“Mbi të Gjitha”
Transmetimi i Trajnimit për Sistemin Arsimor të Kishës • 12 qershor 2019 • Salla Kryesore e Ndërtesës së Zyrave të Kishës
Së pari do të doja të falënderoja secilin prej jush, veçanërisht për përpjekjet tuaja për t’u përqendruar te Shpëtimtari si qendra e studimit dhe mësimdhënies së ungjillit nga ana juaj. Teksa kam vëzhguar klasa dhe ju kam vështruar ju dhe studentët tuaj tek i përcaktoni titujt dhe rolet e Tij, tek i studionin karakteristikat dhe tiparet e Tij dhe tek mësoni nga shembulli i Tij i përkryer1, e kam ndier mirënjohjen e Atit Qiellor që ju po dëshmoni për Birin e Tij të Dashur. Për shkak se e keni zbatuar këshillën e Plakut Klark që t’i ndihmoni studentët tuaj për të mësuar ta njohin Atë dhe për të mësuar prej Tij2, kam parë një rritje të Frymës së Shenjtë në mësimdhënien dhe ftesat tuaja. Sikurse më tha një mësues kohët e fundit: “Vënia e Jezusit në qendër të mësimdhënies sime e ka rikthyer gëzimin në klasën time”. Ju nxit që të vazhdoni të kërkoni frymëzim se si ta bëni këtë çdo ditë në mënyrën më të efektshme.
Sot, do të doja t’ju ftoja t’i çoni më tej përpjekjet tuaja për t’i ndihmuar studentët tuaj ta shohin Shpëtimtarin, jo vetëm në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta, por edhe te ju – ndërkohë që ju përpiqeni fort t’i afroheni shembullit dhe dashurisë së Tij. Mund t’ju kujtohet ky mendim nga Presidenti Bojd K. Paker, i cili më duket edhe frymëzues, edhe goditës nga ato që nënkupton:
“Tiparet që kanë qenë privilegji im i shkëlqyer t’i dalloj te ju vëllezër dhe motra gjatë viteve, nuk janë as më shumë e as më pak sesa shëmbëlltyra e Kryemësuesit që reflektohet nëpërmjet jush. Unë besoj se shëmbëlltyra e Krishtit vërtet gdhendet mbi pamjen tuaj në atë masë që ju veproni, sipas sfidës dhe detyrës që keni. Dhe për të gjitha qëllimet praktike, në atë klasë dhe atë kohë kur po jepni mësim, dhe në atë shprehi dhe me atë frymëzim që jepni mësim, ju jeni Ai dhe Ai është ju.”3
Nga të gjitha tiparet e Shpëtimtarit, ai që duket se jep edhe shtysën, edhe themelin për të gjitha tiparet e tjera është dashuria e Tij e përkryer – dashuria e Tij për Atin e Tij në Qiell dhe dashuria e Tij për çdonjërin prej nesh.
Apostulli Pal shkroi: “Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin, … por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë”4. Një grupi mësuesish seminari dhe instituti, Pali mund t’u kishte thënë: “Edhe sikur të kisha dhuntinë e forcës tërheqëse dhe t’i kuptoja themelet e mësimdhënies dhe të nxënit si dhe të të gjithë pedagogjisë, dhe po të bëja vërtet mësime të shkëlqyera me sende, por të mos kisha dashuri [hyjnore], nuk jam asgjë”. Tani, ju lutem, mos e përdorni atë deklaratë si një shfajësim për të mos punuar fort për të qenë një mësues shumë i aftë. Por mbajeni mend se, ndërsa lutemi për kuptueshmëri, dituri e madje besim, nëse nuk u shtojmë atyre dashuri hyjnore, do të jemi si një “bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon”5.
“Dashuria Është e Durueshme; Plot Mirësi”
Apostulli Pal shkroi gjithashtu: “Dashuria është e durueshme; plot mirësi”6.
Një shembull i dashamirësisë së Shpëtimtarit shënohet te Lluka 19. Zakeu, një tagrambledhës, ishte bërë i pasur në shërbimin e tij për romakët, por atë e urrenin judenjtë të cilët ndiheshin të tradhtuar ngaqë ai u mblidhte taksat. Një ditë, Zakeu kërkoi të shihte Jezusin por nuk mundi sepse ishte i vogël në shtat dhe nuk mund të çante përmes turmës, e cila nuk qe e gatshme ta ndihmonte. Ndaj Zakeu rendi përpara, drejt vendit ku po ecte Jezusi, dhe u ngjit në një pemë fiku për ta parë kur Ai të kalonte.
Shkrimet e shenjta thonë: “Kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ‘Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde’.
Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.”7
A mund ta përfytyroni se ç’do të thoshte për Zakeun që Shpëtimtari ta shihte dhe çfarë ndikimi pati ftesa e Shpëtimtarit për dikë që gjithë kohës ishte mësuar të përjashtohej? Kjo vepër e vogël dashamirësie duhet të ketë sjellë një ndryshim të madh sa bota për të.
Studentëve tanë u nevojitet zemërbutësia dhe dashamirësia jonë. Sjellja e pahijshme, ndërprerja e mësimit dhe qëndrimi i keq, ndonjëherë mund ta bëjnë mësimdhënien më të vështirë. Por në ato çaste, ju nxit që të shihni përtej sjelljes e të shihni personin. Ju lutem, ndaloni aq sa t’ju mjaftojë për të bërë pyetjen: “Çfarë tjetër mund të jetë duke e shkaktuar këtë sjellje ose qëndrim?”
Sikurse na mësoi Plaku Xhefri R. Holland: “Nëse ata fëmijë nuk reagojnë, ndoshta ju ende nuk mund t’u jepni mësim atyre, por mund t’i doni ata. Dhe nëse i doni ata sot, ndoshta mund t’u jepni mësim nesër.
… Asnjëra nga këto gjëra nuk varet prej tyre. Ne mund t’i duam nga fillimi në fund dhe mrekullitë do të ndodhin.”8
Por si ta bëni këtë, veçanërisht kur duket më e vështirë ta doni dikë? Plaku Holland na ndihmoi edhe për këtë kur tha: “Mund ta nisni duke e dashur Perëndinë. Më pas mund t’i kërkoni Atij t’ju ndihmojë që t’ua zgjatni dashurinë që keni për Të, të tjerëve që kanë nevojë për dashurinë tuaj.”9 Ju mund t’i “lut[e]ni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri”10 Mund të luteni që t’i shihni ata ashtu siç i sheh Ai. Mund t’i dëgjoni dhe të përpiqeni t’i kuptoni. Dhe siç shtoi edhe Presidenti Henri B. Ajring: “Shërbejuni atyre; gjeni gjëra të vogla që t’i bëni për ta. Paguajeni çmimin e shërbimit dhe Perëndia do ta nderojë atë. Jua premtoj këtë. Mos u shqetësoni nëse ndonjëherë nuk ndieni dashuri për studentët tuaj. Thjesht bëni diçka për ta dhe do të keni pak më shumë dashuri për ta. Do të jetë dhuratë nga Perëndia.”11
Të gjithëve ju që shkoni në paraqitjet muzikore dhe ngjarjet sportive të studentëve tuaj, ose që po gjeni mënyra të tjera pa zhurmë për t’u shërbyer atyre, faleminderit. Edhe nëse nuk ju shohin, do ta ndiejnë se dashuria juaj për ta po shtohet sepse Zoti do t’ju bekojë me dashuri hyjnore ngaqë u shërbyet atyre.12
Një shembull tjetër i dashamirësisë së Shpëtimtarit gjendet te Marku, kapitulli 5.
Mendoni për një çast për atë që bëri Jezusi për gruan me fluks gjaku. Ai bëri shumë më tepër sesa ta shëronte atë fizikisht. Ajo duhej të ketë qenë e rraskapitur nga dhembja, mospranimi nga shoqëria dhe shqetësimet financiare. Ndaj, kur Jezusi e kuptoi që fuqia kishte dalë prej Tij, Ai “vështro[i] rreth e qark për të parë atë që bëri këtë”13. Shërimi fizik kishte ndodhur tashmë. Jezusi ishte rrugës për të plotësuar një nevojë tjetër të ngutshme e prapëseprapë, Ai ndaloi. Ai e dalloi besimin e saj dhe iu drejtua përzemërsisht me fjalën “bijë”14. Shpëtimtari pa atë, jo sëmundjen e saj. Ai pa një person që kishte nevojë ta donin e ta ngrinin moralisht, jo një problem që duhej zgjidhur ose një detyrë që duhej përfunduar.15
Çfarëdo detyre t’ju nevojitet të përmbushni, çfarëdo mësimi t’ju nevojitet të përgatitni ose jepni, çfarëdo problemi disiplinor të mund të hasni, kjo gjithmonë është një mundësi për t’i lartësuar njerëzit.
