Transmetimet e Trajnimeve
Spiranca Shpirtërore


Spiranca Shpirtërore

Transmetimi Vjetor i SeI‑së Janar 2024

E premte, 26 janar 2024

Bashkëshortja ime, Kristi, u rrit pranë bregdetit në Kaliforninë Jugore dhe gjithmonë i ka pëlqyer oqeani. E parapëlqyera e saj është të vizitojë faret. Pavarësisht se tani jetojmë larg nga oqeani, vizituam rreth 15 fare së bashku dhe kam mësuar përse asaj i pëlqejnë kaq shumë. Më mallëngjen pamja e një fari që qëndron i fortë përballë erërave dhe valëve ngaqë është ngulitur aq thellë në themel dhe në mënyrë aq të sigurt sa pavarësisht nga stuhitë e fuqishme, asgjë nuk mund ta shkulë nga themeli mbi të cilin ngrihet. Ngjashëm me këtë, shpresojmë që studentët tanë të jenë në gjendje ta përballojnë çdo stuhi që mund t’u vijë në jetë. Faleminderit që u siguroni spirancën shpirtërore që u duhet, dhe që i ndihmoni t’i ndërtojnë themelet e tyre mbi Jezu Krishtin.

Falë përpjekjeve tuaja të mahnitshme dy vitet e fundit, instituti ka 57 000 studentë shtesë dhe regjistrimi në seminar është rritur me 22 000 veta edhe pse kemi më pak studentë të mundshëm. Tani jemi në përqindjen më të lartë të nxënësve të regjistruar në seminar të raportuar ndonjëherë. Faleminderit për pranimin e ftesës së Presidentit Nelson për të ndihmuar të mblidhet një brez. Siç na mësoi ai, çdo herë që bëni diçka që e ndihmon dikë të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet me Perëndinë, po ndihmoni të mblidhet Izraeli.1 Përveç regjistrimeve të shtuara, vitin e fundit mbi 25 000 miq të feve të tjera ndoqën kurset dhe 9 000 prej tyre u pagëzuan.

Ju falënderojmë për ftesat vetjake, për punën me udhëheqësit e Kishës e me prindërit dhe për nxitjen e studentëve tanë që të ftojnë miqtë e tyre. Ajo që po bëni, po sjell ndryshim mbresëlënës dhe jo thjesht në numrat e regjistrimeve. Ndryshimi i vërtetë është në ndikimin që keni. Çdo ditë, njerëzve po u ndryshon jeta kur ndjekin orët tuaja mësimore, kur ndiejnë dashurinë dhe besimin tuaj, dhe kur e pranojnë ftesën tuaj që të studiojnë shkrimet e shenjta dhe të dëgjojnë zërin e Perëndisë. Ju falënderojmë për ushtrimin e besimit tuaj që të bekohen gjithnjë e më shumë fëmijë të Atit Qiellor ndërsa siguroni një spirancë shpirtërore që u duhet skajshëm.

Për të eksploruar mënyra më të shumta e më të mira për t’i bekuar studentët tanë, pak vjet më parë provuam një kurs të ri në seminar. Për një semestër nxënësve të vitit të parë të seminarit u dhamë mësim një variant të rishikuar të kursit të institutit “Bazat e Studimit të Shkrimeve të Shenjta”. Pas një semestri, nxënësit në ato kurse kishin përparuar më shumë se bashkëmoshatarët në studimin domethënës vetjak të shkrimeve të shenjta dhe në pjesëmarrjen në diskutimet në klasë. Në po atë kohë, programi “Arritja e Suksesit në Shkollë” pati sukses të madh duke i ndihmuar nxënësit të dilnin më mirë në shkollë dhe të ishin më të përgatitur për mundësitë e ardhshme arsimore. Të dyja përvojat ia tërhoqën vëmendjen Plakut Gilbert dhe ai filloi të na nxiste fuqishëm për të marrë parasysh çfarë po na mësonte Zoti.

Ndërsa ndodhte kjo, filluan diskutimet me Sektorin e Misionarëve se çfarë mund të bënte më shumë seminari për të ndihmuar për përgatitjen e misionarëve të ardhshëm. Diskutime po ndodhnin dhe me Sektorin e Tempullit rreth ndihmës që frekuentuesit për herë të parë të tempullit, të kenë një përvojë domethënëse në tempull dhe t’i kuptojnë besëlidhjet që do të bëjnë. Të tjerë po flisnin me anëtarë të Sektorit të Shërbimeve për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja se si të ndihmonin për të përmbushur një nevojë në rritje për ripërtëritje emocionale dhe mbështetje te vetja. Njëkohësisht po diskutohej edhe një dëshirë prej kohësh e shumë njerëzve për t’u përqendruar më tepër te mësimet e profetëve bashkëkohorë.

Si përrenjtë që bashkohen në një lumë, shumë ide po bashkoheshin, të cilat të gjitha dukeshin se na çonin drejt një drejtimi të ngjashëm. Teksa i shqyrtuam mundësitë, e kuptuam se seminari është në një pozicion të pashoq. Njerëz të tjerë të mirë, si këshilluesit në shkolla ose terapistët e familjes, mund t’i trajtojnë temat e nevojës dhe mund të jenë shumë të dobishëm, por vetëm ne mund t’i trajtojmë ato tema përmes thjerrave të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. E kuptuam edhe se jemi të pashoq brenda vetë Kishës thjesht për shkak të sasisë së kohës që kemi me rininë tonë çdo javë.

Po ashtu jemi në një pozitë të pashoqe brenda vetë historisë sonë. Që kur e përputhëm programin tonë me Eja, Më Ndiq, tani po studiojmë të njëjtin libër të shkrimit të shenjtë si anëtarët individualë, familjet dhe klasat e tjera të Kishës. E pyetëm veten a mund të gjenim ca kohë të vlefshme për të trajtuar tema të veçanta brenda kontekstit të studimit tonë të shkrimeve të shenjta. Me të gjithë këta përrenj që po rridhnin në lumin tonë të të menduarit, vazhdojmë të kapemi pas disa ideve themelore. Zotohemi që gjithmonë të kemi në qendër Krishtin, të bazohemi te shkrimet e shenjta dhe të përqendrohemi te nxënësi. Përherë do të përpiqemi ta ftojmë Frymën e Shenjtë dhe të përqendrohemi tek thellimi i kthimit në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur.

Kur shqyrtuam plot lutje lidhjen e kësaj me përpjekjet për ta bekuar rininë, na u kujtua se Plaku Dejvid A. Bednar pati dhënë mësim për vlerën e studimit të shkrimeve të shenjta në tri mënyra: sipas radhës, sipas çështjes dhe sipas temës. Ai dha mësim:

Leximi i librit të shkrimit të shenjtë nga fillimi në fund krijon rrjedhën e ujit të gjallë në jetën tonë duke na paraqitur histori të rëndësishme, doktrina të ungjillit dhe parime të përjetshme. …

… Studimi sipas temës e shton thellësinë e njohurisë sonë.”

Plaku Bednar shtoi:

“Kërkimi me zell për të zbuluar lidhjet, modelet e temat është pjesë e asaj që do të thotë të ‘ushqeh[emi] me bollëk’ me fjalët e Krishtit. Kjo mënyrë mund t’i hapë dyert e përmbytjes së rezervuarit shpirtëror, ta ndriçojë kuptueshmërinë tonë nëpërmjet Shpirtit të Tij dhe të prodhojë një thellësi të mirënjohjes për shkrimet e shenjta dhe një shkallë të zotimit shpirtëror që nuk mund të merret në asnjë mënyrë tjetër. Një kërkim i tillë na bën të aftë të ndërtojmë mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë dhe t’u bëjmë ballë erërave të ligësisë në këto ditë të mëvonshme.”2

Duke e ditur se duhej ta vazhdonim historinë tonë të gjatë, të çmuar me mësimdhënien sipas radhës së shkrimeve të shenjta dhe të vazhdonim të përfitonim nga përputhja me programin Eja, Më Ndiq dhe ngaqë rinia jonë ka sfida specifike dhe nevojë që të përgatitet për të ardhmen, i çuam Bordit për Arsimimin rekomandimin vijues. Tani po lexoj protokollin e bordit.

“[Administrata e Seminareve dhe Instituteve të Fesë] rekomandoi krijimin e një programi mësimor për seminarin sipas manualit Eja, Më Ndiq me qasjen sipas radhës të shkrimeve të shenjta për 3–4 ditë çdo javë dhe mësime tematike 1–2 herë çdo javë (të zhvilluara sipas temave si përgatitja për mision, tempull dhe arsimim; zotësitë e studimit të shkrimeve të shenjta; ripërtëritja emocionale; zotësitë për jetën dhe mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme). Mësimet tematike gjithashtu do të rrënjosen në shkrimet e shenjta dhe do të përqendrohen te parimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.”

