Transmetimet e Trajnimeve
Seminari, Instituti dhe Gjëra të Tjera që Funksionojnë


Seminari, Instituti dhe Gjëra të Tjera që Funksionojnë

Transmetimi Vjetor i SeI‑së për Vitin 2023

E premte, 27 janar 2023

Presidenti Stiven J. Land: O çfarë gëzimi është që m’u kërkua t’ju jap sot dëshminë time juve, që ju admiroj aq shumë, dhe të flas në mes, sikurse po flas, të këtyre dy mësuesve, mbase më të shkëlqyerit që njoh në Kishë!

Ndoqa një leksion kohët e fundit nga Arthër Bruksi, profesor në Harvard. Dhe ai tha: “E dini, ne ushtrojmë shumë presion te mësuesit tanë; u kërkojmë atyre të ndryshojnë rrjedhën e historisë së njerëzimit”. Ai nuk e dinte sa e vërtetë ishte ajo gjë. Përveç faktit që, në rastin tuaj, ne nuk shqetësohemi për historinë e njerëzimit; shqetësohemi për përjetësitë. Prandaj, ne vërtet presim shumë nga ju dhe e vlerësojmë atë që jeni e bëni, si dhe që jeni këmbëngulës për atë rezultat.

Kur fola për herë të fundit në konferencën e përgjithshme, fola për dëshirën që t’i vendosja duart e mia në supet e një misionari të kthyer e të zellshëm dhe t’ia ngulitja në shpirt mbresat e zemrës sime. Me këtë detyrë për t’ju folur erdhi sugjerimi që ta bëj këtë edhe këtu, që në njëfarë mënyre t’jua vë duart mbi supe, t’ju vështroj në sy dhe të shpreh ndjenjat e mia rreth mundësive tuaja dhe rreth sfidave tuaja. Pra, ne nuk do të bëhemi aq të afërt, por ndoshta, nisur nga ajo që ndiej për ju, po ta bënim, ajo që do të doja të dëgjoja, është ajo që ndodhet brenda zemrave tuaja, që unë duhet ta di.

Unë jam fryt i seminarit herët në mëngjes, ku e merrja mësimin në një klasë të vogël të portative, në krah të një kolegji dyvjeçar në Kaliforni. Me raste, na jepte mësim një bashkëshorte suedeze, e kthyer në besim, e një anëtari të peshkopatës sonë dhe më pas në vitet e mëvonshme një dyshe e suksesshme gjyshesh në të shtatëdhjetat – tri mësuese të cilat kualifikoheshin kryesisht prej ndjenjave të thella të shenjtërimit që i shtynin të zgjoheshin përpara orës 5 të mëngjesit dhe prej bindjes së tyre absolute rreth vërtetësisë së Rivendosjes. Shumicën e asaj që di rreth ungjillit, dhe e kam me plot kuptimin e fjalës – shumicën e asaj që di rreth ungjillit, e mësova në seminar. Shumica e gjërave të reja që po mësoj tani rreth ungjillit, janë thjesht rizbulime të atyre që ato u përpoqën të më mësonin në atë kohë.

Pra, le ta fillojmë me fjalët më të rëndësishme që unë mund të them: Ju faleminderit për atë që bëni dhe atë që jeni. Ju faleminderit për gatishmërinë tuaj për të bërë punën e pallogaritshme që kërkohej për ta ndryshuar programin tuaj mësimor, planet tuaja mësimore dhe kalendarin tuaj që të ecin paralel me manualin Eja, Më Ndiq. Jo shumë njerëz në Kishë e kuptuan plotësisht se çfarë ju kërkua juve. Ju faleminderit që u jepni aq fort rremave për ta bërë këtë ndryshim, duke e ditur se po vazhdoni ta përmirësoni programin mësimor. Punët tuaja kanë filluar të japin fryt.

