Takime Shpirtërore 2023
Fjalët e Hapjes


3:30

Fjalët e Hapjes

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 19 nëntor 2023

Faleminderit, Presidenti Ris.

Para se të fillojmë komentet tona, dëshiroj të përmend ndërrimin e jetës së Presidentit M. Rasëll Ballard të dielën e kaluar, presidentit tim të kuorumit dhe mikut tim të dashur. I shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij dhe dashurinë dhe vlerësimin tim për jetën e tij me sakrificë dhe përkushtim për bekimin e të gjithë fëmijëve të Atit tonë Qiellor.

Meri dhe unë gëzohemi t’ju flasim me Plakun Klark G. Gilbert dhe Motrën Kristin Gilbert në këtë takim shpirtëror mbarëbotëror që zë fill nga kompleksi i Universitetit “Brigam Jang”.

Në përgatitje për këtë takim, mblodhëm pyetje nga të rinj në moshë madhore në tërë Kishën. E filluam me komplekset universitare të SAK‑ut: këtu në UBJ, më pas në UBJ–Ajdaho, UBJ–Havai dhe kolegjin “Ensign”. Më pas vazhduam në mbarë botën me studentët e UBJ–Pathway dhe ata që ndjekin institutin anembanë Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Presidentët e instituteve dhe udhëheqës të tjerë u takuan me grupe studentësh për të vendosur pyetjet më të rëndësishme për të rinjtë në moshë madhore tani. Ishte një proces i mrekullueshëm dhe në fund pyetjet ishin mahnitëse.

Mendimet dhe ndjenjat tuaja ishin të ngjashme; kaq shumë prej jush keni pyetje të përbashkëta shpirtërore dhe për jetën. Qoftë një student instituti në Peru, një student inxhinierie në kompleksin e UBJ–Ajdahos, dikush që po studion nëpërmjet UBJ–Pathway në Afrikën Perëndimore, një student faqosjeje këtu në kompleksion e UBJ-së apo një profesionist që punon dhe ndjek institutin në Europë, Filipine apo pikërisht këtu në Jutë, të rinjtë në moshë madhore anembanë Kishës janë të bashkuar në besimin e tyre te Jezu Krishti dhe kanë dëshira, aspirata dhe shqetësime të ngjashme. Jeni mahnitës dhe jeni një pjesë kaq e rëndësishme e të ardhmes së kësaj Kishe.

I kemi grupuar pyetjet tuaja në gjashtë kategori për paraqitjen tonë sot:

  1. Përballja me sfidat e jetës dhe të besimit

  2. Dashuria dhe përkatësia

  3. Planifikimi i jetës dhe baraspeshimi i jetës

  4. Mbrojtja e së vërtetës

  5. Marrja e zbulesës vetjake

  6. Udhërrëfimi profetik

Sot, duam ta diskutojmë secilën nga këto pyetje që të nxjerrim përgjigje nga përvojat e vetë jetës sonë dhe vëzhgimet tona nga ndërveprimet me të rinj në moshë madhore anembanë Kishës.

Motra Kuk dhe unë do të flasim për dy pyetjet e para mbi sfidat e jetës dhe të besimit dhe mbi dashurinë e përkatësinë. Plaku dhe Motra Gilbert do të tregojnë përvoja se si të baraspeshohen jeta dhe përgjegjësitë. Do të thonë edhe se çfarë nënkupton të mbrosh të vërtetën në këtë kohë trazire. Më pas unë do të jap disa reflektime dhe këshilla për marrjen e zbulesës vetjake dhe do ta mbyll me mendime për udhërrëfimin profetik.