Fuqia e Zbulesës Vetjake
Transmetim i Trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës • 12 qershor 2019 • Salla Kryesore e Ndërtesës së Zyrave të Kishës
Përpara se të filloj fjalët e mia sot, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe dashurinë time. Është gëzim të përfshihem me ju në punën e madhe për ta ndihmuar brezin e ri që të mësojë thellësisht ungjillin e Jezu Krishtit. Ju dua dhe lutem për bekimet e Zotit mbi ju dhe familjet tuaja.
Sot dua të flas për tri modele të zbulesës vetjake në Librin e Mormonit:
I pari janë analet e shenjta që dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe planin e Atit. I dyti është dëshmia e Frymës së Shenjtë, që e forcon besimin te Jezu Krishti dhe e thellon kthimin në besimin tek Ai. I treti janë profetët e gjallë të cilët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe bëjnë qëndresë kundër ligësisë.
Këto modele paraqiten gjallërisht e fuqishëm në Librin e Mormonit pasi janë thelbësore – madje jetike – për më shumë besim te Jezu Krishti dhe kthim më të thellë në besimin tek Ai në kohën tonë.1
Ne jetojmë në një kohë kur burra e gra të liga dhe të çorientuara bëjnë gjithçka munden për ta bindur brezin e ri se e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë. Ata përdorin metoda të ngjashme si Sheremi, Nehori dhe Korihori në Librin e Mormonit – argumente tinëzare, ide lajkatare, emërtime dhe imazhe të sajuara me kujdes – për të krijuar doktrina të rreme rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë, dashurisë, tolerancës, martesës, identitetit të përjetshëm, familjes dhe shumë të tjerave. Shumë prej këtyre ideologjive dhe doktrinave të njerëzve kanë “një formë shenjtërie, por [të gjitha] e mohojnë fuqinë e saj”2.
Studentët tanë bombardohen çdo minutë të çdo dite me mesazhe si ky dhe ata kanë nevojë për zbulesë vetjake që ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besimin tek Ai. Shpresoj e lutem që ju do të bëni gjithçka mundeni për t’i ndihmuar studentët tanë që t’i mësojnë thellësisht këto modele të zbulesës vetjake.
Analet e Shenjta të Cilat Dëshmojnë për Jezu Krishtin
Po e filloj me analet e shenjta të cilat dëshmojnë për Jezu Krishtin. Kjo është një temë që shfaqet nëpër të gjithë Librin e Mormonit. Ajo fillon me fletët prej tunxhi.3
Përvoja e Nefit me Labanin ishte një ngjarje domethënëse në jetën e tij. Nefi mësoi se sa të rëndësishme ishin ato anale për të dhe familjen e tij: “Është urtësia e Perëndisë, që ne duhet t’i marrim këto anale, që ne mund t’u ruajmë fëmijëve tanë gjuhën e etërve tanë dhe … fjalët që janë thënë nga goja e të gjithë profetëve të shenjtë”4.
Fletët prej tunxhi patën ndikim të thellë në zhvillimin shpirtëror, fetar e shoqëror të popullit nefit. Ato u bënë një burim i zbulesës vetjake dhe i profecive të lavdishme për ardhjen e Birit të Perëndisë, të Shenjtit të Izraelit. Ato gjithashtu dhanë dëshmi të fuqishme për planin e mrekullueshëm të Atit për shpëtimin. Profetët e shenjtë që u cituan në fletët prej tunxhi, dëshmuan se Mesia do të shlyente për mëkatet e botës, do të vuante e vdiste dhe do të ngrihej sërish ngadhënjimtar mbi mëkatin e vdekjen.5
Fletët prej tunxhi gjithashtu përmbanin besëlidhjet e Atit me Abrahamin dhe tërë shtëpinë e Izraelit. Lehi zbuloi se ishte pasardhës i Jozefit dhe se pasardhësit e tij do të ishin fëmijë të besëlidhjes, trashëgimtarë të të gjitha premtimeve që Perëndia ia bëri Abrahamit, përfshirë mbledhjen e Izraelit në ditët e fundit.