Në zyrat tona mbërriti një pusullë ku tregohet një histori e zakonshme. Aty lexohet: “Të jem i sinqertë, familja ime nuk zhvillon zakonisht mbrëmje familjare të shtëpisë. Nuk i lexojmë shkrimet tona të shenjta dhe aq, më vete ose si familje, ose të bëjmë studim të ungjillit së bashku. Ne jemi aktivë në Kishë; sidoqoftë, kohët e fundit, ngaqë kam qenë në seminar, kam pasur mundësi t’u tregoj gjërat që i kam mësuar nga seminari. Besoj se seminari po ndihmon që të më ndikojë për t’i lexuar shkrimet e shenjta, por gjithashtu për të më ndihmuar që të ndikoj edhe te familja ime.”

Pra, kjo ishte shpresa, apo jo? Përkrahja nga Kisha do të rridhte përsëri që të forconte përqendrimin e Kishës te shtëpia. Ai proces është pjesë e Rivendosjes së vazhdueshme dhe është një protokoll që funksionon. Kisha bën çmos për t’u përpjekur që të kuptojë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ju faktikisht jeni në shtjellën e disa prej gjërave që i dimë se krijojnë lidhje afatgjata me Zotin.

Prandaj, ndërsa i kam duart mbi supet tuaja ose ju kam përqafuar, sido që të jetë rasti, a mund të theksoj disa gjëra të cilat e dimë se funksionojnë, kështu që ju të mund të mbështeteni atje ku ka më shumë rëndësi në mësimdhënien tuaj? Thonë se elementi i parë i suksesit është të vish në mësim. Mesatarisht, të rinjtë e të rejat që vijnë në seminar, përfundojnë duke pasur rezultate më të mira që zgjatin gjithë jetën. Ka më tepër të ngjarë që ata të marrin dhurimin, më tepër të ngjarë që të shërbejnë në misione, më tepër të ngjarë që të martohen në tempull. Ata që frekuentojnë katër vjet të seminarit, fitojnë një lidhje me ungjillin që rrallëherë këputet. Së dyti, kur të rinjtë e të rejat paguajnë të dhjetë të plotë, ata formojnë një hallkë lidhëse me Atin Qiellor që vazhdon të ekzistojë. Sa herë që i binden atij urdhërimi dhe e bëjnë atë pagesë, krijohet një lidhje e re sakrifice dhe bashkimi.

Shpresoj që çdo mësues seminari dhe instituti të jetë vazhdimisht duke e përmirësuar mënyrën se si e jep mësim fuqinë lidhëse të së dhjetës. Babai im njëherë më pyeti kur isha rreth 10 vjeç nëse e paguaja gjithnjë të dhjetën time. Unë e paguaja. Ishte vlerë e vogël, sepse nuk kishte ndonjë tregti të madhe në rrugën me baltë ku jetonim ne. Por ai vazhdoi duke thënë: “E di, nëse vendos ta paguash, ti mund ta jetosh jetën duke qenë i përsosur në atë gjë”. Ai tha: “Një nga brengat e mia”, – këto janë fjalët e babait tim, “ishte që, kur isha në Flotën Detare në një anije, për disa muaj nuk kishte asnjë vend për ta paguar të dhjetën dhe e humba si zakon. Nga ajo kohë e tutje kam qenë i përsosur. Por më vjen turp për atë periudhë që nuk isha. Nëse vendos ta bësh, ti mund të jesh i përsosur në këtë gjë.” Epo, edhe nxënësit dhe studentët tuaj mund të jenë.

Gjëja e tretë tek e cila do t’jua tërhiqja vëmendjen, e cila vërtet funksionon, është konferenca e FSY-së. Këto konferenca të FSY-së janë të mahnitshme. Këtë verë të kaluar, shumë, ose shumica prej 200 000 vetave nga 14 deri në 18 vjeç anembanë botës u larguan me një kuptueshmëri më të pasur e më motivuese për faktin se kush janë dhe pse Zoti e kërkon atë që Ai kërkon. FSY-ja është aq e suksesshme saqë na është dashur ta pyesim veten: Cili është sekreti i suksesit? Ç’efekt ka FSY-ja?

Epo, pjesë e atij suksesi është shkëputja e pjesëmarrësve nga shpërqendrimet e tyre të përditshme për një javë, gjë që i vendos ata në një gjendje mendore tepër të mësueshme e të përqendruar. Dhe gjatë gjithë kohës që ata secili janë në një vend plot paqe si një fëmijë në shtëpi, ata duhet të bashkëveprojnë me ju, me mësues e drejtues sesionesh, shumica nga seminari dhe instituti, teksa ju ndizni zjarre në mendjen e tyre me doktrinë aq të pastër e të dobishme sa tek ata stimulohet një ndryshim i zemrës.

Ju u siguroni atyre mjetet që iu nevojiten kur të shtunën ata largohen për në kataklizmin kulturor që është jeta e tyre. Mësimet e shembulli juaj dhe çdo fjalë e shqiptuar nga ju do të futet në atë kutinë e veglave të zotësive të tyre për jetën. Për disa prej tyre, FSY-ja mund të jetë mundësia e tyre e fundit më e mirë për të bërë paqe me veten dhe Perëndinë. Ju faleminderit për zotimin tuaj që u sillni atyre më të mirën tuaj shpirtërore, intelektuale dhe pedagogjike. Studimi kërkimor i Kishës sonë vërteton që një nga nxitësit më të fuqishëm të dishepullimit gjatë gjithë jetës kanë qenë marrëdhëniet me persona në moshë madhore besnikë, sikurse ju, që e kanë kuptuar se si t’u japin drejtim sfidave të jetës dhe të gjejnë gëzim në Krishtin.

Rreth një muaj më parë, Presidentes Boni H. Kordën dhe mua na u kërkua që t’i raportonim Presidencës së Parë mbi programin e FSY-së dhe si u paraqit ai këtë verë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. E përfunduam paraqitjen tonë dhe iu përgjigjëm disa pyetjeve të menduara mirë rreth planeve tona për të bërë përmirësime të mëtejshme dhe mbledhja u duk se mbaroi. Por ndërsa nisëm që të ngriheshim nga karriget, Presidenti Nelson u përkul përpara dhe tha: “Duhet t’u mësojmë të luten”. Ne menjëherë u ulëm përsëri. Ai tha: “Duhet t’u mësojmë të luten, kujt t’i luten dhe gjuhën e lutjes”. Më pasi ai vazhdoi duke thënë se ai ishte i shqetësuar që ne mund të bëheshim tepër të shkujdesur në mënyrën se si i drejtohemi Atit Qiellor. Dhe më pas ai e përsëriti frazën: “Duhet t’u mësojmë të luten, kujt t’i luten dhe gjuhën e lutjes”. Pra le t’u mësojmë atyre të luten. Çdo herë që shqiptojmë një lutje, ne po e ftojmë Atin Qiellor të ndërhyjë në jetën tonë. Çdo lutje është një lutje për një mrekulli. Edhe lutjet e mirënjohjes janë shpresë për thellimin e marrëdhënieve tona me hyjnoren.

Ndaj le t’i drejtohemi një mjeti tjetër dëshmie që funksionon. Udhëzuesit Për Forcën e Rinisë. Më falni, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, i cili na mëson ta zëvendësojmë përqendrimin tonë te rregullat me një përqendrim te marrëdhënia jonë me Shpëtimtarin dhe bërjen si Ai. Thënia e vjetër “Çfarë do të bënte Jezusi?” ende mbetet një rregull fantastik i jetës. Sfondi prapa të cilit i marrim vendimet tona, nuk është më një broshurë, përkundrazi, është misioni ynë i dhënë nga Perëndia.

Presidenti Nelson na thotë në mënyrë të përsëritur se gjëja më e rëndësishme që po ndodh në këtë botë dhe arsyeja që u ruajtëm për të ardhur në botë në këtë kohë, është mbledhja e Izraelit. Pra, ndërsa marrim vendime lidhur me mënyrën se si do të sillemi në jetë, duhet të shtyhemi nga pyetja: “A do ta ndihmojë aftësinë time apo do t’i bëhet pengesë asaj ky vendim për t’i përmbushur qëllimet e mia në vdekshmëri?” Ndërsa përpiqemi fort për të jetuar atë lloj jete të denjë për batalionet e Zotit, ne përpiqemi t’i bëjmë zgjedhjet për jetën tonë që të përputhen me misionin e jetës sonë.

Pyetja për secilin prej nesh është: “A i besojmë Krishtit kur Ai i zbulon nëpërmjet profetëve të Tij qëllimet tona hyjnore?” Për shkak se i besojmë Atij, do të dëshirojmë të marrim vendime të shkëlqyera. Ju që jeni arsimtarët e SeI-së, jeni mjeshtërit për t’i ndihmuar ata që t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Në një botë në ndryshim, një listë vërejtjesh nuk do të na mbrojë, por parimet e ungjillit do të na mbrojnë.

Udhëzuesi i ri Për Forcën e Rinisë për marrjen e vendimeve u kërkon të rinjve dhe të rejave tona që të hyjnë në praktikën e qasjes ndaj jetës nëpërmjet vështrimit te ndjeshmëritë e tyre shpirtërore në vend që ta bëjnë këtë nëpërmjet ndjeshmërive të tyre kulturore tepër të dyshimta. Ky udhëzues i ri Për Forcën e Rinisë është diçka ndryshe nga përsëritja e radhës ku të rriturit i flasin rinisë rreth vlerave. Përkundrazi, është një ricaktim i mënyrës se si ata i drejtohen jetës ndërsa mësojnë për identitetin e tyre të vërtetë si bij dhe bija të Perëndisë, një Perëndie që ka një punë për t’u bërë prej tyre, që i ka dërguar këtu për qëllime specifike, të cilat do t’i japin jetës së tyre kuptim plot ritëm. Këmbët e tyre do të nguliten në tokën e ungjillit.

Ky udhëzues i ri për bërjen e zgjedhjeve është pjesë e një modeli të zbuluar dhjetëvjeçar që na shtyn drejt shpirtshmërisë më të thellë; ai është elementi më i fundit që i vendoset një harku të gjatë rivendosjeje, që përfshin lëvizjen me sukses nga mësimdhënia në lagje te mësimdhënia në shtëpi dhe më pas te dhënia e shërbesës – nga mbrëmja familjare e shtëpisë te nata familjare, nga çdo anëtar një misionar te rritja e standardit në gjithçka dhe lartësimi i mësimeve të mësuara përmendsh të diskutimeve të misionarëve me manualin Predikoni Ungjillin Tim dhe zëvendësimi i skautizmit dhe programit Përparimi Personal me programin Fëmijët dhe Rinia, ku të rinjve e të rejave u kërkohet të marrin kontrollin e jetës së vet shpirtërore.

Kërkesat e reja për lexim për seminarin janë në përputhje me këtë metodë të bazuar te parimi dhe të udhërrëfyer nga Shpirti. Ne kemi lëvizur gjithnjë e më shumë drejt një mënyre më të lartë e më të shenjtë të marrjes së vendimeve të motivuara shpirtërisht. Po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që rinia jonë dhe ne vetë të mësojmë që të vendosim se si duhet të veprojmë duke iu përgjigjur parimeve të shenjta në vend që ta kemi mendjen tek gjëra të ndaluara specifike. Rinia jonë po ballafaqohet tashmë me çështje morale që as nuk ishin çështje një apo tri dekada më parë. Nëse ata do të lëkunden sot kur vendosin për tatuazhet, thjesht prisni të shihni se me çfarë vrulli dhe force tjetër do t’i sulmojë e godasë bota.

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se si të merren ato vendime. Thjesht nuk mund t’i hiqni nga lista. Ai dha mësim: “Ju premtoj se nëse do ta bëni sinqerisht dhe me ngulm punën shpirtërore të nevojshme për ta zhvilluar aftësinë vendimtare, shpirtërore të të mësuarit se si t’i dëgjoni pëshpëritjet e Frymës së Shenjtë, do të keni të gjithë drejtimin që do t’ju duhet ndonjëherë në jetën tuaj”1.

Po qarkullon historia rreth një 14-vjeçareje që i tha nënës së vet një ditë pas konferencës së përgjithshme se broshura e saj e re nuk i ndalonte të shpuarat e shumta në vesh, prandaj ajo kishte për qëllim të shtonte disa vathë në veshët e vet të enjten. Nëna mori frymë thellë dhe siç raportohet i tha asaj: “Epo, ti e di se çfarë ndjenjash kemi rreth kësaj, por këtu nuk është fjala për atë që ne dëshirojmë që ti të bësh; kjo është mundësia jote për të pyetur se çfarë dëshiron Ati Qiellor të bësh. Ti vetë duhet të bësh punën, të bësh kërkimin, të lutesh rreth kësaj dhe të presësh përgjigje.” 14-vjeçarja e gjeti përgjigjen e vet dhe nëna ia ndryshoi jetën.

Pasi u ktheva në shtëpi nga misioni im, u futa në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara. U paraqita një ditë në Qendrën e Rekrutimit në Okland ku u bëra pjesë e familjes sime të re ushtarake. Shokët e mi të sapocaktuar në detyrë ishin aq të ndryshëm nga unë dhe nga njëri-tjetri sa ç’mund ta përfytyroni. Por 24 orë më vonë, të gjithëve na kishin bërë të njëjtin model flokësh dhe ishim veshur me uniforma identike. Ndërsa ecnim drejt kazermës atë natë, të gjithë dukeshim të pastër si pëllumba. Gjatë muajve vijues të stërvitjes së bashku, nuk isha kurrë në gjendje ta dalloja se si kishte qenë secili në atë kopsht zoologjik që ishte qendra e rekrutimit. Ne u stërvitëm së bashku, u ankuam së bashku, i treguam në mirëbesim njëri‑tjetrit dhe nuk kishte asnjë lloj përçarjeje mes nesh. Mora një mësim për tërë jetën rreth domethënies së uniformave: ajo që veshim, mund të na përçajë ose mund të na bashkojë. Veshjet tregojnë se anën e kujt mbajmë dhe atë që mund të pritet nga ai që i vesh.

Sapo lexova për një mjek marins që kishte qenë në një betejë në Lindjen e Mesme i cili i mbarti disa marinsa të plagosur drejt një helikopteri evakuimi ajror dhe më pas u kthye përsëri në fushë dhe u kthye me një ushtar tjetër të plagosur. Disa ushtarë aleatë vendës e përqeshën: “Ej, marins”, – dhe e kishin atë si fyerje, “Ej, marins, a nuk e vure re se po mbart një nga armiqtë?” Ai thjesht tha: “Ej, unë jam një marins; a nuk e vutë re se dhe ai ishte i plagosur?” Uniforma e tij përfaqësonte diçka të jashtëzakonshme.

Profeti i ka ftuar këta të rinj dhe të reja në batalionet e Zotit. Kur bashkoheni me një ushtri, ju mbani një uniformë. Kur ka rrezik ose fatkeqësi, uniforma e një batalioni i tregon popullatës se ndihma ka ardhur, ushtritë e drejta i lirojnë të shtypurit, hidhen lule në shtegun e tyre, derdhen lot, ndihma ka ardhur. Misionarët veshin uniforma; ushtria e Perëndisë mund ta bëjë më së miri atë që është dërguar të bëjë, kur dallohet disi nga ata tek të cilët është dërguar t’i lehtësojë dhe çlirojë.

Manuali thotë: “Ai e di”, duke folur për Atin Qiellor, “Ai e di që ju mund të sillni një ndryshim në botë dhe kjo kërkon, në shumë raste, të jeni ndryshe nga bota”2.

Ndërkohë që ishim ende në ushtri, shoku im, Riçi, dhe unë morëm lejen dhe përfunduam në Jerusalem. Duke ecur përgjatë rrugëve të Jerusalemit me xhinse dhe bluza golfi, një pronar dyqani arab komentoi se ishim nga Qendra e Universitetit “Brigam Jang” në Jerusalem. I thamë që nuk ishim; qemë thjesht dy ushtarë amerikanë.

“Po, por ju jeni edhe nga Qendra e Jerusalemit.”

“Çfarë të bën të mendosh kështu?”

“Ne mund ta shohim metra larg se jeni të tillë.”

Vështruam njëri-tjetrin; dukeshim njësoj si ushtarët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit që sapo kaluan para nesh të veshur me të njëjtat rroba që ishim veshur ne, me të njëjtin model flokësh, me gjithçka njësoj. Por me sa duket kishte diçka dalluese.

Gjatë gjithë epokave, ndjekësit e Zotit kanë jetuar më së shumti mes njerëzve të tjerë me kultura, vlera dhe përparësi të ndryshme. Pra, si i respektojmë fqinjët tanë ndërkohë që e jetojmë në mënyrë të qëllimtë kulturën e pashoqe të ungjillit? Na kërkohet të jemi një dritë në botë ndërsa Zoti e mbledh Izraelin këtë herë të fundit në përgatitje për kthimin e Tij. Anëtarët e Kishës shpesh bartin një dritë që është e padukshme për ta, por e dallueshme për të tjerët. Ma merr mendja se është Drita e Krishtit ajo që ata mund të shohin, ndonjëherë në mënyrë të zbehtë, por pa dyshim duke shkëlqyer përtej gjendjes sonë të rënë. Në fund të fundit, Krishti është forca e rinisë. Çdo gjë që ne bëjmë për t’i shpërqendruar të tjerët nga ajo dritë, për ta pakësuar, maskuar apo fshehur atë, bie ndesh me qëllimet e të qenit të lindur në këtë kohë.

Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë mund të na ndihmojë ta mbartim atë dritë ndërsa kërkojmë frymëzim për mënyrën se si mund të përmbushen më së miri qëllimet tona të pashoqe, të caktuara hyjnisht nëpërmjet jetës sonë dhe vendimeve për llojin e jetës sonë. Të qenit të dërguar për të qëndruar si populli i veçantë i Perëndisë është një kompliment. Kjo mund të nënkuptojë që të dallohemi nga turma ndërsa e përçojmë nëpërmjet zgjedhjeve tona faktin se kë ndjekim. Detyra jonë në arsimimin e Kishës, në programin Fëmijët dhe Rinia dhe në mbretërinë e Perëndisë në tokë, nuk është vetëm që ta ruajmë këtë brez prej humbjes së besimit dhe rrëshqitjes në stile jetese të padenja për të; profeti po bën thirrje për të rinj dhe të reja me kapacitetin për të marrë pjesë në ripërtëritjen e botës.

Profeti i Zotit po u bën thirrje grave që mund të ngrihen dhe të udhëheqin, në një botë me shumë gra të cilat do të këmbëngulin me vend për të marrë vendin që u takon në botë, me qëllimin që të jenë të rëndësishme dhe me ndikim, por për shumë prej të cilave, të qenit fetare duket se bie ndesh me aspiratat e tyre kuptimplote. Dhe prapëseprapë, gratë e Sionit do të vishen me fuqinë e perëndishmërisë dhe do të ndryshojnë përqendrimin e botës.

Dhe Ai ka nevojë për ne që të formojmë burra me fuqi të madhe, të cilët fitojnë të gjitha tiparet e bijve të Perëndisë që përshkruhen në shkrimin e shenjtë. A mund të ketë toka vetëm një Kapiten Moroni? Kjo nuk është ajo që e dëgjoj Presidentin Rasëll M. Nelson të thotë kur flet për këtë brez mbretëror. Ai u bën thirrje atyre se “Ati ynë Qiellor ka ruajtur shumë nga shpirtrat e Tij më fisnikë, ndoshta … skuadrën e Tij më të mirë, për këtë fazë përfundimtare. Ata shpirtra fisnikë, ata lojtarë më të mirë, ata heronj, jeni ju!”3

Prandaj ju falënderoj sërish për forcën e domosdoshme drejt kthimit afatgjatë në besim që ju jeni ndaj rinisë së kësaj Kishe dhe mbretërie të Zotit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër