Takime Shpirtërore 2022
Të Guximshëm, Fisnikë dhe të Pavarur


45:27

Të Guximshëm, Fisnikë dhe të Pavarur

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 11 shtator 2022 • Tabernakulli i Solt‑Lejkut

Plaku Dejll G. Renland: Faleminderit. Jemi mbledhur në Tabernakullin historik të Solt-Lejkut, por publiku ynë është mbarëbotëror. Kudo në shkrimet e shenjta Zoti na kërkon të kujtojmë. Të kujtuarit e trashëgimisë sonë të përbashkët të besimit, përkushtimit dhe ngulmimit na jep këndvështrim dhe forcë ndërsa përballemi me sfidat e kohës sonë.

Ishte me dëshirën për të “kujt[uar] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve”1, që u konceptua seria me katër vëllime Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme. Tri vëllime janë botuar tashmë. Kjo histori në formë tregimi përfshin ndodhi të shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme të së kaluarës. Ajo na jep shembuj nga jeta reale të njerëzve që e deshën ungjillin e Jezu Krishtit, bënë besëlidhje dhe ecën përgjatë shtegut të besëlidhjeve për të arritur ta njihnin Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin.

Motra Ruth L. Renland: Kemi kënaqësinë të përqendrohemi te përvoja nga jeta reale që tani mund t’i lexoni te vëllimi i tretë në seritë Saints: Boldly, Nobly, and Independent [Shenjtorët: Të Guximshëm, Fisnikë dhe të Pavarur]. Ky vëllim bën një kronikë të historisë së Kishës midis përkushtimit të Tempullit të Solt‑Lejkut në 1893‑shin dhe përkushtimit të Tempullit të Bernës në Zvicër në 1955‑ën. Gjatë kësaj kohe, zbulesë e vazhdueshme shfaqet në Kishë nëpërmjet profetëve të Zotit dhe anëtarëve individualë. Vëllimi 3 i serisë Shenjtorët na ndihmon të kuptojmë vetë historinë tonë, njerëzit që e jetuan atë, dhe Shpëtimtarin tonë.

Plaku Renland: Gjatë kësaj periudhe kohore, të dy çiftet e gjyshërve të mi u bashkuan me Kishën. Prindërit e mi emigruan për në Solt-Lejk‑Siti ngaqë kishin bërë një premtim që të martoheshin në tempull. Në 1950‑ën, në Europë nuk kishte tempull. Secili prej tyre e mori dhurimin në Tempullin e Solt-Lejkut, duke i dëgjuar udhëzimet në anglisht, duke kuptuar fare pak. Ata u martuan e u vulosën dhe e konsideruan veten të bekuar përjetësisht. Zgjedhja e tyre për të bërë çfarëdo që kërkohej për t’u vulosur në tempull, ka pasur një ndikim të përjetshëm në jetën time gjithashtu.

Shenjtorët, vëllimi 3 është trashëgimia jonë, pavarësisht nëse rrjedhim nga pionierë të hershëm, siç ndodhi me Motrën Renland, ose nga pionierë të mëvonshëm, siç jam unë, apo si disa nga ju që jeni pionierë në besim. Ju jeni një pjesë e rëndësishme e historisë së vazhdueshme të kësaj Kishe. Ju falënderojmë për gjithçka bëni që të ndërtoni mbi themelin e besimit të hedhur nga ju dhe nga paraardhësit tuaj. “Lutemi që ky vëllim [i serisë Shenjtorët] do ta zgjerojë të kuptuarit tuaj për të shkuarën, do ta forcojë besimin tuaj dhe do t’ju ndihmojë t’i bëni e t’i mbani besëlidhjet që çojnë drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme.”2

Motra Renland: Jam e emocionuar që të tregoj ndodhi nga vëllimi 3 i serisë Shenjtorët. Le të fillojmë!

Plaku Renland: Le të fillojmë me një shembull nga Rivendosja e vazhdueshme e Kishës. Presidenti Rasëll M. Nelson, shpesh jep mësim se Rivendosja “është një proces, nuk është një ngjarje dhe do të vazhdojë derisa Zoti të vijë sërish”.3 Një shembull nga fundi i jetës së Presidentit Jozef F. Smith është një ilustrim i shkëlqyer.

portret i plotë i burrit dhe gruas të veshur të gjithë me të bardha

Jozef F. Smithi dhe Xhulina Lambson Smithi.

Në 1918‑ën, Presidenti Smith ishte i sëmurë dhe ndoshta e dinte që nuk i kishte ngelur shumë kohë për të jetuar. Dukej sikur e rrethonte vdekja. Së pari, biri i tij më i madh, Hajrëmi, u sëmur dhe vdiq nga plasja e apendicitit. Presidenti Smith e shprehu hidhërimin e tij në ditar: “Më është copëtuar shpirti. … Ah! Perëndia më ndihmoftë!”4 Së dyti, pikëllimi i Presidentit Smith u shtua kur Ida, e veja e Hajrëmit, vdiq nga problemet me zemrën pak pas kësaj.

Së treti, ai lexonte njoftime të tmerrshme mbi luftën botërore që ishte e furishme. Gjatë luftës, vdiqën 20 milionë ushtarë dhe civilë. Së katërti, një valë vdekjeprurëse e gripit po vriste njerëz anekënd botës. Numri i vdekjeve në mbarë botën ishte të paktën 50 milionë njerëz. Këto vdekje sollën pikëllim dhe dëshpërim të patreguar për familjet. Presidenti Smith vajtonte për humbjen e jetëve. Përveç kësaj, ai kishte lënguar në shtrat për pesë muaj. Me të drejtë mund të themi se vdekja ishte në mendjen e profetit.

Kam këtu një Bibël që e zotëronte Presidenti Smith. Ai mund të ketë përdorur këtë ose një tjetër si kjo për të nxitur një zbulim kyç.

Motra Renland: Më 3 tetor 1918, ai u ul në dhomën e tij në Shtëpinë e Koshereve, vetëm një bllok larg që këtu, “duke reflektuar mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe shëlbimin e botës. Ai e hapi … te 1 Pjetër dhe lexoi rreth Shpëtimtarit që u predikonte shpirtrave në botën e shpirtrave. … Shpirti zbriti mbi [Presidentin Smith], duke hapur sytë e të kuptuarit [të tij].” Ai pa në botën e shpirtrave ku turma “grash dhe burrash të drejtë që kishin vdekur përpara shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit, po prisnin me gëzim ardhjen e Tij atje për të shpallur çlirimin e tyre nga lidhjet e vdekjes.

