Transmetimet e Trajnimeve
Në Dritën e Dashurisë së Tij


Në Dritën e Dashurisë së Tij

Transmetimi i Trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës • 12 qershor 2019 • Salla Kryesore e Ndërtesës së Zyrave të Kishës

Motra dhe vëllezër, është një kënaqësi tepër e madhe të jesh me ju sot.

Jemi të bekuar që kemi dëgjuar fjalët e Vëllait Çad Ueb. Është e mrekullueshme se sa shumë Zoti na do. Kjo temë për dashurinë u ngulit në zemrën e Vëllait Ueb, si edhe në zemrën time. Është interesante se si do të flasim rreth saj në mënyrë të ndërthurur. Shpresoj që të shpenzoni një minutë dhe t’i shënoni disa mbresa që merrni sot rreth temës mbi dashurinë.

Dua t’i shpreh mirënjohje të thellë gjithashtu, Plakut Kim B. Klark dhe Vëllait Çad Ueb, që i ndoqën nxitjet e Shpirtit gjatë lutjeve të tyre të vazhdueshme e të devotshme për t’i forcuar të rinjtë e të rejat. Kur morëm theksimin profetik për të mësuarit e ungjillit të përqendruar te shtëpia, këta vëllezër besnikë bënë pyetjen: “Si mund të jetë rinia një instrument më i madh në forcimin e shtëpisë?” Ju jeni në dijeni për atë që ndodhi më pas. Ata punuan me njëmbëdhjetë programe të ndryshme shkollore në mbarë botën, që t’i përputhnin kurset e seminarit me librin e shkrimeve të shenjta që përdoret çdo vit për programin mësimor Eja më Ndiq. Ky ndryshim i frymëzuar nuk është gjë tjetër, veçse një mrekulli!

Ndihem e emocionuar kur i përfytyroj rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që i përcjellin të vërtetat e ungjillit nga klasat në shtëpitë e tyre. Ata do të fitojnë vetëbesim si në aftësinë për të kuptuar ashtu edhe në aftësinë e tyre për ta shpërndarë ungjillin. Dëgjimi i zërit të vetë atyre teksa shpallin të vërtetën e Shpëtimtarit, do të vazhdojë të jetë një përvojë që ndërton një dëshmi të fuqishme.

Sa mirënjohëse jam për rivendosjen e ungjillit dhe për këtë periudhë të lavdishme rritjeje!

Do të doja të shprehja gjithashtu vlerësimin tim për bashkëshortët/et dhe të tjerët që ju përkrahin ju, mësues të mrekullueshëm; juve që dëgjoni idetë për mësimin, historitë e të cilëve/cilave tregohen (me lejen tuaj shpresoj) dhe kuzhinat e garazhet e të cilëve/cilave i mësyjmë për të gjetur sende për mësimin. Shpresoj që ju të mos e nënvlerësoni kurrë ndikimin tuaj.

Është thënë: “Martesa është ndoshta më e … pashmangshmja në të gjitha situatat e mësimdhënies. Kur njerëzit martohen, në një farë mënyre, po bien dakord që të mësojnë nga njëri-tjetri.”1 Bashkëshorti im, Dereku, është përkrahja dhe ndikimi im i besuar, edhe pse rrallë herë qëndron përkrah meje kur jap mësim. Kur këshilloheni dhe mësoni së bashku, të rinjtë në moshë madhore, rinia dhe familjet e tyre do të bekohen për shkak të ndikimit tuaj. Ju jeni një pjesë e rëndësishme e kësaj vepre shumë të madhe.

Mesazhi im sot fillon me një rresht nga një këngë e njohur e Fillores. Po e nis unë dhe përfundojeni ju. “Mësom’ t’ec’ …”

“ … në drit’n e dashuris’ Tij.

“Mësom’ t’ec’ në drit’n e dashuris’ Tij.”2 Këto dy parime, drita dhe dashuria, kanë qenë shoqëruesit e mi në mendje ndërsa kam përsiatur për kohën tonë së bashku sot. Kjo ndërthurje fjalësh është përmendur edhe në rreshtin e parë të një bisede nga Presidenti Henri B. Ajring, kur tha: “Shpresa ime për ne sot është që të gjithë të mund të ndiejmë dashuri dhe dritë nga Perëndia”3. Çfarë dëshire e thjeshtë e prapëseprapë e fuqishme për ta filluar çdo orë mësimore! Shpresa ime është që çdo student ta ndiejë dashurinë dhe dritën nga Perëndia. Premtime të mëdha e të përjetshme janë të ruajtura për ta dhe familjet e tyre ndërsa mësojnë që ta ndiejnë dritën dhe dashurinë e Tij.