Lehi i përdori fletët prej tunxhi për t’u mësuar fëmijëve të tij për Shpëtimtarin dhe besëlidhjet që Ati i bëri me shtëpinë e Izraelit. Nefi dhe vëllai i tij, Jakobi, e vazhduan atë praktikë dhe më vonë shtuan edhe analet e tyre sipas urdhërimit nga Zoti.6 Nefi me të vërtetë arriti të besonte në rëndësinë e mbajtjes së analeve të përhershme, veçanërisht për atë që është e shenjtë.7
Që nga fillimi i atyre ditëve të hershme në tokën e premtuar, nefitët zhvilluan një kulturë që i kultivonte mbajtjen, leximin dhe mësimdhënien nga analet e shenjta si përgjegjësi të larta e të shenjta. Me besim te Jezu Krishti dhe zotim që të gëzoheshin me fjalën e Tij dhe ta ruanin atë fjalë, nefitët u bënë një shoqëri e mbajtësve, lexuesve dhe mësuesve të analeve të shenjta.8 Analet zyrtare u mbajtën në fletët, por me kalimin e kohës, nefitët zhvilluan një sistem botimi të tillë që analet e shenjta mund të kopjoheshin e shkruheshin në materiale më të lehta dhe të shpërndaheshin më gjerësisht.9
Shpërndarja e gjerë e analeve të shenjta bëri të mundur që prindërit t’u mësonin fëmijëve të tyre urdhërimet e Zotit dhe që fëmijët e tyre t’ua mësonin fëmijëve të tyre e kështu duke vazhduar përgjatë shekujve.10 Misionarët, si bijtë e Mosias, mund t’i merrnin analet me vete dhe t’i përdornin për t’u dhënë lamanitëve mësime që patën pasoja të mrekullueshme.11 Sikurse i mësoi Alma Helamanit, analet e shenjta krijuan një përvojë zbulese që e “zgjer[oi] kujtesën e këtij populli, po, dhe … i soll[i mijëra lamanitë] në njohurinë e Zotit, Perëndisë së tyre dhe të gëzohe[shi]n në Jezu Krishtin, Shëlbuesin e tyre”12.
Ky gëzim arriti një pikë kulmore kur Shpëtimtari i ringjallur iu shfaq njerëzve tek tempulli në Begati.13 Ne sot kemi këtë dëshmi të mrekullueshme, të jashtëzakonshme të flijimit shlyes dhe ringjalljes së lavdishme të Krishtit të gjallë në Librin e Mormonit nëpërmjet mëshirës, dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë.14 Si nefitët dhe për shkak të tyre, ne kemi anale të shenjta që dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe planin e Atit për shpëtimin. Sikurse Alma i profetizoi birit të tij, Helamanit, shumë kohë më parë, Zoti i ka “rua[jtur] këto gjëra për një qëllim të urtë në të, që ai të mund t’u tregojë brezave të ardhshëm fuqinë e tij”15.
Ajo e ardhme është tani. Zoti po ia tregon fuqinë e Tij brezit të ri në mënyrë të mrekullueshme. Kur japim mësim plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit që gjendet në Librin e Mormonit, studentët tanë mund ta ndiejnë atë fuqi. Ndërkohë që studentët tanë kërkojnë zbulesë vetjake nëpërmjet ushqimit me bollëk me Librin e Mormonit, ai do të bëhet për ta ashtu siç ishin fletët prej tunxhi për popullin e Nefit – një dëshmi për Jezu Krishtin dhe fuqinë e Tij shëlbuese dhe një burim i zbulesës vetjake dhe i gëzimit.
