Transmetimet e Trajnimeve
Lajmëtarë të Lajmit të Mirë


Lajmëtarë të Lajmit të Mirë

Transmetimi Vjetor i SeI‑së për Vitin 2023

E premte, 27 janar 2023

Vëllai Çad H Ueb: Në kohët e lashta, konsiderohej si nder shumë i madh të zgjidheshe për të qenë lajmëtari i një lajmi të mirë, veçanërisht të ishe lajmëtari i një fitoreje në betejë. Në vitin 490 pr.K., një i ri me emrin Feidipidi u zgjodh që të kishte nderin për t’u çuar lajmin qytetarëve të shqetësuar në Greqi se ushtritë e tyre e kishin shpëtuar kombin duke i mposhtur pushtuesit persianë. Legjenda thotë se Feidipidi vrapoi gjatë gjithë rrugës nga lugina e Maratonës për në Athinë që të shpallte lajmin e mirë. Më shumë se 2500 vjet më vonë, njerëzit në gjendje shumë më të mirë se unë vazhdojnë ta përkujtojnë atë vrapim duke vrapuar vetë në maratona.

Isaia iu referua idesë së të qenit lajmëtari i lajmit të mirë kur tha:

“Dhe këta janë ata që kanë shpallur paqe, që kanë sjellë lajme të reja të mira, që kanë shpallur shpëtimin; dhe që i kanë thënë Sionit: Perëndia yt mbretëron!

Dhe, O sa të bukura ishin mbi male këmbët e tyre!

Dhe … sa të bukura janë mbi male këmbët e atyre që janë akoma duke shpallur paqen!”1

Ato vargje të shkrimit të shenjtë ndryshuan gjithçka për mua kur isha misionar në moshë të re, plot mall për shtëpinë dhe i shkurajuar. Fryma e atyre vargjeve ma hapi zemrën dhe mendjen ndaj faktit se më ishte besuar që të isha lajmëtari i lajmit më të madh që bota mund të dëgjonte ndonjëherë. Dëshpërimi dhe keqardhja për veten u zëvendësuan nga shpresa e mirënjohja dhe nuk e kam harruar kurrë atë mëngjes kur për herë të parë, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, kuptova se duhej të përfaqësoja Shpëtimtarin në dhënien e lajmit të mirë për dashurinë e Tij të pashoqe, flijimin e Tij shlyes dhe fitoren e Tij ndaj mëkatit e vdekjes.

Çdo ditë që hyni në një klasë, ju jeni lajmëtarët e lajmit të gëzuar të ungjillit të Jezu Krishtit. Faleminderit që shpallni paqe në një botë ku ka përçarje e mosmarrëveshje dhe që sillni dritë e të vërtetë në një botë që mund ta konsideroni të zymtë dhe plot pështjellim. Kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. Ju jeni përgatitur dhe zgjedhur për të qenë lajmëtarë të paqes për rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Kishës së Zotit. Çfarë nderi është të përfaqësosh Jezu Krishtin, të japësh mësim ungjillin e Tij dhe të përpiqesh ta japësh mësim atë sipas mënyrës së Tij!

Vitin e kaluar, ne patëm mundësinë të mësonim nga Plaku Diter F. Uhtdorf kur ai paraqiti manualin e ri Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Më pëlqen shumë që ky manual i ri përqendrohet te shembulli i Jezu Krishtit si Mësuesi Mjeshtër. Ashtu siç tha Plaku Uhtdorf: “Mënyra më e mirë për t’u bërë një mësues më i mirë është të bëhe[n]i një pasues më i mirë i Jezu Krishtit”2.

Ngaqë kemi në dispozicion manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, ne do ta heqim nga qarkullimi manualin Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit. Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit nuk ka për qëllim të jetë një burim trajnues; qëllimi i tij është të japë përkufizime dhe shpjegime për të mësuarit efektiv dhe për mësimdhënien efektive. Burime trajnuese janë prodhuar dhe do të vazhdojnë të prodhohen për t’ju ndihmuar t’i zbatoni parimet e dhëna mësim në manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. Këto burime përfshijnë disa elemente të manualit Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit që i kanë bekuar studentët prej vitesh.

E di që shumë prej jush kanë shpenzuar tashmë një sasi të konsiderueshme kohe duke studiuar manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit dhe duke përsiatur pyetjet për vlerësimin vetjak. Faleminderit për gjithçka që po bëni për të qenë mësues si Krishti të ungjillit të rivendosur.

Për t’i përmirësuar më tej materialet tona trajnuese, do të doja gjithashtu të njoftoja një përshtatje të deklaratës zyrtare të objektivit të Seminareve dhe Instituteve. Përpara se t’ju tregoj formulimin e ri të deklarimit të objektivit tonë, më lejoni t’ju jap pak kontekst. Gjatë dy viteve të fundit, ne jemi përqendruar te sigurimi i përvojave të të mësuarit që çojnë në kthimin në besim, lidhje vetjake e përkatësi, si dhe në bërjen e atyre përvojave të arritshme për më shumë veta prej rinisë dhe të rinjve e të rejave në moshë madhore. Është thelbësore që ne të pranojmë se këto parime nuk kanë vlerë të barabartë. Qëllimi përfundimtar është të sigurojmë përvoja që i ftojnë nxënësit dhe studentët tanë të mësojnë ungjillin dhe të thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti.

Lidhja vetjake dhe përkatësia janë të rëndësishme, por ato janë rrjedhoja të tërthorta. Ato janë një mjet për një qëllim që, kur përdoren në mënyrë të efektshme, mund të çojnë në synimin tonë të drejtpërdrejtë të kthimit në besim. Lidhja vetjake që çon drejt kthimit në besim, është më shumë sesa thjesht të flasim për gjëra që u interesojnë studentëve tanë. Asgjë nuk është më e rëndësishme për përparimin dhe lumturinë tonë të përjetshme sesa Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur. Plani i shpëtimit është plani i Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij. Ka një lidhje të menjëhershme dhe domethënie të përjetshme për çdo fëmijë të Perëndisë.

Lidhja vetjake që çon drejt kthimit në besim, vendoset pasi Fryma e Shenjtë i ndihmon studentët të kuptojnë planin e Perëndisë, rolin qendror të Jezusit në atë plan dhe domethënien e ungjillit në jetën tonë të përditshme. Lidhja vetjake që çon drejt kthimit në besim, i ndihmon nxënësit dhe studentët të shohin se si lidhen shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve bashkëkohorë me rrethanat dhe nevojat e tyre. I ndihmon ata të kuptojnë se si u përgjigjet ungjilli pyetjeve të shpirtit të tyre. Ndodh kur ata ndihen të frymëzuar që të veprojnë me besim te Jezu Krishti dhe të përjetojnë përmbushjen e bekimeve të premtuara të Atit Qiellor. Kjo është lidhja vetjake që çon drejt kthimit në besim.

I vërtetë është edhe fakti që përkatësia, në vetvete, nuk është synimi përfundimtar. Në fakt, ngaqë fjala përkatësi përdoret në kaq shumë mënyra, ndonjëherë mund të keqkuptohet për sa i takon asaj që nënkuptojmë ne me [termin] përkatësi në kontekstin e ungjillit. Shumë prej nesh kanë ndier përkatësi në një larmi mjedisesh. Gjatë rritjes, kjo më ndodhi mua në grupet e atletikës. Shokët e mi të skuadrës ishin miqtë e mi më të afërt dhe unë sigurisht ndjeva të jepja gjithë mundin për kauzën tonë që të ishim të suksesshëm. Ajo lloj përkatësie është e shëndetshme dhe madje e rëndësishme. Por ka shumë më tepër në lidhje me përkatësinë që çon drejt kthimit në besim.

Plaku D. Tod Kristoferson, në konferencën e përgjithshme më të fundit, dha mësim se doktrina e përkatësisë ka tri pjesë: mbledhjen e popullit të besëlidhjes së Zotit, shërbimin e sakrificën, si dhe rolin qendror të Jezu Krishtit në përkatësi.3 Këto koncepte janë në thelbin e asaj që nënkuptojmë kur themi përkatësi që çon drejt kthimit në besim. Sigurisht, përkatësia përfshin dashurinë dhe respektin ndaj njëri‑tjetrit. Ajo gjithashtu përfshin parime që na sjellin te Shpëtimtari, dhe përfshirjen në kauzën e Tij ndërsa e ndihmojmë njëri‑tjetrin të ecim në shtegun e besëlidhjeve që na kthen tek Ai.

Bekimet e përkatësisë së vërtetë të përqendruara tek ungjilli përfshijnë gjithashtu lidhjet besëlidhëse. Përkatësia siç përcaktohet nëpërmjet vështrimit të ungjillit të rivendosur, na ndihmon të njohim identitetin tonë të vërtetë dhe marrëdhënien tonë të përjetshme me Atin tonë në Qiell. Besëlidhjet tona vihen në dispozicion për shkak të dashurisë së Tij për ne dhe na lidhin me Të, me familjet tona dhe me një komunitet besimtarësh që kanë premtuar të mbajnë barrët e njëri‑tjetrit. Kjo lloj përkatësie çon drejt kthimit në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur.

Tani, më lejoni të kthehem te ndryshimi i deklarimit të objektivit tonë, i cili është miratuar nga Bordi i Kishës për Arsimimin. Në një përpjekje për ta vendosur kthimin në besim si objektivin e drejtpërdrejtë të të gjithë përvojave tona për mësimdhënien dhe të mësuarit, te deklarimi i objektivit tonë tani do të lexohet: “Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit dhe të përgatitin veten, familjet e tyre dhe të tjerët për jetë të përjetshme me Atin e tyre në Qiell”. Kjo përshtatje do të na ndihmojë që të organizojmë trajnimin tonë dhe përpjekjet tona për të krijuar përvoja për të mësuarit me shpresën se mund t’i ndihmojmë nxënësit dhe studentët të jenë dishepuj të Jezu Krishtit gjatë gjithë jetës. Rolet e përcaktuara të një mësuesi në manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit do të mbeten për të na ndihmuar të kuptojmë më mirë rolin e një mësuesi për t’i ndihmuar nxënësit dhe studentët ta thellojnë kthimin e tyre në besim. Ne i kemi përditësuar gjithashtu paragrafët “Jeto, Jep Mësim dhe Administro” që lidhen me direktivën tonë, të cilat mund t’i gjeni në faqen e internetit të SeI‑së.

Çfarëdo që mund të ndryshojë ose mund të theksohet në përpjekjet tona për ta dhënë mësim ungjillin me efektshmëri, ajo që nuk do të ndryshojë kurrë është se ne do të jemi të përqendruar te Krishti, të përqendruar te nxënësit/studentët dhe të bazuar te shkrimet e shenjta. Dhe ne gjithmonë do të përpiqemi t’i mbushim përvojat tona të mësimdhënies dhe të mësuarit me frymëzimin dhe dëshminë e Frymës së Shenjtë. Gjithçka që bëjmë duhet ta thellojë kthimin tonë në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, sepse Ai është përgjigjja për sfidat dhe pyetjet e tyre. Ai është Perëndia i çlirimit dhe shëlbimit të tyre.

Tani, do të doja të bëja një njoftim tjetër për një miratim tjetër që është bërë nga Bordi i Kishës për Arsimimin. Përsëri, do të doja të bëja një parathënie të atij njoftimi me një kontekst, këtë herë duke përdorur një parim të dhënë mësim nga Shpëtimtari. Kohët e fundit vura re se në shëmbëlltyrën e mbjellësit, Jezusi tha se disa fara dhanë njëqindfish, disa gjashtëdhjetëfish dhe disa tridhjetëfish. Ajo që ishte domethënëse për mua në këtë lexim, ishte që secila prej tyre u rrit nga ajo që Shpëtimtari e quajti tokë të mirë. Kjo nuk ishte buza e rrugës, vendet me gurë ose fara që ra midis gjembave; kjo ishte tokë e mirë.

Më bëri të pyes veten nëse metoda jonë e tanishme ndaj kërkesave për kreditet e kursit ngjan me njohjen vetëm të atyre që sollën njëqindfish, ndërkohë që dështojmë të vlerësojmë dhe të jemi mirënjohës për përpjekjet dhe ndihmesat e atyre që sjellin gjashtëdhjetë dhe tridhjetëfish. Çdo student ka një nivel të ndryshëm të mbështetjes familjare, të kuptueshmërisë për ungjillin dhe të zotimit vetjak. Sigurisht që duhet të kemi pritshmëri të mëdha, por duhet të kemi edhe kujdes që të mos i shkurajojmë ata që po bëjnë më të mirën në rrethanat në të cilat ndodhen.

Këto vargje na bënë të pyesim veten a ishte e mundur të mbanim standarde të larta dhe të gjenim mënyra për ta personalizuar metodën tonë. A mund të gjejmë mënyra për ta inkurajuar dhe vlerësuar rritjen dhe përparimin në çdo nivel përgjatë shtegut të besëlidhjeve dhe t’i ndihmojmë të gjithë studentët tanë t’ia dalin mbanë? A mund t’i përkrahim ata në përpjekjet e tyre për t’i studiuar shkrimet e shenjta dhe për ta mësuar ungjillin me synime të nxitura natyrshëm, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të zhvillojnë zakone dhe modele që do të qëndrojnë me ta për më shumë kohë përveç kohës së tyre në klasat tona?

Duke e pasur parasysh këtë, do të doja të njoftoja sa vijon për seminarin: vlerësimi i të mësuarit do të kalojë nga një vlerësim individual në një rishikim në grup, i cili do të sigurojë që nxënësit të kenë mësuar përmbajtjen që u është paraqitur. Ata që e kanë zotëruar përmbajtjen, mund t’i ndihmojnë të tjerët në mënyrë që të gjithëve t’u jepet mundësia ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre. Pjesët e vlerësimit që lidhen me besimin dhe vënien në jetë, do të jenë ende një ushtrim individual që synon të krijojë mundësi për vetëreflektim. Kërkesa e leximit po ndryshon gjithashtu dhe nuk do të kërkojë më 75 përqind të ditëve të leximit çdo semestër.

Më tej, për të marrë kredite për kursin që çojnë drejt diplomimit, nxënësve të seminarit do t’u kërkohet të lexojnë fragmente të përzgjedhura nga libri i shkrimit të shenjtë në çdo semestër. Për shembull, gjatë semestrit të parë të kursit Doktrina e Besëlidhje – Historia e Kishës, nxënësit dhe studentët do të lexojnë Joseph Smith – Historia. Më pas atyre do t’u kërkohet të vendosin një synim vetjak shtesë të nxitur natyrshëm për leximin, me pritshmëri të larta për një rritje që shkon lart. Këto synime vetjake duhet të reflektojnë aftësitë e një nxënësi dhe të vënë në dukje përpjekjet dhe përparimin individual.

Mësuesit gjithashtu do t’i inkurajojnë nxënësit që ta gjurmojnë përparimin për synimet e tyre individuale dhe do t’i inkurajojnë ata të vazhdojnë deri në fund. Ata do t’i inkurajojnë nxënësit t’i lexojnë fragmentet e caktuara nga shkrimi i shenjtë për manualin Eja, Më Ndiq në javën e seminarit, qoftë individualisht ose me familjet e tyre. Ata gjithashtu i inkurajojnë nxënësit që ta studiojnë vazhdimisht Librin e Mormonit individualisht ose me familjet e tyre. Në të ardhmen e afërt, do t’ju dërgohet më shumë informacion në lidhje me të dyja këto ndryshime, duke përfshirë hollësitë e zbatimit, afatet kohore dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për semestrat e mëparshëm kur kërkesat nuk u përmbushën.

Tani, dua t’ju tregoj për diçka që tha Presidenti Henri B. Ajring kur u diskutua për këtë ndryshim. Ai tha: “Për ta bërë mirë këtë, kjo do të kërkojë më shumë vëmendje vetjake, individuale nga mësuesit. Kjo do të shtojë një barrë, por është një barrë që mësuesit duhet ta mbajnë me kënaqësi, sepse shërbesat e tyre vetjake janë po aq të rëndësishme sa udhëzimet e tyre në klasë. Nëse ka ndonjë që mund ta bëjë, këta janë mësuesit tuaj. Ata janë të mrekullueshëm.”

Jam dakord me Presidentin Ajring; ju jeni të mrekullueshëm. E kuptoj gjithashtu se një largim prej standardeve të ngurta drejt synimeve individuale do të kërkojë më shumë kohë dhe vëmendje nga ju. Por çfarë mund të bëjmë ne që mund t’i bekojë nxënësit dhe studentët tanë më shumë sesa t’i ndihmojmë që të krijojnë një zakon vetjak të studimit të përditshëm të shkrimit të shenjtë që merr shtysë nga arsyet e duhura?

Së fundi, kërkesa për pjesëmarrjen do të mbetet e njëjtë. Ju lutemi, ndihmojini nxënësit të kuptojnë se përvojat që kanë në klasë, e rritin kuptueshmërinë e tyre për ungjillin dhe e thellojnë besimin e tyre. Kjo është arsyeja pse ata duan të marrin pjesë, jo vetëm për të marrë kredite. Një nxënës që e kupton këtë, do të dëshirojë të jetë atje 100 për qind të kohës.

Në institut do të vazhdojmë me të njëjtat kërkesa për kredite, por do të theksojmë arsyet e nxitura natyrshëm për frekuentimin dhe përfshirjen në procesin mësimor. Arsyet e tilla si thellimi i besimit, afrimi më pranë Shpëtimtarit dhe mësimi i doktrinës së Tij i ndihmojnë studentët ta kuptojnë arsyen, i ndihmojnë të vendosin synime që i afrojnë më shumë tek Ai, dhe i inkurajojnë që të jenë të përgjegjshëm ndaj Tij.

Shumë nga studentët tanë sapo kanë filluar udhëtimin e tyre dhe po marrin ftesën, ndoshta për herë të parë, që t’i bëjnë vend farës së besimit në jetën e tyre. Në vend që të shqetësohemi se ata nuk kanë përjetuar ende gjithçka që ka përjetuar një student më i pjekur, ne duhet të jemi mirënjohës për dëshirën e tyre për të besuar. Kur ata shohin se fruta është e mirë, ne duhet të gëzohemi me ta dhe ta kremtojmë atë dhuratë nga Ati ynë në Qiell. Më pas, së bashku mund të presim me durim ditën kur fara të bëhet një pemë që do të rritet deri në jetë të përjetshme.

Ju ftoj që të vazhdoni ta studioni me kujdes manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit dhe të merrni parasysh se çfarë do t’ju mësonte më shumë Zoti rreth kthimit në besim, lidhjes vetjake dhe përkatësisë. Ju lutemi, merrni gjithashtu parasysh me kujdes parimet që qëndrojnë pas ndryshimeve në deklaratën tonë për objektivin dhe kërkesat e kursit. Përfshijini me maturi këto ndryshime në mënyra të cilat i frymëzojnë dhe i bekojnë të gjithë nxënësit dhe studentët tuaj.

Së fundi, ju ftoj të vazhdoni të përqendroheni te Jezu Krishti në të gjitha përpjekjet tuaja. Merrni parasysh plot lutje se si mund të mësoni prej Tij, se si mund të mësoni të ndiqni shembullin e Tij si Mësuesi Mjeshtër dhe se si mund të mësoni të mbështeteni më shumë te hiri i Tij dhe dashuria e Tij ndërsa përpiqeni fort t’i bekoni ata që ju i doni. Unë dëshmoj se Ai është udha. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër