Transmetimet e Trajnimeve
Mirëbesoni te Perëndia


Mirëbesoni te Perëndia

Transmetimi Vjetor i SeI‑së, Janar 2024

E premte, 26 janar 2024

Është bekim që t’ju drejtohem juve që bëni kaq shumë për të udhëhequr brezat më të rinj te Krishti. Puna juaj është mësimdhënia dhe kthimi në besim. Shoqëruesi juaj është Shpirti i Shenjtë. Shpërblimi juaj është i papërshkrueshëm. Me fjalët e Shpëtimtarit: “Sa i madh do të jetë gëzimi juaj … në mbretërinë e Atit tim!”1

I vlerësoj ato që kemi dëgjuar nga komisioneri i arsimimit, Plaku Klark G. Gilbert, dhe administratori i Seminareve dhe Instituteve, Plaku Çad H Ueb. I admiroj dhe më pëlqen të shërbej me të dy. E miratoj drejtimin dhe këshillën e urtë që sapo kemi marrë nga secili. E dinë se për çfarë flasin. Jam i emocionuar për rritjen si në seminar edhe në institut që raportoi Vëllai Ueb. Përgëzime e falënderime për të gjithë ata që kanë luajtur rol në këtë gjë.

Shpresoj që t’i mbani mend fjalët e Plakut Gilbert rreth studimit dhe përforcimit të theksimeve profetike të Presidentit Rasëll M. Nelson, së bashku me apostuj dhe profetë të tjerë. Shembujt që përmendi ai rreth mënyrës se si bëhet kjo dhe të bëhet me efektshmëri, janë veçanërisht të dobishëm. Mund të jeni në gjendje të kopjoni variante të tyre dhe të gjeni frymëzim për zbatime të tjera në rrethanat tuaja. Kjo është një nismë e rëndësishme në arsimimin në Kishë dhe do të japë fryte jetike.

Jam veçanërisht i emocionuar, madje plot kureshtje, nga ajo që Vëllai Ueb ka njoftuar lidhur me mësimet tematike në seminar. Ai theksoi se do të vazhdojmë të përdorim qasjen me shkrimet e shenjta sipas radhës si themelin për programin mësimor të seminarit, por do të shtojmë një larmi mësimesh të cilat trajtojnë tema si misionet, tempulli, përgatitja arsimore, zotësitë e studimit të shkrimeve të shenjta, ripërtëritja emocionale, zotësitë për jetën, mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme etj. Mua kjo më duket si t’i shtosh një ëmbëlsire ca fruta shtesë dhe pak aromë. Do të jetë e shijshme. Me ju, mezi pres të mësoj nga kjo qasje dhe gëzohem që mund të jap diçka shtesë për ata që bëjnë përpjekjen dhe sakrificat që të jenë në seminar. Gjithsesi, kënaquni me ëmbëlsirën!

Dua të flas për një shqetësim që duket se na mundon si kurrë më parë në brezat tanë më të rinj. Po flas për ndjenjat reale të ankthit e depresionit dhe frytin e hidhur që mund të shkaktojnë këto ndjenja, përfshirë, në ekstrem, abuzimin me substancat, vetëlëndimin dhe madje vetëvrasjen. Disa statistika:

Në rang global nga 2004‑a në 2021‑shin raportohet që depresioni klinik mes adoleshentëve u ngrit nga 13,1% në 29,2% për femrat dhe nga 5% në 11,5% për meshkujt.2 Mes adoleshentëve nga 12 deri në 17 vjeç, 21% kishin përjetuar një episod madhor depresioni të paktën një herë në jetë dhe 15% në vitin e kaluar.3 Këto shifra nuk marrin parasysh sfidën më të vogël, por të rëndësishme të depresionit joklinik dhe ankthit që prek shumë më tepër të rinj.4 Sipas WebMD, gati 60% e atyre që vuajnë nga ankthi, gjithashtu vuajnë nga depresioni dhe anasjelltas.5

Studimet e Kishës për të njëjtat probleme me rininë anëtare treguan se globalisht në vitin 2018, 29% luftuan me nivele klinike të ankthit. Sigurisht që kjo ndryshon sipas shtetit dhe mund të mos përfaqësojë të gjithë rininë në secilin shtet, por shifra e ankthit klinik ishte, për shembull, në Shtetet e Bashkuara, 28%; në Kili, 32%; Francë dhe Belgjikë, 16%; Afrikën e Jugut, 46%; Tajvan, 18%; dhe Zelandën e Re, 32%.6

Sigurisht, shumë faktorë mund të kontribuojnë ose të lidhen me zhvillimin e depresionit dhe ankthit. Në shumë raste, mund të luajnë rol faktorët gjenetikë. Faktorët e jashtëm gjithashtu mund të luajnë rol, të tillë si fatkeqësia (përfshirë trauma dhe braktisja), ekspozimi ndaj stresit, stilet e prindërimit, orientimi seksual, ndikimi i bashkëmoshatarëve dhe grupeve shoqërore, faktorët shkollorë dhe temperamenti, mes të tjerash.