Dëshmia e Frymës së Shenjtë që e Forcon Besimin te Jezu Krishti dhe e Thellon Kthimin në Besimin tek Ai
Tani i kthehemi Frymës së Shenjtë. Udhëtimi i Lehit drejt tokës së premtuar ishte një udhëtim i fuqisë shpirtërore. Ishte një kohë në të cilën Zoti u dha mësim, i udhërrëfeu dhe i ngushëlloi Lehin, Sarian dhe gjithë fëmijët e tyre nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë me anë të frymëzimit, ëndrrave dhe vegimeve; vetë zërit të Tij; dhe shfaqjes së lajmëtarëve qiellorë. Nefi shpalli se këto bekime të fuqisë shpirtërore erdhën “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, që është dhurata e Perëndisë te të gjithë ata që e kërkojnë atë me zell”16.
Nefi me të vërtetë e kërkoi Zotin dhe mori zbulesa të mëdha nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Kërkesa e tij për të ditur për veten e vet krijoi një model që e shohim nëpër të gjithë Librin e Mormonit. Nefi pati “dëshira të mëdha për të ditur misteret e Perëndisë”17. Ajo dëshirë veproi brenda tij dhe ai “i thirr[i] Zotit”18 në lutje, me qëllim të vërtetë. Për kërkimin e tij, Zoti i tha: “I bekuar je ti, Nefi, për shkak të besimit tënd, sepse më ke kërkuar me zell dhe me përulësinë e zemrës”19.
Pra, ky është modeli: dëshirë për të ditur, lutje të zjarrtë nga zemra, kërkim të zellshëm me përulësi e besim te Jezu Krishti dhe dhurata e Frymës së Shenjtë.20 Ne e shohim këtë model në jetën e Enosit, Almës, bijve të Mosias, mbretit Lamoni dhe babait të tij, popullit të Amonit, Helamanit dhe luftëtarëve të tij djalosharë, si dhe shumë të tjerëve.21 Me të vërtetë, në kohë drejtësie mes nefitëve dhe lamanitëve, zbulesa vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë ishte e përhapur gjerësisht mes tyre.22
Ndërkohë që nefitët e lamanitët besnikë vepronin sipas asaj që Fryma e Shenjtë u zbulonte – dhe e shkruanin atë – Zoti i bekoi edhe me më shumë zbulesë. Ngaqë e mblodhën si thesar23 atë që Ai u dha, Zoti i bekoi me besim më të madh tek Ai, kthim më të thellë në besim dhe me shpirtin e zbulesës. Ata u rritën në aftësinë e tyre për të marrë zbulesë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.
Përvoja e Almës është një shembull i bukur i këtij modeli. Ju kujtohet, ai kishte parë engjëj, mori vegime mbresëlënëse dhe prapëseprapë vazhdoi të kërkonte nga Zoti dëshminë e Shpirtit: “Vini re, unë ju dëshmoj se e di që këto gjëra, për të cilat unë kam folur, janë të vërteta. Dhe si mendoni që unë di për sigurinë e tyre?
Vini re, unë po ju them se ato m’u bënë të njohura nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë; dhe ky është shpirti i zbulesës që është tek unë.”24
Dëshmia e Frymës së Shenjtë pati një ndikim të rëndësishëm mbi popullin nefit dhe shoqërinë në të cilën jetuan.25 Nuk ka shembull më të mirë sesa misioni i bijve të Mosias te lamanitët, 91 vjet përpara lindjes së Shpëtimtarit. Nëpërmjet kërkimit të zellshëm të shkrimeve të shenjta, agjërimit e lutjes, këta misionarë të mëdhenj “kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës”26.
Puna e tyre mes lamanitëve pati ndikim të thellë në drejtimin e lëvizjes së historisë nefite dhe lamanite. Për herë të parë në 500 vjet, “me mijëra [lamanitë] u sollën në njohurinë e Zotit … dhe atyre iu mësuan analet dhe profecitë”27. Përshkrimi i Mormonit për këtë përvojë është një premtim profetik i asaj që mund t’i ndodhë cilitdo prej fëmijëve të Perëndisë, që e ndjek modelin e zbulesës vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë: “Të gjithë që u sollën në njohurinë e së vërtetës, nëpërmjet predikimit të Amonit dhe vëllezërve të tij, sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë dhe të fuqisë së Perëndisë, që bën mrekulli në ta, … u kthyen në besim te Zoti [dhe] nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre”28.