Dhe shpresoj se dashuria jonë do t’u jepet atyre që nuk janë aktualisht të regjistruar ose frekuentues. Ka shumë si Zakeu dhe kjo grua që presin prapa turmave. Të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, do të thotë të shkojmë t’i gjejmë ata.16 Ju lutem, jini plot lutje dhe këshillohuni së bashku teksa kërkoni frymëzim në lidhje me mënyrën si mund t’i ndihmoni më mirë të rinjtë e të rejat që të mësojnë për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij. Përpjekjet për regjistrimin dhe përfundimin [e seminarit dhe institutit] duhet të jenë përparësi dhe një pasion shtytës në punën tonë për të bekuar më shumë fëmijë të Atit Qiellor.
“Mbi të gjitha, Vishuni me Lidhjen e Dashurisë Hyjnore, si me një Mantel”
Zoti i tha profetit Jozef Smith: “Mbi të gjitha, vishuni me lidhjen e dashurisë hyjnore, si me një mantel, që është lidhja e përsosmërisë dhe e paqes”17. Si mund të dukeshe po të visheshe me lidhjen e dashurisë hyjnore?
Te Gjoni 8 lexojmë për një grua që farisenjtë e sollën në tempull dhe ia paraqitën Jezusit. Ata i thanë Shpëtimtarit:
“Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën.
Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç’thua?”
Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe. Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, Ai u drejtua dhe u tha atyre: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”. Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe.
Teksa farisenjtë filluan të ndienin dënim nga ndërgjegjja e tyre, ata u larguan një e nga një. Pasi Jezusi dhe gruaja mbetën vetëm, Ai e pyeti butësisht: “‘O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?’
Dhe ajo u përgjigj: ‘Askush, Zot’. Atëherë Jezusi i tha: ‘As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më’.”18
Kur të mendoni për këtë ngjarje, a do të mbani parasysh tre nga mësimet e shumta që mund të mësojmë nga shembulli i përkryer i Shpëtimtarit?
Së pari, Shlyerja e Jezu Krishtit na lejon të mësojmë nga gabimet tona dhe nëpërmjet pendimit, të mos ndëshkohemi për to. Në klasat tona ka studentë që kanë bërë gabime. Teksa japim mësim me dhembshuri për gatishmërinë e Atit tonë në Qiell për të falur dhe për gëzimin e pendimit19, ne i ndihmojmë studentët (dhe fëmijët tanë) të besojnë se Shlyerja e Shpëtimtarit gjen zbatim për ta – sepse gjen zbatim.
Dhe meqë ra fjala, kjo këshillë gjen zbatim po ashtu për secilin prej nesh. Edhe neve na nevojitet shlyerja e Shpëtimtarit për të na ndihmuar të falemi e të shërohemi. Dhe atëherë kur e përjetojmë vetë gëzimin e pendimit, do të jemi në gjendje t’i frymëzojmë studentët tanë t’i drejtohen Shpëtimtarit sepse ajo ftesë do të vijë nga vetë zemra jonë e ndryshuar.
Së dyti, dashuria është një shtysëdhënëse e shkëlqyer për të na ndihmuar që të dëshirojmë të bëjmë atë që është e drejtë. Plaku Dejl G. Renland tha: “Sigurisht, Shpëtimtari nuk e shfajësoi shkeljen e kurorës. Por Ai gjithashtu nuk e dënoi gruan. Ai i dha asaj kurajë për ta ndryshuar jetën e vet. Ajo u nxit të ndryshonte për shkak të dhembshurisë dhe mëshirës së Tij. Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith‑it dëshmon për kthimin e saj, si rrjedhojë, në një dishepulle: ‘Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë, dhe besoi në emrin e tij’ [Gjoni 8:11, poshtëshënimi cnë Biblën anglisht].”20
Si mësues, ose si prindër, mund të tundohemi t’i përmbajmë shprehjet e nevojshme të dashurisë ngaqë shqetësohemi se kjo mund të ngatërrohet me shfajësimin e mëkatit ose shpërfilljen e sjelljeve të gabuara. Studentët dhe fëmijët tanë zakonisht e dinë tashmë se çfarë ndiejmë ne për Zotin dhe urdhërimet e Tij. Ajo që u nevojitet atyre shpesh, është sigurimi se i duam dhe i vlerësojmë. Dashuria dhe shpresa që duhet të ketë ndier kjo grua ndërsa u bekua nga “lidhj[a] e dashurisë hyjnore” e Shpëtimtarit, është ajo që shpresojmë se do të ndiejnë të gjithë studentët tanë teksa mësojnë për Të dhe ungjillin e Tij.
Së treti, Shpëtimtari e do doktrinën e Atit por nuk e përdori kurrë atë si një kopaçe. Farisenjtë e njihnin mirë e madje bënin thirrje të zbatohej ligji i Moisiut, duke cituar edhe ligjin, edhe pasojat e tij. Por vetë Dhënësi i ligjit, misioni i të cilit ishte të “lidh[te] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer [dhe] të shpall[te] çlirimin e atyre që janë në robëri”21, në vend të kësaj zgjodhi të jepte mëshirë. Ai e mbrojti gruan nga duart dhe zemrat akuzuese të farisenjve ndërkohë që u siguroi atyre vetëreflektimin e nevojshëm dhe vetëdijen për nevojën e tyre për të ndryshuar.
Nganjëherë ne kemi studentë dhe mësues që e kanë përdorur doktrinën në një mënyrë që fton një shpirt akuze dhe ndëshkimi. Në vend që të jetë zemërdhënëse dhe lartësuese, kjo qasje e poshtëron dikë e madje mund ta shkatërrojë. Të ndjekim shembullin e Mësuesit është të japim mësim në një mënyrë që sjell shpresë dhe i shëron zemërthyerit.
Përveç mëkatit, zemrat e thyera shkaktohen nga një larmi rrethanash. Shumë studentë vijnë nga situata të vështira, madje tronditëse që i lënë ata me dyshimin a i do dhe a i vlerëson njeri. Disa luftojnë me sfidat e ankthit ose me maninë për të qenë të përsosur që u shkakton t’i dëgjojnë gjërat si ndëshkim e jo si shpresë. Të tjerë ndihen të padëshiruar sepse përballen me tundime ose sfida në lidhje me identitetin gjinor dhe ndihen në kurth e të shqetësuar se nuk kanë vend ose të ardhme në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.
Si mësues, nevojitet të kërkojmë ta kuptojmë se si mund të jenë këto përvoja për studentët tanë. Më lini t’ju jap vetëm një shembull nga perspektiva e një ish-studenti tek shpjegon përvojën e tij në seminar. Ai tha: “Urdhërimi është ta duam të afërmin tonë, por duket sikur njerëzit mendojnë se duhet ta duam të afërmin përveçse nëse është homoseksual. Mesazhi gjithëpërfshirës është se kjo është gjëja më e keqe e mundur dhe më bën të pyes se si mund të kem vetëvlerësim dhe si mund të më dojë Ati Qiellor ndonjëherë?”
Cilatdo qofshin sfidat vetjake me të cilat mund të përballen studentët, ne duhet të dëgjojmë në mënyrë që të kuptojmë e të komunikojmë me ndjeshmëri e dashuri të sinqertë. Nevojitet të krijojmë klasa ku mirëpriten pyetjet dhe ku çështjet diskutohen me respekt dhe plot mendim. Nevojitet ta japim mësim me qartësi të vërtetën dhe ta ndihmojmë çdo student që ta kuptojë identitetin e vet hyjnor si fëmijë i prindërve të dashur qiellorë.22 Dhe nevojitet t’i ndihmojmë studentët që ta dinë se nuk janë vetëm. Shfaqja e një dashurie dhe mirëkuptimi më të madh ndaj tyre, do të ftojë Frymën e Shenjtë, do ta rritë aftësinë për të mësuar dhe do t’i shërojë zemrat e thyera.23
President Dallin H. Ouks na mësoi: “Ne kemi një detyrë për t’i ‘mba[jtur] barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta’ [Mosia 18:8]. Ndërkohë që nuk mund ta ndryshojmë doktrinën e Zotit, dëshirojmë që anëtarët tanë dhe rregullorja jonë të jenë të vëmendshëm ndaj atyre që po mundohen nga sfidat e vdekshmërisë.” Ai gjithashtu shtoi që “përpjekjet e anëtarëve tanë për të shfaqur më tepër mirëkuptim, dhembshuri dhe dashuri duhet ta shtojnë respektin dhe mirëkuptimin … [dhe] ta zvogëloj[n]ë urrejtjen dhe grindjet që janë kaq të zakonshme sot. … Kjo është pa dyshim dëshira jonë dhe kërkojmë ndihmën e anëtarëve tanë dhe të të tjerëve për ta përmbushur atë.”24
Është vendimtare që çdo mësues ta kuptojë doktrinën, ta dijë se çfarë po thonë aktualisht profetët e Zotit mbi këto tema dhe ta dijë si të reagojë në mënyra të dobishme e të dhembshura.25 Jemi shumë të zotuar që të bëjmë përparim në këto fusha dhe të sigurojmë trajnim e burime shtesë për t’ju ndihmuar.
Nëse ka çaste kur gjërat që po thuhen nga ju ose nga studentët, mund të bëjnë që dikush të ndihet i padëshiruar, a do të luteni për fuqi dhe për ta kuptuar si mund të ndihmoni që të ulen duart e akuzimit? Ndihmojini studentët tuaj ta kujtojnë se çdonjëri prej nesh është ende duke u rritur dhe ka nevojë për mëshirën e Shpëtimtarit. Ishte Luficeri që njihej si Akuzuesi, i cili “[na] paditi [ne] përpara Perëndisë tonë ditë e natë”26. Në krahasim me të, duart, krahët dhe dashuria e Zotit janë ende të zgjatura.
Një karakteristikë tjetër e dashurisë hyjnore është dëshira e Atit tonë në Qiell që ne të bëhemi si Ai dhe t’i marrim të gjitha bekimet që Ai ka përgatitur për fëmijët e Tij.
Ati ynë Qiellor Është një Perëndi me Pritshmëri të Larta
Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Ati ynë Qiellor është një Perëndi me pritshmëri të larta”27. Ai nuk heq dorë nga ne. Ai bën durim kur ligështohemi, shpreson për ne teksa përmirësohemi dhe vazhdon me durim teksa rritemi. Një mësuese që i do studentët e vet, ka gjithashtu pritshmëri të larta dhe do të shqetësohet më shumë për përparimin e tyre të përjetshëm sesa si shkoi ora e sotme mësimore ose sa e pëlqejnë atë studentët e vet.
Jezusi interesohej thellësisht për përparimin e ndjekësve të Tij.
Për shembull, Jezusi pa te Pjetri atë që ai nuk mundi ta shihte te vetja. Ai e ftoi Pjetrin të vepronte me besim dhe kur Pjetri ligështohej, Shpëtimtari i ngrinte moralin, me përqendrimin gjithnjë te njeriu që Pjetri do të bëhej në fund.
Pasja e pritshmërive të larta do t’i frymëzojë studentët të veprojnë me besim, duke u lejuar atyre t’i përjetojnë bekimet e premtuara të Zotit. Plaku Nil L. Andersen dha mësim se, kur ne udhëheqim dhe japim mësim pa dashuri dhe kemi pritshmëri të ulëta, ne nxitim rebelimin. Pritshmëritë e larta pa dashuri ushqejnë shmangien. Dashuria e madhe por me pritshmëri të ulëta krijon një ndjenjë vëllazërie por përparim të pakët. Sidoqoftë, dashuria e madhe dhe pritshmëritë e larta krijojnë mrekulli.28 Ai është lloji i dashurisë që ka Shpëtimtari dhe është lloji i dashurisë që duhet të kemi nëse duam të sjellim një ndryshim në jetën e studentëve tanë.
Kur i pyes studentët e seminarit dhe institutit se si i ka bekuar dashuria e mësuesit/es të/së tyre, përgjigjet vijnë shpejt dhe janë të mbushura me mirënjohje. Ja tek janë vetëm disa shembuj të kohëve të fundit:
Një e re tha: “Më pëlqen të futem në klasën e seminarit dhe ta shoh mësuesin tim të gëzuar e të buzëqeshur. Nuk di madje as si ta shpreh me fjalë sa shumë ka bërë dashuria e tij për mua. Pak kohë më parë, ai më bëri një kompliment dhe unë dola nga ndërtesa duke u përpjekur të mbaja të qarën; më lumturoi pa masë. Ai kompliment i thjeshtë ishte shumë domethënëse për mua. Çdo ditë jam entuziaste për të shkuar në seminar. Ajo është pjesa më e bukur e ditës sime. Dashuria e mësuesit tim për mua, më ka mësuar ta dua gjithkënd si një bir ose bijë të Perëndisë.”
Për të parafrazuar një tjetër: “Ora mësimore sot më ka ndryshuar vërtet. Mora zemër për të bërë një pyetje të vështirë dhe mësuesja ime më dëgjoi vërtet dhe u përpoq ta kuptonte nga kisha marrë shkas. Pastaj gjeti kohë për t’iu përgjigjur pyetjes sime. Ajo që ajo tha, m’i hapi sytë vërtet për të parë disa gjëra që nuk i kisha marrë parasysh më parë.”
Dhe në fund, një i ri shkroi: “E fillova këtë semestër me një qëndrim të keq. Nuk doja t’ia dija për ungjillin, as për veten dhe isha shumë larg të qenit i lumtur. U thashë prindërve se doja ta lija seminarin. Dhe pastaj shkova në orën mësimore. Dhe mësuesi im ma dinte emrin edhe pse nuk kisha qenë atje më parë. Fryma gjatë orës sonë mësimore përcaktoi frymën e gjithë ditës dhe jeta u bë pakëz më e mirë. I ndryshova zakonet e mia, fillova të shkoja më shumë në kishë, të lexoja shkrimet e mia të shenjta dhe nisa të mendoja. Për shkak të dashurisë së tij për ne e për ungjillin dhe dritës së Krishtit që pashë tek ai, u përpoqa fort për atë dritë dhe dashuri. Do të marr diplomën e seminarit, do të shërbej në një mision dhe një ditë do të martohem në tempull për shkak se mësuesi im e ftoi Shpirtin e dha mësim me Të, si shoqëruesin e tij çdo ditë.”
Tani në mbyllje, do të doja të shprehja vlerësimin tim për Zotin dhe për ju. Jam mirënjohës për dashurinë gjithëpërfshirëse dhe të drejtpërdrejtë të Zotit. Jam mirënjohës për durimin e Tij teksa unë përpiqem fort t’i mësoj po ato mësime për të cilat kemi folur sot. Dashuria dhe dhembshuria e Tij më bëjnë që të dëshiroj të jem më i mirë. Dhe dua që ju ta dini sa shumë ju duam. Ne e përshëndetim shërbimin tuaj të palodhur ndaj atyre që u jepni mësim dhe u vini në ndihmë. E dimë sa shumë luteni për ta dhe sa ju dhemb kur ata kanë beteja dhe sa gëzoheni kur ia dalin. Ne e dimë se ju mbani barrë tuajat vetjake dhe mbështeteni përditë te Zotit për t’ju dhënë forcën e Tij juve dhe familjeve tuaja. Shpresojmë që ta dini se lutemi për ju dhe ju duam.
E ndihmofshi çdo student që të arrijë ta njohë e ta dojë Shpëtimtarin duke i ndihmuar ata ta shohin Atë, edhe në studimin e tyre të shkrimeve të shenjta – edhe te ju! Lutja ime është qe ne do të jemi thjesht dashamirës, duke parë individët dhe jo problemet; që do të zgjatemi për të bekuar gjithnjë e më tepër fëmijë të Atit Qiellor; që do t’i ulim duart e akuzimit dhe do ta ndihmojmë çdokënd të ndiejë se ka një vend dhe një të ardhme në Kishën e Zotit; që do t’u japim zemër studentëve tanë që t’i ndjekin mësimet e Shpëtimtarit si dishepuj të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës, duke u ngulur në shtegun e besëlidhjes që të mund t’i marrin të gjitha bekimet që Ati ynë Qiellor ka për ta. I ndihmofshim ata ta ndiejnë dhe të mbështeten te dashuria e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit! Dhe mos e harrofshi kurrë që “imazhi i Krishtit [mund] të gdhendet mbi pamjen tuaj. Dhe për të gjitha qëllimet praktike, në atë klasë dhe atë kohë kur po jepni mësim, dhe në atë shprehi dhe me atë frymëzim që jepni mësim, ju jeni Ai dhe Ai është ju.”29
Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
© 2019 nga Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved. Varianti: 5/19. Përkthim i “Above All Things”. Albanian. PD60009021 101