Një faktor relativisht i ri, i shoqëruar me përhapjen e shtuar të ankthit dhe depresionit, është përdorimi i mediave shoqërore. Kjo ka tërhequr vëmendjen e zyrës kombëtare të shëndetit publik të SHBA‑së që ka paralajmëruar për këtë. Në SHBA vlerësohet se 95% e adoleshentëve kanë lidhje në mediat shoqërore, me gati dy të tretat që i përdorin mediat shoqërore çdo ditë. Studimet thonë se adoleshentët harxhojnë mesatarisht 3,5 orë në ditë në mediat shoqërore dhe raportojnë se kjo ndikon negativisht në perceptimet e tyre për vetveten. Ka modele të caktuara të përfshirjes në internet që parashikojnë rezultate negative: bullizmin nëpërmjet internetit, mesazhet seksuale dhe gjëmëklikimin, për shembull. (Gjëmëklikimi, për ata si unë që nuk kanë dëgjuar kurrë për të, është harxhimi i periudhave të gjata kohore në telefon ose kompjuter duke u përqendruar te lajmet negative. Me sa duket, për disa, ai zakon është bërë fiksim dhe ngushëllues në mënyrë të zymtë.) Përdorimet pasive të mediave shoqërore, si harxhimi i kohës pa qëllim me përmbajtjet e mediave shoqërore, i rritin ndjenjat e inferioritetit dhe krahasimit negativ, ndërkohë që përdorimi aktiv ose qëllimor i mediave shoqërore (si publikimi, bërja e komenteve dhe lidhja) nuk kanë të njëjtat ndikime negative.

Kërkimi tregoi se ka disa faktorë mbrojtës që mund të ndihmojnë të frenohet ankthi e depresioni. Këta përfshijnë aktivitetin fizik, dhembshurinë, këmbënguljen dhe vetëkontrollin.

Vetë besoj se shumë prej shkurajimit dhe ankthit vjen ngaqë nuk kuptohet ose kujtohet plani i Perëndisë dhe nuk mirëbesohet në fuqinë e Tij kur vijnë telashet. Pa bindjen për realitetin, dashurinë dhe planin e Perëndisë për lumturinë e fëmijëve të Tij, mendja e të rinjve mund ta shohë të ardhmen si të zymtë dhe të brishtë. Nuk po kërkojmë që mësuesit e seminarit dhe institutit të bëhen këshillues apo specialistë të shëndetit mendor. Më saktë, ne japim një kundërpeshë ndaj faktorëve në shoqëri që kontribuojnë në shtimin e ankthit dhe depresionit. Ne jemi furnizuesit e shpresës. Jemi zëri i shpresës, shpresës së rrënjosur në besimin dhe mirëbesimin te Perëndia.

Kuptueshmëria për planin e Atit tonë Qiellor për shëlbimin, veçanërisht për elementin kyç të atij plani, Shlyerjen e Jezu Krishtit, jep sigurinë përfundimtare. Ajo ndërton dhe ruan ripërtëritjen shpirtërore dhe emocionale, duke ditur arsyen për ekzistencën tonë dhe qëllimin tonë në jetën në vdekshmëri. Ne u japim mësim, nëpërmjet parimit dhe shembullit, atyre që kërkojnë çlirim dhe përkrahje. Jetofshin fjalët e Shpëtimtarit në zemrat e tyre: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”7. Besëlidhjet tona na lidhin me Të dhe, me Të, ne gjithashtu e mundim botën.

Ne mund t’i ndihmojmë studentët dhe të tjerët që të ngrenë themelin e tyre mbi “shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, Biri i Perëndisë”, që, “kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi [ta], nuk do të ketë fuqi mbi [ta], që t’[i] tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund”8. Presidenti Rasëll M. Nelson u shpreh kështu: “Zoti ka shpallur se pavarësisht nga sfidat e sotme të pashembullta, ata që i ndërtojnë themelet mbi Jezu Krishtin dhe kanë mësuar si të mbështeten te fuqia e Tij, nuk kanë nevojë t’u dorëzohen shqetësimeve të pashoqe të kësaj epoke”9.

Ne kemi një mundësi të papërshkrueshme me kursin e studimit të këtij viti, Librin e Mormonit. Asnjë shkrim tjetër i shenjtë nuk e paraqit kaq qartë planin e shëlbimit. Asnjë vëllim tjetër nuk na e mëson në mënyrë më bindëse vërtetësinë dhe kuptimin e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Asnjë shkrim i shenjtë standard nuk e ka fuqinë kthyese në besim të Librit të Mormonit në dëshminë e vet se Jezusi është Krishti dhe se Ai e ka mposhtur vdekjen, si fizike dhe shpirtërore. Libri i Mormonit është një shfaqje e së vërtetës së ungjillit dhe gëzimit që gjendet në zbatimin e urdhërimeve të ungjillit. Rrëfimi i tij është plot me shembuj mposhtjeje. Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe “virtyti i fjalës së Perëndisë”10 është që ajo prodhon besim te Shpëtimtari, besim që e përzë dyshimin, depresionin dhe ankthin, të cilët përndryshe mund të na mposhtin, dhe që lë në vend të tyre forcë dhe sigurim.

Merrini parasysh disa shembuj:

Ja premtimi i njohur, i thënë nga mbreti Beniamin: “Dhe për më tepër, unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund. O, kujtoni, kujtoni se këto gjëra janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi i ka folur.”11

Kujtojeni shpalljen siguruese të Nefit kur u përball me përndjekje dhe depresion në kohën e vdekjes së atit të tij:

“Por, me gjithë mirësinë e madhe të Zotit, që më tregon mua veprat e tij të mëdha dhe të mrekullueshme, zemra ime bërtet: O, ç’njeri i mjerë që jam! Po, zemra ime brengoset … për shkak të paudhësive të mia.

Unë jam i rrethuar për shkak të tundimeve dhe mëkateve, të cilat më ngacmojnë me kaq lehtësi.

Dhe kur unë dua të gëzohem, zemra ime rënkon për shkak të mëkateve të mia; megjithatë, unë e di në cilin kam besuar. …

O, … [nëse] … kam parë gjëra kaq të mëdha, [nëse] Zoti në denjimin e tij ndaj fëmijëve të njerëzve, i ka vizituar njerëzit me kaq shumë mëshirë, përse duhet zemra ime të qajë dhe shpirti të qëndrojë në luginën e hidhërimit dhe mishi im të tretet, dhe fuqia ime të pakësohet [prej] hidhërimeve të mia? …

O Zot, unë kam besuar te ti dhe do të besoj te ti përgjithmonë.”12

Alma tregoi për gëzimin e lindjes rishtas dhe më pas të mbështetjes te Perëndia:

“Dhe tani, për tri ditë dhe tri net u torturova, madje edhe me dhembjet e një shpirti të mallkuar.

Dhe ndodhi që ndërsa isha ashtu i torturuar me mundim pasi isha ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia të shumta, vini re, m’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës.

Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam në vrerin e hidhësirës dhe që jam rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes.

Dhe tani vini re, kur mendova këtë nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; po, nuk isha më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia.

… Çfarë gëzimi dhe çfarë drite të mrekullueshme pashë; … shpirti im më ishte mbushur me një gëzim po aq të madh, sa … dhembja ime! …

Po, dhe që atëherë madje deri tani, unë kam punuar pa pushim që të sjell shpirtra në pendim; që të mund t’i sjell të shijojnë prej gëzimit të jashtëzakonshëm të cilin unë shijova; që edhe ata të lindin nga Perëndia dhe të mbushen me Frymën e Shenjtë. …

Dhe jam përkrahur në sprova dhe në shqetësime të çdo lloji, po, dhe në të gjitha llojet e fatkeqësive; po, Perëndia më shpëtoi nga burgu, nga robëria dhe nga vdekja; po, dhe unë vë besimin tim në të dhe ai gjithnjë do të më çlirojë.”13

Kush mund të kishte pasur më shumë arsye për ankth dhe depresion të thellë sesa Mormoni, i cili vajtoi: “Një seri e vazhdueshme ligësish dhe neverish ka qenë para syve të mi, që kur isha mjaft i rritur për të vërejtur zakonet e njerëzve”14. Pavarësisht nga një jetë me luftë dhe trauma, ai mund t’i thoshte Moronit: “Biri im, ji besnik në Krisht; dhe mos të hidhërofshin gjërat që kam shkruar që të të çojnë deri në vdekje; por Krishti të mund të të ngrejë dhe qëndrofshin në mendjen tënde përherë vuajtjet dhe vdekja e tij dhe shfaqja e trupit të tij etërve tanë [Ringjallja e Tij] dhe mëshira dhe durimi i tij, dhe shpresa e lavdisë së tij dhe e jetës së përjetshme”15.

Alma përshkroi shembullin e Shpëtimtarit lidhur me vuajtjen e pakonceptueshme dhe mënyrën se si ne, në vend të dëshpërimit, mund t’i drejtohemi Atij për lehtësim e shërim.

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.

… Biri i Perëndisë vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij; dhe tani vini re, kjo është dëshmia që është në mua.

Unë ju them juve se duhet të pendoheni dhe të lindni përsëri; pasi Shpirti thotë, [nëse] nuk lindni përsëri, … nuk mund të trashëgoni mbretërinë e qiellit; prandaj ejani dhe pagëzohuni në pendim, që … të laheni nga mëkatet tuaja, që … të mund të keni besim në Qengjin e Perëndisë, i cili merr mëkatet e botës, [që] është i fuqishëm të shpëtojë dhe të pastrojë nga çdo padrejtësi.”16

Në Librin e Mormonit mësojmë kuptimin e vërtetë dhe procesin e të lindurit rishtas dhe “[të bërjes] një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”17. Nëse i çojmë të rinjtë dhe ata në moshë madhore drejt rilindjes shpirtërore, depresioni do të avullojë dhe çdo ankth në jetë (që mund t’iu vijë edhe nga dhënia e një bisede që do të transmetohet anembanë botës) do të jetë i kontrollueshëm. Edhe vdekja vetë s’do t’ua kërcënojë paqen pasi të jenë lindur nga Shpirti dhe të kenë mësuar të mirëbesojnë te Perëndia.

Plaku Nil A. Maksuell foli për “gjendjen e vështirë të njeriut”, faktin që gjithçka përfundon me vdekjen. Arritjet tona, përvetësimet tona, shoqërimet tona, të gjitha kanë fund dhe nuk ka asgjë më shumë se ajo që thuhet te Predikuesit: “Të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën”18. Vdekja është fakt dhe ne detyrohemi të pranojmë se pa një fuqi që e mposht vdekjen, jeta jonë nuk do të kishte ndonjë qëllim të madh afatgjatë. Fatmirësisht e dimë se vdekja është mposhtur, jeta ka qëllim e kuptim dhe gjithçka nuk është kotësi. Me Shlyerjen e Tij, Jezu Krishti e ka mposhtur gjendjen e vështirë njerëzore të vdekjes dhe tani, siç vërejti Plaku Maksuell, “ka vetëm gjendje të vështira vetjake [mëkatet, gabimet dhe dështimet tona vetjake] dhe prej këtyre gjithashtu mund të shpëtohemi duke ndjekur mësimet e Atij që na shpëtoi nga zhdukja tërësore”19.

Në të gjithë këtë, po nxitim largpamësinë në thënien e fundit të Presidentit Nelson: “Mendoni çelestialisht!” Ne duhet ta ndihmojmë brezin e ri të refuzojë qëndrimin “Hani, pini dhe dëfrehuni, pasi nesër ne vdesim”, gjithnjë e më të dukshëm në shumë kultura. Kjo qasje disfatiste ndaj jetës e shpërfill planin e madh për shëlbimin e lumturinë dhe përqendrohet veç te kënaqësitë e menjëhershme. Ajo të çon te modele dhe mënyra të paqëndrueshme të të jetuarit. Ajo është një udhë e drejtpërdrejtë drejt ankthit dobësues dhe depresionit shkatërrues. Presidenti Nelson e trajtoi këtë në bisedën e tij në konferencën e përgjithshme tetorin e shkuar. Ai këshilloi:

“Vdekshmëria është një shkollë mjeshtërie për të mësuar të zgjedhim gjërat me rëndësinë më të madhe në përjetësi. Tepri njerëzish jetojnë sikur kjo jetë të ishte e gjitha. Megjithatë, zgjedhjet tuaja sot do të përcaktojnë tri gjëra: vendin ku do të jetoni gjatë gjithë përjetësisë, llojin e trupit në të cilin do të ringjalleni dhe ata me të cilët do të jetoni përgjithmonë. Pra mendoni çelestialisht.”20