Vëllezër e motra, kjo është dëshmia dhe fuqia e Frymës së Shenjtë, që e forcon besimin te Jezu Krishti dhe e thellon kthimin në besimin tek Ai.
Profetët të Cilët Dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe Bëjnë Qëndresë Kundër Ligësisë
Modeli i tretë i zbulesës vetjake janë profetët e gjallë, të cilëve u dhurohet fuqi dhe autoritet për t’u thënë të gjithë njerëzve në kohë reale “kështu thotë Zoti”. Ky është modeli i madh profetik që e shohim gjatë gjithë Librit të Mormonit: profetët japin dëshmi për Jezu Krishtin, japin mësim ungjillin e Tij, u bëjnë thirrje njerëzve për pendim, paralajmërojnë dhe bëjnë qëndresë kundër ligësisë së kohës së tyre.29 Nëpërmjet zbulesës, veçanërisht prej engjëjve, profetët e Librit të Mormonit na kanë dhënë thellësi të jashtëzakonshme dhe ide të mrekullueshme rreth Jezu Krishtit, doktrinës së Tij dhe Shlyerjes së Tij.30
Profetët ishin të guximshëm dhe të drejtpërdrejtë në thirrjen drejtuar popullit për pendim. Kështu, ne kemi në Librin e Mormonit mësimet e mrekullueshme mbi pendimin, të dhëna nga Nefi, Jakobi, mbreti Beniamin, Alma, Amuleku, bijtë e Mosias, kapiten Moroni, Mormoni dhe Moroni.31 Këta profetë të mëdhenj dhanë mësim me qartësi, çiltërsi, dashuri dhe shpresë. Mësimet e tyre ende tingëllojnë në veshët tanë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë:
-
“A keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë?”32
-
“Në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, … a ndiheni kështu tani?”33
-
“Vini re, a keni hequr dorë nga kryelartësia?”34
-
“Pendohuni, pendohuni, pasi Zoti Perëndi e ka thënë atë! … Ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre dhe ai thotë: Pendohuni dhe unë do t’ju pranoj.”35
Profetët e Librit të Mormonit u ndeshën me burra të ligj që u përpoqën t’i largonin njerëzit nga Jezu Krishti dhe ta shkatërronin Kishën e Tij. Burra si Sheremi, Nehori, Amlici, Korihori, Amalikia dhe shumë të tjerë u udhëhoqën nga kundërshtari që të pështjellonin dhe mashtronin me zotësi të madhe.36 Ata kishin njohuri të jashtëzakonshme të gjuhës dhe përdorën mjete ose argumente tinëzare për ta bërë të mirën të dukej e keqe dhe të keqen të dukej e mirë.
Ata u bënë lajka njerëzve, duke iu drejtuar kotësisë, krenarisë, epshit të tyre për pushtet dhe dëshirës për të kënaqur orekset e tyre. Shkrimet e shenjta thonë se ata patën “shumë fuqi të fjalës, sipas fuqisë së djallit”37 dhe “u fry[në] me fjalë të mëdha”38. Edhe pse këto mësime, argumente dhe premtime ishin të gjitha të rreme, ato ishin shumë tërheqëse për njeriun e natyrshëm dhe shumë njerëz u larguan nga Kisha dhe e humbën udhën derisa profetët u ngritën që ta qortonin e kundërshtonin ligësinë.39
Tani, kur fjalët nuk mjaftuan, njerëzit e ligj iu kthyen terrorit, vrasjes e plaçkitjes dhe krijuan lidhje të fshehta për t’i fshehur veprimet e tyre të liga.40
Profetët u bënë qëndresë këtyre formave të ligësisë me fjalën e qartë dhe të thjeshtë të Perëndisë, me dëshmitë e tyre të lindura nga fuqia e Frymës së Shenjtë, si dhe nëpërmjet mrekullive të bëra nga dora e Zotit. Siç tha Jakobi për takimin e tij me Sheremin: “Zoti Perëndi derdhi Shpirtin e tij në shpirtin tim, kaq sa unë e hutova atë në të gjitha fjalët e tij”41.
Profetët e gjallë flasin për Zotin në kohën tonë. Kur i dëgjojmë fjalët e tyre nëpërmjet Shpirtit, ne marrim zbulesë të drejtpërdrejtë vetjake, përfshirë zbulesën pohuese se ajo që profeti ka thënë, është e vërtetë.42 Kur u mësojmë fëmijëve tanë që të kërkojnë në fjalët e profetëve të gjallë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tyre, ne i udhëzojmë drejt një burimi të fuqishëm të së vërtetës së zbuluar. Studentët tanë mësojnë se zbulesa vetjake rrjedh në jetën e tyre kur i ndjekin profetët e gjallë, të cilët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe bëjnë qëndresë kundër ligësisë.43
Të Mësuarit me Thellësi të Parimit të Zbulesës Vetjake
Kemi marrë në shqyrtim së bashku, vëllezër e motra, zbulesën vetjake nëpërmjet analeve të shenjta, dëshmisë së Frymës së Shenjtë dhe profetëve të gjallë, që paraqitet kaq fuqishëm në Librin e Mormonit.44 I kemi marrë në shqyrtim veç e veç, por ato janë të lidhura thellësisht. Në fakt, ato janë pjesë e mbledhjes së madhe së bashku “në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjëra[ve]”45 në këtë periudhë ungjillore.
Së bashku këto modele të zbulesës vetjake dëshmojnë për Jezu Krishtin, e forcojnë besimin tek Ai dhe e thellojnë kthimin tonë në besimin te Jezu Krishti. Studentët tanë kanë nevojë të mësojnë thellësisht parimin e zbulesës vetjake që ta dinë e ta kuptojnë në mendjet dhe zemrat e tyre. Atyre iu nevojitet të dinë se si të ndërmarrin një veprim të drejtë, të efektshëm për ta fituar atë dhe atyre iu nevojitet të rriten lidhur me parimin e zbulesës dhe të bëhen gjithnjë e më shumë si Shpëtimtari i tyre, Jezu Krishti.
Tani, a mund të sugjeroj disa gjëra që shpresoj do t’ua mësoni studentëve tuaj, teksa përpiqen të mësojnë thellësisht parimin e përjetshëm të zbulesës vetjake?
Së pari, zbulesa vetjake është vetjake.
Nëse studentët tanë do t’i përqendrojnë zemrat dhe mendjet e tyre te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, ata do të ndiejnë dashurinë e Tij, do të gëzohen në Ungjillin e Tij dhe do të afrohen më pranë Tij. Një dëshirë për ta dëgjuar zërin e Tij dhe për ta marrë dritën e Tij, do të rritet brenda tyre. Zbulesa vetjake është vetjake. Zoti i njeh studentët tanë në mënyrë intime dhe vetjake. Ai do t’iu flasë atyre në mënyrë vetjake, me dashuri, dashamirësi e dituri të përsosur për atë që u nevojitet. Zbulesa vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë, por ajo është fjala e Zotit. Ai i do. Ai u flet. Ai i udhëzon. Ai i mbron. Është vetjake.
Së dyti, të gjithë studentët tanë kanë aftësinë të marrin zbulesë vetjake.
Zbulesa vetjake ndodh nga Shpirti te shpirti; ajo është komunikimi hyjnor nga Fryma e Shenjtë te shpirtrat e përjetshëm të studentëve tanë.46 Secili prej studentëve tanë ka një aftësi të brendshme për të marrë zbulesë vetjake nga Perëndia. Ajo funksionon sipas ligjit hyjnor. Kërkon punë – kërkim me zell të zbulesës me anë të lutjes, agjërimit, studimit, dëgjimit, të shkruarit dhe veprimit me besim te Jezu Krishti. Është kjo punë – dhe drejtësia vetjake – që i hapin udhën zbulesës vetjake që ata të gjithë e kanë.