Shpëtimtari u shfaq … dhe shpirtrat e drejtë u gëzuan … . U gjunjëzuan përpara Tij, duke e pranuar Atë si Shpëtimtarin dhe Çliruesin e tyre nga vdekja dhe zinxhirët e ferrit. …

… [Presidenti Smith gjithashtu] e kuptoi se Shpëtimtari nuk shkoi personalisht te shpirtrat e pabindur. Përkundrazi, ai organizoi shpirtrat e drejtë … për t’ua çuar mesazhin e ungjillit shpirtrave në errësirë. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit që vdiqën në shkelje ose pa një njohuri për të vërtetën, mund të mësonin për besimin te Perëndia, pendimin, pagëzimin me mëkëmbës për heqjen e mëkateve, dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të gjitha parimet e tjera thelbësore të ungjillit. …”

Plaku Renland: “Profeti më pas e kuptoi se [shenjtorët] besnikë në këtë periudhë ungjillore do ta vazhdonin punën e tyre në jetën tjetër duke u predikuar ungjillin shpirtrave që ishin në errësirë dhe nën skllavërinë e mëkatit. [Ai vërejti]: ‘Të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë, dhe pasi e kanë paguar gjobën për shkeljet e tyre dhe janë pastruar, do të marrin një shpërblim sipas veprave të tyre, sepse ata janë trashëgimtarë të shpëtimit’.’’

Motra Renland: “… Mëngjesin vijues, [disa u habitën kur panë që ai mori pjesë] në konferencën e përgjithshme të tetorit, pavarësisht nga shëndeti i tij i dobët. I vendosur për t’i folur bashkësisë, ai qëndroi duke u lëkundur në foltore [në këtë ndërtesë], me trupin e tij të madh që dridhej nga mundimi. … Duke mos pasur forcën që të fliste për vegimin e tij pa u pushtuar nga emocionet, ai thjesht e përmendi atë tërthorazi. ‘Nuk kam jetuar i vetëm këto pesë muaj’, – i tha ai bashkësisë. ‘Kam jetuar me shpirtin e lutjes, të përgjërimit, besimit dhe vendosmërisë, dhe kam pasur komunikimin tim me Shpirtin e Zotit vazhdimisht. Është një mbledhje e lumtur në këtë mëngjes për mua’, – tha ai. ‘Perëndia i Plotfuqishëm ju bekoftë!’”5

Presidenti Smith ia diktoi zbulesën birit të tij, Jozef Filding Smithit, pas konferencës së përgjithshme. Kjo është një nga kopjet që ai i nënshkroi dhe ia dorëzoi Presidencës së Parë dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ata e lexuan vegimin, e miratuan plotësisht atë6 dhe ai është kanonizuar si seksioni 138 i Doktrinës e Besëlidhjeve. Tani ne e kuptojmë se Perëndia kujdeset për ata që janë në anën tjetër të velit të vdekshmërisë. Ai kujdeset për shëlbimin e tyre. “Të vdekurit” nuk janë vërtet të vdekur. Rivendosja e vazhdueshme na solli këtë kuptueshmëri dhe na sjell ngushëllim e qartësi për botën tjetër.

Plaku Renland: Në shumë mënyra, zbulesa vetjake kërkon të njëjtin proces. Për mua, unë duhet të përqendrohem te një problem. Duhet ta studioj dhe të mendoj për të. Duhet të vij me zgjidhje të ndryshme. Duket sikur vetëm atëherë zbulesa vetjake mund të vijë në mënyrë të besueshme. Shpesh zbulesa më vjen me udhëzime urdhëruese, të shkurtra, të tilla si “Shko”, “Bëj” ose “Thuaj”!

Motra Renland: E njëjta gjë është e vërtetë për mua. Pasi kam përsiatur, studiuar dhe jam lutur, shpesh kam mendime ose ide që më vijnë në mendje, të cilat e di që nuk janë të miat. Gjithmonë më jep zemër [ta di] se Perëndia është i vetëdijshëm për mua dhe më nxit nëpërmjet Frymës së Shenjtë që të bëj mirë.

Plaku Renland: Shpesh zbulesa vjen sepse ka një nevojë të veçantë. Një shembull mbresëlënës ndodhi në konferencën e përgjithshme të prillit 1894. Presidenti Uillford Udraf u njoftoi këshilltarëve të tij dhe Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve se kishte marrë një zbulesë lidhur me vulosjet në tempull. Ai tha: “Zoti më ka thënë se është e drejtë që fëmijët të vulosen te prindërit e tyre dhe ata te prindërit e tyre aq pas në kohë sa dokumente mund të marrim”7. Kjo zbulesë erdhi më shumë se 50 vjet pasi Elija rivendosi autoritetin vulosës në Tempullin e Kirtlandit.

Motra Renland: Të dielën, në konferencën e përgjithshme të 1894‑ës, Presidenti Udraf shpalli: “‘Nuk kemi mbaruar me zbulesën. … Nuk kemi mbaruar me veprën e Perëndisë.’ Ai foli për mënyrën se si Brigam Jangu kishte vazhduar punën e Jozef Smithit për ndërtimin e tempujve dhe organizimin e ordinancave të tempullit. ‘Por ai nuk i mori të gjitha zbulesat që i përkasin kësaj vepre’, – i kujtoi bashkësisë Presidenti Udraf. ‘As nuk i mori Presidenti Tejlor, as nuk i ka marrë Uillford Udrafi. Nuk do të ketë fund të kësaj vepre derisa ajo të përsoset.’”8

Që prej viteve të Navusë, anëtarët kishin bërë pagëzime për të vdekurit për pjesëtarët e vdekur të familjeve. Por rëndësia e vulosjes me paraardhësit përkatës nuk ishte zbuluar ende. Presidenti Udraf shpjegoi: “Duam që shenjtorët e ditëve të mëvonshme që nga kjo kohë e tutje të gjurmojnë gjenealogjitë e tyre sa më larg që të munden dhe të vulosen me etërit dhe nënat e tyre. … Bëjini fëmijët të vulosen te prindërit e tyre dhe zgjateni këtë zinxhir sa më shumë që të mundeni.”9

Presidenti Udraf “u kujtoi shenjtorëve vegimin e Jozef Smithit për vëllanë e tij, Alvinin, në Tempullin e Kirtlandit. ‘Të gjithë ata që kanë vdekur pa një dituri të këtij ungjilli, që do ta kishin pranuar atë, nëse do të ishin lejuar të qëndronin, do të jenë trashëgimtarë të mbretërisë çelestiale.’

‘Kështu do të jetë me etërit tuaj’, – tha Presidenti Udraf për ata që janë në botën e shpirtrave. ‘Do të ketë shumë pak, në mos asnjë, që nuk do ta pranojë ungjillin.’

Përpara se ta mbyllte predikimin e tij, ai i nxiti shenjtorët që … të kërkonin të afërmit e tyre të vdekur. ‘Vëllezër dhe motra’, – tha ai, ‘le të vazhdojmë me dokumentet tona, t’i plotësojmë ato me drejtësi përpara Zotit dhe ta zbatojmë këtë parim, dhe bekimet e Perëndisë do të vijnë tek ne, dhe ata që shëlbohen do të na bekojnë në ditët që do të vijnë.’”10 Kjo zbulesë siguroi arsyen që anëtarët të ktheheshin shpesh në tempull për të kryer shugurime dhe ordinanca me mëkëmbës për paraardhësit e tyre të vdekur. Familjet filluan të mbanin dokumente të kujdesshme për ordinancat e tyre dhe për punën që kishin bërë për t’i plotësuar ato, në libra si ky këtu, i cili tregon punën e bërë për pjesëtarët e familjes Xhens Pitër dhe Mari Dejm.

Plaku Renland: Sot, doktrina e vulosjes përgjatë brezave duket kaq normale dhe e natyrshme për ne, por u desh një zbulesë nga Zoti që të organizohej siç duhet vulosja e familjeve. Kjo zbulesë pati një ndikim të drejtpërdrejtë në familjen time në ishullin e largët të Larsmosit, pikërisht në bregun perëndimor të Finlandës. Kjo histori nuk gjendet te Shenjtorët, vëllimi 3, por ruhet si thesar në familjen time. Në 1912‑ën, gjyshërit nga ana e babait, Lena Sofia dhe Mets Leandër Renlandi, i dëgjuan misionarët nga Suedia të predikonin ungjillin e rivendosur. Lena Sofia dhe Leandri u pagëzuan të nesërmen. Ata gjetën gëzim në besimin e tyre të ri dhe në të qenit pjesë e një dege të vogël, e para në Finlandë. Fatkeqësisht, fatet e jetës ndryshuan dhe fatkeqësia goditi.

Në 1917‑ën, Leandri vdiq nga tuberkulozi, duke e lënë Lena Sofien të ve dhe shtatzënë me fëmijën e saj të dhjetë. Ai fëmijë, babai im, lindi dy muaj pas vdekjes së Leandrit. Më shumë pjesëtarë të familjes vdiqën nga tuberkulozi. Lena përfundimisht varrosi 7 nga 10 fëmijët e saj, përveç Leandrit. Ishte një betejë e madhe për të, një grua fshatare të varfër, që ta mbante të pacenuar atë që i mbeti nga familja.

Për gati dy dekada, ajo nuk pushoi siç duhej gjatë natës. Ajo shkonte me nxitim për në punë të rastit gjatë ditës që të mblidhte pak ushqim për të ngrënë. Natën, ajo kujdesej për pjesëtarët e familjes që po vdisnin. Është e vështirë të përfytyrojmë se si e përballoi këtë Lena Sofia.

E takova Lena Sofien një herë në dhjetor të 1963‑shit. Unë isha 11 vjeç dhe ajo 87. Ajo ishte kërrusur nga një jetë e tërë me punë të vështirë. Lëkura e fytyrës dhe e duarve të saj ishte e regjur, po aq e fortë dhe e ashpër si meshini i ngrënë. Kur u takuam, ajo u ngrit në këmbë dhe tregoi me gisht drejt një fotografie të Leandrit dhe më tha në suedisht: “Det här är min gubbe”. “Ky është burri im.”

Mendova se e kishte përdorur gabimisht kohën e tashme të foljes. Meqë Leandri kishte 46 vjet që kishte vdekur, ia vura në dukje këtë gabim të qartë nënës sime. Nëna thjesht më tha: “Ti nuk e kupton”. Nuk e kuptova. Lena Sofia e dinte se bashkëshorti i saj i dashur, i cili kishte vdekur prej një kohe të gjatë, ishte dhe do të mbetej i saji gjatë gjithë përjetësive. Nëpërmjet doktrinës së familjeve të përjetshme, Leandri kishte mbetur i pranishëm në jetën e saj dhe pjesë e shpresës së saj të madhe për të ardhmen.

portret i gruas

Lena Sofia Renlandi, gjyshja e Dejll G. Renlandit nga ana e babait.

portret i djalit

Dejll G. Renlandi kur ishte i ri.

Përpara se të përkushtohej Tempulli i Helsinkit në Finlandë në 2006‑ën, motra ime kontrolloi për të parë se çfarë pune për ordinancat nevojitej për linjën nga ana e babait tonë. Ajo që gjeti, është një pohim i zjarrtë i besimit të Lena Sofias në autoritetin vulosës. Lena Sofia kishte dorëzuar dokumentet familjare për fëmijët e saj të vdekur, të cilët ishin mbi tetë vjeç kur vdiqën, në mënyrë që puna në tempull të mund të kryhej në 1938‑ën. Këto ishin ndër ordinancat më të hershme që i ishin dorëzuar një tempulli nga Finlanda.

Lena e përballoi jetën duke mbajtur në mendje doktrinën e shpëtimit. Ajo e konsideroi si një nga mëshirat e mëdha të Perëndisë që arriti të dinte se familjet ishin të përjetshme përpara se t’i binin këto fatkeqësi. Një shënues për kthimin e saj të rrënjosur thellë në besimin në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, ishte puna e saj për historinë familjare, punë e zbuluar nëpërmjet Jozef Smithit, Uillford Udrafit dhe Jozef F. Smithit. Ajo ishte si ata që “vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për së largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim”11.

Motra Renland: Për shkak se Rivendosja është një proces i vazhdueshëm, kemi shumë gjëra që mezi po i presim. Më pak se një vit më parë, Presidenti Nelson tha: “Përshtatjet aktuale në procedurat e tempullit dhe të tjera që do të pasojnë, janë prova të vazhdueshme se Zoti po e drejton në mënyrë aktive Kishën e Tij. Ai po i jep mundësi secilit prej nesh që t’i përforcojë themelet e veta shpirtërore në mënyrë më të efektshme duke e përqendruar jetën e vet tek Ai dhe tek ordinancat e besëlidhjet e tempullit të Tij.”12 Presidenti Nelson shpjegoi se këto përshtatje janë bërë “nën drejtimin e Zotit dhe si përgjigje ndaj lutjeve tona” ngaqë Zoti do që ne të “kupto[jmë] saktësisht me një qartësi të madhe se për çfarë po i bë[jmë] besëlidhjet. … T’i kupto[jmë] privilegjet, premtimet dhe përgjegjësitë t[ona] … dhe të ke[m]i ide dhe zgjime shpirtërore.”13

Ndonjëherë zbulesa vjen në çast. Kjo ndodhi me një shembull tjetër të Rivendosjes së vazhdueshme kur Lorenco Snou ishte Presidenti i Kishës. Në 1898‑ën, Kisha ishte në një gjendje të vështirë financiare. Në kulmin e fushatës së tij kundër poligamisë, Kongresi i Shteteve të Bashkuara kishte autorizuar konfiskimin e pasurisë së Kishës. Të shqetësuar se qeveria do të merrte [fondet e] dhurimeve të tyre, shumë shenjtorë ndaluan së paguari të dhjetën, duke e zvogëluar në masë të madhe burimin kryesor të financimit të Kishës. Kisha mori borxh para që të siguronte fonde të mjaftueshme për ta çuar përpara punën e Zotit. Kisha madje mori hua për të mbuluar koston e përfundimit të Tempullit të Solt‑Lejkut. Kjo situatë financiare rëndonte shumë në mendjen e profetit 85-vjeçar.14

“Një mëngjes herët në maj, Presidenti Snou ishte ulur në shtrat kur biri i tij, LeRoi, hyri në dhomë. … Profeti e përshëndeti dhe i njoftoi: ‘Po shkoj në Seint‑Xhorxh’.

LeRoi u befasua. Seint‑Xhorxhi ishte … 480 km larg.” Për të shkuar atje, ata duhej të merrnin trenin mbi 320 km për në jug drejt Milfordit, më pas të udhëtonin 169 km të tjera me karrocë. Ky do të ishte një udhëtim i vështirë për një burrë të moshuar. Megjithatë, ata e ndërmorën udhëtimin e gjatë e të vështirë. “Kur mbërritën …, të pluhurosur dhe të lodhur, … [një] president kunji i pyeti pse kishin ardhur. ‘Epo’, – tha Presidenti Snou, – ‘nuk e di për çfarë kemi ardhur në Seint‑Xhorxh, vetëm se Shpirti na tha të vinim.’

Të nesërmen, më 17 maj, profeti u takua me anëtarët në Tabernakullin e Seint‑Xhorxhit, një ndërtesë me gurë ranor të kuq, disa blloqe në veriperëndim të tempullit.” Kur Presidenti Snou u ngrit në këmbë për t’iu drejtuar shenjtorëve, ai tha: “Vështirë se mund ta shprehim arsyen përse erdhëm, megjithatë supozoj se Zoti do të ketë diçka për të na thënë”.

Plaku Renland: “Gjatë predikimit, Presidenti Snou ndaloi papritur dhe në dhomë ra një qetësi e plotë. Sytë e tij u ndriçuan dhe fytyra e tij shkëlqeu. Kur e hapi gojën, zëri i tij ishte më i fortë. Frymëzimi i Perëndisë dukej se e mbushi dhomën. Më pas ai foli për të dhjetën. … Ai u pikëllua që shumë … shenjtorë ngurronin të paguanin një të dhjetë të plotë. … ‘Kjo është një përgatitje thelbësore për Sionin’, – tha ai.

Pasditen vijuese, Presidenti Snou [dha mësim]: ‘Ka ardhur koha tani për çdo shenjtor të ditëve të mëvonshme, i cili vlerëson të jetë i përgatitur për të ardhmen dhe t’i mbajë këmbët e veta të vendosura fuqishëm mbi një themel të duhur, që të shkojë dhe të bëjë vullnetin e Zotit dhe ta paguajë të plotë të dhjetën e tij. Kjo është fjala e Zotit drejtuar juve dhe do të jetë fjala e Zotit drejtuar çdo vendbanimi kudo në tokën e Sionit.’”

Presidenti Snou më vonë dha mësim: “‘Ne jemi në një gjendje të frikshme dhe për shkak të saj Kisha është në skllavëri. I vetmi lehtësim është që shenjtorët ta respektojnë këtë ligj.’ Ai i sfidoi [anëtarët] që t’i bindeshin ligjit plotësisht dhe premtoi se Zoti do t’i bekonte për përpjekjet e tyre. Ai gjithashtu shpalli se pagimi i së dhjetës do të ishte tani një kërkesë e qëndrueshme për frekuentimin e tempullit.”15

Motra Renland: Që prej asaj kohe, shumë njerëz mund të dëshmojnë se Zoti i derdh vërtet bekimet e Tij më të pasura mbi ata që janë të gatshëm t’i binden këtij ligji të thjeshtë. Vëllai Alois Çip shërbeu si president i degës së Vienës në Austri. Ai e ruajti të dhjetën dhe dokumentet e tjera të degës në këtë kuti të thjeshtë, por të fortë. Gjatë sulmeve ajrore në Luftën II Botërore, ky ishte artikulli i parë që u sigurua nga Presidenti Çip dhe familja e tij përpara zotërimeve të tyre vetjake.

Disa kanë dëshmuar edhe për sfidën e pranimit të ligjit dhe të marrjes së bekimeve të mrekullueshme si rrjedhojë.

Përvoja e familjes Janagida në Japoni është një shembull i tillë. Në 1948‑ën, Presidenca e Parë dërgoi edhe një herë misionarë në Japoni. Kur Toshiko Janagida e pyeti babanë e saj rreth fesë, ai e nxiti atë të merrte pjesë në një shërbesë të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ai ishte bashkuar me Kishën në 1915‑ën.

Motra Janagida u takua me misionarët, u kthye në besim dhe u pagëzua në gusht të 1949‑ës ku babai i saj mori pjesë. Bashkëshorti i saj më vonë i kërkoi misionarët dhe u pagëzua nga i njëjti misionar që i kishte dhënë mësim motrës Janagida.16

portret i gruas

Toshiko Janagida.

Plaku Renland: Vëllai dhe motra Janagida kishin vështirësi me pagimin e së dhjetës. Ata “nuk fitonin shumë para dhe ndonjëherë pyesnin veten nëse kishin mjaftueshëm për të paguar drekën e shkollës së djalit të tyre. Ata gjithashtu shpresonin të blinin një shtëpi. Pas një mbledhjeje të Kishës, [motra Janagida] e pyeti një misionar për të dhjetën. ‘Japonezët janë shumë të varfër tani pas luftës’, – tha ajo. ‘E dhjeta është shumë e vështirë për ne. A duhet ta paguajmë?’

Misionari u përgjigj se Perëndia i urdhëronte të gjithë të paguanin të dhjetën dhe foli për bekimet e bindjes ndaj parimit. [Motra Janagida] ishte skeptike – dhe pak e zemëruar. ‘Kjo është mënyra amerikane e të menduarit’, – tha ajo me vete.

… Një motër misionare i premtoi [motrës Janagida] se pagimi i së dhjetës mund ta ndihmonte familjen e saj të arrinte qëllimin e saj për të pasur shtëpinë e vet. Duke dashur të ishin të bindur, [vëllai dhe motra Janagida] vendosën ta paguanin të dhjetën e tyre dhe të mirëbesonin se bekimet do të vinin. …

[Ata] filluan t’i shihnin [ato] bekime … . Blenë një truall të përballueshëm në qytet dhe hartuan planimetri për një shtëpi. Më pas bënë një kërkesë për një kredi për shtëpinë përmes një programi të ri qeveritar dhe pasi morën miratimin për të ndërtuar, filluan punën për një themel.

Procesi shkoi mirë derisa një inspektor ndërtimi vuri re se trualli i tyre ishte i paarritshëm për zjarrfikësit. ‘Kjo tokë nuk është tokë e përshtatshme për të ndërtuar një shtëpi’, – u tha ai. ‘Nuk mund të vazhdoni më tej me ndërtimin.’

Të pasigurt se çfarë të bënin, [vëllai dhe motra Janagida] folën me misionarët. ‘Ne të gjashtë do të agjërojmë dhe do të lutemi për ju’, – u tha një misionar. ‘Ju bëni të njëjtën gjë.’ Për dy ditët në vijim, familja Janagida agjëroi dhe u lut me misionarët. Më pas erdhi një tjetër inspektor për të rivlerësuar truallin e tyre. … Në fillim, ai i dha familjes Janagida pak shpresa se do ta kalonin inspektimin. Por, kur pa truallin, vuri re një zgjidhje. Në rast urgjence, zjarrfikësja mund të shkonte te prona thjesht duke hequr një gardh aty pranë. Më në fund, familja Janagida mundi ta ndërtonte shtëpinë e vet.

‘Mendoj se ju të dy duhet të keni bërë diçka jashtëzakonisht të mirë në të shkuarën’, – u tha inspektori. ‘Në të gjitha vitet e mia nuk kam qenë kurrë kaq i gatshëm për të gjetur zgjidhje.’ [Vëllai dhe motra Janagida] ishin shumë të gëzuar. Ata kishin agjëruar dhe ishin lutur dhe e kishin paguar të dhjetën e tyre. Dhe pikërisht ashtu siç kishte premtuar [ajo] motër misionare [mbresëlënëse], ata do të kishin një shtëpi të tyren.”17

Shenjtorë rrotull globit kanë pasur përvoja të ngjashme kur e kanë paguar të dhjetën. Zoti i bekon njerëzit e Tij që janë besnikë e të bindur. Dhe është pagimi me besnikëri i së dhjetës, i cili ka lejuar që kudo në botë të ndërtohen tempuj.

Motra Renland: E di se jeta jonë bekohet në mënyra të vogla dhe domethënëse nëpërmjet të jetuarit të ligjit të së dhjetës. Ndonjëherë bekimet nuk janë ato që presim dhe mund të anashkalohen me lehtësi. Por ato janë reale. Ne i kemi përjetuar ato.18

Një nga ndodhitë e mia të parapëlqyera të treguar te seria Shenjtorët është mënyra se si u thirrën motrat e para për të shërbyer si misionare kohëplotë. Në Angli, në fund të viteve 1890, po qarkullonin thashetheme se gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme ishin syleshe dede që nuk mund të mendonin në mënyrë të pavarur. Më pas, një shenjtore e ditëve të mëvonshme nga Solt‑Lejk‑Siti, Elizabet Mek‑Kjuni dhe bija e saj shkuan në Londër për një vizitë të gjatë.

Kur morën pjesë në një konferencë të Kishës në Londër, Elizabeta u befasua kur “gjatë sesionit të paradites, Xhozef Mek‑Murrini, një këshilltar në presidencën e misionit, denoncoi … deklarata të papëlqyeshme për gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme [dhe njoftoi]: ‘Ne kemi këtu pikërisht tani një zonjë nga Juta … . Ne do t’i kërkojmë Motrës Mek‑Kjuni të flasë këtë mbrëmje dhe t’ju tregojë për përvojën e saj në Jutë.’ Më pas ai i nxiti të gjithë në konferencë që të sillnin miqtë e tyre për ta dëgjuar atë të fliste.”

“Me afrimin e orës së takimit, njerëzit e mbushën sallën plot. Elizabeta tha një lutje në heshtje dhe u ngrit.” Ajo i foli turmës rreth besimit dhe familjes së saj, duke dëshmuar me guxim për vërtetësinë e ungjillit. Ajo gjithashtu tha: “‘Feja jonë na mëson se bashkëshortja qëndron krah për krah me bashkëshortin’. Kur mbaroi takimi, të panjohurit i shtrënguan dorën Elizabetës. ‘Nëse më shumë nga gratë tuaja do të dilnin këtu’, – tha dikush, – ‘do të bëheshin shumë gjëra të mira.’”

“Pasi pa efektin e Elizabetës te publiku, [Presidenti Mek‑Murrin i shkroi Presidentit të Kishës:] ‘Nëse një numër grash të zgjuara dhe inteligjente do të thirreshin në misione në Angli, … rezultatet do të ishin të shkëlqyera’.” “Vendimi për të thirrur gra si misionare predikuese me kohë të plotë ishte pjesërisht rrjedhojë e predikimit të Elizabet Mek‑Kjunit.”19

portret i plotë i gruas

Elizabet Mek-Kjuni.

Më 22 prill 1898, Ajnez Najti dhe Xheni Brimholli u ankoruan në portin e Liverpulit në Angli. Ato ishin të parat që ishin veçuar si “zonja misionare” për Kishën.

Ato e shoqëruan Presidentin Mek‑Murrin dhe misionarë të tjerë në një qytet në lindje të Liverpulit. Në mbrëmje, një turmë e madhe mori pjesë në një takim në rrugë me misionarët. “Presidenti Mek‑Murrin njoftoi se një mbledhje e veçantë do të mbahej të nesërmen dhe ai i ftoi të gjithë të vinin dhe të dëgjonin predikimin nga ‘gratë mormone të vërteta e të gjalla’.”20 Ky është ditari misionar i Ajnez Najtit. Ajo shkroi: “Në mbrëmje fola mes frikës dhe drithërimave, por u befasova dhe vetë”21. Ajo e dalloi ndihmën qiellore që mori, kur shkroi: “Në mbrëmje i fola një turme të madhe, por u bekova me lutjet e misionarëve të tjerë”22. Këto “gra mormone të vërteta e të gjalla” e bënë mirë detyrën e tyre, duke shkuar derë më derë dhe duke dëshmuar shpesh në takimet në rrugë. Së shpejti atyre iu bashkuan motra të tjera misionare që punuan në të gjithë Anglinë.

Plaku Renland: Motra Najt dhe Motra Brimholl ishin fillimi. Në këtë periudhë ungjillore kanë shërbyer qindra mijëra motra misionare.23 Një nga gjërat që më bën përshtypje për motrat misionare, është se ato mund të jenë të efektshme duke qenë vetvetja. Ato janë gra të vërteta shenjtore të ditëve të mëvonshme. Ashtu si Motra Najt dhe Motra Brimholl, ato u flasin njerëzve rreth asaj se kush janë dhe pse besojnë ashtu siç besojnë.

Ndikimi i motrave misionare në mbledhjen e Izraelit ka qenë i jashtëzakonshëm. Një misionar i ri në moshë më pyeti kohët e fundit në një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh se pse lagjet në misionin e tij parapëlqenin motrat misionare. Përgjigjja ime ishte thjesht: “Sepse motrat i japin zemrën dhe shpirtin punës. Anëtarët i duan të gjithë misionarët që e bëjnë këtë, duke dhënë gjithçka.”

Përgjigjja e motrave misionareve ndaj thirrjeve misionare ka qenë dhe vazhdon të jetë një pjesë kryesore e përhapjes së ungjillit. Presidenti Nelson tha në konferencën e përgjithshme të prillit: “Ne i duam motrat misionare dhe i mirëpresim me gjithë zemër. Ajo që ju jepni në këtë punë, është madhështore.”24

Motra Renland: Më bën gjithashtu përshtypje e mira që erdhi nga Motra Mek‑Kjuni, e cila nuk u thirr dhe nuk u veçua si misionare. Por kjo motër e dashur i bëri gjërat të ndodhin për shkak të besimit të saj.25

Kjo na sjell te një ndodhi tjetër e mahnitshme e vëllimit 3 të serisë Shenjtorët. Ne gjejmë shembuj të shenjtorëve që e treguan dishepullimin e tyre në rrethanat më të vështira. Armiqtë e mëparshëm e mposhtën armiqësinë dhe u bashkuan teksa u mbështetën te Jezu Krishti.

Pas Luftës II Botërore, “Holanda ishte në një gjendje të mjerueshme pas pesë vjetësh pushtimi [nga regjimi nazist gjerman]. Më shumë se dyqind mijë holandezë kishin vdekur gjatë luftës dhe qindra mijëra shtëpi ishin dëmtuar ose shkatërruar. Shumë shenjtorë në … Holandë ishin të hidhëruar me gjermanët” dhe me njëri-tjetrin sepse disa kishin rezistuar dhe të tjerë kishin bashkëpunuar me pushtuesit. Ndarja ishte e dukshme.

Plaku Renland: “Presidenti i misionit, Kornelius Zapei, i nxiti degët e Kishës që të plotësonin furnizimet e tyre ushqimore duke filluar projekte për rritjen e patates nëpërmjet përdorimit të farave të patateve nga qeveria holandeze.” Me këtë nxitje, “degët në Holandë … mbollën ngastra me patate kudo që gjenin një truall, duke rritur patate në kopshtet pas shtëpisë, kopshtet me lule, tokat e lira dhe pjesët me bar në trafikndarëset në mes të rrugës.

Afër kohës së korrjes, [Presidenti Zapei] mbajti një konferencë misioni në qytetin e Roterdamit.” Ai e dinte nga bisedat me presidentin e Misionit të Gjermanisë Lindore “se shumë shenjtorë në Gjermani vuanin nga mungesa e madhe e ushqimit. [Presidenti Zapei] donte të bënte diçka për të ndihmuar, kështu që ai u kërkoi udhëheqësve vendorë nëse do të ishin të gatshëm t’u jepnin një pjesë të korrjes së tyre të patateve shenjtorëve në Gjermani.

‘Disa nga armiqtë më të hidhur që keni hasur si rezultat i kësaj lufte, janë gjermanët’, – e pranoi ai. ‘Por ata njerëz tani janë shumë më keq se ju.’

Në fillim, disa shenjtorë holandezë i rezistuan planit. Pse duhet t’i ndanin patatet e tyre me gjermanët? [Disa kishin humbur shtëpitë] nga bombat gjermane ose [i kishin parë] njerëzit e dashur të vdisnin nga uria, sepse pushtuesit gjermanë ua kishin marrë ushqimin.”

Presidenti Zapei i kërkoi Piter Vlamit, një ish-i burgosur lufte dhe udhëheqës i degës së Kishës në Amsterdam, “të vizitonte degët në të gjithë Holandën dhe t’i nxiste ata që ta përkrahnin planin”, duke bërë një dallim midis regjimit nazist dhe popullit gjerman. “Piteri ishte një udhëheqës me përvojë i Kishës, burgimi i padrejtë i të cilit në një kamp gjerman, ishte një fakt i mirënjohur. Nëse shenjtorët holandezë e donin dhe i mirëbesonin dikujt në mision, ai ishte Piter Vlami.”

Kur Piteri u takua me degët, “ai përmendi tërthorazi vështirësitë e tij në burg. ‘E kam kaluar këtë’, – tha ai. ‘Ju e dini që e kam kaluar.’ Ai i nxiti ata që ta falnin popullin gjerman. ‘E di se sa e vështirë është t’i duash ata’, – tha ai. ‘Nëse ata janë vëllezërit dhe motrat tona, atëherë ne duhet t’i trajtojmë ata si vëllezërit dhe motrat tona.’”

Motra Renland: “Fjalët e tij dhe fjalët e presidentëve të tjerë të degëve, i prekën shenjtorët dhe zemërimi i shumë njerëzve u shkri ndërsa mblidhnin patate për [vëllezërit dhe motrat] e tyre gjermane.” Jo vetëm kaq, por edhe mosmarrëveshjet dhe mosbesimi që kishin ekzistuar mes anëtarëve brenda degëve, filluan të zhdukeshin. Anëtarët “e dinin se mund të punonin së bashku në vazhdim.

Ndërkohë [Presidenti Zapei] punoi për të siguruar lejet për transportin e patateve në Gjermani. … Kur disa zyrtarë u përpoqën të ndalonin planet e dërgesës, [Presidenti Zapei] u tha atyre: ‘Këto patate i përkasin Zotit dhe nëse është vullneti i Tij, Zoti do të kujdeset që ato të shkojnë në Gjermani’.

burra duke mbajtur thasë me patate

Kornelius Zapei, misionarët holandezë dhe shenjtorët holandezë ngarkojnë patate për transport.

Më në fund, në nëntor 1947, shenjtorët holandezë dhe misionarët u takuan në Hagë për të ngarkuar … më shumë se 63 tonë patate. Pak kohë më vonë, patatet mbërritën në Gjermani për t’u shpërndarë mes shenjtorëve. …

Fjala për projektin e patateve shpejt i erdhi në vesh Presidencës së Parë. I mahnitur, Presidenti Dejvid O. Mek‑Kej tha: ‘Kjo është një nga veprat më të mëdha të sjelljes së vërtetë të krishterë që më është sjellë ndonjëherë në vëmendje’.”26

shenjtorët holandezë rreth një kamioni të ngarkuar me thasë me patate

Plaku Renland: Një vit më pas, anëtarët holandezë u dërguan përsëri një prodhim të madh të patateve gjermanëve. Dhe ata shtuan [peshq] harenga, duke e bërë dhuratën edhe më të konsiderueshme. Disa vite më vonë, në 1953‑in, niveli i Detit të Veriut u ngrit, dhe përmbyti pjesë të konsiderueshme të Holandës, duke i lënë anëtarët holandezë në nevojë. Këtë herë, shenjtorët gjermanë dërguan ndihma në Holandë për t’i ndihmuar në kohën e tyre të nevojës. Veprat e bamirësisë të shenjtorëve holandezë kanë bërë jehonë për vite me radhë dhe japin një testament të qëndrueshëm të dashurisë dhe dashurisë hyjnore që është e mundur, madje edhe mes armiqve, kur njerëzit e zakonshëm e duan së pari Perëndinë dhe të afërmin e tyre si vetveten.

Gatishmëria për të falur u solli shërim anëtarëve holandezë. Kam gjetur se e njëjta gjë është e vërtetë për mua. Nëse mbaj mëri, Shpirti hidhërohet. Nëse jam i zemëruar, jam më pak dashamirës dhe më pak i ngjashëm me Krishtin në sjelljen time ndaj të tjerëve. Kjo e vërtetë është thënë bukur nga një personazh në romanin e Alan Patonit të vitit 1953, Too Late the Phalarope [Shumë Vonë, Falarop], i vendosur në Afrikën e Jugut ku kishte aparteid: “Ekziston një ligj i vështirë … që kur lëndohemi thellë, ne nuk shërohemi kurrë derisa të falim”27.

Motra Renland: Ka shumë më tepër ndodhi frymëzuese nga historia e Kishës gjatë këtij harku kohor që tregohen te Shenjtorët, vëllimi 3, ndodhi nga çdo pjesë e botës. Ndoshta do të dëshironit të dini diçka për Uilliam Danielsin, i cili shërbeu me besnikëri për vite të tëra në Kejp‑Taunin me ndarje racore në Afrikën e Jugut. Edhe pse nuk ishte shuguruar në një detyrë priftërie, ai pati një dëshmi të zjarrtë.28

Plaku Renland: Ose për Rafael Monroin dhe Visente Moralesin në Meksikë, të cilët u martirizuan për besimin e tyre. Dhe për nënën e Rafaelit, Hesusitan dhe bashkëshorten, Guadalupen, të cilat udhëhoqën familjen dhe komunitetin e tyre me guxim, pavarësisht nga kërcënimet e vazhdueshme.29

portret i gruas

Hesusita Monroi.

Motra Renland: Ose për Alma Riçardsin, shenjtori i parë i ditëve të mëvonshme që fitoi një medalje olimpike, pjesërisht sepse zgjodhi të jetonte Fjalën e Urtësisë.30

Plaku Renland: Ose për Hirini Uangan, i cili, i përkrahur nga bashkëshortja e tij besnike, Mire, u kthye në atdheun e tij në Zelandën e Re, si misionar për të predikuar dhe për të mbledhur emra për punën në tempull.31

Motra Renland: Ose për Helga Maizusin, e cila e ruajti besimin si një grua e re shenjtore e ditëve të mëvonshme në Gjermaninë naziste pavarësisht nga mujshimi [bullizmi] nga ish-shoqet, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës.32

Plaku Renland: Ose për Evelin Hoxhisin, e cila punoi si punonjëse sociale e punësuar nga Shoqata e Ndihmës për t’i ndihmuar familjet të rimëkëmbeshin gjatë Depresionit të Madh.33

Motra Renland: Epo, nuk kemi më kohë për të nxjerrë në pah ndodhi të tjera, por e di që të gjithë do të dëshironi ta lexoni vetë këtë vëllim të tretë të serisë Shenjtorët.

Plaku Renland: Për mua, himni i përsosur për këtë periudhë në historinë e Kishës është “Dëgjoni Kombe!”34, të cilin kori do ta këndojë në mbyllje të takimit tonë. “Dëgjoni Kombe!” u shkrua nga Luis F. Mynç, një vendas nga Gjermania, i cili u bashkua me Kishën ndërsa udhëtoi përmes Solt-Lejk-Sitit. Më vonë ai shërbeu si misionar për Kishën në Zvicër dhe Gjermani. Ndërkohë që ishte në këtë mision, ai botoi shumë materiale në gjermanisht, përfshirë himnin “Dëgjoni, Kombe!” Ai u bë një nga himnet më të dashura të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme gjermanishtfolës. U botua për herë të parë në Gjermani në këtë libër himnesh fetare në 1890‑ën. U përkthye në gjuhë të tjera dhe u botua si pjesë e librit të tanishëm të himneve që përdorim. Ai variant la jashtë strofën e tij të tretë që kori do ta këndojë gjithashtu.

Kjo strofë e tretë përshkruan atë që bënë në këtë epokë shenjtorët për të cilët folëm. Ata e “nder[uan] Perëndinë e vetëm e të gjallë. [Erdhën] e [u] pagëzuan; te shufra [u] mbajtën. [Ia dhanë] zemrën Atij, me besim te Biri i Tij – Jezusi, i Shenjti.”

Ju ftoj ta lexoni serinë Shenjtorët që të mësoni dhe kuptoni historinë e Kishës dhe të mësoni nga shembulli i anëtarëve të saj. Shenjtorët është një seri e hulumtuar jashtëzakonisht mirë dhe e besueshme. Është një testament për Rivendosjen e vazhdueshme të Kishës së Jezu Krishtit. Historia jonë është frymëzuese. Kjo histori është trashëgimia jonë e përbashkët, qoftë nëse rrjedhim nga pionierë të hershëm, pionierë të mëvonshëm, ose nëse jemi ne pionierë në besim.

Përse ka rëndësi kjo? Pse do të kalonim kaq shumë kohë duke i treguar këto ndodhi? Kjo është sepse këto ndodhi na japin shembuj nga jeta reale të fuqisë prej arritjes së njohjes të Shpëtimtarit tonë. Unë e di se Jezu Krishti jeton, e udhëheq këtë Kishë dhe vëzhgon mbi popullin e Tij të besëlidhjes, që është i armatosur me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe. Kërkoj një bekim mbi ju që ta ndieni dashurinë e Shpëtimtarit në jetën tuaj teksa vini më pranë Atij dhe Kishës së Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Moroni 10:3.

  2. A Message from the First Presidency”, Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. xv.

  3. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 94. Presidenti Nelson tha gjithashtu: “Ne jemi dëshmitarë të një procesi të rivendosjes. Nëse mendoni se Kisha është rivendosur plotësisht, ju po shihni vetëm fillimin. Ka shumë më tepër që do të vijë. … Pritni deri vitin që vjen. Dhe më pas vitin e ardhshëm. Pini vitaminat. Çlodhuni sa duhet. Do të jetë emocionuese” (Russell M. Nelson në “Latter-day Saint Prophet, Wife and Apostle Share Insights of Global Ministry” [30 tetor 2018], newsroom.ChurchofJesusChrist.org).

  4. Joseph Fielding Smith, përmb., Life of Joseph F. Smith (Salt Lake City: Deseret News Press, 1938), f. 474.

  5. Shih Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, 1893–1955 (2022), f. 202–205.

  6. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 206–207.

  7. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 31–32.

  8. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 32.

  9. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 33.

  10. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 33; Doktrina e Besëlidhje 137:7.

  11. Hebrenjve 11:13.

  12. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, f. 95.

  13. Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, f. 94–95.

  14. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 71, 74.

  15. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 74–77.

  16. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 525–528, 531–534

  17. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 542–545.

  18. Shih Dejvid A. Bednar, “Pragjet e Qiellit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 17.

  19. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 55–58, 63–65.

  20. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 6364.

  21. Inez Knight Allen diary, 2 prill 1898, L. Tom Perry Special Collections, Harold B. Lee Library, Brigham Young University, Provo, Utah, f. 16.

  22. Inez Knight Allen diary, 2 prill 1898, f. 18.

  23. 297 478 motra beqare në moshë të re kanë filluar një mision kohëplotë midis 1 janarit 1981 dhe 1 janarit 2022.

  24. Rasëll M. Nelson, “Predikimi i Ungjillit të Paqes”, Liahona, maj 2022, f. 6.

  25. Shih Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 95–98.

  26. Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 500–504.

  27. Alan Paton, Too Late the Phalarope (New York: Scribner Paperback Fiction, 1995), f. 278.

  28. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 308–310, 322–324.

  29. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 161–162, 172–176, 186–189.

  30. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 147–150, 156–159.

  31. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 52–55, 66–68, 78–80.

  32. Shih “Meyer, Helga Meiszus (Birth)” në indeksin e Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent.

  33. Shih Saints, vëll. 3, Boldly, Nobly, and Independent, f. 305–308, 315–317, 327–329.

  34. Dëgjoni Kombe!”, Himne, nr. 171. Përkthimi që këndohet në anglisht i strofës 3 nga gjermanishtja është:

    “Nderoje Perëndinë e vetëm e të gjallë.

    Eja e pagëzohu; te shufra mbahu.

    Jepi zemrën tënde Atij, me besim te Biri i Tij –

    Jezusi, i Shenjti.”

    Një përkthim më i fjalëpërfjalshëm në anglisht i strofës 3 nga gjermanishtja është:

    “Nderoje Perëndinë e vërtetë e të përjetshëm,

    Fjala e Tij kërkon pendim e pagëzim.

    Shenjtëroje zemrën dhe përmes Birit

    Ti do të marrësh një shpërblim!”