Transmetimet e Trajnimeve
Engjëj dhe Habi


Engjëj dhe Habi

Transmetimi i Trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës • 12 qershor 2019 • Salla Kryesore e Ndërtesës së Zyrave të Kishës

Në lutjen e hapjes nga Vëllai Pitërson, ai përdori fjalën “familje”, dhe unë u preka në atë çast dhe jam i prekur tani. Jam i ngazëllyer që jam me ju në një ngjarje vjetore që është, për mua, një mbledhje familjare. Jam frymëzuar nga çdo fjalë që thanë Vëllai Ueb, Motra Kordon dhe Plaku Klark. Dhe lutem që të mund t’i qëndroj asaj çka ata të tre thanë.

Ndërsa ju përshëndes duke iu referuar Vëllait Pitërson, kjo ide e familjes është saktësisht dhe vërtet ajo që ndiej për ju, dhe do të doja ta besoni këtë. E di se ajo vjen me siguri nga drejtuesit e kryesisë, por në një mënyrë shumë të veçantë, vjen edhe nga unë.

Peti dhe unë e nënshkruam kontratën tonë të parë me SAK-un 54 vjet më parë pikërisht në këtë stinë vere dhe kemi pasur lidhje me ju në një mënyrë apo tjetër praktikisht çdo vit të jetës sonë që atëherë – disi. Kur ajo dhe unë morëm vendimin se do të përpiqeshim ta kalonim jetën, udhën dhe jetesën tonë nëpër seminare dhe institute, nuk e dinim se çfarë lidhje e fortë, e përhershme do të ishte ajo për ne. Të pasigurt siç ishim, po të mos kishte qenë për miqësitë dhe dashurinë e vërtetë vëllazërore/motërore që na dhanë kolegët mësues, mbikëqyrës, administratorë e të tjerë në vitet tona të para, mendoj vërtet se mund të mos e kishim atë siguri për të vazhduar. Ato lidhje nga çastet tona më të hershme në program janë ende disa nga miqësitë më të ëmbla që kemi tani, më shumë se gjysmë shekulli më vonë. Dhe, sigurisht, këtu nuk po përmend gjë për qindra – dhe mendoj vërtet se ndoshta duhet të jenë mijëra – studentë të cilëve u kemi dhënë mësim dhe i kemi dashur përgjatë udhës. Lutem që të mos e humbasim kurrë atë ndjesi të familjes në Sistemin Arsimor të Kishës. Ajo është një nga arsyet pse donim të shërbenim atje.

Dhe me atë dashuri si hyrje për ju, një nga gjërat që dua t’ju përçoj sot është se sa shumë ju duan dhe mbështeten te ju të gjithë Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës. Në këshillat dhe komitetet tona, shpenzojmë sasi shumë të konsiderueshme të kohës sonë, siç pasqyrohet nga numri i Drejtuesve të Përgjithshëm të Organizatave Ndihmëse që janë sot këtu, ne e bëjmë këtë së bashku. Nuk e di se sa kohë shpenzojmë nga koha jonë, por do të duhet të hamendësoj (ata mund të më korrigjojnë më pas) se do të shkonte te niveli 30 ose 35 përqind i gjithë kohës që shpenzohet nga Autoritetet e Përgjithshme/Drejtuesit tanë të Përgjithshëm, në një mënyrë apo një tjetër, duke folur për rininë e Kishës – ato grupmosha, duke folur në përgjithësi, me të cilat punoni, që jeni punësuar t’u jepni mësim, plus ata që po përgatiten të vijnë te ju. Ne flasim për botën ku ata janë, ato realitete të veçanta që duket se u vijnë të rinjve e të rejave tonë në një moshë akoma më të vogël. Tani, jo të gjitha ato realitete janë të liga, por disa prej tyre janë. Kjo rini ka nevojë për çfarëdolloj ndihme që mund të marrë, dhe fatmirësisht mund ta marrë. Perëndia është në timon të kësaj anijeje dhe ajo do të hyjë e sigurt në port. Ai e ka bërë çdo përgatitje të nevojshme për këtë.

Pamja
Jozef Smithi dhe Vegimi i Parë

Për shembull, nuk kam menduar kurrë se ishte rastësi që i futim studentët tanë në programin e seminarit pikërisht në moshën që kishte Jozef Smithi kur mori Vegimin e Parë. Hamendësoj se Ati ynë në Qiell ndjeu që në moshën 14‑vjeçare Jozefi kishte arritur një nivel pjekurie të mjaftueshme për ta filluar shtegun e misionit të tij profetik. A mund të hamendësojmë atëherë, që përgjithësisht kjo është edhe mosha kur njerëz të rinj të tjerë mund të kenë fillimet e një dëshmie të pjekur për ungjillin e Jezu Krishtit, duke e vështruar atë dëshmi të zhvillohet (shpresojmë) në vitet e ardhshme në forcën e fuqishme udhërrëfyese që duhet të jetë për pjesën tjetër të përjetësisë?

