Takime Shpirtërore 2023
Planifikimi i Jetës dhe Baraspeshimi i Jetës


4:35

Planifikimi i Jetës dhe Baraspeshimi i Jetës

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

E diel, 19 nëntor 2023

Plaku Klark G. Gilbert: Faleminderit Plaku dhe Motra Kuk për këshillat tuaja të mrekullueshme. Kristina dhe unë gëzohemi që do të diskutojmë pyetjen e parë rreth planifikimit dhe baraspeshimit të jetës.

Motra Kristin Gilbert: Kemi një familje plot punë. Bashkëshorti im gjithmonë ka pasur pritshmëri kërkuese në punë duke qenë profesor në Harvard, drejtor ekzekutiv i një kompanie mediatike dhe president i dy organizatave universitare. Gjatë gjithë kësaj, të dy shërbyem në thirrje Kishe të ngarkuara. Por përgjegjësitë tona më të rëndësishme kanë qenë gjithmonë ndaj martesës sonë dhe fëmijëve.

Plaku Gilbert: M’u kujtua kjo kur për një periudhë drejtova gazetën Deseret News. Sa nga ju të rinj në moshë madhore lexoni një gazetë të shtypur në letër çdo ditë? Ngrini duart. Pikërisht këtë mendova, pothuajse askush. M’u dha përgjegjësia të ndihmoj për shndërrimin e gazetës Deseret News nga një gazetë tradicionale në digjitale. Ishte një periudhë jashtëzakonisht kërkuese. Kishim shtatë nga tetë fëmijët tanë dhe po shërbeja si peshkop.

Një ditë, papritur, Presidenti Bojd K. Paker më telefonoi dhe më pyeti: “Vëllai Gilbert, po të pyes për familjen tënde. A po i jep mjaft vëmendje bashkëshortes?” Ndala dhe thashë: “Ndoshta jo”. Ai më tha: “Vëllai Gilbert, do ta drejtosh këtë grup të medias për një periudhë, por do të jesh bashkëshort dhe baba në përjetësi”. Më dha një detyrë që të dilja me Kristinën çdo javë.

Pastaj më pyeti se kur flija dhe iu përgjigja në 1:00 ose 2:00 të mëngjesit çdo natë. Përgjigjja e tij ishte kundër intuitës sime. Ai tha: “Ti mendon se e gjithë kjo varet vetëm nga përpjekja jote. Nuk ke mirëbesim te Zoti.” Presidenti Paker më dha një detyrim apostolik të qëndrimit në shtëpi, që jam përpjekur ta zbatoj që atëherë.

Motra Gilbert: Pra, nëse keni një detyrim qëndrimi në shtëpi dhe takim romantik javor me bashkëshorten/in, si i administroni përgjegjësitë e tjera domethënëse?

Fillon nga planifikimi. Që prej viteve të para të martesës sonë, bashkëshorti im dhe unë bënim një seancë planifikimi javor çdo të diel në darkë. Për ne ky është një zotim që kurrë nuk e harrojmë pavarësisht sa të zënë jemi.

Së dyti, baraspeshimi i përgjegjësive të jetës kërkon synime të përbashkëta. Kur na duhet të jemi larg, prapëseprapë ndihemi të bashkuar kur kemi një qëllim të përbashkët. Kur bashkëshorti im udhëtonte për punë ose unë jepja një orë seminari herët në mëngjes apo ai kryente një përgjegjësi për lagjen, nëse i kishim planifikuar ato përgjegjësi dhe kishim përputhje me qëllimin tonë, ishim bashkë edhe kur na duhej të ishim larg njëri‑tjetrit.

Plaku Gilbert: Prapë ka raste kur duhet të vendosni kufij të qartë për zgjedhje të caktuara.

Klei Kristenseni, një mik nga Bostoni, tregoi se si një mbikëqyrës e pyeti nëse një mbledhje e mbajtur të dielën në mëngjes ose të shtunën në mëngjes do të ishte e përshtatshme si një mbledhje e rregullt javore për ekipin. Klei u përgjigj: “Vite më parë vendosa që të shtunën do t’ia kushtoja bashkëshortes dhe të dielën Perëndisë dhe nëse do të dua t’i përdor ato dy ditë, më duhet t’u kërkoj leje drejtpërdrejt atyre”.

Zotime të caktuara duhet të jenë të padiskutueshme në jetën tuaj. Për familjen tonë këto janë frekuentimi i kishës të dielën, mbrëmja e përjavshme shtëpisë, koha familjare shpirtërore në mëngjes dhe mbrëmje, si dhe koha si çift çdo javë.