Takime Shpirtërore 2023
Dashuria dhe Përkatësia


6:26

Dashuria dhe Përkatësia

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 19 nëntor 2023

Plaku Kuentin L. Kuk: Pyetja rreth dashurisë dhe përkatësisë lidhet ngushtësisht me përballjen me sfidat e jetës dhe të besimit. Meri, a do ta trajtosh këtë pyetje të rëndësishme?

Motra Meri Kuk: Ne të gjithë jemi fëmijë të Perëndisë dhe i përkasim Kishës së rivendosur të Zotit Jezu Krisht të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Pavarësisht nga situatat e ndryshme, i përkasim të gjithë.

Është e qartë në shkrimet e shenjta se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij shpirtërorë dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë dhe të gjithë i përkasin.

Te 2 Nefi 26:33 thuhet pjesërisht: “Ai i fton të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra; … dhe të gjithë janë njësoj para Perëndisë”.

Ngaqë të gjithë jemi fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, ne kemi një identitet shpirtëror dhe këndojmë për këtë në këngën “Fëmi’ i Per’ndis Jam”1.

Kur jetonim në Zonën e Gjirit të San‑Françiskos, të rinjtë e të rejat në moshë madhore dhe rinia më në moshë kënduan dhe morën pjesë në shfaqjen përkujtimore të Tempullit të Oklandit në Kaliforni “Dhe Ndodhi”. Një këngë ishte për identitetin tonë shpirtëror. Titullohej “Kush Jam Unë?” Ajo shtron pyetjet “përse jemi këtu?” dhe “ku po shkojmë?”

Kënga mbaron me këtë përgjigje të fuqishme:

Ja kush jam.

Shpirti im jetoi me Atin tim përpara se të formohej toka.

Zgjodha shtegun që ta ndiqja kur gjendja ime e parë u krye.

Erdha në tokë për një trup të krijuar si Ati im

Që të bashkoj shpirtin dhe trupin për ta bërë hyjnore frymën time.

Ja kush jam:

Jam një fëmijë i atit tim … në qiell.

Ja kush jam. …

Unë jam fëmijë i Perëndisë.

Çdo njeri që mori pjesë, pati dëshmi nga Shpirti se ata po këndonin të vërtetën.

Plaku Kuk: Muajin e kaluar, Meri dhe unë ishim në Efes të Turqisë me udhëheqësit e misioneve të pjesës më të madhe të Europës. Apostulli Pal jetoi e dha mësim atje. Një nga letrat e tij drejtuar efesianëve përmban një shpallje të fuqishme: “Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjes[ë]tarë të familjes së Perëndisë”2.

Ne të gjithë kemi përkatësi!

Motra Kuk: A. A. Milni shkroi një libër rreth një ariu të artë mjaltëdashës, të quajtur Uini Pu.

Duke ecur bashkë, Derrkuci e pyet shokun e tij Punë: “Si shqiptohet dashuria?” Puja u përgjigj: “Nuk shqiptohet. Thjesht ndihet.”

Te programi për studimin e shkrimeve të shenjta te Biblioteka e Ungjillit, përshkrimi për fjalën “Dashuri” thotë: “Dashuria është një ndjenjë përkushtimi, shqetësimi dhe dhembshurie të thellë. Shembulli më i madh i dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij shprehet te Shlyerja e pafundme e Jezu Krishtit. Dashuria për Perëndinë dhe bashkënjerëzit është një tipar i dishepujve të Jezu Krishtit”3.

Te Gjoni 3:16 lexojmë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”.

Kur Jezu Krishti erdhi në këtë tokë në meridianin e kohës, Ai na mësoi:

“‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”4

Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin duke i zbatuar urdhërimet e Tyre. Kjo është puna jonë.

Ne ua tregojmë dashurinë tonë të gjithë fëmijëve të Perëndisë duke u dhënë shërbesë atyre dhe duke e jetuar aktivisht ungjillin, duke bërë punë misionare teksa i duam, u tregojmë dhe i ftojmë të tjerët të “[vijnë] te Krishti”. E tregojmë dashurinë tonë për familjen duke i mbajtur besëlidhjet tona të tempullit dhe duke bërë punë në tempull për paraardhësit tanë.

Tani, jini të sinqertë me veten. Pyetni: A e tregojnë veprimet e mia dashurinë time për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? A po i ndihmoj të tjerët përreth meje që të besojnë? Nëse më akuzojnë që jam i krishterë, a do të ketë mjaft prova që të më dënojnë?

Poezia “I Tejzgjuar” nga Eduin Markami thotë:

Bëri një rreth që jashtë më la –

Heretik, rebel, gjë e përçmuar.

Por Dashuria dhe unë kishim urtësinë të fitonim:

Bëmë një rreth dhe atë e përfshim’!

Qofshim dishepuj dhe paqebërës të vërtetë! Banoftë dashuria e pastër e Krishtit në zemrat tona teksa e tregojmë me veprat tona dashurinë për Perëndinë dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin!

Plaku Kuk: U kam kërkuar Plakut dhe Motrës Gilbert që të trajtojnë dy pyetjet e radhës:

Së pari, si mund ta forcojmë planifikimin e jetës dhe baraspeshimin e jetës? Dhe së dyti, si ta mbrojmë të vërtetën në këto kohë të ndërlikuara?