Atë?

Jezusi tha: “Në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve”. Na nevojitet zemra besuese e një fëmije.

Nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij, ne duhet të bëhemi “si një fëmijë, [të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar, plot me dashuri, [të] gatshëm t’u nënshtrohe[mi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”. Ky është ndryshimi i madh i zemrës.

Shpejt ne e shohim pse është i nevojshëm një ndryshim i zemrës. Dy fjalë sinjalizojnë rrezik përpara: fjalët janë i fyer dhe i turpëruar.

Zgjidhni të Mos Turpëroheni

Ata që shqetësoheshin nga karakteri hyjnor i Shpëtimtarit, Jezusi i pyeti: “Kjo ju skandalizon?” Në shëmbëlltyrën e mbjellësit, Jezusi paralajmëroi: “[Ai duron] për pak kohë; [por] kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë”.

Fyerja vjen në shumë forma dhe vazhdimisht përpiqet të na hyjë në mendje. Njerëz tek të cilët besojmë, na zhgënjejnë. Ne kemi vështirësi që nuk i prisnim. Jeta jonë nuk del pikërisht ashtu si e prisnim. Ne bëjmë gabime, ndihemi të padenjë dhe shqetësohemi për të qenë të falur. Vrasim mendjen për një çështje doktrinore. Mësojmë për diçka të thënë në një katedër në Kishë 150 vite më parë, që na shqetëson. Fëmijët tanë trajtohen padrejtësisht. Neve na shpërfillin ose na nënvlerësojnë. Mund të jenë njëqind gjëra, secila shumë e vërtetë për ne në atë kohë.

Në çastet tona të dobësisë, kundërshtari përpiqet të vjedhë premtimet tona shpirtërore. Nëse nuk jemi syçelë, shpirti ynë i fyer, si një fëmijë, do të tërhiqet në guackën e ftohtë e të errët të unit tonë të mëparshëm të kapardisur, duke lënë pas dritën e ngrohtë e shëruese të Shpëtimtarit.

Kur Parli P. Prat, në 1835-ën, u gjykua padrejtësisht, duke i sjellë siklet dhe turp atij dhe familjes së tij, Profeti Jozef Smith këshilloi: “Parli, … mos u jep rëndësi gjërave të tilla … [dhe] Perëndia i Plotfuqishëm do të jetë me ty”.

Një shembull tjetër: Në 1830, Frederik G. Uilliams, një mjek i mirënjohur, u pagëzua. Ai menjëherë ia dha Kishës talentet dhe begatinë e tij. Ai u bë një udhëheqës në Kishë. Ai dhuroi pronë për Tempullin e Kirtlandit. Në 1837-ën, i mbërthyer në vështirësitë e kohës, Frederik G. Uilliams bëri gabime serioze. Zoti deklaroi në një zbulesë se “si pasojë e shkeljeve të [tij], pozita e [tij] e mëparshme [në udhëheqjen e Kishës] i ishte hequr [atij]”.

Mësimi i bukur që mësojmë nga Frederik G. Uilliams, është se “cilado qenë dobësitë e tij, ai pati forcën e karakterit që ta [përtërinte] besnikërinë e tij ndaj [Zotit], Profetit dhe … Kishës, kur do të kishte qenë kaq e lehtë ta linte veten të binte në hidhësi”. Në pranverën e 1840-ës, ai u paraqit në një konferencë të përgjithshme, duke kërkuar falje përulësisht për sjelljen e tij të kaluar dhe duke shprehur vendosmërinë për të bërë vullnetin e Perëndisë në të ardhmen. Çështja e tij u paraqit nga Hajrëm Smithi dhe ai u fal lirisht. Ai vdiq si anëtar besnik i Kishës.

Kohët e fundit u takova me presidentin e Tempullit të Resifes në Brazil, emri i të cilit është Frederik G. Uilliams. Ai rrëfeu se si vendimi me karakter i stërstërgjyshit të tij, kishte bekuar familjen dhe qindra pasardhës të tij.

Zgjidhni të Mos Turpëroheni

Të qenit i fyer ka një shok gërryes që quhet të qenit i turpëruar.

Në Librin e Mormonit, ne mësojmë për vegimin e Lehit të pemës së jetës. Vegimi flet për ata shpirtra fisnikë që “shkuan përpara përmes mjegullës së errësirës, duke u mbajtur fort pas shufrës së hekurit”, derisa arritën dhe “hëngrën nga fruti i pemës”.

Nefi e përshkroi pemën si “dashuria e Perëndisë”, që kishte fryt, i cili “mbushi shpirtin … me një gëzim jashtëzakonisht të madh”.

Pasi provoi frutin, Lehi pa “një ndërtesë të gjerë dhe të madhe … mbushur me njerëz, … pleq dhe të rinj, … meshkuj dhe femra dhe … veshj[a e tyre] ishte jashtëzakonisht e mirë; dhe ata ishin duke u tallur dhe duke treguar me gisht [me përqeshje] drejt atyre që … po hanin frutin”. Engjëlli shpjegoi se tallja, përqeshja, gishtat e përqeshjes përfaqësonin krenarinë dhe urtësinë e botës.

Nefi deklaroi qartë: “Ne nuk ua vumë veshin”.

Trishtueshëm, pati të tjerë kuraja e të cilëve u lëkund. Shkrimi i shenjtë thotë: “Dhe pasi ata kishin shijuar nga fruti, u turpëruan për shkak të atyre që po i përqeshnin; dhe ata u larguan nëpër shtigje të ndaluara dhe humbën”.

Si dishepuj të Krishtit, ne qëndrojmë veçmas botës. Mund të ketë momente kur ne ndihemi në siklet, ndërsa gishtat e përqeshjes tallin dhe largojnë atë që është e shenjtë për ne. Presidenti Monson na këshilloi: “Po qe se rrënjët e dëshmisë tuaj nuk janë mbjellë me vendosmëri, do të jetë e vështirë për ju të përballoni talljet e atyre që vënë në dyshim besimin tuaj”. Nefi tha: “[Mos ua vini] veshin”. Pali këshilloi: “Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, … Mos ki turp, … të dëshmosh Zotin tonë”. Ne kurrë nuk e lëmë Atë.

Kur po shoqëroja Presidentin Diter F. Uhtdorf në Europën Lindore vitin e kaluar, u mahnita me besimin dhe kurajën e shenjtorëve. Një udhëheqës priftërie në Ukrainë na tregoi se u thirr në presidencën e degës në pranverën e 1994-it, vetëm gjashtë muaj pas pagëzimit të tij. Kjo do të kërkonte ta bënte të njohur besimin e tij dhe të ndihmonte për regjistrimin e Kishës në qytetin e Dnipropetrovskit. Ishte një kohë pasigurie në Ukrainë dhe paraqitja hapur e besimit në Krisht dhe në ungjillin e rivendosur mund të nënkuptonte vështirësi, përfshirë mundësinë e humbjes së punës së tij si pilot.

Udhëheqësi i priftërisë na tha: “Unë u luta dhe u luta. Kisha një dëshmi dhe kisha bërë një besëlidhje. E dija se çfarë donte Zoti që të bëja.” Me kurajë, ai dhe bashkëshortja e tij shkuan përpara në besim, të paturpëruar për ungjillin e Jezu Krishtit.

Aty Ku Shumë Është Dhënë, Shumë Kërkohet

Disa pyesin: “A duhet të jem kaq i ndryshëm nga të tjerët?” “A nuk mund të jem një dishepull i Krishtit pa menduar kaq shumë për sjelljen time?” “A nuk mund ta dua Krishtin pa mbajtur ligjin e dëlirësisë?” “A nuk mund ta dua Atë dhe të bëj çfarë dua të dielën?” Jezusi dha një përgjigje të thjeshtë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”.

Disa pyesin: “A nuk ka shumë nga besimet e tjera që e duan Krishtin?” Sigurisht që ka! Megjithatë, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, duke pasur dëshmi për realitetin e Tij, jo vetëm nga Bibla, por gjithashtu nga Libri i Mormonit; duke e ditur se priftëria e Tij është rivendosur në tokë; pasi kemi bërë besëlidhje të shenjta që ta ndjekim Atë dhe kemi marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë; pasi jemi pajisur me forcë në tempullin e Tij të shenjtë dhe duke qenë pjesë e përgatitjes për kthimin e Tij të lavdishëm në tokë; ne nuk mund të krahasojmë atë që duhet të jemi me ata që nuk i kanë marrë ende këto të vërteta. “Atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet.”

Zoti ka thënë: “Ti mund të zgjedhësh vetë”.

Unë ju premtoj, ndërsa zgjidhni të mos fyheni ose turpëroheni, ju do ta ndieni dashurinë dhe miratimin e Tij. Ju do ta dini se ju po bëheni më shumë si Ai.

A do të kuptojmë gjithçka? Natyrisht që jo. Do t’i lëmë disa çështje mënjanë, që t’i kuptojmë në një kohë të mëvonshme.

A do të jetë gjithçka e drejtë? Nuk do të jetë. Do t’i pranojmë disa gjëra që nuk mund t’i rregullojmë, dhe t’i falim të tjerët kur lëndohemi.

A do të ndihemi me raste të ndarë nga ata që janë rreth nesh? Absolutisht.

A do të habitemi nganjëherë kur shohim zemërimin që disa ndiejnë ndaj Kishës së Zotit dhe orvatjet e tyre për të shkatërruar besimin në përpjekje të të dobtëve? Po. Por kjo nuk do ta frenojë rritjen ose fatin e Kishës, as nuk duhet të pengojë përparimin shpirtëror të secilit prej nesh si dishepuj të Zotit, Jezu Krishtit.

Kurrë Mos e Lini Atë

Më pëlqejnë shumë fjalët e një himni të preferuar:

Shpirtin që te Jezusi kërkon të pushoj’

armiqve në duar un’ kurr’ s’ua lëshoj’.

Megjith’se skëterra k’të shpirt t’mund do doj’,

un’ kurrë, jo kurrë, un’kurrë, jo kurrë,

un’ kurrë, jo kurrë, jo kurrë s’e harroj!

Përsosja nuk vjen në këtë jetë, por ne ushtrojmë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe i mbajmë besëlidhjet tona. Presidenti Monson ka premtuar: “Dëshmia juaj, kur ushqehet vazhdimisht, do t’ju mbajë të siguruar”. Ne i shtyjmë thellë rrënjët tona shpirtërore, duke u ushqyer me bollëk me fjalët e Krishtit në shkrimet e shenjta. Ne mirëbesojmë në fjalët e profetëve të gjallë, vendosur para nesh për të na treguar udhën. Ne lutemi e lutemi dhe dëgjojmë zërin e qetë të Frymës së Shenjtë, që na udhëheq më tej dhe që i flet paqe shpirtit tonë. Çfarëdo sfidash të dalin, ne kurrë, kurrë nuk e lëmë Atë.

Shpëtimtari i pyeti Apostujt e Tij: “A doni edhe ju të largoheni?”

Pjetri u përgjigj:

“Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

… Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”.

Unë gjithashtu e kam atë dëshmi. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.

  1. Marku 13:33.

  2. Doktrina e Besëlidhje 46:8.

  3. Doktrina e Besëlidhje 42:76.

  4. 2 Pjetrit 3:17.

  5. Gjoni 6:66.

  6. Gjoni 6:67.

  7. Mateu 26:22.

  8. 3 Nefi 9:14.

  9. Mateu 22:37.

  10. Marku 8:34.

  11. Mateu 18:3; shih edhe Marku 10:15; Lluka 18:17; 3 Nefi 9:22; 11:37–38.

  12. Mosia 3:19.

  13. Shih Alma 5:14.

  14. Gjoni 6:61.

  15. Mateu 13:21.

  16. Shih David A. Bednar, “And Nothing Shall Offend Them”, Liahona, nëntor 2006, f. 89–92.

  17. Joseph Smith, në Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1938), f. 118.

  18. History of the Church, 3:46, poshtëshënim.

  19. Frederick G. Williams, “Frederick Granger Williams of the First Presidency of the Church”, BYU Studies, vëll. 12, nr. 3 (1972):261.

  20. 1 Nefi 8:24.

  21. 1 Nefi 11:25.

  22. 1 Nefi 8:12.

  23. 1 Nefi 8:26–27; shih edhe vargun 33.

  24. Shih 1 Nefi 11:35–36; 12:18–19.

  25. 1 Nefi 8:33.

  26. 1 Nefi 8:28; theksimi i shtuar.

  27. Presidenti Bojd K. Paker tha: “Kryesisht për shkak të televizionit [dhe të internetit], në vend që të shohim tek ajo ndërtesë e madhe, ne, në fakt, po jetojmë brenda saj” (“Finding Ourselves in Lehi’s Dream”, Liahona, gusht 2010, f. 29).

  28. Në të njëjtën bisedë, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Ndërtesa e gjerë dhe e madhe në vegimin e Lehit përfaqëson ata njerëz në botë që përqeshin fjalën e Perëndisë dhe që tallen me ata që e përqafojnë atë, dhe që e duan Shpëtimtarin, dhe jetojnë urdhërimet” (“Paçi Kurajë”, Liahona, maj 2009, f. 126).

  29. 1 Nefi 8:33.

  30. 2 Timoteut 1:7–8.

  31. Nga bashkëbisedim personal dhe nga fragment i përkthyer nga një histori gojore nga Alexander Davydov, regjistruar më 16 korrik 2010.

  32. Gjoni 14:15.

  33. Doktrina e Besëlidhje 82:3.

  34. Moisiu 3:17.

  35. Shih 1 Nefi 19:9.

  36. Shih 2 Nefi 28:20.

  37. “Sa i Fortë Një Themel”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 6.

  38. Tomas S. Monson, Liahona, maj 2009, f. 126.

  39. Gjoni 6:67.

  40. Gjoni 6:68–69.