Së treti, aftësia e studentëve tanë për të marrë zbulesë mund dhe duhet të rritet.
Aftësia e studentëve tanë për të marrë zbulesë vetjake mund të rritet. Me të vërtetë, ajo duhet të rritet nëse ata duhet të mbijetojnë shpirtërisht dhe të marrin jetë të përjetshme. Kjo është e vërtetë edhe për ne. Kjo është arsyeja përse Presidenti Nelson i ka nxitur dhe u është lutur atyre (dhe neve) që “ta rrit[in] aftësinë [e tyre] shpirtërore për të marrë zbulesë”47. Profeti Jozef dha mësim: “Duke mësuar Shpirtin e Perëndisë dhe duke e kuptuar atë, [studentët tanë] mund të rriten drejt parimit të zbulesës, derisa të bëhen të përsosur tek Krishti Jezus”48.
Më së fundi, kurrë, asnjëherë mos e nënvlerësoni fuqinë zbuluese të ndjekjes së profetit.
Studentët tanë jetojnë në një kohë të mrekullueshme dhe prapëseprapë sfiduese. Ata do të mbrohen e bekohen dhe zbulesa do të rrjedhë në jetën e tyre nëse do t’i ndjekin këshillën dhe ftesat e profetit të Zotit. Profeti flet për Zotin. Ja një shembull i kohëve të fundit. Duke iu drejtuar studentëve tanë, Presidenti Rasëll M. Nelson shkroi sa vijon: “Aftësia juaj që të keni më shumë ndikim te bota sesa ndonjë brez i mëparshëm është tërësisht e varur nga niveli i përkushtimit tuaj ndaj Jezu Krishtit. Secili prej jush është përgjegjës që të ndihmojë për t’ua dhënë mësim ungjillin në shtëpinë tuaj atyre me të cilët jetoni. Seminari dhe instituti do t’ju ndihmojnë ta rimodeloni shtëpinë tuaj që të bëhet një shenjtërore besimi – një vend ku ungjilli i Jezu Krishtit jepet mësim, mësohet, jetohet dhe e duan.”49
Vëllezër e motra, ju lutemi, ndihmojini studentët tanë që ta ndjekin profetin. Jepuni mësim që t’i përkrahin prindërit e tyre në bërjen e shtëpive të tyre qendra të mësimit të ungjillit. Mësojuni që t’ua tregojnë dashurinë e tyre për Zotin dhe ungjillin e Tij familjes dhe miqve të tyre. Kur e bëjnë këtë gjë, ata do të marrin “zbules[a] pas zbules[ash] … që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme”50. Ata do të jenë si ushtria e Helamanit, një frymëzim për të gjithë njerëzit që i njohin, veçanërisht për ata që janë në vetë shtëpitë e tyre.
Dëshmia
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jap dëshmi për Atin tonë të dashur Qiellor. Ai jeton. Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E di se Ai jeton. Fryma e Shenjtë vepron në jetën tonë. Qiejt janë hapur. Kjo është një kohë mrekullish, një kohë zbulese nëpërmjet fuqisë së “Shpirtit … të dërguar me anë të vullnetit të Atit nëpërmjet Jezu Krishtit, Birit të tij”51. E di se është e vërtetë. Kërkoftë secili prej nesh zbulesë nga Zoti për ta ndihmuar çdo student, gjithsecilin, që ta mësojë thellësisht këtë parim të lavdishëm dhe të marrë zbulesë vetjake në jetën e vet tani e përgjithmonë.
Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.
© 2019 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Varianti: 5/19. Përkthim i “The Power of Personal Revelation”. Albanian PD60009021 101