Liria e Zgjedhjes: Thelbësore për Planin e Jetës
Kurdoherë që zgjedhim të vijmë te Krishti, të marrim mbi vete emrin e Tij dhe të ndjekim shërbëtorët e Tij, ne përparojmë përgjatë shtegut drejt jetës së përjetshme.
Kohët e fundit, mora një letër nga një mik prej më shumë se 50 vitesh, i cili nuk është anëtar i Kishës. I kisha dërguar disa materiale leximi që lidhen me ungjillin, të cilave ai iu përgjigj: “Fillimisht, qe e vështirë për mua të ndiqja kuptimin e zhargonit tipik mormon, të tillë si liri e zgjedhjes. Ndoshta një faqe e shkurtër fjalori do të ishte e dobishme.”
U çudita që ai nuk e kuptonte se çfarë duam të themi me fjalët liri e zgjedhjes. Shkova tek një fjalor në internet. Nga 10 përkufizime dhe përdorime të fjalës liri e zgjedhjes, asnjëri nuk shprehte idenë e bërjes së zgjedhjeve për të vepruar. Ne japim mësim se liria e zgjedhjes është aftësia dhe privilegji që Perëndia na jep për të zgjedhur dhe që të “veproj[m]ë për veten [tonë] dhe të mos detyrohe[mi] të veproj[m]ë”. Liria e zgjedhjes është të veprojmë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi për veprimet tona. Liria jonë e zgjedhjes është thelbësore për planin e shpëtimit. Me atë, ne jemi “të lirë të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhi[m] robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit”.
Fjalët e një himni të njohur na e mësojnë shumë qartë këtë parim:
Për t’iu përgjigjur pyetjes së mikut tim dhe pyetjeve të burrave e grave të mira kudo, më lejoni të ndaj me ju më shumë nga ajo që dimë për këtë kuptim të lirisë së zgjedhjes.
Përpara se të vinim në këtë tokë, Ati Qiellor paraqiti planin e Tij të shpëtimit – një plan për të ardhur në tokë e për të marrë një trup, për të zgjedhur midis të mirës e të ligës dhe për të përparuar e për t’u bërë si Ai e për të jetuar me Të përgjithmonë.
Liria jonë e zgjedhjes – aftësia jonë për të zgjedhur e për të vepruar për veten – ishte një pjesë thelbësore e këtij plani. Pa lirinë e zgjedhjes, ne nuk do të ishim në gjendje të bënim zgjedhje të drejta e të përparonim. Përsëri, me lirinë e zgjedhjes, ne mund të bënim zgjedhje të gabuara, të kryenim mëkat dhe ta humbisnim mundësinë për të qenë përsëri me Atin Qiellor. Për këtë arsye, një Shpëtimtar do të na sigurohej, që të vuante për mëkatet tona dhe të na shëlbonte, nëse ne do të pendoheshim. Me anë të Shlyerjes së Tij të pafundme, Ai do të bënte “të realizohe[j] plani i mëshirës, për të plotësuar kërkesat e drejtësisë”.
Pasi Ati Qiellor e paraqiti planin e Tij, Luciferi doli përpara duke thënë: “Dërgomë mua … dhe do ta shëlbej gjithë njerëzimin, që asnjë shpirt të mos humbasë, … si rrjedhim, ma jep mua lavdinë tënde”. Ky plan nuk u pranua nga Ati ynë, sepse na mohonte neve lirinë tonë të zgjedhjes. Vërtet, ai ishte një plan rebelimi.
Atëherë Jezu Krishti, Biri “i Dashuri dhe i Zgjedhuri … që nga fillimi” i Atit Qiellor, e ushtroi lirinë e Tij të zgjedhjes për të thënë: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë”. Ai do të ishte Shpëtimtari ynë – Shpëtimtari i Botës.
Për shkak të rebelimit të Luciferit, rezultoi një konflikt i madh shpirtëror. Secili prej fëmijëve të Atit Qiellor pati mundësinë të ushtronte lirinë e zgjedhjes që Ati Qiellor u kishte dhënë atyre. Ne zgjodhëm të kemi besim tek Shpëtimtari Jezu Krisht – të vijmë tek Ai, ta ndjekim Atë dhe ta pranojmë planin që Ati Qiellor paraqiti për hirin tonë. Por një e treta e fëmijëve të Atit tonë Qiellor nuk pati besim të ndiqte Shpëtimtarin dhe zgjodhi të ndiqte Luciferin, ose Satanin në vend të kësaj.
Dhe Perëndia tha: “Si rrjedhim, ngaqë ai Satan ngriti krye kundër meje dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur, të cilën, unë, Zoti Perëndi, ia kisha dhënë atij, … unë bëra që ai të flakej tutje”. Ata që ndoqën Satanin, e humbën mundësinë për të marrë një trup të vdekshëm, për të jetuar në tokë dhe për të përparuar. Për shkak të mënyrës se si e përdorën lirinë e tyre të zgjedhjes, ata e humbën lirinë e tyre të zgjedhjes.
Sot, e vetmja fuqi që kanë Satani dhe pasuesit e tij, është fuqia që të na tundojë dhe provojë ne. Gëzimi i tyre i vetëm është të na bëjë “të mjeruar sikurse [ata vetë]”. Lumturia e tyre e vetme vjen kur jemi të pabindur ndaj urdhërimeve të Zotit.
Por mendoni për këtë: në gjendjen tonë para lindjes, ne zgjodhëm të ndjekim Shpëtimtarin, Jezu Krishtin! Dhe sepse e bëmë, ne u lejuam të vijmë në tokë. Unë dëshmoj se, duke bërë të njëjtën zgjedhje që ta ndjekim Shpëtimtarin tani, ndërsa jemi këtu në tokë, ne do të sigurojmë një bekim edhe më të madh në përjetësira. Por, le të dihet: ne duhet të vazhdojmë të zgjedhim Shpëtimtarin. Përjetësia rrezikohet dhe përdorimi ynë i mençur i lirisë sonë të zgjedhjes e veprimet tona janë thelbësore që të mund të kemi jetë të përjetshme.
Gjatë gjithë jetës së Tij, Shpëtimtari ynë na tregoi se si ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes. Kur qe djalosh në Jeruzalem, Ai zgjodhi me qëllim “të merre[j] me punët e Atit [të Tij]”. Në shërbesën e Tij, Ai zgjodhi pa lëkundje “të bë[nte] vullnetin e Atit [të Tij]”. Në Gjetsemani, Ai zgjodhi të vuante të gjitha gjërat, duke thënë: “‘Mos u bëftë vullneti im, por i yti’. Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë”. Mbi kryq, Ai zgjodhi t’i donte armiqtë e Tij, duke u lutur: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”. Dhe atëherë, që së fundi të mund të tregonte se po zgjidhte për veten, Ai u la i vetëm. “[Atë,] përse më ke braktisur?” pyeti Ai. Së fundi, Ai ushtroi lirinë e Tij të zgjedhjes për të vepruar, duke duruar deri në fund, derisa të mund të thoshte: “U krye!”
Edhe pse Ai “u tundua në të gjitha ashtu si ne”, me secilën zgjedhje dhe me secilin veprim, Ai ushtroi lirinë e zgjedhjes për të qenë Shpëtimtari ynë – për të këputur zinxhirët e mëkatit dhe të vdekjes për ne. Dhe me anë të jetës së Tij të përsosur, Ai na mësoi se, kur zgjedhim të bëjmë vullnetin e Atit tonë Qiellor, liria jonë e zgjedhjes ruhet, mundësitë tona shtohen dhe ne përparojmë.
Prova e kësaj të vërtete gjendet kudo në shkrimet e shenjta. Jobi humbi gjithçka kishte, por përsëri zgjodhi të mbetej besnik dhe mori bekimet e përjetshme të Perëndisë. Maria dhe Jozefi zgjodhën të ndiqnin paralajmërimin e një engjëlli e të iknin në Egjipt dhe jeta e Shpëtimtarit u ruajt. Jozef Smithi zgjodhi të ndiqte udhëzimet e Moronit dhe Rivendosja u shpalos siç u profetizua. Kurdoherë që zgjedhim të vijmë te Krishti, të marrim mbi vete emrin e Tij dhe të ndjekim shërbëtorët e Tij, ne përparojmë përgjatë shtegut drejt jetës së përjetshme.
Në udhëtimin tonë në vdekshmëri, është e dobishme të kujtojmë se edhe e kundërta është gjithashtu e vërtetë: kur nuk i mbajmë urdhërimet apo nuk i ndjekim nxitjet e Frymës së Shenjtë, mundësitë tona zvogëlohen, aftësitë tona për të vepruar dhe përparuar, pakësohen. Kur Kaini mori jetën e të vëllait, sepse e donte Satanin më shumë se Perëndinë, përparimi i tij shpirtëror ndaloi.
Në rininë time mora një mësim të rëndësishëm mbi atë se si veprimet tona mund ta kufizojnë lirinë tonë. Një ditë, babai im më la detyrën të lustroja një dysheme druri. Bëra zgjedhjen që ta filloja tek dera dhe të vazhdoja punën brenda dhomës. Kur thuajse kisha përfunduar, e kuptova se nuk i kisha lënë vetes rrugë për të dalë jashtë. Nuk kishte derë ose dritare në anën tjetër. Me të vërtetë e kisha mbërthyer veten në një cep. Nuk kisha vend ku të shkoja. Kisha ngecur.
Kurdoherë që nuk bindemi, ne shpirtërisht e ngecim veten në një cep dhe jemi robër të zgjedhjeve tona. Edhe pse jemi shpirtërisht të ngecur, ka gjithmonë një rrugë kthimi. Ashtu si pendimi, të kthehesh e të ecësh përmes një dyshemeje druri të sapolustruar, do të thotë punë – shumë rikruajtje me rërë dhe rilëmim. Të kthehesh tek Zoti nuk është e lehtë, por ia vlen.
Ndërsa e kuptojmë sfidën e pendimit, ne i vlerësojmë bekimet e Frymës së Shenjtë, që të na udhëheqë për lirinë tonë të zgjedhjes, dhe të Atit Qiellor, që na jep urdhërime dhe na forcon, dhe na mbështet për t’i mbajtur ato. Ne e kuptojmë gjithashtu se si bindja ndaj urdhërimeve në fund të fundit, e mbron lirinë tonë të zgjedhjes.
Për shembull, kur ia vëmë veshin Fjalës së Urtësisë, ne i shpëtojmë robërisë së shëndetit të keq dhe të varësisë ndaj substancave që me të vërtetë na e grabisin aftësinë tonë për të zgjedhur vetë.
Kur i bindemi këshillës për ta shmangur dhe për të dalë nga borxhi tani, ne e përdorim lirinë tonë të zgjedhjes dhe fitojmë lirinë që ta përdorim të ardhurën tonë të disponueshme, për të ndihmuar dhe bekuar të tjerët.
Kur e ndjekim këshillën e profetëve që të kemi mbrëmje familjare, lutje familjare dhe studim familjar të shkrimeve të shenjta, shtëpitë tona bëhen një inkubator për rritjen shpirtërore të fëmijëve tanë. Atje ne u mësojmë atyre ungjillin, japim dëshmitë tona, shprehim dashurinë tonë dhe dëgjojmë kur ata ndajnë ndjenjat dhe përvojat e tyre. Me anë të zgjedhjeve dhe veprimeve tona të drejta, ne i çlirojmë ata nga errësira duke e rritur aftësinë e tyre për të ecur në dritë.
Bota na mëson shumë pavërtetësira rreth lirisë së zgjedhjes. Shumë mendojnë se ne duhet “[të hamë, të pimë e të dëfrejmë]; … dhe në qoftë se jemi fajtorë, Perëndia do të na qëllojë pak me kamxhik dhe në fund ne do të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë”. Të tjerë përqafojnë laicizmin dhe e mohojnë Perëndinë. Ata e bindin veten se nuk ka “një kundërshtim në të gjitha gjërat” dhe, si rrjedhim, “çdo gjë që një njeri [bën] nuk [është] krim””. Kjo “[shkatërron] urtësinë e Perëndisë dhe synimet e tij të përjetshme”.
Në kundërshtim me mësimet laike të botës, shkrimet e shenjta na mësojnë se ne vërtet kemi liri zgjedhjeje dhe ushtrimi i drejtë i lirisë së zgjedhjes gjithmonë sjell ndryshim në mundësitë që kemi dhe në aftësinë tonë për të vepruar mbi to e për të përparuar përjetësisht.
Për shembull, me anë të Profetit Samuel, Zoti i dha një urdhërim të qartë Mbretit Saul:
“Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret … tani dëgjo fjalët e Zotit. …
… Shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka”.
Por Sauli nuk e ndoqi urdhërimin e Zotit. Ai praktikoi atë që unë e quaj “bindje me përzgjedhje”. Duke u mbështetur në urtësinë e vet, ai ia kurseu jetën Mbretit Agag dhe mori me vete më të mirat nga delet, qetë dhe kafshët e tjera.
Zoti ia zbuloi këtë Profetit Samuel dhe e dërgoi atë ta hiqte Saulin nga qenia mbret. Kur mbërriti Profeti, Sauli tha: “Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit”. Por Profeti e dinte ndryshe dhe tha: “Ç’është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?”
Sauli u shfajësua duke fajësuar të tjerë, duke thënë se njerëzit i kishin mbajtur kafshët për të bërë sakrifica për Zotin. Përgjigjja e profetit ishte e qartë: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve”.
Së fundi, Sauli u rrëfye, duke thënë: “Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij”. Meqë Sauli nuk dëgjoi me saktësi – meqë ai zgjodhi të bindej me përzgjedhje – ai e humbi mundësinë dhe lirinë e zgjedhjes për të qenë mbret.
Vëllezërit dhe Motrat e mia, a po e dëgjojmë me saktësi zërin e Zotit dhe të profetëve të Tij? Apo, ashtu si Sauli, po praktikojmë bindje me përzgjedhje dhe po i trembemi gjykimit të njerëzve?
Unë e pranoj se të gjithë ne bëjmë gabime. Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Të gjithë mëkatua[m] dhe u privua[m] nga lavdia e Perëndisë”. Për ata që e gjejnë veten robër të zgjedhjeve të kaluara, jo të drejta, të ngecur në cep, pa të gjitha bekimet e disponueshme nga ushtrimi i drejtë i lirisë së zgjedhjes, ne ju duam. Kthehuni! Dilni nga cepi i errët për në dritë. Edhe nëse do t’ju duhet të ecni përmes një dyshemeje të sapolustruar, ia vlen. Besoni se “nëpërmjet shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi [përfshirë ju] mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”.
Kur ora e Shlyerjes po afrohej, Shpëtimtari ofroi Lutjen e Tij të madhërishme Ndërmjetësuese dhe foli për secilin prej nesh, duke thënë: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë”. “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.
Unë jap dëshminë time të veçantë se Ata jetojnë. Kur e ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes në drejtësi, ne arrijmë t’i njohim Ata, të bëhemi më shumë si Ata dhe të përgatitemi për atë ditë kur “çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë” se Jezusi është Shpëtimtari ynë. Vazhdofshim ta ndjekim Atë dhe Atin tonë të Përjetshëm, siç bëmë në fillim, lutem unë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.