Takime Shpirtërore 2023
Përballja me Sfidat e Jetës dhe të Besimit


7:18

Përballja me Sfidat e Jetës dhe të Besimit

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 19 nëntor 2023

Plaku Kuentin L. Kuk: Teksa Meri dhe unë e kemi shqyrtuar pyetjen e përballjes me sfidat e jetës dhe të besimit, e kuptojmë se çdo brez përballet me rrethana që mund të sjellin sfidë ndaj besimit të tyre. Kur i hetojmë shkrimet e shenjta dhe i shqyrtojmë ndërveprimet e Perëndisë me fëmijët e Tij, theksohen dy tema.

E para, ngaqë ka kundërshtim në të gjitha gjërat dhe ka një kundërshtar që nuk dëshiron që ne të kemi besim te Perëndia, çdo brez duhet të zbulojë dhe fitojë njohurinë dhe dëshminë e vet për Perëndinë.

E dyta, çdo brez duhet të kuptojë kush është dhe identitetin e vet të përjetshëm. Të dyja këto janë të vështira për t’u dalluar ngaqë kundërshtari nuk do që ju të keni një kuptueshmëri të qartë për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin dhe planin e Tyre të lumturisë për ju dhe se cilët jeni në raport me Ta.

Në vitet 1960, Meri dhe unë ishim të rinj në moshë madhore. Mora diplomën nga Shkolla e Ligjit të Stenfordit dhe fillova punën si avokat. Meri kishte bërë studime pasuniversitare në Stenford dhe sapo ishte bërë nënë. Sfidat e jetës dhe të besimit dhe përçarjet shoqërore ishin të ndryshme, por po njësoj me ato të të rinjve në moshë madhore sot.

Meri, cilat ishin disa nga sfidat që ekzistonin në atë kohë?

Motra Meri Kuk: Lartësohej një kulturë e madhe e drogës, veçanërisht në Zonën e Gjirit të San‑Franciskos ku jetonim. Ishin të zakonshme protestat e mëdha lidhur me çështjet shoqërore. Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në konfliktin në Vietnam ishte shumë e papëlqyer dhe protestat studentore paralizuan universitetet. M’u duk se në vend të muzikës melodioze tradicionale ku çiftet vallëzonin përballë njëri‑tjetrit, muzika ndryshoi. Kishte një ritëm të fortë dhe zë shumë të lartë, si dhe njerëzit vallëzonin veçmas.

Anekënd botës disa nga këto sfida dhe shumë të tjera shpesh përdoreshin për të sulmuar fenë në përgjithësi dhe besimin te Perëndia.

Plaku Kuk: Më 8 prill 1966, revista Time, që kishte lexues të shumtë asokohe, zgjodhi si kryeartikull këtë titull provokues dhe pa respekt: “A Ka Vdekur Perëndia?”

Në letrën e hapjes nga botuesi i revistës, ai vuri në dukje se ideja i erdhi për shkak të “shqetësimit në rritje mes teologëve rreth Perëndisë dhe botës laike në mesin e viteve 1960”1. Thelbi i artikullit ishte kryesisht laik dhe nuk e trajtonte fenë ose besimin në një mënyrë të kënaqshme.2

Çështjet e besimit nuk ekzistuan vetëm në vitet 1960 ose sot. Ato kanë qenë gjithmonë të pranishme. Kur Apostulli Pal vizitoi Athinën, ai u përpoq të jepte mësim për Ringjalljen e Jezu Krishtit. Për përpjekjen e tij lexojmë te Veprat e Apostujve: “Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re”3.

A nuk duket kjo si bota e sotme e mediave shoqërore?

Kur turma e kuptoi natyrën e thjeshtë fetare, të bazuar te besimi, të mesazhit të Palit, përfshirë dëshminë e tij për Jezu Krishtin, nuk e pranoi atë.

Përveç besimit te Perëndia, edhe ankthi rreth identitetit tonë të vërtetë është sfiduar gjatë gjithë historisë së shkruar. Nuk synojmë të trajtojmë të gjitha çështjet lidhur me identitetin në botën e sotme. Por përgjigjja ka qenë gjithmonë e njëjtë. Ne jemi të gjithë fëmijë shpirtërorë të të njëjtit Atë të dashur Qiellor. Presidenti Rasëll M. Nelson e ka trajtuar këtë gjë në një mënyrë të fuqishme. Ai ka theksuar tri emërtime afatgjata: “fëmijë i Perëndisë”, “fëmijë i besëlidhjes” dhe “dishepull i Jezu Krishtit”4.

Ai na ka nxitur edhe të mos i vëmë etiketime vetes apo të tjerëve. Shumë prej problemeve me të cilat përballemi, do të zgjidheshin nëse do ta njihnim veten si fëmijë të një Ati të dashur Qiellor.

Ata që dëshirojnë ta shkatërrojnë besimin, shpesh shpallin se besimi nuk është më domethënës. Duke gabuar duan që prirjet e tyre për çështjet shoqërore të kohës, të zëvendësojnë zbulesën dhe urdhërimet e dhëna nga Perëndia. Hamendësojnë e shpallin se një numër i madh njerëzish kanë të njëjtat parapëlqime shoqërore dhe nuk janë më anëtarë besnikë.

Për informacion, rinia dhe të rinjtë në moshë madhore nuk janë më pak aktivë ose nuk po largohen nga Kisha në numër më të madh sesa në të shkuarën, siç qarkullon ideja. Numri i misionarëve të thirrur për të shërbyer është rritur ndjeshëm. Përqindja e pjesëmarrjes në kishë për brezin e ri tregon një prirje vazhdimisht në rritje.5 Për më tepër edhe numri i të rinjve në moshë madhore që frekuentojnë institutin, po rritet.

Ju lutem, kuptojeni se nuk po i kritikoj njerëzit që kanë dyshime, por po sugjeroj se mënyra se si përballeni me to, ka rëndësi. Përgjigjja ndaj kësaj sfide është ungjilli i Jezu Krishtit. Ju premtoj: Nëse i lexoni me besnikëri shkrimet e shenjta, luteni dhe e praktikoni fenë në jetën tuaj, me kalimin e kohës, do të gjeni përgjigje për pyetjet dhe do t’u jepni zgjidhje dyshimeve që mund të lindin hera‑herës.

Një nga rrëfimet e mia të parapëlqyera të shkrimeve të shenjta gjendet tek ungjilli sipas Markut rreth babait i cili donte që biri i tij të çlirohej nga një frymë e ligë. Në rrëfimin e shkrimit të shenjtë, Shpëtimtari në thelb e pyeti babanë a besonte që biri i tij mund të shërohej. Babai, me lot në sy, tha: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim”6. Kjo ishte e pranueshme nga Zoti dhe Ai e qortoi frymën dhe e shëroi birin.

Mësimi nuk është që t’i lejojmë dyshimet ose mosbesimin ta mposhtë besimin tonë. Studimi me zell i shkrimeve të shenjta, lutja e sinqertë, respektimi fetar plot vetëdije dhe ndjekja e këshillës së profetit të Zotit do t’ju lejojnë t’i mposhtni sfidat e besimit.

Shënime

  1. John Elson, “Is God Dead?”, Time, 8 prill 1966, content.time.com.

  2. Megjithatë, është interesante që revista përfshiu 11 reklama me shkronja të mëdha për pijet alkoolike dhe dy reklama të firmave kryesore të cigareve.

  3. Veprat e Apostujve 17:21.

  4. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  5. Përqindja e njerëzve që i heqin emrat e tyre nga dokumentet e Kishës ka rënë çdo dekadë që nga vitet 1990. Ndërkohë që dëshirojmë që çdo njeri të qëndrojë, numri që largohet është një përqindje e vogël e rritjes vjetore të kthimit në besim. (Jeff Anderson dhe informacioni për Institutin.)

  6. Marku 9:24.