Rekomandimi u miratua me entuziazëm që të vihet në zbatim në të gjithë botën duke filluar nga janari i vitit 2025.

Vini re se çdo javë do të vazhdojmë t’i japim mësim shkrimet e shenjta sipas radhës. Është e domosdoshme të vazhdojmë t’i ndihmojmë studentët që të kenë vetëbesim në aftësinë e tyre për t’i studiuar dhe kuptuar shkrimet e shenjta dhe për t’i ditur dhe jetuar parimet që na mësojnë ato. Do të vazhdojmë ta ndihmojmë rininë që të gjejë përgjigje për pyetjet e veta nëpërmjet parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të fitojë dobitë e zotërimit doktrinor. Edhe mësimet me tema të reja, referuar si “mësime të përgatitjes për jetën”, do të shtohen në programin e ri mësimor. Këto mësime do të trajtojnë nevoja të veçanta të nxënësve të seminarit duke pasur Krishtin në qendër, duke u bazuar te shkrimet e shenjta dhe duke u përqendruar te nxënësi.

Këto mësime do t’ju lejojnë të përdorni zotësitë, përvojat dhe dhuntitë që keni përdorur si mësues të shkrimeve të shenjta sipas radhës. Kjo s’është nisje nga e para. Nuk po ju kërkojmë të jeni ekspertë të asnjërës nga temat e reja. Shpresojmë që asnjëri prej jush të mos luajë rolin e prindit ose terapistit, këshilltarit apo specialistit. Thjesht ju kërkojmë të rrënjoseni fort në mësimet e Jezu Krishtit siç përvijohet në këto materiale të reja të bashkërenduara dhe të miratuara.

Që të përgatiteni për vitin 2025, materialet e reja do t’ju dërgohen në korrik të 2024‑ës, që do të përfshijnë si Eja, Më Ndiq dhe mësimet e përgatitjes për jetën. Ju nxitim t’i shqyrtoni këto mësime në atë kohë dhe të filloni ta shpërndani këtë njoftim te prindërit, udhëheqësit vendorë dhe drejtuesit e shkollave për të ndihmuar që më shumë të rinj të regjistrohen në seminar. Me ndërthurjen e studimit të shkrimeve të shenjta sipas radhës dhe sipas temës, shpresojmë të çelim një rezervuar shpirtëror të paparë ndonjëherë.

Shpresojmë të ndihmojmë të përgatitet një brez rinie që e di se si t’i studiojë shkrimet e shenjta dhe të mbërthehet te mësimet e profetëve të gjallë. Një brez rinie me ripërtëritje emocionale që ka zotësitë dhe aftësinë të dalë me sukses në shkollë dhe të bëhen etër e nëna të drejta dhe që do të udhëheqin në Kishë dhe në komunitetet e tyre. Shpresojmë të ndihmojmë një brez të përgatitet për t’i kuptuar besëlidhjet e tempullit, që është thellësisht i zotuar t’i mbajë ato dhe një brez misionarësh të denjë, të kualifikuar, plot energji shpirtërore dhe të përgatitur për të përfaqësuar Shpëtimtarin në ftesën ndaj botës që të vijë tek Ai.

Shpresojmë të përgatitim një brez dishepujsh të Jezu Krishtit thellësisht të kthyer në besimin tek Ai dhe tek ungjilli i Tij i rivendosur gjatë gjithë jetës. Ju falënderojmë sërish për mbledhjen e një brezi dhe për ndikimin mbresëlënës që keni tek ata. E dimë që prej jush kërkohet shumë. Faleminderit për gjithçka që po e bëni kaq mirë. Teksa vazhdoni të ushtroni besimin tuaj, besoj se do të shihni mrekulli, se Zoti është i përgatitur për t’i forcuar e mbrojtur studentët tanë dhe për t’u bërë ballë stuhive të këtyre ditëve të mëvonshme. Zoti do të vazhdojë t’ju ndihmojë. Këtë bën Ai. I tillë është Ai. Dëshmoj për Të në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. David A. Bednar, “A Reservoir of Living Water” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 4 shkurt 2007), f. 3, speeches.byu.edu.

Shtyp në Letër