E pyeta tim bir, Dallinin: “Çfarë të bëri përshtypje nga seminari?” Prisja një përgjigje të tillë si Zotërimi Doktrinor ose përfundimi i Librit të Mormonit. U befasova kur dëgjova përgjigjen e tij të mirëmenduar.

“Mësuesit.”

“Mësuesit?” E pyeta unë.

Ai shpjegoi: “Kishte mësues të caktuar të cilët i dallonim vërtet që na donin”.

Kjo përvojë më vërtetoi ndikimin e përhershëm që mund të ketë dashuria në zemrat e individëve.

Ju keni gëzimin që u jepni mësim kësaj rinie të mrekullueshme e të rinjve në moshë madhore të Kishës dhe që u jepni atyre dëshmi për dashurinë e Perëndisë. Unë i dua ata dhe e di se edhe ju i doni. Ata janë vërtet ashtu siç tha Presidenti Rasëll M. Nelson: “Shpirtrat … më fisnikë [të Atit tonë Qiellor] … skuadr[a] e Tij më [e] mirë – [e ruajtur] për këtë fazë përfundimtare”4.

Disa vjet më parë, kalova një periudhë të shkurtër si mësuese seminari. Unë kam një vend të veçantë në zemrën time për ju dhe i kuptoj disi përgjegjësitë tuaja. Në vitin 2008, u thirra që të isha mësuese seminari herët në mëngjes, në Jutë. Kur presidenti i kunjit më thirri, mendova: “A nuk kanë njerëz në Jutë që japin mësim me kohë të plotë?” Fatmirësisht, nuk e thashë mendimin tim dhe u gjenda duke mbajtur çelësa dhe nën përgjegjësinë për të hapur ndërtesën e seminarit çdo mëngjes në orën 05:45. Mund t’ju them vetëm se dimri në Jutë është i ftohtë në orën 05:45 të mëngjesit.

Gjatë përvojës sime të mësimdhënies në seminar, m’u vërtetua se sa shumë Zoti e do secilin prej studentëve të Tij. Kuptova se sa me fat janë disa të rinj e të reja që kanë prindër besnikë e të dashur. Fitova gjithashtu një ndërgjegjësim të lartë për ata të rinj e ato të reja që nuk e marrin dashurinë e vëmendjen që u nevojitet dhe që e dëshirojnë me kaq ëndje. Të njëjtën dëshirë të madhe për dashuri e gjejmë edhe tek të rinjtë në moshë madhore beqarë.

E pranoj se një nga karakteristikat më thelbësore të një mësuesi është aftësia për të dashur – dashuria për të cilën foli Gjoni: “Le ta duam njeri- tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.”5

Si mësues, qëllimi ynë duhet të jetë rritja e dashurisë sonë për Perëndinë dhe më pas ta përçojmë dashurinë e Perëndisë te rinia dhe te të rinjtë në moshë madhore, të cilëve jemi thirrur t’u japim mësim.

Dashuria e Perëndisë ka një fuqi të jashtëzakonshme. Do të doja që ta shqyrtoja këtë dashuri në tri aspekte dalluese: dashuria në jetën tonë, dashuria në shtëpitë tona dhe dashuria në klasat tona.

Së pari, fuqia e dashurisë në jetën tonë vetjake. Është thelbësore që ne të besojmë dhe të mirëbesojmë se Perëndia na do. Studentët tanë nuk do ta ndiejnë dashurinë e Zotit nëpërmjet nesh, nëse ne së pari nuk e ndiejmë dashurinë e Zotit brenda vetes. Mrekullohem nga ky shkrim i shenjtë: “Perëndia e deshi aq botën sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”6. A përsiatim dhe a e ndiejmë ne madhështinë e kësaj dashurie? Ndonjëherë e pyes veten a po kërkojmë që ta ndiejmë aq sa duhet atë dashuri? A e dimë se kush jemi dhe të kujt jemi?7 Unë ju ftoj që t’i kërkoni Atij ndihmë në lutje të përulur e të sinqertë për ta ndier dashurinë e Tij hyjnore ndaj jush.

