Transmetimet e Trajnimeve
“Fol, o Zot, Sepse Shërbëtori Yt Dëgjon”


“Fol, o Zot, Sepse Shërbëtori Yt Dëgjon”

Transmetimi Vjetor i SeI‑së Janar 2024

E premte, 26 janar 2024

Sa mirënjohës që jam me ju në këtë transmetim të trajnimit mbarëbotëror! U emocionova nga ajo që ju tha Vëllai Ueb për përditësimet e ardhshme në programin mësimor të seminarit tonë. Ky është një zhvillim historik që do ta lartësojë përgatitjen jetësore të rinisë anembanë Kishës. Të rrënjosur te Jezu Krishti dhe të ngulitur në shkrimet e shenjta, shoh të rinj e të reja më të përgatitur për misione, që përpiqen fort për besëlidhjet e tempullit, më të fortë emocionalisht, më të vetëmbështetur e më të përgatitur për shkollën e lartë.

Mësuesit tanë të seminarit, ju jeni pjesë e përgatitjes vendimtare për jetën të të rinjve tanë dhe asaj që u nevojitet atyre për t’u bërë dishepuj të Jezu Krishtit në këtë periudhë të ardhshme trazire. Shpresoj ta kuptoni frymëzimin që përmbajnë këto mësime dhe ta dalloni rolin që do të luani në përgatitjen e të rinjve tanë për të ardhmen që i pret. Lutuni për ide dhe frymëzim që t’ua shihni shtegun e së ardhmes. Synoni të kenë bindje të fortë që t’i frymëzojë të përgatiten. Ç’kohë e mahnitshme për mësimdhënie në seminar dhe ç’përgjegjësi të mrekullueshme që kemi të tërë!

Fjalët e mia do të përqendrohen tek instruktorët e instituteve, por parimet do të kenë lidhje me të gjithë ne që përpiqemi t’i dëgjojmë e përforcojmë fjalët e profetëve tanë. Në Dhiatën e Vjetër, Eli e këshillon profetin e ardhshëm, Samuelin, që t’i përgjigjej thirrjes së qiellit duke thënë: “Fol, o Zot, sepse shërbëtori yt dëgjon”1. Ky model i lejoi Samuelit të bëhej zëdhënësi i Zotit në kohën e vet. Pjesë e mrekullisë së profetit të gjallë është që kemi një udhëheqës që Zoti mund t’i mirëbesojë për ta dëgjuar dhe dhënë mësim fjalët e Tij.

Vitin e shkuar dhashë pesë theksime profetike që profeti dhe apostujt i kanë theksuar për të rinjtë tanë në moshë madhore:

  1. Dijeni identitetin tuaj hyjnor.

  2. Mbështetuni te fuqia e Jezu Krishtit në besëlidhjet tuaja.

  3. Lejojeni Perëndinë të triumfojë dhe ndiqeni profetin e Tij.

  4. Jepeni mësim të vërtetën me dashuri.

  5. Merrni mbi vete përgjegjësi për dëshminë tuaj.

Ndoshta më të rëndësishme se vetë temat janë mesazhet e veçanta ku ato mbështeten, mesazhe që u janë dhënë në mënyrë profetike të rinjve në moshë madhore të kohës sonë. Për shembull, një mesazh që jemi përpjekur ta theksojmë, vjen nga takimi shpirtëror mbarëbotëror i Presidentit Nelson për të rinjtë në moshë madhore “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Temat “Dijeni identitetin tuaj hyjnor” dhe “Merrni mbi vete përgjegjësi për dëshminë tuaj” vijnë direkt nga ai mesazh.2 Ne ju nxitëm që ta studioni secilin prej këtyre theksimeve profetike. Ju kërkuam t’i dini ato, t’i përfshini në mësimdhënien dhe programin tuaj mësimor. Mbi të gjitha, ju ftuam t’i ndërthurni ato në mënyrën se si u përgjigjeni pyetjeve dhe mënyrën si jepni shërbesë sipas nevojave të studentëve.

Mirënjohje për kaq shumë prej jush që i pranuat ftesat dhe kërkuat mënyra për t’i përforcuar fjalët e profetëve dhe apostujve ndaj të rinjve në moshë madhore të Kishës. Mësuesve të fesë dhe institutit iu kërkua ta përditësojnë programin mësimor të kursit Mësime të Profetëve të Gjallë që të përfshijë theksimet profetike të fundit për rininë në moshë madhore. Por kaq shumë prej jush e kanë dalluar se si fjalët e profetëve të gjallë i theksojnë dhe përforcojnë kurse të tjera të bazuara te shkrimet. Një instruktore e UBJ‑së gjeti mënyra se si t’i lidhte bisedën “Zgjedhjet për Përjetësinë” dhe mesazhe të tjera profetike me kursin e saj Feja 275 Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit. Ajo tha: “Mësimet e Librit të Mormonit forcohen nga këto theksime aktuale profetike dhe anasjellas. Vërtet sjell ndryshim në të kuptuarit e parimeve të ungjillit kur i bashkojmë ato dy burime.”

Një bashkërendues instituti në Atlanta tregoi se si mundi t’i përfshinte theksimet profetike në kursin e tij Feja 250 Jezu Krishti dhe Ungjilli i Përjetshëm. Në mësimin dy, “Forcimi i Dëshmisë Suaj për Jezu Krishtin”, ai përfshiu temat e identitetit hyjnor dhe përgjegjësisë për dëshminë nga biseda e Presidentit Nelson “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Në mësimin 10, “Ndjekja e Shembullit të Jezu Krishtit për Nënshtrimin”, u përqendrua te biseda “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”3. Dhe në mësimin 18, “Marrja e Dhuratës Hyjnore të Hirit të Shpëtimtarit”, ai u përqendrua te biseda e Presidentit Nelson “Besëlidhja e Përjetshme”4.

Të tjerë kanë përshkruar se si familjarizimi më i thellë me këto theksime profetike i ndihmon të trajtojnë natyrshëm pyetjet e ungjillit. Një instruktor i institutit universitar tregoi se si një diskutim rreth frekuentimit të tempullit në orën mësimore e lejoi të drejtohej te biseda e Presidentit Nelson “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”.5 Ai tregoi: “Duke përdorur fjalët e Presidentit Nelson, mesazhi ‘Mos u ndalni’ ishte i qartë për ata që nuk po gjenin gëzim nga shërbimi i tyre në tempull”. Një mësues instituti në Panama tregoi se si mësimet nga Presidenti Nelson dhe Plaku Nil L. Andersen i ndihmuan ata të reagonin si paqebërës për një çështje që kishte krijuar përçarje të mëdha vendore. Një instruktor tjetër tregoi rastin kur iu bë pyetja pse nuk mund t’i shpërfillim ligjet e Perëndisë nëse njerëzit hasin vështirësi, ai iu kthye bisedës së Plakut D. Tod Kristoferson “The First Commandment First” [“Urdhërimi i Parë Fillimisht”].6

Teksa vazhdojmë t’i theksojmë mësimet e profetëve të gjallë, po shohim frytet e përpjekjeve tona të shfaqen te vetë studentët tanë ndërkohë që përfitojnë nga theksimet profetike. Në një orë mësimore “Përgjigjja ndaj Pyetjeve të Mia për Ungjillin”, një instruktor instituti përshkroi një pyetje rreth çështjeve LGBTQ ku studentët menjëherë iu drejtuan mesazhit të Presidentit Nelson rreth dijes për identitetin vetjak hyjnor në bisedën “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Një tjetër tha se studentët përmendën mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks për të qenë të palëkundur me dashuri për shpalljen e së vërtetës kur u përballën me pyetje të vështira mbi ungjillin në diskutim me bashkëmoshatarët e tyre.

Kam marrë mbresa vetjake që t’i përforcoj theksimet profetike ndaj rinisë në moshë madhore. Dimrin e shkuar, dhashë një kurs semestral Mësime të Profetëve të Gjallë tek UBJ‑ja së bashku me Din Skot Esplinin. Në kurs, ne vumë në pah secilin prej pesë theksimeve profetike. Teksa i diskutuam këto tema me studentët, e pashë qartë sa e fuqishme është këshilla e tanishme profetike për këta të rinj në moshë madhore në këtë periudhë vendimtare të jetës.

Kursi më ndihmoi ta përmirësoja mësimdhënien e këtyre parimeve dhe të kuptoja më mirë se cilat pjesë të mesazheve duhet të përdorja kur të rinjtë në moshë madhore kanë pyetje. Një mbresë tjetër që mora, ishte të merrja pjesë në një seri seminaresh praktike të institutit. Siç e dini, pjesë e nismës sonë “Sjellja e Risive në Institut” përfshin krijimin e seminareve praktike më të shkurtra që ndihmojnë të sjellin në institut njerëz që mund të mos jenë duke ardhur.

Duke punuar fillimisht me Institutin e Loganit tek Universiteti Shtetëror i Jutës, më pas me Institutin e Solt-Lejkut tek Universiteti i Jutës dhe së fundmi në Afrikë në Institutin e Brazavilit në Republikën e Kongos në bashkërendim me Institutin e Kinshasës në Republikën Demokratike të Kongos, zhvilluam një seminar praktik me dy pjesë, të mbështetur te biseda e Presidentit Nelson “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Sesioni i javës së parë u përqendrua tek theksimi profetik që të njihni identitetin tuaj hyjnor. Sesioni i javës së dytë u përqendrua tek theksimi profetik për të marrë mbi vete përgjegjësi për dëshminë tuaj. Këto janë theksimet e para dhe të fundit profetike që ju kemi kërkuar t’i përforconi.

Pas sesionit të parë, i ftova studentët të sillnin një mik për sesionin e dytë, të sillnin një mik që ndoshta mundohej nga pyetjet për besimin lidhur me dëshminë vetjake. Në një seminar praktik pjesëmarrësit gati u dyfishuan. Ndërsa vazhdojmë t’i përdorim seminaret praktike për ta rritur domethënien dhe qasjen në institut, do t’i bëja një ftesë secilit prej trupës pedagogjike të gjejë mundësi për të zhvilluar seminare praktike me objektiv mbi theksimet profetike që kemi përvijuar. Do t’ju nxitja t’u kushtojuni vëmendje të veçantë mësimeve të Presidentit Nelson, me një theksim në mesazhin e tij thelbësor “Zgjedhjet për Përjetësinë”.

Që kur e dhamë këshillën e parë për t’i përforcuar theksimet profetike ndaj të rinjve në moshë madhore, kemi marrë këshillë më tej nga Zoti nëpërmjet shërbëtorëve të gjallë të Tij në takimet shpirtërore mbarëbotërore me të rinjtë në moshë madhore dhe në konferencën e përgjithshme. Në mesazhin e tij mbarëbotëror të vjeshtës 2023 për të rinjtë në moshë madhore, Plaku Kuentin L. Kuk e përforcoi këshillën e Presidentit Nelson që të dini identitetin tuaj hyjnor. Ai tha se pjesë e sfidës për gjetjen e besimit te Perëndia rrjedh nga ankthi për identitetin tonë të vërtetë.

Plaku Kuk shpjegoi: “Presidenti Rasëll M. Nelson e ka trajtuar këtë gjë në një mënyrë të fuqishme. Ai ka theksuar tri emërtime afatgjata: ‘fëmijë i Perëndisë’, ‘fëmijë i besëlidhjes’ dhe ‘dishepull i Jezu Krishtit’.” Më herët në fjalimin e tij, Plaku Kuk përforcoi temën e Presidentit Nelson për të marrë përgjegjësi për dëshminë tuaj kur ai tha: “Çdo brez përballet me rrethana që mund të [çojnë drejt një] sfid[e] ndaj besimit të tyre. … Çdo brez duhet të zbulojë dhe fitojë njohurinë dhe dëshminë e vet për Perëndinë.”7

Në takimin e tij shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore në maj 2023, Presidenti Dallin H. Ouks na kujtoi që ta mbrojmë të vërtetën me dashuri duke theksuar dy urdhërimet e mëdha.8 Ai citoi thënien e bashkapostullit të tij, Plakut D. Tod Kristoferson: “Fakti që e vëmë të parin urdhërimin e parë, nuk e pakëson … aftësinë tonë për ta zbatuar urdhërimin e dytë. Përkundrazi, e plotëson dhe e forcon atë. … Dashuria jonë për Perëndinë e rrit aftësinë tonë për t’i dashur të tjerët më plotësisht e përsosurisht sepse … në thelb jemi bashkëpjesëmarrës me Perëndinë për kujdesin ndaj fëmijëve të Tij.”9

Presidenti Ouks na kujtoi se ende mund t’i duam të tjerët e të gjejmë gjëra të përbashkëta pa i rrezikuar të vërtetat që dimë. Në bisedën e konferencës së përgjithshme më të fundit, “Mendoni Çelestialisht!”, Presidenti Nelson dha po këtë theksim profetik për të mbrojtur të vërtetën edhe kur hasim sfida, duke thënë: “Opinioni publik nuk është arbitri i së vërtetës. … Kur dikush që e doni, e sulmon të vërtetën, mendoni çelestialisht dhe mos e vini në dyshim dëshminë tuaj.”10

Si pjesë e këtij trajnimi mbarëbotëror po ritheksoj ftesën e mëparshme për t’i studiuar e zbatuar theksimet e tanishme profetike për rininë në moshë madhore. Si mësues të seminarit dhe institutit, një nga mënyrat se si themi: “Fol, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon”, është t’i dëgjojmë dhe studiojmë me kujdes fjalët e Zotit siç zbulohen nga profetët e gjallë. Mund të bëhemi një jehonë profetike e udhëzimit që profetët ia kanë dhënë tashmë rinisë sonë në moshë madhore.

Si pjesë e thirrjes sime si Autoritet i Përgjithshëm, duhet të jem dëshmitar i Shpëtimtarit. Një përgjegjësi tjetër që e mbajnë Të Shtatëdhjetët, është të jenë burim për Të Dymbëdhjetët përpara kujtdo. Sot jam caktuar me Plakun D. Tod Kristoferson, të cilin e përkrah në rolin tim si komisioneri për arsimimin dhe në rolin e tij si kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Kishës për Arsimimin. Përpiqem të jem një burim për Plakun Kristoferson si pjesë e këtij caktimi. Por edhe kur nuk caktohem me Plakun Kristoferson, punoj për t’i përforcuar këshillën dhe mësimet e secilit Apostull dhe veçanërisht të profetit të Kishës.

Kur jam në një vendndodhje kishtare në një konferencë kunji dhe në një mbledhje të udhëheqësve, shumica e mesazheve të mia janë veçse një përforcim i fjalëve të profetëve dhe apostujve. Po ashtu, kur u jap këshillë dhe shërbesë të tjerëve, unë mbështetem te fjalët e këtyre vëllezërve. Në rastin e arsimimit fetar, profeti dhe apostujt flasin në emër të Zotit drejtuar rinisë së Tij. Ne kemi përgjegjësi që t’i dimë dhe përforcojmë ato mesazhe. Vëllezër e motra, rinia jonë në moshë madhore jeton në kohë të rrezikshme, por Zoti ka përgatitur profetë që kanë thirrjen dhe aftësinë të thonë: “Fol, o Zot, sepse shërbëtori yt të dëgjon”. Paçim dhe ne guximin, disiplinën dhe besimin që t’i dëgjojmë fjalët e tyre dhe përmes kësaj, e çofshim mesazhin e Perëndisë te fëmijët e Tij anembanë tokës! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Tani kam privilegjin dhe mundësinë të paraqes folësin tonë kryesor. Plaku D. Tod Kristoferson u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme më 5 prill 2008. Plaku Kristoferson ka pasur përgjegjësi mbikëqyrëse për shumë zona të Kishës, përfshirë caktimet e tij të tanishme në Zonat e Jutës dhe të Afrikës Perëndimore. Siç u përmend më parë, ai tani është caktuar edhe si kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Kishës për Arsimimin.

Përtej çdo caktimi specifik, të gjithë Të Dymbëdhjetët kanë një thirrje të veçantë për të qenë [secili] dëshmitar i veçantë i emrit të Shpëtimtarit. E vëzhgova këtë dallim duke parë Plakun Kristoferson kur u caktuam së bashku për një vizitë në kompleksin universitar në UBJ–Havai. Plaku Holland qe caktuar të kryesonte më parë, por nga një rënie ndesh në çastin e fundit, përgjegjësia ra papritur mbi Plakun Kristoferson.

Ai e ndërmori rolin kryesues në mënyrë admiruese, por në njërën nga mbledhjet ai tha diçka që më mbeti. Ai tha: “Në fund, pavarësisht nga zona ose përgjegjësia jonë aktuale, caktimi ynë kryesor është të jemi [secili] një dëshmitar i veçantë i emrit të Krishtit në të gjithë botën”. Kur i tha këto fjalë në Laie të Havait, Shpirti më dëshmoi për natyrën e shenjtë të thirrjes së Plakut Kristoferson dhe se si ai e nderon atë thirrje me dinjitet e kujdes. Tani do të kemi privilegjin të dëgjojmë Plakun Kristoferson.

Plaku Kristoferson …

Shtyp në Letër