Pamja
të rinj e të reja duke ecur

Me siguri, kjo është arsyeja pse Zoti na frymëzoi që programi ynë të strukturohet siç është – duke prekur zemrën e një djali apo vajze teksa ai apo ajo fillon atë hyrje të mrekullueshme në pjekuri, duke e shtuar kontaktin tonë me ta, duke u dhënë përvoja të qenësishme mesjave në vend që të varemi vetëm në një përvojë shkolle në Shabat. Teksa Kisha përparon drejt një programi mësimor më të përqendruar te shtëpia e të përkrahur nga Kisha, ne mund të krenohemi që SAK-u me përqendrimin e tij te studimi në ditët e javës dhe në shtëpi, ka qenë i orientuar gjithmonë në këtë drejtim. Kjo përshtatje e tanishme i afron seminaret dhe institutet me përpjekjen kryesore të programit mësimor të Kishës më shumë se kurrë në historinë e tij.

Dhe ndërkohë që po flas për këtë temë, më lejoni të vë në dukje një kompliment të këndshëm që na kanë bërë vëllezërit kryesues duke na kërkuar që programi mësimor i seminarit të funksionojë i lidhur me kalendarin e programit mësimor të Kishës për shkrimet e shenjta që alternohet çdo katër vjet. Na vjen mirë që i marrim këto komplimente, por është veçanërisht shpërblyese kur kjo bëhet nga kryetari i kryesisë sonë. Më lejoni t’ju kujtoj se kush është kryetari i kryesisë sonë. Kjo është ajo që tha Presidenti Nelson në njoftimin e këtij zhvillimi:

“Duke filluar nga viti 2020, kursi i studimit për seminarin do të ndryshojë për t’u zhvilluar sipas një kalendari vjetor. Klasat do të studiojnë të njëjtin libër të shkrimit të shenjtë i cili do të përdoret për programin mësimor “Eja, Më Ndiq”. Kjo përshtatje do ta rritë qasjen e përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha për studimin e ungjillit nëpërmjet një studimi të unifikuar në shtëpi, në Shkollën e së Dielës dhe në seminar.

Teksa e merrni parasysh këtë ndryshim, ju ftoj të përsiatni për të ardhmen tuaj. Mundësia juaj për të pasur një ndikim më të madh në botë nga cilido brez i mëparshëm, varet plotësisht nga niveli i përkushtimit tuaj ndaj Zotit Jezu Krisht. Secili prej jush është përgjegjës që të ndihmojë për t’ua dhënë mësim ungjillin e Tij në shtëpinë e vet atyre me të cilët jeton. Seminari dhe Instituti do t’ju ndihmojnë ta rimodeloni shtëpinë tuaj që të bëhet një shenjtërore besimi – një vend ku ungjilli i Jezu Krishtit jepet mësim, mësohet, jetohet dhe e duan.”

Nuk jam i sigurt për ju, por unë jam marrë për një kohë të gjatë me këtë program, dhe mendoj se ka vite që kur kemi pasur një president të Kishës që të flasë kaq konkretisht dhe me kaq inkurajim pikërisht për këtë temë dhe të na drejtohet personalisht. Jam mirënjohës për këtë, President Nelson. Tani, le të themi që gjatë kësaj periudhe aktuale të përshtatjeve të mëdha e të vogla, Vëllezërit kanë biseduar më shumë, kanë menduar më shumë e janë marrë më drejtpërdrejt me personelin dhe rregulloren e seminarit dhe institutit se çdo herë tjetër që mund të më kujtohet nga vitet e mia të shërbimit këtu. Çfarë kohe ngazëlluese për të qenë në familjen e Sistemit Arsimor të Kishës!

Tani, më lejoni të dal te qëllimi i të gjithë kësaj, arsyeja e mbledhjes sonë sot dhe arsyeja e mësimdhënies sonë të përditshme dhe të përjavshme – studenti, qendra e interesimit dhe e dashurisë sonë.