Pamja
Krishti në Kopshtin e Gjetsemanit

E drejta e autorit Simon Dewey 2019 Permission Altus Fine Art

Për shkak se bota t’i ul vlerat, të shpërqendron dhe është kërkuese, mund të bëhet e lehtë të shkëputesh dhe të kalosh pa e kuptuar në pilotim automatik. Është thelbësore që ne ta marrim aktivisht mbi vete zgjedhën e Tij 8 dhe të kërkojmë që ta ndiejmë dashurinë e Tij. Teksa e bëjmë këtë përpjekje, Ai do ta derdhë dashurinë e Tij me tepri.

Së dyti, dashuria e Perëndisë duhet të qëndrojë në shtëpitë tona. Më lejoni ta ilustroj këtë parim me një histori. Një mbrëmje, bashkëshorti im, Dereku dhe unë nuk ramë dakord për një çështje. Ramë në shtrat pa një zgjidhje; sidoqoftë, unë e dija që kisha të drejtë.

Mëngjesin tjetër, u gjunjëzova për t’u lutur, duke kërkuar që ta kisha Shpirtin me tepri teksa përgatitesha për t’i dhënë mësim klasës sime të seminarit. U përgjërova që të rinjtë e të rejat ta ndienin dashurinë e Zotit nëpërmjet meje. Ndërkohë që po bëhesha gati për të filluar ditën, mendja më shkonte shumë herë te mosmarrëveshja, natën e kaluar. Kur hipa në makinë me krenari në zemër dhe duke e ditur që kisha të drejtë, arsyetova se sido që të ishte mund të jepja mësim dhe të jepja dashuri me anë të Shpirtit. Vazhdova që të kërkoja udhërrëfim hyjnor ndërkohë që i jepja makinës për te ndërtesa e seminarit. Gjatë gjithë rrugës, me një shfajësim të spikatshëm dhe plot siguri në vetvete, u përpoqa vazhdimisht që ta ndrydhja zërin ngulmues të Shpirtit. Por, pavarësisht se sa të forta ishin arsyetimet e mia, Shpirti më pëshpëriti: “Kthehu. Thuaji që të vjen keq. Nuk ka rëndësi se kush ka të drejtë, pendohu dhe zgjidhe siç duhet”.

“E po mirë!” Më në fund, u dorëzova kundër dëshirës sime dhe e ktheva makinën. Kur hyra në dhomën e gjumit, ora shënonte 05:20 e mëngjesit dhe e gjeta Derekun tim të dashur duke fjetur. Zemra ime filloi të zbutej ndërsa po ecja ngadalë. “Derek më vjen keq për natën e kaluar”. Tani, ashtu siç e ka Dereku, me shumë paqe tha: “Të kam falur dhe e kam harruar tashmë”. Zemra m’u bë mal nga dashuria dhe e ndjeva mëshirën e thellë të Zotit.

Atë ditë në klasë ishte plot e përplot me dashuri dhe me Shpirt. Dashuria në shtëpinë tonë ndikon përtej mureve tona.

Dhe së treti, mësuesit/et e seminarit dhe të institutit kanë një mundësi të veçantë për ta dhënë dashurinë e Perëndisë. Klasa juaj është një mundësi për t’i dashur individët. Unë nuk i dhashë mësim një klase me 34 veta; unë u dhashë mësim 34 individëve. Mendoj se kjo është dashuria që ndjeu biri im Dallini – jo një dashuri të përgjithshme për tërë klasën, por atë ndjesinë e të qenit i njohur [nga dikush] dhe i dashur në mënyrë të përveçme. Pasi kjo është mënyra se si Ati Qiellor fal dashuri. Që t’i duam vërtet studentët tanë, ne duhet t’i shohim ata siç i sheh Shpëtimtari. Çfarë çmon Ai te secili prej tyre? Çfarë dhuratash u ka dhënë Ai atyre? Çfarë potenciali sheh Ai tek ata? Duke i dashur ata vërtet, ne do t’i ndihmojmë që t’i sjellim te Shpëtimtari.

Pamja
klasa e seminarit

Kur kujtohemi se Krishti është burimi i të gjithë dashurisë, ne shkojmë tek Ai për të ndier dashuri më të madhe në jetën tonë vetjake, dashuri në shtëpitë tona dhe në të vërtetë, dashuri në klasat tona. Nuk mund ta krijojmë ne dashurinë – ajo vjen vetëm prej Tij te ne dhe nëpërmjet nesh. Te Moroni, na mësohet: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht”9. Unë lutem që secili prej nesh ta pranojë ftesën e Moronit.

Ftesa e Presidentit Ajring ishte që të ndiejmë si “dashuri dhe dritë nga Perëndia”10. Është e lehtë që ta marrim parasysh si dashurinë edhe dritën, kur kujtojmë se Ai jo vetëm që është burimi i të gjithë dashurisë, Ai është drita. Vetë Jezu Krishti dëshmoi: “Unë jam drita dhe jeta e botës”11. Kur afrohemi më shumë me Të, Ai na shpalos më shumë dritë, të vërtetë dhe dashuri.

Tani, le të reflektojmë shumë shkurt mbi tri aspektet e dashurisë që diskutuam dhe të marrim parasysh ndikimin si të dashurisë ashtu edhe të dritës:

  • Kur e keni ndier dashurinë e Perëndisë në jetën tuaj, çfarë drite ju ka ardhur? Çfarë vizioni dhe mbrese keni fituar personalisht?

  • Çfarë rritjeje ka ardhur në martesën tuaj dhe familjen tuaj ndërsa e ndjeni dashurinë e Perëndisë dhe përjetoni dritë më të madhe?

  • Në klasën tuaj, kur studentët tuaj e ndiejnë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet jush, çfarë drite do të vijë në jetën e tyre? Si do të rriten dhe do të ndryshojnë ata?

  • Çfarë errësire do të largohet ndërsa ata arrijnë ta dallojnë dhe ta kërkojnë dritën vetë?

    Pamja
    drita e Krishtit

    E drejta e autorit Simon Dewey 2019 Permission Altus Fine Art

A është çudi që profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, na ka ftuar që ta “rrit[im] aftësinë [tonë] shpirtërore për të marrë zbulesë”12? Kur e ndiejmë dashurinë e Perëndisë, ne mbushemi me dritën e Tij dhe me shpresë. Kur e kërkojmë dritën dhe frymëzimin e Perëndisë, ne e ndiejmë dashurinë e Tij të jashtëzakonshme. Çfarë ndërthurjeje dinamike!

Përvoja ime e mësimdhënies herët në mëngjes ka të bëjë me një burrë besnik që quhej Xhon Land. Ky gjigant shpirtëror (dhe nga shtati) më mësoi disa gjëra rreth pasjes së shoqërimit të dashurisë dhe të dritës. Më lejoni t’ju tregoj sot dy shembuj.

Pamja
Motra Kordon dhe Xhon Land

Një nga studentët tanë të seminarit herët në mëngjes prirej që të ishte pak sfidues. Në fakt, reagimi im, herë-herë ishte rrotullimi i syve. Sidoqoftë, Xhoni, zgjodhi dashurinë dhe kërkoi dritë. Kur u takuam për t’u këshilluar rreth këtij studenti në veçanti, Xhoni filloi duke thënë: “Po lutesha për të natën e kaluar”. Ky pohim i çiltër, thuajse rastësor, bëri që të ndalesha. Xhoni e përmendi emrin e këtij të riu në shtëpi, një vend plot dashuri dhe i kërkoi Atit Qiellor se si mund ta njihte dhe ta kuptonte më mirë këtë student. Që t’i duam studentët tanë, veçanërisht t’i duam ata siç i do Zoti, kërkon që ta synosh zbulesën dhe të veprosh sipas saj.

Do ta tregoj historinë e dytë sipas fjalëve të Xhonit:

“Zoti është vërtet i vetëdijshëm për studentët e Tij. Më kujtohet një i ri që po haste vështirësi. I kisha dëgjuar shakatë e tij për shumë muaj, në të vërtetë, më mërziste.

Kisha përgatitur një mësim dhe isha shumë i emocionuar për mënyrën se si gjërat ishin ndërthurur. Madje kisha gjetur edhe një mësim me sende që do të ishte goxha i goditur. Kur arrita në ndërtesën e seminarit, Shpirti më nxiti duke më thënë: ‘Xhon të nevojitet që të japësh mësim për lutjen’. Lutjen? Në të vërtetë dëshiroja që të jepja mësimin tim zbavitës. Nuk kisha një mësim të përgatitur rreth lutjes.

Qëndrova përpara klasës dhe thashë: ‘Nuk e di se cili ka nevojë për këtë sot, por do ta ndryshoj mësimin. Dikush në këtë dhomë ka nevojë që të gjithë ne të flasim për lutjen.’ Ky mësim i thjeshtë filloi me një pyetje: ‘Përse kemi nevojë për lutjen?’ ”

Atë natë dikush trokiti në derën e Xhonit. Në pragun e derës së tij qëndronte dikush që tregoi historinë e mbetur. Me sa duket, natën e kaluar, studenti i Xhonit që po haste vështirësi kishte marrë një ftesë nga e dashura e tij – ajo i kërkoi atij që të lutej për të ditur nëse Kisha ishte e vërtetë. Ftesa e saj, tanimë bashkë me mësimin e papritur mbi lutjen të Vëllait Land, e shtyu këtë të ri të vepronte. Me kalimin e kohës Xhoni dëshmoi një ndryshim te studenti i tij ndërsa fitoi një dëshmi të patundur për ungjillin e rivendosur dhe që së fundi u vulos me të dashurën e tij besnike dhe inkurajuese në tempull.

Shumë rrallë e mësojmë se përse na vijnë përshtypje të tilla, por nëse kemi besim te dashuria që Zoti ka për studentët tanë, ne mund të veprojmë sipas zbulesës së fuqishme dhe ta përçojmë dritën e Tij te fëmijët e Tij të dashur.

Kur kërkojmë zbulesë për të dashur ashtu siç do Perëndia, ne udhërrëfehemi që ta ndihmojmë dhe ta mësojmë çdo student individualisht. Përfundimi është shumë, po shumë vetjak. Zoti e demonstroi këtë qasje vetjake me Nefin kur ai kërkoi që të merrte fletët. Nefi dëshmoi: “Unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja. Megjithatë, vazhdova të ecja.”13

Pamja
Nefi përgatitet për të vrarë Labanin

Labani u bë pengesë për Nefin lidhur me fletët. Nefi u udhëzua nga Zoti që ta vriste Labanin. Me shumë ankth, ai u bind. Po atë natë, Zorami u bë gjithashtu pengesë për Nefin lidhur me fletët. Kështu pra përse Nefi nuk e zbatoi të njëjtën zbulesë që kishte marrë për sa i përket Labanit edhe për Zoramin? Përse Nefi nuk e nxori edhe njëherë shpatën nga milli?

Zoti e njihte Zoramin dhe Nefi e njihte Zotin dhe mirëbesonte në udhërrëfimin e Shpirtit. Zoti e dinte që Zorami do të ishte një “shok i vërtetë i … Nefit”14. A nuk jemi mirënjohës që në fillim Nefi kërkoi zbulesë individuale dhe u “udhëh[oq] nga Shpirti?”15

Pamja
Zorami

Si mësues, mund të jetë e vështirë për të mbajtur përgjegjësinë që të ndiesh dashurinë e Perëndisë për çdo student dhe për të marrë zbulesë për mënyrën se si ta ndihmosh çdo individ. Është ngushëlluese të mendojmë për thirrjen dhe përgjegjësinë tonë si një bashkëpjesëmarrje me Krishtin.

Plaku Xhefri R. Holland na ka ftuar që të “puno[jmë] krah për krah me Zotin e vreshtit, për t’i dhënë Perëndisë dhe Atit tonë një dorë ndihmuese në këtë detyrë shumë kërkuese të Tij për t’iu përgjigjur lutjeve, për të dhënë ngushëllim, për të tharë lotët dhe për të forcuar gjunjët e këputur. Nëse do ta bëjmë atë, ne do të jemi më shumë si dishepujt [dhe mësuesit] e vërtetë të Krishtit që kemi për qëllim të jemi.”16

Rinia jonë dhe të rinjtë në moshë madhore kanë nevojë ta ndiejnë, ta njohin dhe të arrijnë t’i mirëbesojnë dashurisë dhe dritës së Zotit. Kur ju e lejoni këtë, dashuria e Shpëtimtarit mund t’u vijë studentëve tuaj nëpërmjet jush. Dhe kur studentët tuaj e ndiejnë dashurinë e Tij, ata do të arrijnë ta njohin dhe të marrin zbulesë vetjake. Ata do të zbulojnë se çfarë nënkuptohet nga [vargu] “në drit’n e dashuris’ s’Tij t’ec[ësh]”17. Unë dëshmoj se kjo dashuri dhe dritë do t’i ndihmojë ata që të bëhen si Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë i dashur dhe të ecin në shtegun e besëlidhjes për t’u kthyer tek Ata. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër