Takime Shpirtërore 2023
Mbrojtja e së Vërtetës


Mbrojtja e së Vërtetës

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 19 nëntor 2023

Motra Kristin Gilbert: Pyetja tjetër që na është bërë, është si ta mbrojmë të vërtetën në një periudhë pështjellimi të madh.

Sa prej jush keni zinxhirë mesazhesh që i shkëmbeni me miqtë dhe familjen? Ndoshta të gjithë ne, apo jo? Në njërin nga grupet e mesazheve, kam disa njerëz që janë të zotuar thellësisht ndaj ungjillit dhe të tjerë që hasin vështirësi me çështjet rreth Kishës. A i duket kjo diçka e njohur ndonjërit prej jush? Çfarë ndodh kur dikush që e doni, thotë diçka që e dini se nuk është e vërtetë?

Plaku Klark G. Gilbert: Kemi dëgjuar histori të ngjashme si kjo nga të rinj në moshë madhore anembanë Kishës. E dimë që ndiheni kështu.

Teksa e trajtojmë këtë temë, vë në dukje që këtu kemi sot dy prej ambasadorëve që janë modele të saj dhe na tregojnë se si ta mbrojmë të vërtetën me mirësi dhe bindje bashkë.

Vëllai dhe Motra Kuk jetuan në Zonën e Gjirit të San‑Franciskos gjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre profesionale. Plaku Kuk ndoqi Shkollën e Ligjit të Stanfordit, drejtoi një firmë ligjore në zonën e gjirit dhe një sistem kryesor kujdesi shëndetësor. Çifti Kuk punoi dhe jetoi mes shumë kolegësh që nuk kishin gjithmonë të njëjtat vlera. Por ata gjetën mënyra që ta mbronin të vërtetën duke qenë ende miq dhe fqinjë të mirë. E pashë këtë kur iu bashkova çiftit Kuk në shtëpinë e hapur të Tempullit të Uashington D.K.‑së me një grup gazetarësh të mirënjohur dhe udhëheqësish akademikë. U mahnita kur çifti Kuk foli rrjedhshëm për të vërtetat e ungjillit, përfshirë rëndësinë e martesës në tempull, pastërtinë morale dhe mbajtjen e besëlidhjeve, të gjitha këto ndërkohë që ngrinte ura mirëkuptimi ndaj njerëzve të tjerë.

Pata mundësi të tjera për të mësuar se si ta mbroj të vërtetën me dashuri. Vitin e kaluar më telefonoi Presidenti Ouks. Ai tha: “Plaku Gilbert, do të flas në një takim të ardhshëm shpirtëror dhe do të doja të ishe folësi im shoqërues. A do të jesh krah meje në podium teksa flasim duke trajtuar disa nga çështjet sfiduese të ditës?” Ai tha se do të diskutonim shqetësimet në lidhje me LGBTQ, çështjet e racës dhe pagabueshmërinë profetike. Më pas sugjeroi: “Le të mos flasim me skenar. Thjesht të përgjigjemi në mënyrë organike ndërvepruese.” Iu përgjigja se “isha i sigurt që kjo do të funksiononte për pjesën e tij, por për hir të të gjithë Kishës, do të ishte më mirë nëse i shkruanim ato që do të thosha unë”.

Presidenti Ouks përvijoi pesë mënyra se si mund ta mbrojmë të vërtetën me dashuri.1

E para ishte që të shmangim mjediset tejet të prirura për grindje. Plaku Nil L. Andersen ka dhënë mësim: “Ka raste kur të qenit paqebërës do të thotë që t’i bëjmë ballë impulsit për t’u përgjigjur dhe, në vend të kësaj, me dinjitet, të heshtim.”2

E dyta ishte që t’i duam të tjerët, të gjejmë pika të interesit të përbashkët, edhe kur nuk biem dakord.

E treta ishte që të mbahemi tek e vërteta, edhe kur ofrojmë ndihmë. Ka një tundim ndonjëherë për t’u larguar nga ajo që dimë, gjatë përpjekjeve tona për të treguar dashuri. Nuk kemi pse ta mohojmë atë që dimë se është e vërtetë.

E katërta ishte që të jemi për të tjerët një dritë, një mik dhe në shërbim të tyre, si dhe e fundit ishte që të qëndrojmë të ankoruar në Jezu Krishtin.

Motra Gilbert: Plaku Kuk foli për dilemën e mbrojtjes të së vërtetës pa iu dorëzuar trysnive të botës: “Pasuesit paqësorë të Krishtit nuk [largohen nga e vërteta as nuk dështojnë në dashurinë për të tjerët]. Ne jemi anëtarë plot ngrohtësi, të përfshirë në komunitetet ku jetojmë. Ne [gjithashtu] i duam, u tregojmë dhe i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë të ndjekin mësimet e Krishtit.”3

Mendoj se kjo është ajo që na mësoi Presidenti Nelson kur na bëri thirrje të jemi paqebërës.4 Ai nuk do që ne të largohemi nga e vërteta, por që ta bëjmë këtë gjë me dashurinë e Shpëtimtarit.

Shënime

  1. Shihni te Dallin H. Oaks dhe Clark G. Gilbert, “Stand Fast with Love in Proclaiming Truth” (takim shpirtëror në Kolegjin “Ensign”, 17 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Nil L. Andersen, “Ndjekja e Jezusit: Të Qenit Paqebërës”, Liahona, maj 2022, f. 19.

  3. Kuentin L. Kuk, “Jini Pasues Paqësorë të Krishtit”, Liahona, nëntor 2023, f. 83.

  4. Shihni te Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023.

Shtyp në Letër