Transmetimet e Trajnimeve
Një Profet në Tokë: Theksimet e Tanishme Profetike drejtuar të Rinjve e të Rejave në Moshë Madhore


Një Profet në Tokë: Theksimet e Tanishme Profetike drejtuar të Rinjve e të Rejave në Moshë Madhore

Transmetimi Vjetor i SeI‑së për Vitin 2023

27 janar 2023

Parathënia

Arsimtarë tanë të fesë, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time për gjithçka që bëni për t’i lartësuar shpirtërisht rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore anembanë Kishës. Me plot kuptimin e fjalës, ju keni të ardhmen e Kishës në klasat tuaja dhe jam i frymëzuar nga mënyra si u shërbeni studentëve tuaj dhe kujdeseni për ta.

E filloj duke ju marrë me vete te një përvojë që e pata këtë vjeshtë në majën Malad, pikën më të lartë në rrugën mes Solt-Lejk-Sitit dhe Reksburgut në Ajdaho. Në udhë e sipër për një detyrë të Kishës, mora mbresën e qartë për të dëgjuar sërish takimin shpirtëror të Presidentit Rasëll M. Nelson me të rinjtë e të rejat në moshë madhore, të titulluar “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Teksa i ngjitesha majës, pata dy ndjenja të qarta. E para, u pushtova nga një ndjesi dashurie për të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Kishës. Së dyti, pata një ndjesi mahnitjeje nga mrekullia e një profeti të gjallë që është thirrur për t’i mësuar këta të rinj e këto të reja në moshë madhore në kohë të vështira. E ndalova makinën në anë të rrugës që të shënoja mbresat fillestare të cilat më pas do të më udhëhiqnin te fjalët që do t’ju them sot.

Jetojmë në kohë të turbullta, por Zoti ka shpallur: “Unë do t’ju jap një model në gjithçka, që ju të mos mashtroheni; sepse Satani është përhapur në tokë dhe ai shkon duke i mashtruar kombet”1. Por siç na mësoi Motra Uendi W. Nelson, ndërkohë që Satani është përhapur në tokë, ne gjithashtu kemi një profet në tokë, tek i cili mund të shohim për të vërtetën dhe qartësinë në këto ditë të mëvonshme.2

Sonte do të theksoj pesë tema profetike që profeti dhe apostujt i kanë theksuar, veçanërisht për të rinjtë e të rejat në moshë madhore të Kishës. Po të drejtoja një kurs të titulluar “Mësimet e Profetëve të Gjallë” semestrin e ardhshëm, këto tema do të ishin spiranca e programit mësimor. Pavarësisht nga kursi i veçantë që po jepni, shpresoj se ju do t’i lejoni këto mesazhe që të ndikojnë si te programi juaj mësimor, ashtu edhe te mënyra se si u jepni mësim dhe shërbesë studentëve tuaj.

Pesë theksimet profetike për të cilat do të donim të reflektonit, përfshijnë:

  1. Dijeni identitetin tuaj hyjnor.

  2. Mbështetuni te fuqia e Jezu Krishtit dhe besëlidhjet tuaja.

  3. Lejojeni Perëndinë të triumfojë dhe ndiqeni profetin e Tij.

  4. Jepeni mësim të vërtetën me dashuri.

  5. Merrni mbi vete përgjegjësi për dëshminë tuaj.

1. Dijeni Identitetin Tuaj Hyjnor

Po të përpiqesha ta kuptoja theksimin profetik nga profeti lidhur me të rinjtë e të rejat në moshë madhore sot, unë do ta filloja me takimin e tij mbarëbotëror të kohëve të fundit me të rinjtë e të rejat në moshë madhore dhe mesazhin e tij të titulluar “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Shumë të rinj e të rejat në moshë madhore sot po hasin vështirësi ngaqë nuk e kuptojnë identitetin e tyre të vërtetë. Presidenti Nelson pyeti:

Kush jeni ju?

Së pari dhe më kryesorja, ju jeni një fëmijë i Perëndisë.

Së dyti, si anëtar i Kishës, ju jeni një fëmijë i besëlidhjes. Dhe së treti, ju jeni një dishepull i Jezu Krishtit.”3

Vini re se Presidenti Nelson jep mësim me ndjeshmëri dhe dashuri, por prapëseprapë jep mësim të vërtetën qendrore rreth identitetit hyjnor. Dëgjojeni fragmentin vijues nga biseda e tij.

[Fillon materiali filmik]

Presidenti Rasëll M. Nelson: “Natyrisht, ka etiketime të ndryshme që mund të jenë shumë të rëndësishme për ju. Ju lutem, mos më keqkuptoni. Nuk po them që emërtime dhe përcaktues të tjerë nuk janë domethënës. Thjesht po them se asnjë përcaktues nuk duhet t’i zhvendosë, zëvendësojë ose të marrë përparësi mbi këto tri emërtime afatgjata: ‘fëmijë i Perëndisë’, ‘fëmijë i besëlidhjes’ dhe ‘dishepull i Jezu Krishtit’.

Çfarëdo [identifikuesi] që nuk përputhet me këto tri emërtime bazë, përfundimisht do t’ju zhgënjejë. Etiketime të tjera do t’ju zhgënjejnë me kalimin e kohës ngaqë nuk e kanë fuqinë për t’ju udhëhequr drejt jetës së përjetshme në mbretërinë çelestiale të Perëndisë.”4

[Mbaron materiali filmik]

Theksimi i parë profetik për të rinjtë e të rejat në moshë madhore që po vëmë në dukje, është t’i ndihmojmë të dinë identitetin e tyre hyjnor. Ua rekomandoj fuqishëm fjalimin e plotë të Presidentit Nelson në takimin “Zgjedhjet për Përjetësinë” si një burim qendror për ju si një arsimtar fetar që punon me të rinjtë e të rejat në moshë madhore dhe rininë e Kishës.

2. Mbështetuni te Fuqia e Jezu Krishtit dhe Besëlidhjet Tuaja

Së dyti, për ta ruajtur identitetin hyjnor, ne duhet t’u mësojmë të rinjve e të rejave tona në moshë madhore se si të mbështeten te fuqia e Jezu Krishtit nëpërmjet mbajtjes së besëlidhjeve të tyre. Presidenti Nelson na ka mësuar: “Çdo gjë që jepet mësim në tempull, nëpërmjet udhëzimit dhe nëpërmjet Shpirtit, e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. Ordinancat e Tij thelbësore na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese. Dhe o, sa do të na nevojitet fuqia e Tij në ditët në vazhdim.”5

Vitin e kaluar dhashë një bisedë në takimin shpirtëror të UBJ-së të titulluar “Gjetja e Paqes së Krishtit në Kohë të Rrezikshme”, ku citova Presidentin Nelson shumë herë.6 Pas takimit shpirtëror, njëra nga dekanet tona tha se asaj i pëlqeu citimi që vazhdova ta përdorja nga Presidenti Nelson. I shpjegova se kishte në fakt katër citime të ndryshme, të gjitha me një strukturë të ngjashme.

Presidenti Nelson po përdorte një dyvargësh, ku në të majtën e secilës thënie ai flet për vështirësinë, rrezikun, ankthin dhe trazirën e ditëve të mëvonshme. Në të djathtën e dyvargëshit, ai shpall me vetëbesim e shpresë se me anë të Jezu Krishtit dhe mbajtjes së besëlidhjeve tona tek Ai ne mund t’i kapërcejmë këto sfida. Kam numëruar jo më pak se shtatë prej këtyre dyvargëshave në mesazhet e Presidentit Nelson në konferencat e përgjithshme që nga koha kur u bë profeti. Le të shohim vetëm dy prej këtyre nga biseda e tij “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”.

Citimi nr. 1: “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këto janë ditët e mëvonshme! Nëse ju dhe unë do t’u bëjmë ballë rreziqeve dhe trysnive të ardhshme, është e domosdoshme që secili prej nesh të ketë një themel të fortë shpirtëror të ndërtuar mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.”7

Citimi nr. 2: “Zoti ka shpallur se pavarësisht nga sfidat e sotme të pashembullta, ata që i ndërtojnë themelet e tyre mbi Jezu Krishtin dhe kanë mësuar se si të mbështeten te fuqia e Tij, nuk kanë nevojë t’u dorëzohen shqetësimeve të pashoqe të kësaj epoke”8.

Sërish, në të dyja thëniet, profeti e fillon duke dalluar sfidat me të cilat do të përballemi në ditët e mëvonshme. Pastaj e pason me një premtim se mund t’i mposhtim ato sfida dhe ankthet që i shoqërojnë ato, kur drejtohemi te Shpëtimtari dhe mësojmë se si të mbështetemi te fuqia e Tij.

Kur fillimisht e dallova këtë model, mendova se përmendja e Jezu Krishtit do të thoshte që, nëse e ngulja spirancën e dëshmisë sime te Shpëtimtari, mund t’u bëja ballë sprovave që po vinin në ditët e fundit. Por, gjithnjë e më shumë, besoj gjithashtu se Presidenti Nelson po na bën thirrje që të jemi si Shpëtimtari.

Ndoshta kjo është ajo për të cilën po fliste Plaku Xhefri R. Holland kur na dha porosinë të “bëhemi ‘një shenjtor nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, Zotit’”, në mesazhin e tij për të rinjtë e të rejat në moshë madhore tek UBJ‑ja.

[Fillon materiali filmik]

Plaku Xhefri R. Holland: “Mbreti Beniamin dha mësim se një qëllim thelbësor i jetës në vdekshmëri, ndoshta qëllimi thelbësor i jetës në vdekshmëri, është të ‘bëhe[sh] një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot’ – dhe vazhdon të thotë – të bëhesh ‘si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij’ [Mosia 3:19; theksimi i shtuar]”9.

[Mbaron materiali filmik]

3. Lejojeni Perëndinë të Triumfojë dhe Ndiqeni Profetin e Tij

Për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat në moshë madhore të dinë identitetin e tyre hyjnor dhe të mbështeten te fuqia e Jezu Krishtit, ne duhet t’u mësojmë që ta vënë Perëndinë të parin dhe të ndjekin profetin e Tij. Askund nuk është dhënë ky mësim më fuqishëm sesa në porosinë e Presidentit Nelson që ta “lejoj[më] Perëndinë të triumfojë”. Sikur po kryente një intervistë me tërë Kishën, profeti na bën gjashtë pyetjet vijuese:

  • “A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj?

  • A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj?

  • A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë?

  • A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër?

  • A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër?

  • A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?”10

Vite më parë, përjetova atë që do të thoshte për mua që ta lejoja Perëndinë të triumfonte në jetën time. Pas një karriere të hershme akademike në lindje të SHBA‑së, u bë e qartë se Zoti kishte përgatitur një shteg të ndryshëm që do të më çonte mua dhe familjen time në Reksburg të Ajdahos. Në atë kohë iu qava gruas sime: “Ndihem si i riu pasanik, vetëm unë e di se si mbaron shëmbëlltyra, ndaj do të ndjek shtegun drejt të cilit po udhëhiqemi”.

Ky zor se ishte qëndrimi më i mirë që mund të kisha zgjedhur. Pikërisht të nesërmen në mëngjes, në një mbledhje të udhëheqjes së kunjit, njëri nga folësit diskutoi të njëjtën shëmbëlltyrë për të cilën i kisha folur bashkëshortes sime një natë më parë. Ai tha se ndihej shumë keq për të riun pasanik, siç përshkruhej në pikturën e Hainrih Hofmanit për shëmbëlltyrën. Ai përshkroi se si i riu pasanik dukej se po shihte tutje sikur po mendonte për gjithçka nga e cila do të hiqte dorë. Ky veprim në vetvete i vështrimit tutje po e pengonte atë që të shikonte shtegun më të mirë tek i cili po e drejtonte Shpëtimtari. Çdo herë që e lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, ne po heqim dorë nga vetja jonë natyrore për diçka më të mirë në Jezu Krishtin.

Modeli i lejimit të Perëndisë që të triumfojë, gjithashtu kërkon nga ne që të synojmë dhe të marrim zbulesë vetjake. Presidenti Nelson e dha këtë mësim në mesazhin e tij “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”11. Drejtimi i Qiellit erdhi jo vetëm në shërbimin e tij në Kishë, por në zgjedhjet e jetës së tij se ku të jetonte, arsimimit të tij, me kë të martohej, për punën e tij profesionale dhe në prindërim. Të mësuarit e këtij modeli për marrjen e zbulesës vetjake është hapi i parë i të lejuarit të Perëndisë që të triumfojë në jetën tonë. Gjithashtu, do t’i ndihmojë të rinjtë e të rejat tanë në moshë madhore që të gjejnë e të marrin zbulesën që do t’i bekojë në këtë periudhë kritike të vendimmarrjes.

4. Jepeni Mësim të Vërtetën me Dashuri

Nëse keni parë mënyrën se si japin mësim profetët dhe apostujt tanë, ju do të vini re një model të mësimdhënies së të vërtetës, madje përballë kritikës. E bëjnë këtë gjë me dashuri, ndjeshmëri dhe interesimin si të Krishtit për të tjerët, por prapë japin mësim të vërtetat që janë urdhëruar të japin mësim. Presidenti Nelson e tregoi këtë model të dhënies mësim të së vërtetës me dashuri kur ai dha mësim për parësinë e identitetit të përjetshëm në mesazhin e tij mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore.12 Ai e bëri këtë gjë kur dha mësim rreth marrëdhënies mes dashurisë dhe ligjeve të Perëndisë.13 Presidenti Dallin H. Ouks foli për këtë përgjegjësi në bisedën e tij drejtuar të rinjve e të rejave në moshë madhore te Kolegji “Enzajn” vitin e shkuar.

[Fillon materiali filmik]

Presidenti Dallin H. Ouks: “Të treguarit e respektit nuk do të thotë që të largohemi nga bindja dhe doktrina jonë themelore mbi familjen dhe rëndësinë e saj në planin e Perëndisë për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij, siç u zbulua në Proklamatën mbi Familjen.

Ju lutem, mbajeni mend përgjegjësinë që kemi ne, anëtarët e Presidencës së Parë dhe Kuorumit të të Dymbëdhjetëve si Apostuj të Zotit Jezu Krisht. Ne duhet ta shpallim të vërtetën ashtu siç e ka zbuluar Perëndia. Ne nuk jemi të lirë të [mbledhim e] zgjedhim cilat të vërteta do të predikojmë e mbrojmë.”14

[Mbaron materiali filmik]

Në po atë fjalim, Presidenti Ouks përshkroi pesë mënyra se si mund ta japim mësim të vërtetën me dashuri:

  1. Shmangini mjediset tejet të prirura për grindje.

  2. Duajini të tjerët, gjeni pika të interesit të përbashkët, edhe kur nuk bini dakord.

  3. Mbahuni tek e vërteta, edhe në ndihmën tonë ndaj të tjerëve.

  4. Jini një dritë për botën.

  5. Qëndroni të ankoruar te Jezu Krishti.

Disa do debatojnë se që t’i duam të tjerët, duhet t’ia ulim vlerat të vërtetave të Perëndisë. Por vëreni re këshillën e Presidentit Ouks që të mbahemi tek e vërteta edhe gjatë ndihmës sonë. Me fjalë të tjera, këto nuk janë zgjedhje që i kundërvihen njëra-tjetrës. Dëgjojeni këshillën e Plakut Holland për këtë, teksa i foli trupës pedagogjike dhe personelit të UBJ‑së mbi rëndësinë e arritjes siç duhet të këtij baraspeshimi.

[Fillon materiali filmik]

Plaku Holland: “Për shembull, ne duhet të jemi të kujdesshëm që dashuria dhe ndjeshmëria nuk interpretohen si falje dhe përkrahje. Ose që zbatimi me përpikëri dhe besnikëria ndaj parimit nuk interpretohen si mungesë dashamirësie ose besnikërie ndaj njerëzve. Me sa di unë, Krishti asnjëherë [të vetme] nuk ia ndaloi dashurinë e Vet dikujt, por Ai gjithashtu asnjëherë [të vetme] nuk i tha askujt: ‘Ngaqë të dua, ti je i përjashtuar nga zbatimi i urdhërimeve të mia’. Na është dhënë detyra që të përpiqemi fort të arrijmë po atë drejtpeshim kërkues e të ndjeshëm në jetën tonë.”15

[Mbaron materiali filmik]

Kur i shpërfillim të vërtetat e Perëndisë, ne aktualisht mund ta kufizojmë aftësinë tonë për të treguar dashurinë më të madhe për fëmijët e Tij. Plaku D. Tod Kristoferson, ua shpjegoi arsyen të rinjve e të rejave në moshë madhore në UBJ:

“Fakti që e vëmë të parin urdhërimin e parë, nuk e pakëson ose kufizon aftësinë tonë për ta zbatuar urdhërimin e dytë. Përkundrazi, e plotëson dhe e forcon atë. Do të thotë që ne e zgjerojmë dashurinë tonë duke e ankoruar atë te qëllimi dhe fuqia hyjnore. … Dashuria jonë për Perëndinë e rrit aftësinë tonë për t’i dashur të tjerët në mënyrë më të plotë e më të përsosur sepse ne në thelb jemi bashkëpjesëmarrës me Perëndinë për kujdesin ndaj fëmijëve të Tij.”16

5. Merrni mbi Vete Përgjegjësi për Dëshminë Tuaj

Theksimi i fundit profetik për të rinjtë e të rejat në moshë madhore që do ta vë në dukje, lidhet me marrjen mbi vete të përgjegjësisë për dëshminë tuaj. Nëse doni ta ndiqni profetin, vëzhgoni për atë që ai e përsërit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kur ai përdor shprehje si “ju përgjërohem/lutem”. Në fjalimin e tij në konferencën e përgjithshme të titulluar “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Presidenti Nelson tha: “U ngarkoj anëtarëve të Kishës kudo të njëjtën përgjegjësi që u dhashë të rinjve e të rejave tona në moshë madhore majin e shkuar. I nxita ata atëherë dhe ju lutem juve tani, që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.”17

Le ta dëgjojmë po atë porosi teksa iu jepej të rinjve e të rejave në moshë madhore në bisedën e tij “Zgjedhjet për Përjetësinë”.

[Fillon materiali filmik]

Presidenti Nelson: “Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese dhe më pas të pyetni veten përse dëshmia juaj po zbehet.”18

[Mbaron materiali filmik]

Marrja mbi vete e përgjegjësisë për dëshminë tuaj do të thotë që ne i nxitim të rinjtë e të rejat në moshë madhore që t’i trajtojnë besnikërisht pyetjet e tyre. Një model për bërjen e pyetjeve përvijohet në faqen e burimit të Zotërimit Doktrinor të SeI‑së të titulluar “Marrja e Njohurisë Shpirtërore”. Plaku Lorens E. Korbrixh e diskutoi këtë temë duke cituar ndryshimin mes pyetjeve parësore dhe dytësore.19 Pyetjet parësore janë në thelb të një dëshmie. Ato përfshijnë njohurinë se Perëndia është Ati ynë, se Jezusi është Krishti dhe se Libri i Mormonit është i vërtetë. Pyetjet dytësore përfshijnë pyetje rreth hollësive të historisë së Kishës, poligamisë dhe autoritetit të priftërisë. Pyetjet dytësore mund dhe duhet të marrin përgjigje, por ato janë të pafundme dhe rrallë çojnë drejt një dëshmie pa bindjen te pyetjet parësore.

Plaku Robert S. Ud tregoi për shtegun e vet të ankorimit te përgjigjet për pyetjet parësore madje teksa punonte për pyetjet dytësore.20 Në një takim shpirtëror të bërë me studentët e UBJ–Ajdahos, Plaku Ud përshkroi se si qëndroi gjithë natën zgjuar duke lexuar Librin e Mormonit dhe se si fitoi dëshminë e vet të parë, të qartë për vërtetësinë e tij. Javën pasuese, një shok shkolle i tha se kishte prova që Libri i Mormonit nuk ishte i vërtetë, duke pretenduar për një listë të gjatë anakronizmash në libër. Plaku Ud i tha shokut se ishte vonuar shumë dhe se ai tashmë e kishte një dëshmi. Me fjalë të tjera, ai tashmë e kishte një përgjigje ndaj një pyetjeje parësore. Por u ofrua ta merrte listën dhe të punonte me pyetjet. Disa prej tyre u zgjidhën menjëherë dhe për të tjerat u desh kohë.

Ndërkohë, Plaku Ud shërbeu në Kishë, u martua në tempull, përfundoi arsimimin e tij dhe e rriti familjen e tij në ungjill. Pak vjet pas thirrjes së tij përfundimisht si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, anakronizmi i fundit në listën e tij mori zgjidhje nga një profesor në Universitetin e Kornelit. A mund ta përfytyroni sikur Plaku Ud të kishte pritur derisa t’i përgjigjej çdo pyetjeje dytësore përpara se të shkonte përpara me besim?

Presidenti Nelson u shpjegoi të rinjve e të rejave tona në moshë madhore se si t’i trajtojnë pyetjet e tyre.

[Fillon materiali filmik]

Presidenti Nelson: “Nëse keni pyetje – dhe shpresoj që të keni – kërkojini përgjigjet me dëshirën e zjarrtë që të besoni. Mësoni gjithçka mundeni rreth ungjillit dhe sigurohuni që të drejtoheni për udhërrëfim te burime të mbushura me të vërtetë. Ne jetojmë në periudhën ungjillore kur ‘asgjë nuk do të mbahet’ [Doktrina e Besëlidhje 121:28]. Prandaj, me kalimin e kohës, Zoti do t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve tona.”21

[Mbaron materiali filmik]

Përfundimi

Vëllezër e motra, ne jetojmë në kohë të rrezikshme.22 Por Zoti ka përgatitur një model në të gjitha gjërat me qëllim që ne të mos kemi pse të mashtrohemi. Pjesë e atij modeli është prania e një profeti në tokë për të na dhënë mësim të vërtetën. A po e dëgjojmë dhe a po ndikon kjo në mënyrën se si u japim mësim e shërbesë studentëve tanë?

Sonte kam përvijuar pesë theksime të tanishme profetike për të cilat ne do të donim që të reflektonit në rolet tuaja si arsimtarë të fesë. Këto tema dhe biseda themelore për to përmblidhen në tabelën vijuese:

Theksimet e Tanishme Profetike drejtuar të Rinjve e të Rejave në Moshë Madhore

Bisedat Themelore

1. Dijeni identitetin tuaj hyjnor.

Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), ChurchofJesusChrist.org.

2. Mbështetuni te fuqia e Jezu Krishtit dhe besëlidhjet tuaja.

Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–96

Jeffrey R. Holland, “A Saint through the Atonement of Christ the Lord” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 18 janar 2022), speeches.byu.edu.

3. Lejojeni Perëndinë të triumfojë dhe ndiqeni profetin e Tij.

Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 92–95

Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 93–96

4. Jepeni mësim të vërtetën me dashuri.

Dallin H. Oaks dhe Clark G. Gilbert, “Stand Fast with Love in Proclaiming Truth” (takim shpirtëror në Kolegjin “Ensign”, 17 maj 2022), ensign.edu.

D. Todd Christofferson, “The First Commandment First” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 mars 2022), speeches.byu.edu.

5. Merrni mbi vete përgjegjësi për dëshminë tuaj.

Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), ChurchofJesusChrist.org.

Shih te Lawrence E. Corbridge, “Stand Forever” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 janar 2019), speeches.byu.edu.

Shih te Robert S. Wood, “Be Ye Transformed by the Renewal of Your Mind” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, 13 maj 2003), byui.edu/devotionals.

“Marrja e Njohurisë Shpirtërore”, Zotërimi Doktrinor i SeI-së

Në përcaktimin e këtyre temave, ne jemi përqendruar te mesazhi ankorues i profetit “Zgjedhjet për Përjetësinë”. Shumë prej mesazheve të tjera u dhanë në vendndodhje ku profetët dhe apostujt po u flitnin drejtpërsëdrejti të rinjve e të rejave në moshë madhore anembanë Sistemit Arsimor të Kishës. Secila prej këtyre temave është përcaktuar nëpërmjet rishikimit të kujdesshëm me presidentët e universitetit të SAK-ut, përfshirë administratorin e SeI‑së, Plakun Çad Ueb, si dhe udhëheqjen e Komitetit Ekzekutiv të Bordit të Kishës për Arsimimin. Ne ju nxitim t’i studioni këto biseda themelore të përmendura. Njihuni me to. Përfshijini ato në mësimdhënien tuaj dhe në programin mësimor. Më e rëndësishme, ndërthurini ato në mënyrën se si u përgjigjeni pyetjeve dhe u jepni shërbesë nevojave të studentëve tuaj.

E di se një profet i Perëndisë na udhëheq në këto kohë të rrezikshme. E ndjekshim këtë dhe këshilla të tjera profetike që do të vazhdojmë t’i marrim, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen!

Shtyp në Letër