Në një libër të botuar së fundi me titull “Zemra e Çështjes”, Presidenti Nelson e shtjelloi këtë mendim, duke treguar një përvojë vetjake, frikësuese. Ai tha:

“Disa herë në jetën time kam qenë ballë për ballë me vdekjen. Njëra prej tyre ndodhi në Maputo të Mozambikut në fund të majit 2009. Ndërsa darkonim në shtëpinë e misionit atje me Plakun Uilliam W. Parmli, Presidentin e Zonës së Afrikës Juglindore, dhe gruan e tij, Shanën, dhe me presidentin e Misionit të Maputos në Mozambik, Bler J. Pakardin dhe gruan e tij, Sindin, tre burra me armë automatike hynë vrik në dhomë.

Në përleshjen që pasoi, një plaçkitës më vuri revolen në kokë, tha se do të më vriste mua e do të më rrëmbente gruan dhe më pas tërhoqi këmbëzën. Arma bëri një tingull kërcitjeje, por nuk qëlloi. Mosshkrepja e tërboi plaçkitësin, i cili më pas më goditi në fytyrë dhe më rrëzoi në dysheme. Isha i sigurt se ky ishte fundi për mua. Mendova: ‘Pas pak do iki nga kjo jetë dhe do të shkoj në tjetrën. Kjo do të jetë një përvojë shumë interesante.’

Njëkohësisht një plaçkitës tjetër i vuri një pistoletë në shpinë Uendit dhe filloi t’ia tundte karrigen për ta tërhequr atë prej saj, duke thënë: ‘Ti do të vish me ne! Do të vish me ne!’

Nëpërmjet një serie ngjarjesh mrekullibërëse, si dhe falë rolit jo të vogël të veprimeve heroike të Motrës Sindi Pakard, na u kursye jeta. Siç e kisha kuptuar në disa raste të mëparshme dhe të frikshme, e kuptova se sa e brishtë është jeta dhe se sa gjëra relativisht të pakta ka në këtë botë që kanë domethënie të përjetshme. Ndërkohë që ata plaçkitës na kërcënuan jetën, s’po mendoja për çmimet apo diplomat arsimore ose lavdërimet. Po mendoja për familjen time dhe besëlidhjet që kisha bërë me Zotin.

Kam frikë se shumë prej nesh po e jetojmë jetën sikur kjo jetë është gjithçka që kemi, se jeta nuk do të vazhdojë pas vdekjes dhe se ajo që bëjmë këtu, s’ka lidhje me të ardhmen. Kjo thjesht s’është e vërtetë.

Është e domosdoshme të mos hutohemi dhe të largohemi nga shtegu i besëlidhjeve prej ‘sendeve shkëlqyese’ të botës, pra nderet dhe vëmendjet e njerëzve. Ato ngjarje nuk kanë aspak rëndësi në botën tjetër. Ajo që ka rëndësi, është a kemi bërë besëlidhje me Perëndinë dhe a i kemi mbajtur ato.”21

Është lutja ime që t’i ndihmojmë të gjithë ata mbi të cilët kemi ndikim, që të bëjnë besëlidhje me Perëndinë dhe t’i mbajnë ato. Ndihmojini të zhvillojnë besim dhe mirëbesim te Perëndia dhe të gjejnë shpresë. Ndihmojini të pendohen dhe të qëndrojnë në hirin shëlbues të Shpëtimtarit dhe të gjejnë paqe. Ndihmojini të linden rishtas si “fëmijët e Krishtit, bijtë e Tij dhe bijat e Tij”22 dhe të gjejnë gëzim. Dhe marrshi ju fjalën e këndshme të Perëndisë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”23.

Ju jap dëshminë time të palëkundur dhe të sigurt për Ringjalljen e Jezu Krishtit. Fakti i Ringjalljes së Tij provon të vërtetën e asaj që japim mësim në ungjillin e Jezu Krishtit, dhe pohon se Ai ka gjithë fuqinë në qiell dhe në tokë, se Ai mund dhe do t’i përmbushë premtimet e Tij. Ai jeton! Ju jeni nënbarinjtë e Tij dhe ju bekoj me dashurinë e Tij, me aftësi më të madhe për të dhënë mësim dhe për t’u kujdesur për qengjat e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër