Takime Shpirtërore 2023
Udhërrëfimi Profetik


Udhërrëfimi Profetik

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 19 nëntor 2023

Duke u kthyer te marrja e udhërrëfimit profetik, dëshmoj se Rasëll M. Nelsoni është profeti i zgjedhur i Zotit për të udhërrëfyer Kishën e Tij sot. Kam folur shumë herë për dashurinë dhe vlerësimin tim për të.1

Presidenti Spenser W. Kimball, duke folur për udhërrëfimin profetik, tha: “Nga të gjitha gjërat për të cilat … duhet të jemi më së shumti mirënjohës, … është që qiejt vërtet janë hapur dhe që kisha e rivendosur e Jezu Krishtit ngrihet mbi shkëmbin e zbulesës. Zbulesa e vazhdueshme është vetë elementi jetësor i ungjillit të Zotit dhe Shpëtimtarit të gjallë, Jezu Krishtit.”2

Profeti Enok i parashikoi ditët në të cilat ne jetojmë. Ai pa ligësinë e madhe që do të mbizotëronte dhe profetizoi për “mundime të mëdha” që do të ndodhnin. Megjithatë, Zoti premtoi: “Por popullin tim unë do ta ruaj; Dhe drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka, për të dhënë dëshmi për të Vetëmlindurin tim”3. Dalja në dritë e Librit të Mormonit ishte përmbushja e shpalljes së Zotit ndaj Enokut.

Profeti Jozef Smith mori zbulesë pas zbulese. Shumë janë ruajtur për ne te Doktrina e Besëlidhje. Të gjitha veprat standarde të Kishës përmbajnë mendjen dhe vullnetin e Zotit për ne në këtë periudhë të fundit ungjillore.4

Përveç shkrimeve të shenjta themelore, ne bekohemi me zbulesë të vazhdueshme ndaj profetëve të gjallë. Profetët janë “veprues të porositur të Zotit, të autorizuar të flasin për Të”5.

Siç e kam thënë më parë, unë deklaroj gjithë solemnitet se zbulesa e vazhdueshme është marrë dhe po merret nëpërmjet kanaleve që ka vendosur Zoti.

Kam shërbyer si Apostull nën drejtimin e tre profetëve: Presidentëve Gordon B. Hinkli, Tomas S. Monson dhe Rasëll M. Nelson. Dëshmoj se të gjithë ata kanë marrë zbulesë për kohën tonë.

Ju siguroj se udhërrëfimi me anë të zbulesës mund të merret nga secili prej nesh teksa punojmë në vreshtin e Zotit. Shumica e udhërrëfimit tonë vjen nga Fryma e Shenjtë. Nganjëherë dhe për disa qëllime, ai vjen drejtpërsëdrejti nga Zoti. Dëshmoj se kjo është e vërtetë. Udhërrëfimi për Kishën, si një e tërë, i vjen vetëm Presidentit dhe profetit të Kishës.

E kam parafrazuar më parë atë që Uillford Udrafi tha për Profetin Jozef Smith; është po aq e vërtetë për Presidentin Rasëll M. Nelson. Unë i kam parë “veprat e Shpirtit të Perëndisë me të dhe zbulesat e Jezu Krishtit drejtuar atij, dhe plotësimin e atyre zbulesave”6. Ai është profeti i Zotit.

Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, jap një dëshmi të sigurt për natyrën hyjnore të Shpëtimtarit dhe vërtetësinë e Shlyerjes së Tij. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te Kuentin L. Kuk, “Dashuri të Madhe për Fëmijët e Atit Tonë”, Liahona, maj 2019, f. 76–80.

  2. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 243; shihni edhe te Mateu 16:13–19.

  3. Moisiu 7:61–62.

  4. Shihni tek Ezra Taft Benson, “The Gift of Modern Revelation”, Ensign, nëntor 1986, f. 78.

  5. Hugh B. Brown, “Joseph Smith among the Prophets” (Sixteenth Annual Joseph Smith Memorial Sermon, Logan Institute of Religion, 7 dhjetor 1958), f. 7.

  6. Uillford Udraf, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 301.

Shtyp në Letër