Marrja e Zbulesës Vetjake
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
E diel, 19 nëntor 2023
Faleminderit Plaku dhe Motra Gilbert për këshillat tuaja të shkëlqyera.
Pyetja e fundit është si doktrinore edhe e thellë. Si jam bekuar me anë të zbulesës vetjake dhe udhërrëfimit profetik?
Vegimi i madh hyrës në Librin e Mormonit është ëndrra profetike e Lehit për pemën e jetës.1 Ky vegim përshkruan sfidat ndaj besimit që ekzistojnë në kohën tonë, dhe ndarjen mes atyre që e duan, adhurojnë e ndiejnë përgjegjësi ndaj Perëndisë dhe atyre që nuk ndihen kështu. Lehi shpjegon disa nga sjelljet që e shkatërrojnë besimin. Disa janë krenarë, mendjemëdhenj dhe të pamend. Ata interesohen vetëm për të ashtuquajturën “urtësi të botës”2. Të tjerë kanë ca interes për Perëndinë, por humbin në mjegullat e errësirës dhe të mëkatit të botës.3 Disa e kanë shijuar dashurinë e Perëndisë dhe fjalën e Tij, por u vjen turp nga ata që i përqeshin dhe bien në shtigje të ndaluara.4
E dimë se ka shumë anëtarë që janë më pak të interesuar dhe më pak besnikë ndaj disa prej mësimeve të Shpëtimtarit. Dëshirojmë që këta anëtarë të zgjohen plotësisht në besim dhe t’iu shtohet aktivizimi, zotimi dhe përpjekjet për të marrë zbulesë vetjake. Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij. Ai do që të gjithë të kthehen tek Ai. Ai do që çdokush të jetë në harmoni me muzikën e shenjtë të besimit. Shlyerja e Shpëtimtarit është dhuratë për çdokënd. Zbulesa vetjake është në dispozicion të çdo njeriu.
Mesazhi, shërbesa dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, është programi ynë thelbësor mësimor për marrjen e zbulesës vetjake. Nuk ka shkrim të shenjtë që e karakterizon më shumë synimin e duhur për besim sesa shkrimi te 2 Nefi 25:26: “Dhe, ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”.
Libri i Mormonit ka një rëndësi madhore.5 Ai ka rol të rëndësishëm në marrjen e zbulesës vetjake. Ka gjithnjë nga ata që e nënvlerësojnë rëndësinë ose e denigrojnë këtë libër të shenjtë. Disa kanë përdorur humorin. Përpara se të shkoja në mision, një pedagog citoi thënien e Mark Tuejnit që, po të hiqje frazën “dhe ndodhi” nga Libri i Mormonit, ai “do të kishte qenë thjesht një pamflet”6.
Disa muaj më vonë, ndërsa po shërbeja në mision në Londër të Anglisë, një profesor i shquar, i arsimuar në Universitetin e Oksfordit në Londër, një ekspert egjiptian në gjuhët semite, e lexoi Librin e Mormonit, i shkroi letra Presidentit të atëhershëm, Dejvid O. Mek-Kei, dhe u takua me misionarët. Ai i vuri në dijeni se qe i bindur që Libri i Mormonit ishte vërtet një përkthim i mësimeve të hebrenjve dhe gjuhës së egjiptianëve prej periudhave kohore të përshkruara në Librin e Mormonit.7 Një shembull mes shumë prej atyre që ai përdorte, ishte fraza lidhëse “dhe ndodhi” e cila, sipas tij, pasqyronte mënyrën se si ai do ta përkthente frazeologjinë e përdorur në shkrimet e lashta semite.8 Profesorit i thanë se ndonëse njohuria intelektuale e bazuar në profesionin e tij e kishte ndihmuar, qe ende thelbësore të kishte një dëshmi shpirtërore. Me studim dhe lutje, ai fitoi një dëshmi shpirtërore dhe u pagëzua. Kështu që, atë që një humorist i famshëm e pa si një objekt përqeshjeje, një akademik e njohu si një tregues të thellë të vërtetësisë së Librit të Mormonit, e cila iu pohua atij përmes Shpirtit.
Doktrina thelbësore e lirisë së zgjedhjes kërkon që një dëshmi e ungjillit të rivendosur të bazohet te besimi dhe jo në një provë të jashtme ose shkencore. Përgjigjja është këshilla e Moronit që të lexojmë e përsiatim dhe t’i kërkojmë Perëndisë me gjithë sinqeritetin e zemrës, me qëllim të vërtetë që t’i pohojë të vërtetat e shkrimeve nëpërmjet dëshmisë së Shpirtit.9 Qartazi, një vijë ndarëse mes atyre që e dëgjojnë muzikën e besimit dhe atyre që s’kanë vesh apo harmoni me muzikën, është studimi aktiv i shkrimeve dhe zbatimi i këshillës së profetit të Zotit.
Zbulesa vetjake është bekimi i thellë, i marrë pas pagëzimit kur ne “shenjtërohe[m]i nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë”10. Fryma e Shenjtë është zbuluesi e dëshmuesi i gjithë së vërtetës, veçanërisht Shpëtimtarit. Për kohën tonë, ai udhërrëfim zbulues është thelbësor. Presidenti Nelson na mësoi: “Në ditët e ardhshme, nuk do të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”11.
Ju lutemi, kuptojeni se besimi te Zoti Jezu Krisht dhe zbatimi i urdhërimeve të Tij është dhe do të jetë gjithnjë prova përcaktuese e vdekshmërisë. Mbi të gjitha, çdonjëri prej nesh duhet ta kuptojë se, kur dikush nuk ka vesh për muzikën e besimit, ai apo ajo s’është në harmoni me Shpirtin. Siç na mësoi profeti Nefi: “Ju keni dëgjuar zërin e tij; … dhe ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të nd[i]enit fjalët e tij”12. Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se Fryma e Shenjtë komunikon në shumë mënyra. Nganjëherë Ai i flet paqe mendjes suaj.13 Nganjëherë Ai nxit mendime ose ide që ju pushtojnë mendjen.14 Nganjëherë Ai ju ndriçon mendjen.15 Nganjëherë Ai shkakton që zemrat t’ju mbushen me gëzim.16
I vlerësoj përgjigjet që kam marrë në mediat shoqërore për publikimin tim rreth mënyrës se si merret zbulesa. Njëra theksonte se nevojitet të jemi të përulur dhe t’i pranojmë përshtypjet shpirtërore që marrim. Veç kësaj duhet t’ua vëmë veshin këtyre përshtypjeve në vend të botës.
Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi: “S’keni përse ta pyetni veten se çfarë është e vërtetë. As se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, mund të merrni dëshminë tuaj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se Jozef Smithi është një profet dhe se kjo është Kisha e Zotit.”17
Doktrina jonë është e qartë; duhet të jemi optimistë dhe të marrim zemër. Më pëlqeu që Presidenti Dallin H. Ouks dhe Motra Ouks theksuan marrjen e zemrës në takimin shpirtëror mbarëbotëror majin e kaluar. Ne gjithmonë theksojmë besimin tonë, jo frikën tonë. Ne gëzohemi nga sigurimi i Zotit se Ai do të na qëndrojë përkrah dhe do të na japë udhërrëfim e drejtim.18 Fryma e Shenjtë u dëshmon zemrave tona se kemi një Atë të dashur në Qiell, plani mëshirëplotë i të cilit për shëlbimin tonë do të përmbushet në çdo aspekt për shkak të flijimit shlyes të Jezu Krishtit.