Pamja
vajzë duke studiuar

Teksa bota bëhet gjithnjë e më laike, ne duhet të mësojmë si të jemi gjithnjë e më të dobishëm e më shembullorë për të rinjtë e të rejat tona të cilëve u duhet ta mbrojnë besimin e tyre ndërkohë që jetojnë në një kulturë që shpesh e mohon, ose dhe më keq, e poshtëron atë. Hendeku midis rinisë sonë besnike dhe botës nganjëherë antagoniste përreth tyre, së paku si një përgjithësim tërësor, po zgjerohet çdo ditë që kalon. Kjo sigurisht është “diçka që dihet” në profecitë e ditëve të mëvonshme, por kjo nuk e bën më të këndshme për t’u trajtuar ose më argëtuese për t’u përballur. Në këtë përmbledhje të vogël të botës, studentëve tanë u referohen me përkëdheli si Brezi Z për shkak të disa karakteristikave të caktuara. Këto karakteristika theksojnë disa nga sfidat tona në mësimdhënie:2

Pamja
djalë që mban kufje
  • Ata janë gjithmonë të lidhur me një pajisje elektronike. “Ata nuk kanë njohur kurrë një botë pa internet ose celularë [ose kufje me valë]. … Google ka ekzistuar gjithmonë [për ta].”3 Ata mund të mos kenë parë kurrë një telefon me numërator rrotullues ose të kenë telefonuar nga diçka që quhet kabinë telefonike. Por nuk ka problem sepse ky grup parapëlqen të dërgojë mesazhe gjithsesi.

  • Nëpërmjet këtij rrjeti elektronik të kudondodhur, ata janë ekspozuar ndaj pornografisë skandaloze, shkatërruese në moshë tepër, tepër të vogël.

  • Ata priren t’i “[përkrahin] martesat homoseksuale dhe të drejtat e transgjinorëve … [si] pjesë të jetës së përditshme. Do të ishte gjë e rrallë që dikush nga brezi Z të mos kishte një shok [të ngushtë] nga komuniteti LGBT.”4 Për shkak të këtij shoqërimi, vija e hollë mes miqësisë dhe sjelljes toleruese fillon të mjegullohet dhe të jetë e vështirë për t’u tërhequr.

  • “Ata janë paskristianë. Pothuajse një çerek”, (këta nuk janë studentë tanë SHDM, por janë në fakt bota që vërejmë), “Thuajse çereku (23 përqind) e të rriturve të Amerikës – dhe një e treta e mijëvjeçaristëve – zgjedhin ‘asnjë’, duke pretenduar se nuk kane fare identitet fetar. Shumë nga brezi Z po rriten në shtëpi ku nuk ka fare fe, [duke mos u dhënë] asnjë përvojë [dhe asnjë kontekst për] fenë”5 në jetën e vet.

  • Një studim i kohëve të fundit për qëndrimin e adoleshentëve australianë ndaj fesë doli në kryeartikujt e shtypit për shkak të zbulimit të tij se 52 përqind e tyre nuk identifikohen me asnjë fe dhe vetëm 37 përqind besojnë në Perëndi.6

  • Pastori dhe autori Xhejms Emeri Uajt ka shkruar gjerësisht mbi rrethanat e tyre shpirtërore. Ai tha: “Së pari, ata janë të humbur. Ata nuk po jetojnë dhe po formohen thjesht nga një kontekst kulturor paskristian. Ata madje as nuk mbajnë mend gjë për ungjillin [ose kontekstin e ungjillit]. Shkalla e analfabetizmit shpirtëror është thjesht marramendëse. … [Së dyti], ata janë pa udhëheqës. Po marrin pak, në mos aspak, drejtim nga familjet e tyre e madje më pak nga orvatjet e tyre për të marrë udhërrëfim nga interneti.”7

  • Sipas një artikulli të botuar në USA Today [SHBA-ja Sot], Brezi Z është nëngrupi më i vetmuar që kemi njohur në shoqëri.8 Artikulli citoi një studim të UBJ-së për vitin 2010 që arriti në përfundimin se (citoj): “Vetmia ka të njëjtin ndikim te vdekshmëria si prija e 15 cigareve në ditë, gjë që e bën atë më të rrezikshme se mbipesha”9.

  • Rreth 53 përqind e vajzave 13-vjeçare amerikane janë të pakënaqura me trupin e tyre. Ky numër rritet në 78 përqind në kohën kur vajzat arrijnë moshën 17 vjeçe, përsëri tonat. Mbi 50 përqind e adoleshenteve dhe 30 përqind e adoleshentëve përdorin sjellje të pashëndetshme për kontrollin e peshës, të tilla si kapërcimi i vakteve, agjërimi, pirja e cigareve, të vjellat dhe pirja e laksativëve.10

  • Së fundi, ata kanë intervale të shkurtra vëmendjeje. Disa raportojnë se intervali mesatar i vëmendjes te Brezi Z është rreth tetë sekonda.11 Unë do t’i kisha humbur ata që në tre pikat e para që kemi shfaqur këtu.

Epo, mësuesit e seminarit dhe të institutit nuk do t’i zgjidhin të gjitha këto probleme brenda natës, por Vëllezërit vërtet presin nga ju që të keni njohuri, që të jeni të përgatitur mirë, shpirtërisht në linjë dhe në mënyrë të konsiderueshme të jeni të aftë për t’i trajtuar pyetjet për këto çështje kur ato dalin dhe të merreni me to nëse do t’ju duhet në kohën e duhur. Me kontaktin tuaj në mesjavë, ju keni më tepër qasje ndaj studentëve nga sa mund të kenë thuajse të gjithë mësuesit e tjerë në Kishë, prandaj jini të urtë në mënyrën si e bëni, por jini të sigurt se Vëllezërit e duan dhe e presin ndihmën tuaj – në mënyrë formale dhe joformale, në klasë dhe jashtë saj – në mësimdhënien e rregullores, praktikave dhe doktrinave të Kishës.

Jini të hapur – jini veçanërisht të hapur ndaj Shpirtit. Lini pak hapësirë manovrimi në planin tuaj mësimor. Nëse ju nevojitet ta shkurtoni një mësim në mënyrë që të jepni dëshminë tuaj dhe të stimuloni diskutim mbi një çështje të kohës, ju lutemi, bëjeni kur Shpirti ju nxit dhe jua dikton se është me vend.

Patjetër duhet ta bëni këtë pa shkelur kufijtë tuaj në një rol thuajse si udhëheqës priftërie ose organizate ndihmëse, që nuk është yni për ta luajtur. Ecja mbi atë litar cirku ka qenë sfidë në sistemin tonë që nga fillimi dhe do të jetë gjithnjë. Duhet gjykim i mirë dhe udhërrëfim nga Shpirti për të ecur në të, por kjo është një sfidë që ia vlen të pranohet dhe Vëllezërit ju vlerësojnë për përpjekjet tuaja. Të gjithë janë të nevojshëm dhe mesazhi duhet të jetë i qartë dhe i qëndrueshëm në çdo nivel.

“Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë? … Kërkoni që t’i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.12

Pa dyshim, me kaq forca të jashtëzakonshme që veprojnë në kohën tonë, do të duhet një mësimdhënie e ungjillit aq e fuqishme, saqë absolutisht asgjë të mos mund ta lëkundë besimin ose ta devijojë shtegun e rinisë sonë kur ajo del nga klasa juaj dhe futet sërish në botë. Ju premtoj se ajo lloj mësimdhënieje është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, dhe ju e dini, por secili nga ne mund të jetë më i mirë. Ne mund të jemi mësues më të mirë nga sa jemi ndonjëherë. Gjatë qasjes së një detyre kaq druajtëse, ju lutem, mbani mend këtë gjë të vetme nga koha që ju fola sot – mbani mend se një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur.

Pamja
enë e zbrazët
Pamja
fije shkrepëseje e ndezur

Si mësues të ungjillit, ne duhet të jemi zjarrvënës shpirtërorë. Mësimet tona duhet të jenë mjete që ndezin zjarr. Ne duhet të jemi piromanjakë, pa pjesën “manjakë” – vetëm “piro” (zjarr). Tani, më lini t’jua shpjegoj përpara se të më raportoni te Vëllezërit ose në polici, në rregull?

Gjithmonë më ka bërë përshtypje që pothuajse në çdo situatë të rëndësishme mësimdhënieje në Librin e Mormonit, fraza e përdorur për ta përshkruar atë çast është që individit iu dha mësim me “fuqi dhe autoritet”13. Ajo është dëshira ime më e madhe në vetë mësimdhënien time dhe shpresoj edhe në tuajën.

Ju lutem, mos më keqkuptoni. Nuk po flas rreth rritjes së volumit të zërit tuaj, të qenit teatralë në një paraqitje; sidomos nuk po flas për emocion të rremë. Po flas rreth diçkaje që është në thelb, thjesht një çështje shpirti, një shpirt që do të shfaqet në shumë mënyra të ndryshme, aq të ndryshme sa ju jeni. Duhet të jeni vetvetja. Nuk mund të jeni si Brus Mek-Konki, Bojd Pakeri ose Rasëll Nelsoni, ndonëse do të bënim mirë ta pyetim veten përse ata mësues ndikojnë te ne në atë mënyrë. Mësoni gjithçka mundeni nga mësues të mëdhenj (të kaluar e të tanishëm), por sigurisht, në fund, ju duhet të jepni mësim natyrshëm; të jepni mësim sipas mënyrës suaj. Megjithatë, cilado qoftë qasja, rezultati duhet të jetë një mësimdhënie e fuqishme, autoritare.

Më lini të përdor disa shembuj të shënuar në Librin e Mormonit. Helamani 5 shënon historinë e Nefit dhe Lehit, të quajtur me emrat e gjyshërve të tyre të hershëm, të cilëve u qe ngarkuar detyra për t’u dhënë mësim lamanitëve në tokën e Zarahemlës. Përveçse i dhanë mësim atij grupi sfidues, Nefi dhe Lehi morën përsipër edhe “kundërshtarët”, ata nefitë braktisës që ishin larguar dhe u ishin bashkuar lamanitëve në kauzën e tyre kundër profetëve të Perëndisë. Nuk e di për ju, por ato dy grupe përfaqësojnë llojin e dëgjuesve armiqësorë të cilët nuk do të isha aq i dëshiruar t’i takoja të parët mëngjesin e së hënës. Në këtë pikë, lamanitët qenë armiqësorë, të zemëruar e plot vendosmëri për shpagim nga ata nefitë për një grindje, zanafillën e së cilës shumica e tyre e kishte harruar prej kohësh. Dhe pastaj, sikur të mos mjaftonte kjo, janë edhe ish-mormonët për Jezusin(ashtu e përdorin ata fjalën “mormon”, jo unë), braktisësit vendorë që dikur ishin në kuorumin e priftërinjve, të cilët në një rast apo dy mund të kenë shërbyer në misione besnike vetëm për të dalë tani nga binarët . Ata dikur jepnin mësim për ne dhe tani ata japin mësim kundër nesh, kundër mbretërisë së Perëndisë.

Megjithatë, shkrimet e shenjta thonë për Nefin dhe Lehin se atyre dy grupeve sfiduese: “Ata [iu] predikuan me fuqi të madhe, kaq sa hutuan shumë prej atyre kundërshtarëve që kishin ikur nga Nefitët. … Dhe ndodhi që [ata] predikuan mes Lamanitëve [gjithashtu] me fuqi dhe autoritet kaq të madh, pasi iu dha atyre fuqi dhe autoritet, që të mund të flisnin dhe gjithashtu se ç’duhej të flisnin.”14 Tani, ndaluni me mua për një çast. Ndaloni për të menduar se sa gjë e mrekullueshme do të ishte nëse çdo mësues në Sistemin Arsimor të Kishës – ose në Kishë – do të mund t’i dinte këto dy gjëra – si të flasë dhe çfarë të thotë kur të flasë. Ajo do të ishte një dhuratë e vërtetë gjuhësh, edhe nëse do të ishte në gjuhën tuaj amtare. Siç e kuptoj unë, ajo është qartësisht dhurata që iu dha këtyre të dyve ndërsa jepnin mësim. Ata kishin “fuqi dhe autoritet, që të mund të flisnin dhe … se ç’duhej të flisnin. … Prandaj ata folën duke i çuditur shumë Lamanitët.”15

A ju sjell ndonjë lloj kujtimi ajo fjala i çuditur nga një tregim më i hershëm në Librin e Mormonit? Shihni kapitullin 27 te Mosia, ku Alma dhe bijtë e Mosias “po përpiqeshin të ngrinin krye kundër Perëndisë”. Atje te vargu 11: “Një engjëll i Perëndisë iu shfaq atyre; dhe ai zbriti si të ishte në një re; dhe u foli si të ishte me një zë rrufeje që e bëri të dridhej tokën ku ata ishin”16.

Pamja
Almës i shfaqet një engjëll

Më falni nëse ju tërheq në një koment tjetër të vogël redaktorial thuajse menjëherë. A mendoni se ai ishte vërtet një tërmet i fuqishëm? Si mendoni, po të kishit një shkallë Rihter të ngulur në çdo 12 metra, a do të kishte qenë pesë ose gjashtë apo tetë ose nëntë ballë, duke shkaktuar cuname në oqean dhe ndryshim të gjithë sipërfaqes së tokës? Epo, ndoshta. Ndoshta dikur. Me siguri mund të kishte ndodhur, por në këtë rast të veçantë në kontekstin e dhënë, prirem të mendoj se jo. Mendoj se ky ishte një nga ato tërmete vetjake që Zoti u dërgon individëve, duke e përshtatur sipas secilit. Mendoj se toka u tund për Almën dhe bijtë e Mosias, por kush e di nëse u tund për ndonjë tjetër.

Sigurisht, sigurisht ju e keni atë përvojë mësimdhënie në klasë. Diçka që thatë, e goditi një student aq fuqimisht, saqë ai ose ajo u zverdh, lotoi, ose të dyja, u prek thellë në shpirt, e prapëseprapë studenti në të djathtë dhe studenti në të majtë duken sikur nuk janë prekur fare nga ajo. Kjo ndodh në fushën e misionit gjatë gjithë kohës. Ju e dini atë; ju e keni bërë atë! Një dyshe misionarësh po i jep mësim një familjeje në një kompleks apartamentesh diku. Me një çift ata bëjnë një mësim që tund dheun, që ndryshon zemra, që e trondit deri në themel apartamentin nr. 106, por njerëzit në derën ngjitur në apartamentin nr. 105 po shohin me hare emisionin American Idol [Idhulli Amerikan] dhe njerëzit në apartamentin nr. 107 po përpiqen të gjejnë rezultatin e ndeshjes midis Green Bay Packers [Grin Bei Pakers] / San Francisco 49ers [San Fransisko Forti Najnërs]. Nuk e di a mund të premtohen tërmete me shkallë Rihter, duke folur nga gjeologjia, por mendoj se Zoti dhe shkrimet e shenjta gjithnjë ju premtojnë tërmete vetjake që e ndryshojnë një student deri në thelb të qenies së vet aq sa të dridhet toka përpara këmbëve të tij apo të saj. Por, më falni – po dal nga tema!

Duke vazhduar me vargun 12 te Mosia 27:

“Kaq e madhe qe habia” e Almës dhe e bijve të Mosias, “kaq e madhe qe habia e tyre, sa ata ranë përdhe dhe nuk kuptuan fjalët që [engjëlli] u foli atyre. …

… Dhe tani Alma dhe ata që qenë me të ranë përsëri përdhe, pasi e madhe qe habia e tyre; pasi panë me sytë e tyre një engjëll të Zotit; dhe zëri i tij qe si rrufe që tundi tokën. …

… Dhe tani, habia e Almës qe kaq e madhe, sa ai u bë memec dhe nuk mund ta hapte gojën; po, dhe u bë i dobët, madje kaq sa nuk mund të lëvizte duart e tij; prandaj, u mor nga ata që ishin me të dhe u mbart i pafuqishëm, madje derisa e shtrinë para atit të tij.”17

Ajo për të cilën mendoj, lutem e shpresoj se mund t’i vijë Sistemit Arsimor të Kishës, është vërtet mësimdhënia habitëse. Ne duhet t’i habitim ata studentë dhe ta bëjmë atë me “fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë”18 që i jepet një mësuesi – profesionist ose vullnetar – i cili e jep mësim ungjillin e Jezu Krishtit me trimëri e ndershmëri. A ndodh që ta dini rrënjën e fjalës habit [astonish]? Nuk e di cila është ajo në gjuhën egjiptiane të reformuar ose në hebraisht, por në anglisht është marrë nga rrënja “tonare” – që do të thotë gjëmim.19

A ju ndihmon kjo që ta kuptoni pse, pas kthimi të tij në besim, Alma do të thoshte: “O sikur të isha një engjëll dhe të mund të plotësoja dëshirën e zemrës sime, që të mund të shkoja dhe të njoftoja me borinë e Perëndisë, me një zë që tund tokën dhe të thërrisja pendim në çdo popull!

Po, unë do t’i shpallja çdo shpirti si me zërin e rrufesë, pendimin dhe planin e shëlbimit, që ata duhet të pendohen dhe të vijnë te Perëndia ynë, kështu që të mos ketë më pikëllim mbi të gjithë faqen e dheut.”20

Epo, miq të mi të dashur të SAK-ut, është tejet e qartë përse Alma dëshiron ndikim engjëllor, një zë gjëmimi që tingëllon si vetë boria e Perëndisë dhe tund tokën. Është e thjeshtë – ajo që dha rezultat tek ai, duhet të japë edhe tek të tjerët! Studentë të shtrirë në shpinë në pendesë për tri ditë, pastrim aq i madh saqë nuk do mundnin dhe nuk do të largoheshin dot kurrë nga ndikimi i saj, jetë kushtuar tërësisht e plotësisht ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë përgjithmonë. Pra, kjo është mësimdhënie e fuqishme. Ne do ta kuptojmë siç bëri Alma që nuk jemi engjëj e nuk do ta kemi atë ndikim sa herë që përballemi me një grup studentësh. Por e mira e thirrjeve dhe profesioneve tona në SAK është që kemi mundësinë të përpiqemi ta bëjmë atë, që, duke folur në mënyrë figurative, kemi mjedise të përsëritura klasash në të cilat mund të përpiqemi.

Pamja
Nefi dhe Lehi duke u profetizuar lamanitëve

Tani, kthehemi te Helamani 5. Kujtoni që Nefi dhe Lehi nuk ishin engjëj, por ishin thjesht mësues të mirë e të vdekshëm me një mision dhe një mesazh të cilin e dhanë mësim me “fuqi dhe autoritet të madh”. Këta të dy panë 8 000 lamanitë të “pagëz[oheshin] në pendim” dhe të vinin në Kishën e Perëndisë.21 Ju e mbani mend historinë e zjarrit që zbriti nga qielli dhe flakën e Shpirtit që u digjej përbrenda, këtij grumbullimi të tërë “studentësh”, le t’i quajmë, iu ndez shpirti nga e vërteta. Në përvojën time, numri 8 000 do të ishte një raportim mjaft i mirë javor në një zonë nga cilado dyshe misionarësh, në cilindo mision, në cilindo terren misioni, kudo në botë.

A do të më lejoni edhe një çast të flas për një mësues tjetër të cilit jo vetëm iu ndez shpirti, por pagoi edhe çmimin e fundit për shërbimin e tij me trupin e vet që u ndez nga zjarri?

Abinadi, që nga rinia ime e deri tani, ka qenë një nga profetët e mi më të admiruar në të gjitha veprat tona standarde të shkrimeve të shenjta. Abinadi vjen në skenë vërtet si i panjohur, pa pretenduar trashëgimi profetike dhe pa zbuluar ndonjë linjë të famshme familjare. Me përkeqësimin e gjërave në koloninë kokëfortë të Zenifit, Abinadi caktohet që t’i bëjë thirrje për pendim birit dhe pasuesit të papërshtatshëm të Zenifit, mbretit Noe. Ju e dini historinë.

Noeu menjëherë nxjerr urdhrin që ta vrasin dhe Abinadi detyrohet të arratiset. Pas dy vjetësh fshehur, Abinadi del sërish për të dhënë mësim e për të dëshmuar. Ndalem këtu që të buzëqesh me pafajësinë e dukshme fëmijërore të pafajshme të profetit në gjithë këtë histori. Ai ka qenë në izolim të plotë për 24 muaj, tani maskohet që të ruajë më shumë anonimatin dhe prapëseprapë, kur rikthehet, fraza e parë që i del nga goja është: “Kështu më ka urdhëruar Zoti, duke thënë – Abinadi, shko dhe profetizo”22. Në këtë pikë duhet të vras mendjen sa i efektshëm qe maskimi, por me siguri ne nuk e vëmë në dyshim besimin dhe vendosmërinë e tij.

Pasi profetizon me guxim kundër neverive të mbretit Noe dhe trupit të tij gjykues, Abinadi arrestohet dhe çohet përfundimisht përpara po asaj gjykate që ai e kishte dënuar. Gjatë marrjes së pamëshirshme në pyetje nga ky këshill, profeti i fuqishëm “u përgjigj me guxim dhe i përballoi të gjitha pyetjet e tyre, dhe … i ngatërroi ata në të gjitha fjalët e tyre”23. Pastaj duke kaluar nga mbrojtja në sulm, ai fillon rreth pesë kapituj e gjysmë doktrinë që renditen ndër më të fuqishmit e dhënë në gjithë Librin e Mormonit. Ai sapo kishte filluar, kur Noeu, i pushtuar nga faji dhe i neveritshëm, bën thirrje që ai të vritet.

Pamja
Abinadi duke dëshmuar para trupit gjykues të mbretit Noe

E gjitha kjo është për të dhënë idenë e një skene që është gdhendur përgjithmonë në përfytyrimin tim, jo pikërisht siç e portretizoi Arnol Frajbergu në pikturën e tij të mrekullueshme24, por i përafrohet mjaftueshëm. Sidoqoftë, si i burgosur, Abinadi me siguri do të kishte qenë i lidhur, me një lloj prangash të asaj kohe. Moshën e tij, nuk e dimë. Frajbergu e ka portretizuar si një burrë në moshë, (ose edhe më të moshuar), por teksti nuk e thotë këtë. Nuk e di çfarë moshe kishte ai. A qe i fortë fizikisht? Nuk e di, por sapo kishte ardhur nga dy vjet izolim dhe mund të mos ketë pasur shumë ushqim. Mendoni për Elijan që ushqehej nga korbat. 25 A keni parë kthetër korbi? Nuk mendoj se në fluturim ata zogj të vegjël mund të mbanin sasi të mëdha të çfarëdolloj gjëje. Ne nuk e dimë, por ndoshta Abinadi qe i uritur, i lodhur dhe të paktën disi i dobët fizikisht në rrethanat e tij.

“Merreni këtë njeri dhe vriteni”, bërtet mbreti Noe, “pasi çfarë mund të bëjmë ne me të. …

… Dhe ata shkuan përpara dhe u përpoqën të vinin duart e tyre mbi të, por ai u qëndroi atyre dhe u tha:

Mos më prekni, pasi Perëndia do t’ju godasë në qoftë se ju vini duart mbi mua, pasi nuk kam dhënë njoftimin që Zoti më dërgoi të jap. …

… Pasi Shpirti i Zotit ishte mbi të; dhe fytyra e tij shndriti me një shkëlqim të madh, madje sikurse ajo e Moisiut kur ishte në malin Sinai, ndërsa po fliste me Zotin.

Dhe ai foli me fuqi dhe autoritet nga Perëndia.”26

“Fuqi dhe autoritet.” Ja ku është përsëri. Kur fillova ta shkruaj këtë bisedë dhe doja të përdorja Abinadin, nuk u kujtova, ose ndoshta nuk e dija, se tregimi i tij mbaronte me po atë frazë, që ai dha mësim me fuqi dhe autoritet. Miq, tjetër gjë është të lexosh fjalë të shkruara në një faqe dhe tjetër gjë është ta shohim atë me syrin e mendjes dhe ta dëgjojmë në zemër si me zërin e gjëmimit: “Mos më prekni, pasi Perëndia do t’ju godasë në qoftë se ju vini duart mbi mua”27. Zor se mundem ndonjëherë t’i lexoj këto fjalë pa u përlotur. Ato kumbojnë me një madhështi, me një guxim e me një forcë kaq monumentale në zemrën time. Nuk ka asnjë tregues se ai bërtiti. Nuk ka asnjë tregues se ai lëvizi qoftë dhe një muskul të vetëm. Nën vëzhgimin e rojave të armatosura dhe i lidhur me pranga, nuk mund të bënte ndonjë gjë të madhe. Por duket se ajo që tha dhe mënyra si e tha, dha rezultat. Them “duket” sepse nuk ka asnjë tregues çfarëdo që ndonjë prej atyre rojave bëri ndonjë përpjekje të vetme, të izoluar për ta larguar, as që mbreti Noe ose ndonjë nga priftërinjtë e tij të thoshte më ndonjë fjalë në katër kapitujt e tjerë magjepsës.

Mirë, ne nuk mund të mendojmë për të gjithë shembujt e mrekullueshëm të asaj lloj mësimdhënieje në shkrimet e shenjta, por ato janë kudo. E ftoj secilin prej nesh që t’i kërkojë ato, të reflektojë për to dhe t’i kërkojë vetes një pjesëz të asaj dhurate që përputhet me thirrjet e veta.

Kjo lloj mësimdhënieje është diçka kërkuese për t’u bërë dhe shumë e vështirë për t’u kapur. Po të dija si të jepja mësim në këtë mënyrë, me siguri do të isha më i suksesshëm në realizimin e saj. Por këtë e di: pa u ndier i pasionuar pas diçkaje, nuk do të mundeni as në botët pa fund, t’i bëni ndonjëherë studentët tuaj të ndihen të pasionuar pas saj. Më lejoni ta përsëris? Pa u ndier i pasionuar pas diçkaje, ju nuk do të mund të shpresoni që t’i bëni studentët tuaj të ndihen të pasionuar pas saj. Patjetër, burimi kryesor i atij pasioni është ajo që u tha për Abinadin: “Pasi Shpirti i Zotit ishte mbi të; dhe fytyra e tij shndriti me një shkëlqim të madh”.28

Nëse Shpirti është çelësi i mësimdhënies habitëse – dhe është – ka rrezik të madh të flisni nga shënime të vjetra apo të përdorni shembujt e njërit prej kolegëve tuaj mësues, ose të interpretoni mërzitshëm biseda nga konferenca e përgjithshme. Ato të gjitha janë të mira në vendin e tyre dhe madhështore kur u dhanë për herë të parë, ndaj patjetër përdorni gjithçka që mundni, kurdoherë që mundeni për t’i sjellë gjallëri e larmi mësimit tuaj. Por ajo që do të ketë më tepër rëndësi do të jetë mënyra se si ndiheni kur i thoni fjalët. Asgjë nuk do ta zëvendësojë atë. “O sikur të isha një engjëll … që të mund … të njoftoja … me një zë që tund tokën!”29 Mbajeni mend: një student nuk është një enë që duhet mbushur. Një student është një zjarr që duhet ndezur. Dhe nëse e bëjmë atë vërtet mirë, ne mund të jemi të denjë një ditë për t’i takuar ata që u dogjën fizikisht në zjarr pikërisht prej kësaj aftësie për të ndezur flakë me strall dhe çelik. Ju lutem, dilni atje, ju engjëj të lavdisë mbi gjithë këtë rruzull tokësor – të vëmendshëm ndaj dëgjueseve që po u flasim – ju lutem shkoni dhe habitini studentët tuaj. Unë dëshmoj për karakterin hyjnor të kësaj pune. Unë dëshmoj për karakterin hyjnor të thirrjes suaj. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kjo është puna e Perëndisë së Plotfuqishëm. Unë nuk ia kam kushtuar jetën time një përralle. Unë nuk ia kam kushtuar jetën time, dhe as ju, asaj që Pjetri tha se do të akuzoheshim se kishim bërë, që është ndjekja e gjërave të rreme, ndjekja e një gojëdhëne, që ndjek një të pavërtetë sajuar me dinakëri. Kjo është e vërteta. Ajo nuk është fabul e hartuar me dinakëri. Unë e kam dhënë jetën, ju po e jepni tuajën, njerëzit më të mirë që njoh e kanë dhënë dhe po e japin të tyren. Kjo është e vërteta e Perëndisë së Plotfuqishëm, dhe ju bekoftë Ai përgjithmonë kur ta jepni mësim atë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër